Prof. dr. Muhamet Pirraku: EPOPETË MË TË SHKËLQYESHME PËR SHQIPËRINË ETNIKE

Nën këtë titull kam përmbledhur ndriçimin e dy luftërat heroike të popullit tonë me mbështetje edhe mbi Gallapin si për shkëmbin shekullor – të Luftës së Velegllavës, së 28 qershorit dhe të Luftës së Kikës të 26 korrikut 1944, përball njësive të divizioneve 22, 24, 46 e 47 të Korpusit XIII të UNÇJ së. Nga fundi i qershorit të vitit 1944, në linjën kufitare në gjatësi prej rreth 20 km, prej Zhujës, Kikës, Velegllavës, Çukës së Zezë, Kopilakut, etj., populli doli masivisht. Aso kohe, konsiderohej se në këtë pjesë të kufirit të Shqipërisë kishte 3000 3500 ushtarë dhe vullnetarë, të cilët shkenca historiografike e periudhës së Jugosllavisë avnojiste i konsideronte “forca ushtarake kuislinge”!?!
Ndeshja e parë, më e madhe, e mbrojtësve të kufirit shqiptar me njësitë sulmuese të armikut komunisto çetnik serb, ndodhi më 28 qershor 1944, filluar me sulmin në pozicionet e Kikës. Flaka e luftës u përhap me shpejtësi të rrufeshme për gjatë tërë kufirit të Kosovës Lindore, por një luftë njëzet e katër orëshe, të thuash fyta fytazi dhe tepër e përgjakshme, ndodhi në pozicionet e katundit Velegllavë, për çka kjo luftë, më vonë, do të njihet me emrin: Lufta e Velegllavës. Pushtimi eventual i këtyre pozicioneve do të siguronte marrjen e Hogoshit, si deriçkë për të depërtuar në viset rrafshinore të Anamoravës së Gjilanit.
Me vullnetarët në pozicionet e Velegllavës komandoi, drejtpërdrejt, Mulla Ramadan Ahmeti i Debërçanit, kurse Mulla Idrisin, fillimi i zjarrit të luftës e gjeti në pozicionet e Kikës, aty ku filloi lufta. Komandanti i Përgjithshëm, Mulla Idrisi, e përcillte situatën në front, me durbi, dhe aty ku i dukej se kishte nevojë më të madhe për kurajo, shalonte allxhin dhe prej një pozicioni arrinte në tjetrin. Mulla Idrisi nga pozicionet e Kikës, ku pa vështirësi ishte sprapsur armiku, duke lënë shumë të vrarë, kaloi në pozicionet e Velegllavës. Forcat sulmuese të okupatorit serb komunisto çetnik do të thyhen keq, por lufta nuk do të pushojë edhe më 29 qershor, derisa armiku u shtrëngua të tërhiqet, plotësisht, larg kufirit, më larg se zjarri i artilerisë fushore shqiptare. Numri i të vrarëve, i të plagosurve dhe i të kapurve robër, në anën e armikut, ishte i madh.
Të dhënat burimore flasin për më se 120 ushtarë të vrarë dhe për 102 ushtarë të armikut të kapur, prej të cilëve 30 të plagosur rëndë. Nga “Kujtimet e Sylë Ademit Kopernicës”, ish-komandant i vullnetarëve me orientim antifashist, shihet se armiku në fushë të betejës la 200 të vrarë dhe 131 të robëruar. Midis të të zënëve robër ishte edhe komunisti shqiptar Imer Fejzoviq Molla i Cfircës, i cili pati trajtim të posaçëm, si tradhtar i atdheut. Ai, në sulmin drejtë Kikës i priu Brigadës XIII Sulmuese serbe. Për mbarimin e Luftës së Velegllavës në favor të shqiptarëve, numerikisht shumë më pak se ushtarët e armikut, pati rol vendimtar bateria precize, katërmbëdhjetë anëtarëshe, e kapiten Shefqet Bylykbashit. Kjo bateri artilerike me disa predha e goditi edhe Shkollën e Marocës, ku ishte vendosur Shtabi i njësive të pushtuesit serb. Këtë qendër komandimi serb, në thellësi të territorit serb, do ta kallin e shkatërrojnë, të thuash me themel, vullnetarët shqiptarë të entuziazmuar nga fitorja mbi armikun shumë më mirë të armatosur.
Në luftën 24 orësh të datës 28 29 qershor 1944 patën humbje të konsiderueshme edhe njësitë e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Kufirit. Sipas të dhënave të Sylë Kopërnicës, shqiptarët patën 15 të vrarë dhe 20 të plagosur. Midis dëshmorëve, përpos kapterit Abdi Gjoka të Matit, sipas të dhënave të sistematizuara të organit “Lidhja e Prizrenit” të 9 korrikut 1944, dhe të dhënat nga terreni, ishin: Bajram Ahmeti e Osman Hajdini të Poliçkës; Hafiz Haliti, Avdi Halimi e Osman Qemaili të komunës së Hogoshit, Sejdi Sahiti, Murteza Fetahi, Daut Mehmeti e Rrahman Isaku të Velegllavës; Selim Ademi nga Kryeqelpa; Ahmet Jashari, Rexhep Ajeti, Hamdi Azemi e Mehdi Fetahu të Laçiqit; Islam Azizi i Desivojcës; Januz K. Januzi nga komuna e Sedllarit, Fetah Vejseli i Zarbincës, Bajram B. Osmani i Cfircës. Të plagosur: Ramadan Hajrizi, Sejfedin Rexhepi, Rasim Rexhepi të komunës së Hogoshit; Osman Mehmeti i Velegllavës; Rexhep Selimi i Laçiqit; Hasan Kamberi i Desivojcës, Hidajet Abdullahu i Zarbincës, dhe Maliq Qazimi i Krenidellit. Në këtë luftë pati edhe të zhdukur: Hasan Xhemshiti i Krenidellit; Hasan Neziri i Pribocit dhe Shefki R. Sherifi i Qarrit.
Forcat komunisto çetnike serbe kundër Kosovës, më 28 dhe 29 qershor 1944, i ndihmoi aviacioni anglo amerikan, i cili bombardoi shumë qytete e fshatra të Kosovës, me ç’rast, sipas të dhënave burimore, vranë së paku 50 qytetarë, civilë, të Kosovës. Megjithatë, fitorja shqiptare në Frontin e Gjilanit, më 28 29 qershor 1944 do të bëhet shkollë e mirë për sulmuesit në tokat e Shqipërisë etnike me bekimin e komunistëve shqiptarë!? Në anën tjetër, kjo fitore e rriti moralin, guximin dhe vendosmërinë shqiptare për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, deri në pikën e fundit të gjakut shqiptar të saj. Këtij ngadhënjimi shqiptar, përmes penës së patriotit Liman Staneci(1923-1991), i bëri jehonë “Lidhja e Prizrenit”, me artikullin: “Marrim e botojmë: Nji shpartallim i ri i çetave komuniste n’anë të Gjilanit”, të datës 9 korrik 1944, ku konstatohej: “Z. Drejtor,
U lutem te keni mirësin në numrin e parë të fletorës “Lidhja e Prizrenit” me botue sa vijon:
Anmiku shekullor, lakmues’i tokave të huaja i dejun me ideologjina te ndryshme (komuniste, nacionaliste e që të dyja këto formojnë një të tretën: Pansllaviste) prap, më dt. 28.6.1944, me një numer aproksimativisht 400 500 vetësh sulmoi tokat Shqiptare, tue kalue kufinin ne vendin e quajtun “Kika”, mbassi në afersinen e katundeve Cfircë e Tugjevc nuk kishte muejtë. Forcat t’ona te perbame prej ushtrisë të rregulltë dhe fuqisë kreshnike, të komandueme prej oficerave dhe N/oficerave trima, filluen luften. Gjatë luftës që vazhdoi 12 orë dhe betejës më dt. 29.6.1944, grupet komuniste, Nacional shoveniste pansallaviste, u shpartalluen me humbje për ta: 120 vra vdekë, 102 robë nga të cilët 30 janë plague randë. Besohet se numri i të vramve e të plagosunvet do të shtohet mbas hetimeve që janë tue u zhvillue, përveç tjerve që kanë kalue vijen Demarkacione Shqiptaro Bullgare dhe janë vra e zanë rob prej ushtris bullgare. Midis të zanunve rob janë edhe shtatë vajza, dy të plagueme e tri univerzitare. Prej tanve janë vra dy ushtar e pesëmbëdhjetë vullnetarë kreshnikë, kurse katër ushtarë e katërmbëdhjetë vullnetarë janë plague lehtë.
Të gjith të plagosunit janë transportue në Spitalin e Gjilanit për mjekim.
Kjo ndeshje me bandat komuniste, qi lumnisht përfundoi me fitimin t’onë, u prit me manifestime simpatike nga populli, i cili u betue me ket rast se do te ndjekin gjurmen e deshmorvet si kapter Abdi Gjoka, nga Mati, Antari i Komitetit Komunal të Lidhjes II të Prizrenti, Bajram Poliçka e tjerve, që ranë viktimë në ket betejë për Lirinë dhe kurrë nuk kanë me lanë qi kamba e anmikut te shkeli tokat t’ona te bekueme”.
Fitorja e 28 qershorit 1944, në Velegllavë, provokoi një valë të re te rekrutimit të vullnetarëve për radhët e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe veçanërisht në viset e Gjilanit, Kaçanikut, Ferizajt dhe Prishtinës. Në shënimin: “Manifestime patriotike në Ferizaj për vullnetarët që kërkojshin me shkue në front”, të botuar në “Lidhja e Prizrenit” të 9 korrikut 1944, vihej në pah se, porsa “erdhi lajmi se filloi Lufta në Kikë”, qinda të rinj ferizajas u paraqitën me vullnet për të shkuar në front kundër serbëve, mirëpo, pasi erdhi lajmi i 29 qershorit se serbët u thyen, nënprefekti e mbajti nji fjalë dhe u tha: “Të rrini gati për kur të kërkohet nevoja…!”
Rezistenca dhe përballimi i suksesshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Kufirit të Shqipërisë më 28 qershor 1944, Komandës Supreme Serbe e Jugosllave të LNÇ së, u dha të kuptojnë se depërtimi i ushtrisë serbosllave komunisto çetnike në tokat e Shqipërisë etnike, nuk do të jetë i lehtë! Së këndejmi, pa i ndërprerë kërcënimet për gjatë tërë linjës së kufirit, me qëllim që t’i lodhnin dhe t’i demoralizonin vullnetarët e rojës kombëtare të kufirit, gjatë tërë korrikut të vitit 1944, armiku e përgatiti një ofenzivë të re kundër viseve lindore të Shqipërise etnike, ose më qartë në kufij të Kosovës Lindore. Fronti do të shtrihet për gjatë kufirit në viset e Llapit, të Gallapit e të Karadakut Verior, me një përqëndrim në drejtim të Hogoshit.
Komanda ushtarake e kufirit, dhe Shtabi i Mbrojtjes Kombëtare të Nënprefekturës së Gjilanit, e prisnin një sulm të armikut për hakmarrje e ndëshkim mizor, për humbjet e datës 28 qershor 1944, dhe i bënë të gjitha përgatitjet për një mbrojtje të suksesshme. Më 26 korrik 1944, në orën 2, pas mesit të natës, njësitë serbe mësyn në pozitat e Zhujës e të Kikës, por si fitil dinamiti, lufta u shtri në tërë gjatësinë prej rreth 20 km, në pozicionet e Shahiqit, Zhujës, Çukës së Zezë, Lisockës, Poliçkës, Velegllavës, Laçiqit, Desivojcës, Kopilakës e Tërstenës. Kur filloi sulmi i 26 korrikut, Komandanti zulmëmadh, Mulla Idrisi, ishte në pozicionet e Shahiqit i shoqëruar nga Mulla Smajli i Desivojcës. Në shumë pozicione, dhe veçanërisht në pozicionet e Kikës, lufta u zhvillua në afërsi dhe gati bajonetë me bajonetë. Në këto pozicione armiku sulmoi me fuqi të mëdha, dhe me armë moderne. Pas një ndeshjeje të përgjakshme forcat shqiptare, në këtë Termopile shqiptare, do të sprapsen për një çerek ore në brendi të tokës shqiptare. Ndërkohë, në disa pozicione, forcat e armikut u thyen dhe nisën lëvizjet e forcave shqiptare prej një pozite në tjetrën, atje ku kishte më shumë nevojë, por pa e dobësuar mbrojtjen për gjatë tërë kufirit.
Komandanti i pathyeshëm, Mulla Idrisi vetëtimë, gjatë tërë kohës së zjarrit të luftës, shkonte, si zakonisht, prej një pozicioni në tjetrin. Luftonte pa i zbritur kalit, ose pip në këmbë dhe me këshilla e urata i inkurajonte bashkëluftëtarët. “Në flakën e luftës dukej si engjëll, që bekonte fitoren aq të dëshiruar…!” thoshte Mulla Ferat Daka, bashkëluftëtar i tij. Me arritjen e Mulla Idrisit në pozicionet e Kikës, ku armiku kishte shkelur tokën shqiptare në thellësi rreth dy kilometra, fati i luftës ndryshoi. Mbrojtësit e kufirit të Atdheut morën guxim, e forcë fizike, për të marrë një kundërsulm të fuqishëm. Ishte fillimi i territ të mbrëmjes, vetëm sa njeriu dukej si hije a siluetë, armiku zuri të sprapset. Plumbat me dritë sikur përvëlonin gurë e drunj. Në luftën e datës 26 korrik 1944, e cila në popull do të njihet si Lufta e Kikës, në pozicionet pranë Gurit të Zi, në Desivojcë, si një flamurtar i vërtetë, i mahnitur nga arti luftarak të fshatarëve shqiptarë të Kosovës kreshnike, luftonte, si ushtari më i mirë, edhe komandanti i Regjimentit IV të Ushtrisë Shqiptare, koloneli Fuad Osman Xhafer Dibra, kurse me vullnetarët, dhe me luftën në këtë pozicion, komandoi Jakup Bislim Karaçeva, anëtar i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të Nënprefekturës së Gjilanit, e në tërë frontin, përpos Mulla Idrisit, epror e udhëheqës shpirtëror, komanduan ushtarakët: kapiten Sahit Basha, kapiten Shefqet Bylykbashi, kapter Jusufi, kapter Nazmi Budriga, kapter Demir Korça, toger Gjon Martini, toger Ymer Leka, toger Mark Ferizajasi, nëntoger Rifati, e dhjetëra komandantë kompanish vullnetare, ulema e mualimë të njohur.
Pejani kapiten Sahit Basha, i mahnitur nga aftësia ushtarake, trimëria dhe vetësakrifica liridashëse e fshatarëve shqiptarë të Kosovës Lindore, nga sinqeriteti dhe ndershmëria e tyre, u tha, bashkëluftëtarëve: “Kam marrë pjesë në Luftën 164 ditëshe me grekët, në vise të Shqipërisë jugore, dhe mund t’u garantojë se, asnjë ditë nuk gjason me këtë, të sotme…!” Këtu duhet të konstatohet se komanda ushtarake jugosllave për ta evituar ardhjen e vullnetarëve shqiptarë nga viset e tjera të Kosovës në Frontin e Gjilanit, për ta dezorientuar interesimin shqiptar për këtë front, më 25 korrik 1944 intensifikoi Luftën në Sektorin e Murinës; më 26 korrik 1944, në Sanxhak dhe në viset e Karadakut të Anamoravës; më 27 korrik 1944 e sulmuan Rozhajën me viset përreth dhe më 28 korrik e sulmuan, barbarisht, Kuçishtën në viset midis Pejës e Gucisë. “Partizanët Serbo Malazez e Maqedonas tentojnë sulmin dëshëprues në të gjitha anët e Kosovës. Përgjegja e jonë kudo e fortë dhe decizive” shkroi “Lidhja e Prizrenit”, më 20 gusht 1944.
Fitorja shqiptare e datës 26 korrik 1944, në Luftën e Kikës, siç e quan populli, u arrit duke lënë 45 të vrarë dhe më se 90 të plagosur, siç del nga shënimet historike të Sylë Kopërnicës. Midis këtyre dëshmorëve janë edhe disa hogoshasë, të vrarë, nga predhat e artilerisë shqiptare të kapiten Shefqetit, i cili u detyra të shtinte në pozicionet afër “Gurit të Zi”, ku armiku ishte hedhur, me tërbim, me një numër të madh ushtarësh, mbi pozicionet shqiptare dhe lufta zhvillohej të thuash gjoks me gjoks, e me bajoneta. Pa përdorimin e artilerisë, edhe me rrezik për jetën e luftëtarëve shqiptarë, armiku do të fitonte në ato pozicione dhe do të depërtonte në drejtim të Gjilanit.
Armiku u thye me humbje katostrofale. Vetëm në pozicionet midis Shën Ilisë dhe të Kikës la mbi 100 të vrarë, kurse numri i të plagosurve ishte edhe më i madh. Në tërë linjën e frontit armiku serbo komunist, çetnik modern, më 26 korrik 1944, la 143 të vrarë, 209 të plagosur e një të kapur rob. Asnjë shqiptar i gjallë nuk ra në duar të armikut, sikurse edhe më 28 qershor 1944.
Për trimëri e heroizëm të paparë në pozicionet e Shën Ilisë Kikës, midis të tjerëve, e kërkon vendi të përmenden së paku emrat e dy dëshmorëve; tetari Nexhmedin Refki Kuçi nga Prizreni dhe i ushtarit trim nga Kukësi, me emrin Liman. Ata ishin mitralozxhinjë të shkathët e sypatrembur, dhe nuk do të ngritën nga pusitë, duke përballuar edhe përleshjet me bajoneta. Nexhmedini ra heroikisht në vendin “Te Karakolli i Ilisë”, duke lënë para vetes dhjetëra të vrarë e të plagosur. Bashkëluftëtarët e sollën në Hogosh dhe e varrosën në Vorret e Hogoshit. Varrin e kemi evidencuar, aty buzë asfaltit, pranë murit të oborrit të Ramadan Mujës, viza vi me shkollën. Ndërkaq, ushtari trim, kukësari, Limani, përballoi sulmet e një njësiti të armikut dhe para mitralozit të tij la dhjetëra të vrarë, aty “Te Udha e Topit”, mbi shtëpinë e Xuxakëve të Lisockës. Duke parë se do të binte, bashkëluftëtarëve u thërriti: “Amanet, o Burra, të më varrosni këtu, buzë kufirit, ku mbrohet Shqipëria etnike…!” U varros sipas dëshirës së fundit, në tokën mëmë të Kosovës, pa qefin dhe pa dërrasa varri, mu si varrosën Shehitët e Vatanit, të besës dhe të populllit me teshat dhe armatimin personal.
Këtu e kërkon vendi të spikatim shëmbëlltyrën e komandantit të Njësive Kreshnike, 32 vjeçarit Islam Hasani të Shahiqit të Gjyrishecit, një skyfter sogjetar, një trim e burrë, i njohur me emrin Lam Shahiqi (1902 1944), legjendë për besnikëri ndaj Atdheut. Lami, kur e pa se njësia e tij do të pësojë nga breshëri i plumbave të armikut, hipi në një qershi, te Kroni i Lakut, mbi Poliçkë, dhe me një armë automatike të rëndë, vrau rreth 50 ushtarë të armikut. Nga qershia do të lëshohet i bërë copë copë nga mina e një murtajeje kundër tankeve!
Sipas gazetës “Lidhja e Prizrenit” të datës 10 shtator 1944, dhe të dhënave të tjera, në Frontin e Gjilanit, më 26 korrik 1944, ranë këta dëshmorë të Shqipërisë etnike: Kadri Hyseni, Shaban Jashari, Hamdi Ahmeti, Asllan Halili, Ramadan Selimi, Taip Saliu, Rexhep Arifi, Rahman Jahiri, Islam Bislimi, Shefki Shabani, Salih Rexhepi, Sejdi Tahiri, Hajdin Halili, Ibrahim Rahmani, Osman Haziri, Fejzë Ramizi, Mustafë Osmani të gjithë të komunës së Hogoshit; Hanife Hajdini, Hasime Hajdini, Ramize Shefki Kurteshi, Selman Murseli, Kadri Zyberi, Feti Sherifi të Velegllavës; Miftar Ajvazi, Dalip Nuhiu, Sejdi Tahiri, Xhemail Islami, Riza Ramadani, Hamdi Hasani, Xhafer Mustafa, Murat Beqiri, Abdullah Shabani, Hamdi Xhemaili, Shaban Rexhepi, Riza Alija të komunës së Pozharanit; Qazim Ibushi, Hajrush Fazlija të komunës së Sllatinës. Mandej, Imer Zejnullahu i Përlepnicës, Mulla Mustafë Osmani, Makush Demi e Selim Xuxaku të Lisockës, Memë Kërçeli nga Zhuja, e të tjerë.
Më rëndë u plagosën: Rexhep Haziri (Hogosh), Islam Bajrami, Shaqir Maliqi, Zyber Hajdini, Musli Hajdini e Munish Bahtijari (Velegllavë); Ali Ymeri, Muharrem Shaqiri, Qazim Ymeri, Bahtiar Ramadani, Islam Halili, Salih Bajrami, Sherif Ibrahimi, Xhafer Ramadani, Muhamet Bejta, Rasim Sylejmani, Rizah Sylejmani, Bajram Rexhepi, Naman Idrisi, Zymer Imeri, Bajram Arifi, Salih Rama, Jahja Sadria të komunës së Roganës, Rizah Shkodra i Laçiqit; Shaban Sherifi e Asllan Ahmeti të komunës së Bresalcit; Mehmet Muslia, Shabi Emini, Baki Sejdia, Metush Rexhepi, Mehmet Rexhepi e Ahmet Ibrahimi të komunës së Sllatinës. Në Luftën e datës 26 korrik 1944, u plagos lehtë, në këmbë, edhe burri oxhakzade Osman Xhemaili (1885 1979), kryetar Komune në Hogosh, në vitet 1941/42 dhe 1944, dhe organizues i vullnetarëve për Mbrojtjen Kombëtare, nga maji i vitit 1944.
Organi “Lidhja e Prizrenit”, i cili, falë Mulla Idrisit, adhurues i madh i shkrimit dhe i informimit të saktë, shkonte dorëmedorë të luftëtarëve të Rojës Kombëtare të Kosovës në “Frontin e Gjilanit”, dhe i bëri jehonë të madhe heroizmit të “popullit të Gjilanit qi mban bajrakun e nderit për fushat patriotike e filantropike” siç konsideronte Redaksia e “L.P-së.”, më 16 korrik 1944. Në artikullin: “Gilani çerdhe fatosash”, të 6 gushtit 1944, njëri ndër redaktorët e “Lidhjes së Prizrenit”, i nënshkruar me “Kosovari”, përmes gojës së luftëtarëve të plagosur në “Frontin e Gjilanit”, shkroi: “Te Dielen me 30 korrik 1944, shkova në Spitalin e këtushëm (të Prizrenit) për t’i pyetë burrat e maleve të Gjilanit mbi ngjarjet e luftës.
Nji përshtypje të jashtëzakonshme më bani durimi dhe kuraja e pa thyeshme e luftarvet qi kanë dijtë gjithmonë me i lanë nam Shqipnis dhe qi po dijnë edhe sot me brojtë heroikisht kufinin t’onë të natyrshem. Po sa ju afrova nji të plagosunit, të quejtun Metush Fazlija, nga katundi Goshicë, ndonëse kishte dy varrë: njenen mbi vetullë dhe tjetrën në krahun e majt, u çue sikur mos të kishte kurgja, me gjithë se ju luta të mos luente vendi. Traditat e trashigueme prej të parvet, nuk lejoshin qi të mos nderojnë mysafirin e ardhun. Gjatë bashkëfjalimit vllaznuer, qi zgjati nji gjysë orë, jo vetem nuk lëshoi ndonji te fshame, por nuk dha dhe shej ma te vogel lodhjeje. Aty pash se kisha te baj me nji burrë të matun, me nji burrë trim dhe me nji burrë qi nuk din me ju perkul kurrëkafes dhe as plumbit qi kishte në krye.
Filloi me më tregue ate qi pritsha dhe ate qi kishte ma të përzemert: Luften e pathyeshme te shqiptarve të Gjilanit.
Kishte ardhun koha per te dalun roje. Kjo gja asht krejt e natyrshme per neve. Kemi vendosë nji here e mirë mos me lanë kambë anmikut me shkel nder këto toka, të vadituna me gjakun t’onë! Ndersa bajsha rojen ne logun e Kikes, pash se ne kufi po na kercenohesh anmiku, me nji herë dhash kushtrimin. Shoket me të shpejtë zunë pozicionet. Lufta filloi e rrept. Mbas kater oresh luftimi, fyt me fyt, na u desh me u sprapë nja pesëmbëdhjetë minuta ketej kufinit, me qenë se anmiku ishte ma i math ne numer dhe e pritja e jonë aty ishte e kotë dhe e pafryt. Me nji herë na erdhen forca të reja, ku hynë në luftim, qi e shtrenguem anmikun te thehej me humbje te medhaja. Ndersa po perparojshim u varrue randë nji ushtar qi kishte zanë pozicion me nji mitraloz të randë, i cili me lëshoi za: “Eja shpejt more vëlla, se mos te na bijë mitralozi në dorë t’anmikut!” Po sa ju afrova mitralozit, më varruen dhe mue ne krah te majtë, por me gjith ate e rroka mitralozin me te tanë fysheket qi pat dhe ja dhash nji kapterri t’ushtris s’onë. Mësyna prap me pushkë në dorë, por ç’e do se per te dyten herë me merr plumbi në krye. Plaga e kresë me bani te la frontin, se sa për atë të krahut nuk kisha me e ndie aspak. Shoket me bajten me vig deri ne Hogosh, ku aty ndersa po me pastrojshin varren, mora vesh se t’onet kishin zanun rob nandëdhetë komunista.
Prej Hogoshit me derguen ne Gjilan dhe prej andej në Spitalin e Prizrenit, ku gjendem dhe sot”.
Me ra rasti te takohem edhe me të tjerë, si me Myrsel Hajdinin nga katundi Velegllavë, te cillit ndonse i kish ra në fushë te nderit djali dhe nji prej nipave, ishte aq i kjartë ne mendime dhe aq i vendosun e i mbajtun sa qi rrallë herë me ka ra me takue ksi burri o ma mirë me thanë ksi fatosi te Shqiptarizmit! Kështu t’gjithë me radhë me treguen luften e bame dhe gjakun e derdhun gjatë kufinit, per mos me i lanun shovenistat e terbuem Serb, me dhunue nderin e votrave t’ona!
Komunistat ose ma mirë me thanë Pansllavistat, tue mos marrë mend heren e parë, me gjithë se u shpartalluen krejtsisht tue lanë 250 të vram dhe sa të plagosun e të zanun rob, dishrojnë, prap tash, me ju dhanë nji mesim të fundit nder mend, mos me mësye tokat qi kurrë nuk kanë qenë dhe nuk kanë me qenë të tynë!
Trimnija heroike dhe guximi i pathyeshem i këtyne burrave, na ep me kuptue se deri sa Shqipnija te ketë ksi vigajsh, kamba e anmikut nuk ka me muejtë kurrë me shkelë tokat shqiptare qi na kanë lanë te parët t’onë shekuj përpara!
Ju lumtë heronjve të maleve!” përfundonte “Kosovari”.
Në artikullin “Fronti i Gjilanit” organi “Lidhja e Prizrenit” i datës 6 gusht 1944, dha një rezyme të luftimeve të datës 26 korrik 1944, dhe lartësoi, në nivel të programit kombëtar, heroizmin e gjilanasve në mbrojtjen kombëtare të Kosovës. Shkroi: “Ndersa luftimet po vazhdojshin ne frontin e Malit të Zi, formacione terroristesh komunistë, natën e 25 26 korrikut 1944, sulmuen prap kufirin t’onë n’an të Gjilanit, prej nji gjanësie 25 kilometrash.
Prej informatash qi na vijnë prej Gjilani, mbas disfatës së pasueme nji muej përpara, anmiku ketë herë kishte qenë pregatitë ma mirë me një fuqi të përbame prej ma se 3000 vetash, por trimnija e ushtarve dhe vullnetarve të Gjilanit, sogje besnike e kufijve t’Atdheut, u banë ballë sulmeve te terbueme tuj i thye e shpartallue ne çdo vend. Edhe në këtë perleshje të re, qi vazhdon te zhvillohet me nderpremje, damet kan qenë te konsiderueshme ne të dy anët: N’anën t’onë janë regjistrue deri tash 37 te vdekun dhe ma se 90 të plagosun, ndersa n’anën e anmikut (numri) kapet në 300 të vramë e të plagosun.
Nga Ferizaj dhe nga çdo anë tjetër e atyne viseve kan shkue vullnetarë, gadi të vendosun me përballue çdo te papritme.
Se sa naltë qëndron morali i luftarve t’onë mjafton me pa e lexue bisedimin e bashkpuntorit t’onë me të plagosunit e luftës qi po botojmë në shtyllat e para të faqes së dytë të kësaj fletore”.
Të dhënat e rikujtuara në këtë kumtesë janë argumente të fuqishme që dëshmojnë se Lufta e Velegllavës e datës 28-29 qershor dhe Lufta e Kikës e 26 korrikut 1944 janë epopetë më të shkëlqyeshme të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në themele të kujtesës së lavdishme për Lirinë e Shqipërisë Etnike, për të cilën u derdh shumë gjak, amanet për sakrifica të reja të brazave deri në fitoren që kombin shqiptar do ta bëjë të barabartë me kombet në Bashkësinë Evropiane.
Shënim: Kumtesë për Simpoziumin shkencor” “Gallapi gjatë rrjedhave të historisë”, Prishtinë, Prishtinë, më 13 dhjetor 2008.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …