Prof.Dr.Muhamet Pirraku: RËNDËSIA HISTORIKE E 24 MARSIT 1999

 


(Përgjigje në pyetjen e gazetarit Isa Vatovci ( gaz. “Kosova sot”): Cila është rëndësia historike e 24 marsit 1999. A e ndryshuan 78 ditët e bombardimeve historinë evropiane?)
Rëndësia e një ngjarjeje historike është në përpjesëtim me rezultatet dhe pasojat e kthesës që bënë ajo për historinë e një kombi apo të një regjioni. Rezultatet dhe pasojat e nismës dhe të vazhdimit 78 ditësh të bombardimit selektiv të forcave ajrore të NATO-s mbi makinerinë e rëndë ushtarake pushtuese të Serbisë në Kosovë, ende nuk janë kurorëzuar. Meqë jam historian, mendimi im për pyetjet e shtruara mbështeten në fakte historike, sado të hidhura që janë. Lënë anash Dy Luftërat Botërore, për Rusinë dhe pesë fuqitë e mëdha evropiane: Anglinë, Francën, Gjermaninë, Austro-Hungarinë dhe Italinë kjo është hera e dytë që përdorën forcën e përbashkët politike e ushtarake në tokat shqiptare
, – së pari herë, më 1880, kundër tërësisë së Shqipërisë Etnike në vise të Ulqinit e
– së dyti, më 1999, në Kosovë, për të promovuar fillimin e ndreqjeve të dhunës evro-ruse historike në dëme të kombit shqiptar.
Me fjalët e Z. Henry Kissinger, do të thosha: E tëra ishte “një tragjedi e shkaktuar me ndeshjen midis islamizmit dhe krishterimit në Ballkan që vazhdon qindra vjet”.
Realisht, me burime të sakta mund të konstatojmë se deri nga fundi i shek. XVII, areali i njësisë etnokulturore i Shqipërisë, i konsoliduar me një si ledh islam, arrinte në rreth 120.000km2. Gjatë periudhës së ngritjeve të shteteve nacionale në Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, nga njësia e Shqipërisë u shkëputen rreth 5000km2, Kongresi i Berlinit, më 1878, nga Shqipëria shkëputi rreth 24.458km2, kurse Konferenca e Londrës nga njësia e Shqipërisë shkalloi rreth 61.510km2. Vërtet, derisa Kuvendi i Vlorës, më 1912, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë mbi sipërfaqen historike të katër vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane (Kosovë, Shkodër, Manastir dhe Janinë), të pas vitit 1881( që kishin rreth 90.100-90.270km2), ruso-evro-albanofobia (realisht islamofobia) ngriti ”Principatën e Shqipërisë“ në rreth 28.760km2.
Konferenca e Versajës (Parisit), më 1919/20, po t’mos ishte prania e SHBA-ve, do ta copëtonte edhe këtë “copë Shqipni, sa nji hanë”, siç thoshte Hafuz Ymeri në vitet e ’30-ta të shek. XX, për t’i dhënë udhë shpërbërjes gjenocidiale definitive të kombit shqiptar historik para grek, para serb, para malazias e para bullgar.
Me rezultatet e Luftës së Dytë Botërore shkrepën disa rreze në drejtim të ndriçimit të Problemit shqiptar të krijuar me dhunë ndërkombëtare ruso-evropiane në dobi të zgjerimeve territoriale të Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë në pritje dhe Greqisë.
Me Rambujenë, fillimin e bombardimeve të NATO-s, Marrëveshjen e Kumanovës, të Konçulit dhe të Ohrit, Evropa e mbështetur në SHBA-të, e filloi epokën e përmirësimit të asaj që mund të korrigjohet nga padrejtësitë ndërkombëtare të shkaktuara ndaj kombit shqiptar së paku nga viti 1913!?!
Deri tashti nuk ka ndonjë analizë dhe vlerësim politik dhe ushtarak publik për Bombardimet 78 ditësh të NATO-s. Rezultatet e veprimit ushtarak të NATO-s mbi makinerinë e rëndë ushtarake të Serbisë nuk është ai që është pritur, për faktin se krijesa fantome ruso-evropiane e shekullit XIX e quajtur Serbi, pas Dejtonit me emrin “Jugosllavi”(!?!), u shpërblye për gjakderdhjen në Slloveni e Kroaci, dhe për gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe iu dha kartoni i gjelbër për veprim në Kosovë.
Vërtet, me Marrëveshjen e Dejtonit dhe të Kumanovës, Serbia, në vend që të dënohej së paku në shembullin që u dënua nazizmi në Gjermani, më 1945, iu lejua ta copëtonte pariparueshëm BH, ta aneksojë Vojvodinën dhe Sanxhakun historik të Vilajetit të Kosovës, si dhe ta ruaj të drejtën territoriale shtetërore mbi Kosovën!?!
Është fakt se bombardimet 78 ditësh më shumë sollën pasoja për ekonominë dhe mirëqenien e jetës në Kosovë se sa në Serbi. Me bombardime selektive u bë e mundur që komanda e ushtrisë serbe të kurdiste kurthe për komandën e NATO-s, që ajo të bombardojë objekte civile, kolona civile, burgje e forcat çlirimtare të aleatit UÇK.
Bombardimi selektiv i makinerisë serbe krijoi ferr në Kosovë dhe gjetkë në trojet shqiptare, çoi në zgjatjen e dhunës gjenocidiale serbe ndaj popullsisë etnike shqiptare:
plaçkitje,
dhunime,
vrasje sadiste,
kallje të fshatrave,
deportime me strategjinë serbe “Toka e djegur” të mbi 50% të shqipfolësve të Kosovës, jashtë Kosovës, koncentrimi në llogore, në gryka malesh, të më se 50% të shqiptarëve të mbetur në Kosovë, shkatërrimi i mbi 80% të ekonomive familjare të shqiptarëve të Kosovës dhe i pjesës më të madhe të ekonomisë shtetërore (shoqërore) të Kosovës edhe përmes bombardimeve të objekteve industriale, si Feronikeli etj, nga vetë NATO-ja.
Për të gjitha këto nuk është dënuar as ushtria, as policia, as pushteti as kisha dhe as populli i Serbisë, që masivisht ka mbështetur dhe e mbështet gjenocidin ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Nxjerrja para gjyqit ndërkombëtar të katër – pesë krerëve shtetërorë, ushtarakë e policorë, pa e ngarkuar Serbinë me dëmet e luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë është shpërblim për Serbinë gjakësore shekullore. Së këndejmi rezulton se bombardimi 78 ditësh i NATO-s ishte shërbim i natyrës së zjarrfikësit në një pjesë të Evropës. Ndarja e Kosovës në “Veriun serb” e në “Jugun multietnik”, defaktorizimi ushtarak e politik çlirimtar i shqiptarëve të Kosovës dhe faktorizimi diplomatik-shtetëror i Serbisë, aktualisht si sustë e carizmit rus putinian, është pasojë e bombardimeve selektive të NATO-s, nga qielli, ndaj forcave serbe shfaruese ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, me rrjedhime negative të paparapara për Ballkanin dhe Evropën.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …