Prof. dr. Nusret Pllana: Monografi që plotëson zbrazëtirat e historisë

(Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, SPAHIAJT E  LLASHTICËS, monografi, Prishtinë, 2014)

 

 

Argjend Hasani dhe Xhevat Berisha, dy autorë të rinj, bëjnë përpjekje të plotësojnë mangësitë e kujtesës sonë kombëtare, e cila pasi nuk është shkruar, ka mbetur më shumë kujtesë folklorike. Mirëpo, edhe këto rrafshe të kujtesës, autorët i kanë vënë në shërbim të fakteve historike, duke përmbushur kështu një kërkesë elementare metodologjike të shkencës së historisë, se pa studimin e fakteve dhe të burimeve historike, nuk hartohet një vepër që mëton të jetë e nivelit të monografisë.

 

Autorët, jo vetëm e kanë përmbushur këtë kërkesë, por ia kanë arritur që të krijojnë një kronikë të mirëfilltë të ngjarjeve që kanë qenë vendimtare, jo vetëm në jetën e familjes, të fisit, të fshatit, por edhe të kësaj pjese të popullit shqiptar që jeton shekuj e shekuj në Kosovë, që nga pushtimet e lashtësisë, përmes atyre të Mesjetës, sidomos riokupimi i kësaj pjese të tokave shqiptare nga viti 1913 e deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur përfundimisht fitohet liria.

 

Vepra Spahiajt e Llashticës është ndërtuar në tetë kapituj. Në secilin prej tyre janë trajtuar çështje, të cilat plotësojnë konceptin e përgjithshëm të autorëve, që ka të bëjë me afrimin e të dhënave historike, arkeologjike, onomastike, të gojëdhënave, por duke mos lënë anash as kujtesën popullore të brezave të ndryshëm të kësaj familje të madhe, të cilët rrjedhën e ngjarjeve të caktuara historike e shpjegojnë sipas mbamendjes.

 

Prandaj, autorët duke folur për një lagje, për një familje, e cila varësisht nga rrethanat kohore dhe ngjarjet historike, herë rritet dhe shpërndahet nëpër Kosovë, por edhe jashtë saj, herë zvogëlohet, si pasojë e plojës, dhunës dhe shkatërrimeve që kanë sjellë, sidomos Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore.

 

Në të njëjtën kohë kanë folur edhe për një fshat të tërë, për një krahinë të tërë, për një pjesë të tokave shqiptare, që nga koha e pushtimeve e këndej, ngase, marrë në përgjithësi, i njëjti fat që ka ndjekur familjen Spahiaj, ishte edhe pjesë e fatit të kësaj pjese të popullit shqiptar.

 

Duke përcjellë me vëmendje organizimin e lëndës që kanë trajtuar autorët në monografinë Spahiajt e Llashticës, lexuesit i bëhet e qartë, jo vetëm një periudhë e caktuar historike, apo ngjarjet e asaj periudhe, por edhe lashtësia e ekzistencës së një pjese të popullit shqiptar të kësaj ane, qoftë përmes zbulimeve të ndryshme arkeologjike, qoftë përmes gojëdhënës popullore, qoftë përmes kujtesës së njerëzve.

 

 

Llashtica dhe Spahiajt pjesë e një populli  me gjeografi të copëtuar

 

 Autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës, në kapitullin e parë kanë trajtuar, në vija të përgjithshme lashtësinë e ekzistencës së këtij vendbanimi, duke u mbështetur edhe në zbulimet arkeologjike që janë realizuar në një periudhë të caktuar të zhvillimit të mendimit shkencor në Kosovën e pushtuar. Kishte vite, për të mos thënë dhjetëvejtësh, kur në Kosovë, herë falë këmbënguljes së individëve, herë falë këmbënguljes së ndonjë institucioni, por edhe kalkulimeve politike që bënte pushtuesi ynë, të jenë kryer veprimtari kulturore e shkencore, edhe me karakter hulumtues. Këtë e dëshmojnë edhe Tumat ilire të zbuluar në Llashticë, gjë që dëshmon, në radhë të parë, për lashtësinë e ekzistencës së këtij lokaliteti, pastaj për përkatësinë historike të banorëve të këtij vendbanimi dhe, së fundit, për ngjarjet historike nëpër të cilat kishte kaluar, edhe populli i kësaj ane të lashtë, thuajse ngjashëm me fatin e gjithë popullit shqiptar.

 

Janë me interes të dhënat për lashtësinë e emërvendit Llashticë dhe gjithë formimin e tij gjuhësor, deri te emri i sotëm. Por, një rëndësi të veçantë për lexuesin kanë të dhënat historike që sjellin autorët, qoftë për lashtësinë e tij, qoftë për kohën e gjatë të kohës nën pushtimin e të huajve, kohë e cila fillon me vitin 29 para epokës së re, kur si gjithë territori i Dardanisë së lashtë, andaj edhe kjo anë bijnë nën pushtimin e perandorisë Romake. Sa duket, në mungesë të shkollës kombëtare për një periudhë të gjatë kohore, por edhe për mungesë të dijes së historisë kombëtare, periudhat e pushtimit të këtillë, deri te ato të viteve 1912, kur krijohet shteti shqiptar, të cilin pastaj e copëtojnë fqinjët tanë, edhe me pëlqimin e Fuqive të Mëdha të Evropës, pushtim që zgjat afro një shekull, kur kjo pjesë e tokave shqiptare çlirohet më 1999, pas luftës tri vjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autorët sjellin fakte rrëqethëse për hakmarrjen e pushtuesit serb, gjatë gjithë kohës së pushtimit, ndaj banorëve të kësaj ane, sidomos duke theksuar dhunën dhe shkatërrimin që i bëhet fshatit dhe banorëve të tij, në mars të vitit 1999, kur masakrohen më shumë se 25 civilë, duke filluar nga fëmijët e deri të pleqtë.

 

Në kapitullin e dytë dhe të tretë, autorët e monografisë Spahiajt e Llashticës janë ndalur gjerësisht duke analizuar të gjithë faktorët që kanë ndikuar në jetën e kësaj lagjeje, në mënyrën e gjëllimit të tyre, por edhe rritjen e kësaj familje të madhe. Në jetën tonë historike, ka periudha shumë të rëndësishme, kur familjet e mëdha kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në qëndresën kundër pushtuesit, por edhe në mëvetësinë e qeverisjes që kanë bërë. Prandaj, ato edhe janë ndjekur dhe janë persekutuar, sa herë që pushtuesi ka gjetur rastin. Kjo gjendje ishte pjesë edhe e jetës së familjes së Spahiajve të cilët sot i gjen kudo, jo vetëm nëpër Kosovë, por thuajse në të gjitha kontinentet, deri në Australinë e largët.

 

Një analizë të ngjeshur autorët u kanë bërë ngjarjeve që lidhen me familjen e Spahiajve, sidomos gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë të dhëna dhe fakte, qoftë për rezistencën dhe luftërat e tyre, qoftë edhe për dhunën dhe masakrat që ka ushtruar armiku mbi ta. Angazhimi i llashticasëve të familjes Spahiaj, në secilën ngjarje historike, kur rrezikohej atdheu dhe pjesë të tij, ishte një shembull i veçantë i dashurisë për atdhe dhe për liri. Autorët sjellin një shembull konkret të gatishmërisë së anëtarëve të kësaj familje të madhe, kur numërojnë pjesëmarrjen e tyre në luftimet në Preshevë më 1944. Qoftë edhe vetëm nga ky fakt, del bindshëm bindja e autorëve se si banorët e Llashticës, ashtu edhe të kësaj familje përherë kanë qenë të gatshëm të sakrifikohen për liri. 

 

Po ashtu, rezistenca e tyre si dhe qëndrimi përherë me armë në dorë kundër pushtuesit të vendit, andaj edhe të Llashticës, ka bërë që armiku i vendit të hakmerrej mbi popullatën e kësaj ane, e sidomos mbi banorët e familjes së Spahiajve. Është e njohur në histori, masakra e Llashticës, ose ashtu si i thotë populli, Patarja e Llashticës, ku janë masakruar anëtarët më të zotët të familjes Spahiaj.

 

Autorët, përveç që kanë sjellë të dhëna të shumta për të gjitha peripecitë jetësore të banorëve të familjes Spahiaj, ata në të njëjtën kohë janë marrë edhe me të gjitha veprimet antikombëtare të pushtuesit, duke sjellë fakte dhe të dhëna interesante, thuajse për të gjitha ngjarjet dhe për pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në ato ngjarje. Ka të dhëna interesante për operacionin monstruoz të organeve të punëve të brendshme të pushtuesit, si një hallkë tmerri në zinxhirin e madh të pushtimit, që njihet si Aksioni i armëve, ose thënë ndryshe çarmatosja e shqiptarëve, në mënyrë që të dobësohej dhe të pamundësohej rezistenca e popullit, andaj edhe e banorëve të Llashticës dhe të familjes Spahiaj. Dhuna dhe terrori vazhdojnë edhe në forma të tjera, siç ishte grumbullimi i tepricave, që ishte një nga arsyet madhore të pushtuesit për gjunjëzimin e popullit shqiptar, kudo që ishte ai në pjesët e pushtuara të tokave shqiptare. Nëpër të gjitha këto periudha dhe ngjarje, pjesëmarrja e anëtarëve të familjes Spahiaj ishte e madhe. Por, edhe dhuna dhe hakmarrja e pushtuesit, po ashtu ishte e madhe dhe e përgjakshme.  

 

       

Figura të njohura të Spahiajve në shërbim të atdheut

 

 

Në kapitujt në vazhdim të monografisë së tyre, autorët kanë marrë në shqyrtim ndihmesën e anëtarëve të kësaj familje dhënë  çështjes së çlirimit të atdheut. Në të gjitha periudhat historike, por sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore e këndej, pra që kur fillon ndjekja politike e të gjithë atyre shqiptarëve që nuk kishin pranuar pushtimin, Spahiajt dallohen për qëndrimin e tyre në shërbim të çështjes së atdheut. Ata, si dhe të gjithë shqiptarët e kësaj pjese të tokave të pushtuara shqiptare, e kishin mësuar nga atdhetari i madh, Ramiz Cernica, kur në Kuvendin e Prizrenit, më 1945, kishte thënë: Me Shqipërinë, po, me Serbinë, jo! Autorët janë kujdesur që në mënyrë kronologjike të paraqesin të gjithë ata atdhetarë të Spahiajve, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, duke qenë kundërshtarë të pushteteve pushtuese kishin përfunduar nëpër burgje, ishin përzënë nga vendi, ishin torturuar dhe në fund ishin zhdukur fizikisht. Nëse shihet me kujdes gjithë rruga jetësore e disa brezave të familjarëve të Spahiajve, atëherë hetohet qartë se nëpër të njëjtën rrugë jetësore kishte kaluar populli shqiptar i këtyre pjesëve të pushtuara të atdheut, sepse pushtuesi kishte hartuar programe të veçanta për zhdukjen e tyre. Në këtë pjesë të monografisë Spahiajt e Llashticës, janë trajtuar dhe janë shqyrtuar ngjarje dhe personalitete të jetës sonë historike, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në ditët tona, ose thënë më saktë deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën erdhi liria e shumë pritur e kësaj pjese të atdheut. Aty është folur edhe për personalitete të familjes Spahiaj, të cilët në një periudhë kohore, apo në një tjetër, në një ngjarje të rëndësishme historike, apo në një tjetër, jo vetëm kishin dhënë ndihmesën e tyre për lirinë e kësaj pjese të tokave shqiptare, por kishin sakrifikuar edhe jetën. Një pjesë e këtyre figurave atdhetare janë përcjellë me të dhëna jetësore, gjë që ia shton dukshëm rëndësinë monografisë, qofte edhe vetëm për faktin se ka pak të dhëna për jetën e atdhetarëve, të cilët janë likuiduar, ose janë zhdukur, ose janë internuar në periudha të ndryshme të luftës së tyre kundër pushtuesit.

Në këtë rrjedhë, autorët kanë folur edhe për pjesëtarë të familjes Spahijaj që janë vrarë, që kanë rënë në fushën e nderit, sidomos në Luftën e Dytë Botërore. Por, kanë folur edhe për ngjarje dhe pjesëmarrës në to të brezave të mëvonshëm të kësaj familje, të cilët me sakrificën e tyre janë bërë pjesë e historisë sonë më të re, siç është, fjala vjen, rënia e Arianit Berishës, në vitin 1999, në fund të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, mund të thuhet se mbarështimi i lëndës së kësaj monografie ka ndjekur një ecuri normale në trajtimin dhe shqyrtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike, si dhe pjesëmarrjen e familjes së madhe Spahiaj në ato ngjarje, gjë që dëshmon për idealin e tyre dhe për dashurinë e madhe për lirinë e atdheut.

Duke u marrë me veprimtarinë atdhetare të anëtarëve të familjes Spahiaj, autorët janë ndalur edhe te ndonjë figurë atdhetare, e cila me veprimtarinë e bërë ka dëshmuar se nuk përkulen para asnjë vështirësie dhe rreziku. Ndër këto figura duhen përmendur, sidomos ajo e Ilaz Berishës, mësuesi i parë në gjirin e kësaj familje, si dhe Jakup Llashticën, Fehmi Sylejmanin e të tjerë, të cilët jo vetëm me veprimtarinë e tyre, por edhe me qëndresën e tyre dëshmuan dashurinë e madhe për liri dhe gatishmërinë që të sakrifikohen për heqjen e pushtuesit nga kjo pjesë e atdheut.

Një dukuri interesante që  autorët e kanë trajtuar në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë, po edhe në kapitullin e tetë, ka të bëjë me dukurinë e mërgimit të pjesëtarëve të kësaj familje të madhe. Kjo dukuri, është njëra nga plagët e mëdha të atdheut të shqiptarëve, që në jetën e tyre ka ardhur si pasojë e pushtimeve të gjata dhe si pasojë e copëtimit të gjeografisë së tyre kombëtare.

Nëse përcillet me vëmendje, qoftë edhe vetëm vendet ku ata janë vendosur dhe kanë krijuar familje e kanë vazhduar jetën, atëherë mund të thuhet se pjesë të mëdha të familjes Spahiaj jetojnë në mërgatë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.  Në kapitujt që po trajtojmë, jepen të dhëna interesante edhe për përpjekjet e të rinjve të kësaj familje që të bëjnë dije, duke hulumtuar kudo që ka mundësi, kushte për ngritjen e tyre profesionale.

Në kapitullin e shtatë, fjala vjen, autorët janë marrë kryesisht me ndihmesën e madhe që ka dhënë familja Spahiaj në arsim, në kulturë, në humanizëm njerëzor, në biznes, si dhe në fusha të tjera të jetës. Humanizmi i tyre ka ardhur në shprehje qoftë duke ndihmuar me mjete financiare, qoftë duke ju bërë krahë nismave për mirëvajtjen e arsimit dhe të veprimtarive kulturore në anën e tyre, por edhe atje ku kanë krijuar familje të reja, jashtë Llashticës, apo jashtë Kosovës.

 

 

Përfundim

 

 Monografia Spahiajt e Llashticës plotëson një zbrazëtirë, siç është thënë edhe në fillim, në fushën e të dhënave, sidomos të dhënave historike, pastaj të të dhënave në jetën kulturore, qoftë për jetën e anëtarëve të kësaj familje, qoftë për tërë fisin, kudo që jeton ai, qoftë edhe për anën ku ata kanë luftuar, kanë vepruar dhe kanë jetuar.

Autorët kanë pasur kujdes që të dhënat t’i mbështesin në burime dhe fakte historike, por edhe të mbledhin të dhëna nga kujtesa popullore e banorëve të kësaj familje dhe më gjerë. Duke u mbështetur në burime të këtilla, të argumentuara, edhe përmes zbulimesh arkeologjike, si dhe përmes të dhënave historike, për ngjarje të ndryshme dhe për  pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Spahiaj në to, dëshmohet, njësoj si edhe pjesa tjetër e popullit shqiptar, në viset e pushtuara të tokave shqiptare, edhe ata kanë pasur fatin e rëndë historik, siç zakonisht e kanë të gjithë popujt e pushtuar. Në këtë mënyrë, ata duke mos u pajtuar me pushtimin, kanë për të vetin idealin e sakrificës për lirinë e atdheut. Kjo është bërthama e çështjeve të trajtuara në monografinë Spahiajt e Llashticës.

Mirëpo, historia, siç di ndonjëherë të jetë edhe njerkë për jetën e popujve, përveç të tjerash, ka bërë përpjekje të humb gjurmët e këtyre njerëzve që kanë dhënë çdo gjë për vendin.

Prandaj, merita themelore e autorëve të monografisë Spahiajt e Llashticës, nga kapitulli i parë e deri në kapitullin e tetë të saj, qëndron në faktin se ata, njerëzit pra të kësaj familje, që dikur janë mbajtur mend vetëm në rrethin familjar, tashti, me këtë vepër, përmes të dhënash dhe faktesh historike, i bëhen të njohur opinionit shqiptar dhe më gjerë, gjë që edhe është kërkesë themelore e një vepre të këtillë.

Njohja me historinë tënde, do të thotë ruajtje e kujtesës, e kjo do të thotë, të bëhesh pjesë e popujve historikë, të cilët nuk harrojnë se nëpër cilat rrugë të historisë kanë kaluar për ta mbajtur gjallë jetën, siç dhe nuk harrojnë se pa sakrifica të mëdha nuk vjen liria e atdheut.

 Prishtinë, korrik, 2014  

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …