(Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, roman, Prishtinë, 2022)
‘‘ Për mua, romani është si historia dhe si protagonisti
i saj, njeriu: një zhanër i papastër në shkallën më të
lartë. I qëndron çfarëdo qartësimi dhe shkon përtej
çdo kufizimi. Sa për teknikën, e konsideroj të
ligjshme çdo gjë të dobishme për qëllimet që ndiqen
dhe i konsideroj të paligjshme ato risi që bëhen vetëm
për hir të risisë.
Ernesto Sabato
Fjalë përmbledhëse
Roman që jep kronologjinë e gjenocidit serb përmes atyre që e kanë shkaktuar këtë gjenocid, duke i besuar një ideologjie naziste.
Roman që vjen, edhe si kronikë dokumentare, pa e humbur gjuhën e rrëfimit artistik, kur përveç të tjerash shpalohet edhe bota psikologjike e personazheve, të të dy grupimeve, thënë për të dalluar përkatësitë ideologjike të atyre që bëjnë krime, dhe të atyre që i bëjnë publike këto krime.
Roman që shtresimin e rrëfimit artistik e krijon edhe me deklaratat policore, por gjuha e rrëfimit nuk ruan asgjë nga rrëfimi i skenarëve policorë.
Këto anë vështrimesh, marrë në tërësinë e shtjellimit të ngjarjeve në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, mundësojnë krijimin e shtratit të ndërtimit të strukturës së rrëfimit në këtë vepër të veçantë artistike, e cila, thënë më së qarti, i ka munguar letërsisë sonë.
Hyrje
Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, në një mënyrë, apo në një tjetër, ka përplotësuar analizën shkencore që u ka bërë ngjarjeve, me të cilat është marrë Dik Marti dhe Këshilli i Evropës për të akuzuar krerët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veprën lapidare Mashtrimi i madh.
Në strukturën e romanit, përvijohen aq shumë aspekte të raportit, të cilin Këshilli i Evropës e ka miratuar si hulumtim të vetin, për të fajësuar një luftë çlirimtare dhe ushtarët e saj, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tashti, së paku jo në Evropë, qe më shumë se 75 vjet, që kur ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore.
Andaj, nuk është asgjë e rastit, se autori e ka filluar romanin me një përkujtesë nga koha e Hitlerit, nga veprimtaria e eshalonëve të ushtrisë së tij për shkatërrimin e hebrenjve, pra për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e ekzistencës së tyre.
Në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, po ashtu shtrihet nëpër gjithë rrëfimin e tij, ankthi i ndëshkimit të kryerësve të krimeve, të atyre që kishin bërë gjenocid, gjë që nuk ndodh, kurse shtresimet e rrëfimit të ngjarjeve, përmes deklaratave policore, që protagonisti kryesor i romanit, Mifi L., i cili është dhe bartës kryesor i krijimit të atmosferës së ngjarjeve në roman, jep deklarata me shkrim para atyre organeve të hetuesisë, shpalon, si mbishtresë të rrëfimit, gjithë përmasën e tragjedisë së gjenocidit serb në Kosovë.
Rastet janë konkrete, të ditura me emër dhe mbiemër, të njohura botërisht si krime kundër njerëzimit, të cilësuar nga organet e drejtësisë botërore si formë e gjenocidit, siç janë Pokleku e Abria, Likoshani e Qirezi, Prekazi e Reçaku, maskara që as sot nuk i pranon politika e regjimit serb, edhe për faktin se është pjellë e sistemit qeveritar të Millosheviqit, si dhe shumë vende të tjera anë e mbanë Kosovës, ku është bërë gjenocid, por gjuha e shkrimit të këtyre deklaratave policore, shpalon, në bërthamë, gjithë përmasën e tragjedisë shqiptare të shkaktuar nga një regjim nazist, që nuk është dënuar asnjëherë.
Ngjarje që tronditin ndjeshmërinë njerëzore
Rrëfimi i ngjarjeve bëhet përmes personazheve të proviniencës serbe, gjë që autori e ka shpaluar që në hapje të romanit, kur i nderon me përkushtimin që u ka bërë veprimtarëve dhe veprimtareve serbe, të cilët kishin guximin intelektual dhe brejtjen e ndërgjegjes për rrugën që kishte ndjekur kombi i tyre, me gjenocidin më çnjerëzor që kishin bërë kundër shqiptarëve.
Herë pas here në zhvillimin e ngjarjeve dalin edhe të burgosur shqiptarë, me emër dhe të njohur për opinionin, jeta dhe vuajtjet e të cilëve shpalohen përmes rrëfimit të personazheve me përkatësi serbe, siç është burgu dhe torturat çnjerëzore ndaj veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të lirisë, Sadik Zeqirit e ndonjë tjetër.
Kjo mënyrë e rrëfimit të ngjarjeve, kjo bartje e mënyrës së rrëfimit, i ka dhënë dorë autorit që të jetë i natyrshëm në përshkrimin e ngjarjeve, qoftë edhe përmes gjuhës së deklaratave që bën para organeve të shërbimit sekret dhe shërbimit ushtarak serb.
Në njërën nga deklaratat e tij, para atyre organeve, të cilat ruanin drejtësinë e proklamuar nga strukturat e shtetit, autori shpalon gjithë atmosferën e përmasës së gjenocidit që ishte kryer në Kosovë.
‘‘Bombat e para të NATO-s krijuan kontekstin e shumëpritur që shërbeu si kallëp i farkëtarisë, për të vënë në jetë aq patkonj sa ç’kishte vendbanime shqiptare… Na u tha qartë, se ishte moment historik, ku njëherë e përgjithmonë do të spastronim tokën e shenjtë serbe: Kosovën.’’ (B. Mahmuti, aty, fq. 70).
Pa marrë parasysh se një deklaratë e këtillë jepet nga një ushtarak që ka vepruar në Kosovë, del qartë logjika gjenocidare të veprimit të një shteti kundër një populli, duke ruajtur edhe elementin e propagandës së kishës sllave për tokën e shenjtë të Kosovës.
Në funksion të rrëfimit të ngjarjeve, ka pasur kujdes që të zbërthejë deri në përbërësit më të vegjël gjithë hapësirën ku zhvillohen ngjarjet.
Do të thotë, bartësit e ngjarjeve në këtë roman, të akuzuar për tradhti kundër shtetit, akuzohen siç ka ndodhur përherë gjatë historisë, me bëmat dhe të pabërat, me përmbysjen e fakteve me kokë poshtë, me këmbënguljen për ta lakuriqësuar të vërtetën e tjetrit, sepse nuk ishte e vërtetë e shtetit dhe e organeve të tij të ndjekjes, me përdorimin e metodave më çnjerëzore, në mënyrë që të detyrohej i akuzuari të pranonte faktet që thoshte shteti dhe organet e tij të ndjekjes, mbi të gjitha, në planin e rrëfimit, me shpalimin e botës së brendshme të këtyre ekzekutorëve, që jo rastësisht ishin pagëzuar eskadronët e vdekjes.