Kryevepra e vjershëtarit, Muhamed Kyçyku (1784-1844) Erveheja vijoi të mbetej vepra më e popullarizuar në periudhën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pas botimit të parë të saj, më 1888 në Bukuresht, nga Jani Vretoja. Ndonëse numri i atyre që lexonin me alfabet arab ishte shumë i pakët, poema tregimtare me vetëm 214 strofa katërshe, me varg tetërrokësh, u shijua dhe u kuptua duke u vlerësuar nga masa e madhe e adhuruesve. Shkaku i përhapjes masive duhet parë te thjeshtëzimi i krijimit poetik, veçmas pas dy përshtatjeve: “Mbaruarë prej Hajdar Argirokastritit edhe qëruarë fjalët’ e huaja prej J. Vretosë”, por edhe te misioni utopik social i kësaj lloj letërsie. Duke qenë letërsi e qëllimshme, mbi dëgjuesin ndikoi më fort konteksti socio-kulturor, i cili u bë përcaktues, sesa teksti. Pas zbulimit dhe botimit të tekstit origjinal të “Ervehesë”, u zgjua edhe vetë lloji i kritikës, sepse tharmi se si lexohet kuptimisht një vepër artistike fshihet brenda vetë krijimit, që do të interpretohet me metodën semiotike. Iu mëshua tekstit, duke anashkaluar tematikën universale, si fushë nga e cila merret lënda letrare, duke iu qasur më fort me tematikën e saj kulturore, që lidhet me besimin islam dhe me kulturën islame. Ideja mbizotëruese del individuale, kurse tema lidhet me dhembjet e jetës dhe disa nëntema e motive që rrjedhin prej saj. Pas mbledhjes së informacionit do të kalohet në analizën reflektive, e cila ndihmon në qasjen e ëndrrës, trillit dhe fantazisë me realitetin social.
Hyrje
Muhamet Kyçyku (1784-1844) u njoh në letërsi me emrin Muhamet a Mehmet Çami, pasi veprën e tij postume Erveheja e botoi më 1888 në Bukuresht, Jani Vretoja, pasi ishte “Mbaruarë prej Hajdar Argirokastritit edhe qëruarë fjalët’ e huaja prej J. Vretosë”, i cili e transkriptoi dhe e krehu nga fjalët e huaja. Muhamet Çami, Erveheja, Selanik, 1910. Në krye të botimit të parë, i cili u rishtyp në vitin 1910 po me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit, është shënuar: “Kjo librë herën e parë u shtyp në Bukuresht më 1888 prej I. Vretosë me ndihma të gjithë mëmëdhetarëve”. Asokohe në Rumani kishte një komunitet të madh me shqiptarë, që veç veprimtarisë ekonomike merrej edhe me veprimtari kulturore e patriotike. Komuniteti i mërgimtarëve të Bukureshtit arriti të kishte gazetën e vet dhe shtypshkronjë, ku u shtypën shumë libra me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit. Në hyrje të botimit, Jani Vretoja, i cili kishte njohuri filologjike, sqaron se poemën ia kishte dhënë Resul Efendiu prej Gjirokastre. Vepra e shkruar me dorë prej Hajdar Gjirokastritit iu lexua atij nga Avni Efendiu, që njihte alfabetin me shkronja arabe. Në fund të poemës së botuar është shtuar pohimi i Hajdar Gjirokastritit, i cili dokumenton:
Tri hise krej Muhameti, Një hise Hajdar fakiri. (Çami, 1910)
Më poshtë Jani Vretoja shton se Hajdar Gjirokastriti e ‘mbushi’ poemën e Muhamet Kyçykut me një pjesë tjetër shtesë. Në ‘Përparje’ (Hyrje) botuesi thekson se kishte të dhëna për veprën origjinale të Muhamet Kyçukut, e cila ndodhej në Çamëri, por ai nuk kishte mundur ta gjente te ndonjë që e kishte “e ta ngrinim dhe atë të shihnim sa dhe ku ndërron”. (Çami, 1910)
Prej pohimit mësojmë se ai, si botues, kishte interes të nxirrte së pari në dritë veprën e Muhamet Kyçykut për vlerat e saj morale, mësimore dhe edukative, ndaj nuk ngulmoi për të gjetur origjinalin, ndonëse thekson se krijimi i përshtatur ka një thurje fort të bukur. Ky veprimtar i Rilindjes sonë Kombëtare, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe me një formim filologjik të mirë për kohën, nuk arrin ta ndajë përkufizimin e letërsisë si vlerë më vete, si vetëdije artistike por di t’i dallojë mirë vlerat e saj morale dhe edukative. Në këtë nivel të formimit teorik letrar do të ketë qenë edhe Hajdar Gjirokastriti, i cili bëhet me vullnet pjesëtar në veprën e mirëfilltë të Muhamet Kyçykut.
Është koha kur në Perandorinë Osmane shqiptarët thirreshin me emrin e krahinës nga vinin:
“Këtë vjershën e tij për të vuajturat e Ervehesë na e dha Resul Efendi Argjirokastriti shkruarë me shkronja arabishte prej Hajdar Efendiut nga Argjirokastra, i cili është vjershëtor dhe rron plak i shkuar, dhe na e këndoi Avni Efendiu gjithandej nga Argjirokastra… ”.
Në fund të poemës emri i plotësuesit dhe njëherazi kopjuesi i saj jepet Hodo Kastriti (“kështu i thonë më shumë në shqip Hajdarit”, sqaron Jani Vretoja), më poshtë jepet Hodo Kastra.
Duket, në fund të shekullit XIX, rëndësi kishte të treguarit e identitetit kombëtar më shumë se ai vetjak, ndaj dhe Muhamet Kyçuku hyri fillimisht në letërsi me emrin letrar Çami, që ishte emri i krahinës së vet.
Që Jani Vretoja synonte të arrinte më shumë në rrafshin e edukimit dhe duke argëtuar, plotësohet edhe më poshtë, kur ai i përgjigjet Hodo Gjirokastritit, i cili në shtesën e tij në vargje kërkon që Erveheja të jetë vetëm për lexues të besimit të autorit: “…; se, ndonëse nukë jam mumin, sidekur duanë, jam vëlla i tyre i vërtetë dhe gjak që kurrë ujë z’bëhetë”. (Çami, 1910)
Në vitin 1910 poema u ribotua në Selanik, në shtypshkronjën Mbrothësia, kurse në vitet 20’ të shekullit XX vepra u ribotua në shtypshkronjën Dhori Kotti me alfabetin e Manastirit. Pas Luftës II Botërore, pas një ekspedite shkencore në Konispol dhe rrethina u gjet vepra origjinale si dhe shkrime të tjera të autorit. (USHT, 1959) Poema origjinale u botua së pari te Buletini i Shkencave Shoqërore, Tiranë, 1957/2 me transkriptim nga Osman Myderrizi.
Nga një përqasje e shpejtë del që teksti i Vretos ishte me nivel më të ulët artistik se origjinali, por roli i tij edukativ kishte qenë shumë i madh:
Teksti i M. Kyçykut
Sot për sot erdhi sahati,
të kujtoç Perëndinë;
të mjerit m’u sos murati,
që më trete si qirinë.
Teksti i Jani Vretos
Sot për sot më erdhi dita,
Po të kujtoç Perëndinë;
Ndër këmbët tua t’u shtrita,
Ndë dash shkelm’ e më mirr shpirtinë”.
Te hyrja e botimit të vet Jani Vreto nuk jep asnjë të dhënë tjetër për veprën origjinale, për të cilën tashmë dimë fakte të tjera, të cilat ndihmojnë për interpretimin e veprës si një lexim i hapur.
Muhamet Kyçyku u lind në Konispol të Çamërisë, ku kreu shkollën fetare të qytezës. I vijoi studimet e larta fetare në Kajro të Egjiptit, ku qëndroi për 11 vite. Kur kthehet në vendlindje, jeton si hoxhë. Në fillim nisi të përshtatë vepra letrare nga gjuhët orientale, të cilat i njihte mirë, por shkroi edhe letërsi të mirëfilltë. Veç Ervehesë ka shkruar edhe vepra të tjera, por veçanërisht poema tregimtare Erveheja i dha lavdinë dhe emrin e merituar, sepse dha ndihmesë në disa fusha të jetës shoqërore.
Vepra është shkruar rreth vitit 1820, kur Perandoria Osmane dhe bota islame ishin ekspozuar ndaj një periudhe shumë të tmerrshme të krizës. Muhamet Kyçyku duket ka tentuar të gjejë diagnozat më të rëndësishme për kurimin e krizës. Disa nga pikëpamjet e tij, hodhën dritë mbi të tashmen më të mirë, në funksion të së ardhmes. Sipas tij kriza mund të jetë më e fortë tek ato shoqëri që u mungon spiritualiteti, i cili është një nga burimet më të rëndësishme të pushtetit për shoqëritë. Komuniteti mysliman ku ai lindi, u rrit dhe pas kryerjes së studimeve punoi si hoxhë, ishte shumë i afërt me besimin sunit. Ndihej lidhja e fuqishme e tij me pushtetin shtetëror, ndaj ai beson se formimi shpirtëror, identiteti shpirtëror ishte një bazë për ta përballuar dhe dobësuar krizën e perandorisë, përndryshe ajo mund të shkaktonte probleme serioze në shoqërinë shqiptare, ku plagët sociale sa vinin e thelloheshin. Letërsia është krijuar për të ndërtuar një botë më të mirë se ajo ku jetojnë njerëzit, ndaj krijoi figurën lapidare të gruas, më të brishtën ndaj dhe më të sulmuarën prej atyre që bartnin tiparet e shëmtuara të përforcuara nga kriza.
Kriza kishte prekur moralin, etikën humane dhe rrezikonte të prekte edhe identitetin islam të banorëve. Kur Mehmet Akif Ersoi zbuloi se kriza e perandorisë do të reflektohej deri te etika fetare, shkroi në një poemë të tijën:
Lartësi morale jo, informatat jo dhe ndërgjegjja,
Sens i virtytit, por frika e Perëndisë në njerëzit.
Poetët, duke pasur fatin të parandiejnë dukuri që shoqëria i kontakton më pas, i drejtohen kohës artistike, e cila nuk vjetrohet, ndaj M. Kyçyku vuri në themel të poemës së vet në vargje një problem etik fetar, që shërben si dokument edhe për fusha të tjera të dijes.
Utopia sociale e poemës tregimtare, Erveheja
Poema u përhap te lexuesit dhe dëgjuesit si përshtatje e tekstit origjinal. Për shoqërinë shqiptare të kohës kjo ishte një dukuri e zakonshme, e cila do të vijojë tepër gjatë. Ajo shërbeu në shumë plane, sidomos si një model për shoqërinë në krizë. Duke qenë me një masë mesatare vargjesh, ajo u mësua përmendësh, recitohej në mjediset shqiptare, ku ishin shumë pak ata, që lexonin me alfabetin osman. Një numër i madh lëvizjesh sufi të Islamit, që ishin krijuar në Lindjen e Mesme nga shekujt XI-XII e këtej, shpejt kaluan Bosforin.[2] Lidhjet me kulturën islame ishin vendosur qysh në shekullin XIII me Sari Salltëkun, i cili së bashku me përkrahësit e tij përfaqëson komunitetin e parë mysliman të vendosur në Ballkan.[3]; por ato ishin vijim i lidhjeve edhe më të hershme që ishin kodifikuar në tesavvuf si poetikë islame.
Nëse sufizmi në shekullin e mëparshëm kishte gjetur përhapje në disa qytete të begata të kohës, madje dhe në fshat, më pas sunizmi zyrtar u bë mbizotërues. Feja e vegjëlisë në formën e një nënshtrese fetare si dhe karakteri tejet sinkretik i natyrës së bektashizmit si vijë fetare tërësisht jozyrtare, siç vë në dukje etnologu Albert Doja,[4] në këtë periudhë ia kishte lënë kryet e vendit vijës zyrtare. Kur individi nuk mund të përballej me krizën, ai duhej të përballej me veten si dhe me pjesëtarët e familjes së madhe brenda në celulën e shenjtë familjare. Po rritej numri i atyre që largoheshin në mërgim ekonomik e ushtarak, kurse familja i ishte dorëzuar gruas, portës së botës. Familja patriarkale e kohës mundohej të shtrëngonte radhët, kur gruas i mungonte burri dhe ajo vihej nën pushtetin jo vetëm të vjehrrës, por deri edhe të kunatit të mbetur në shtëpi. Ligjet e mbijetesës po lindnin vese që dëmtonin familjen. Incesti moral brenda familjes patriarkale shfaqej në jo pak raste. Më e palëkundshme vijoi të ishte lufta për të mbrojtur monogaminë, duke e futur nga sheriati në kodet juridike lokale, por edhe te kodet e besës, si institucion moral. Varfëria ekonomike dhe mungesa e modelit po krijonin institucionin e mosmirënjohjes. Varësia ekonomike, mungesa e mbrojtjes nga ligji, por edhe nga normat shoqërore shqiptare, e shpinin gruan deri në kufijtë e skllavërisë së pranuar.
Muhamet Kyçyku, duke vënë në themel të poemës figurën e gruas, përcillte porosinë e profetit Muhamed, që çdo burrë të maste veten në raport me korrektësinë e marrëdhënieve të tij me gruan (familjen e tij), madje vetë mundohej që te ky raport të ishte fitimtar. Erveheja do të mbetej nën kujdesin e të kunatit, pa tundur djepin e vet, do të mbetej nën dhunën e rrugës, ku e shihnin gruan vetëm si një mjet argëtues që mund ta blije e ta shisje. Zhgënjimet prej njerëzve Erveheja do t’i ketë varg, por asnjëherë nuk e humbi besimin te Zoti, me të cilin ka raporte të qëndrueshme:
U[5] paratë që pagova
Ndë[6] arkët të mbretërisë,
Ty, o shpirt, nuk t’i hova[7],
Po për hir të Perëndisë.
Familja shqiptare po jepte shenja dobësimi, kurse individi duke synuar të ruante me çdo çmim jetën, po dëmtonte vlerat e saj. Fabula e vendos Ervehenë në kushte të veçanta. Gjinia e burrit të saj është e vogël, pranë shtëpisë së çiftit ndodhet vetëm vëllai beqar i bashkëshortit. Poema gjeti mbështetje nga përhapja e haditheve profetike, të cilat nënës i jepnin tri herë më tepër rëndësi nga babai, sepse atje merret modeli i nisjes së jetës.
Në Islam familja bashkëshortore është e bazuar në sakrifica, besnikëri dhe bindje. Autori ka bërë kujdes që të gjitha këshillat të mishërohen te protagonistja e poemës, e cila kontraston me individin dhe mjediset e dhunshme të kohës. E fyer, e dëmtuar padrejtësisht, asnjëherë nuk gjen kohë të analizojë karakteret e njerëzve që synojnë apo arrijnë t’i bëjnë keq, sepse për besimtaren nuk ka vend zakoni i rrugës për të kërkuar gabime, për të fajësuar e kritikuar… Heshtja është lavdia e gruas, thuhet në një maksimë të lashtë greke. Flet aq pak, më shumë flet me heshtjen dhe durimin, ndaj i shton vetes tipare që ia shtojnë bukurinë, prej së cilës gjen belanë. Si besimtare ajo e pranon se familja islame është e bazuar në sakrifica, besnikëri dhe bindje. Prej vargut të parë me të cilin autori nis portretizimin e saj të shtohet interesi për të njohur atë më pas. Ajo zhbiron vetveten me veprimet që kryen, duke i shtuar vetes vlera. Pas përshkrimit në fillim të poemës, ajo hyn menjëherë në rolin e vet, fillon të shfaqë tipare të karakterit të edukuar në familje. Menjëherë fillon ta respektosh dhe shpejt edhe ta duash karakterin qëndrestar të saj, sheh aty çfarë i mungon shoqërisë ku jetonte, por nuk mund ta harrosh asnjëherë.
Kur i prishet çerdhja bashkëshortore, Erveheja di të ruajë qetësinë shpirtërore duke synuar në ringritjen e saj me durim. Kjo pastërti e bën atë të gëzohet për të mirat e protagonistëve të tjerë, duke marrë misionin e gruas që gëzon kur shëron njerëzit pa dallim nga veset dhe verbëria fizike. Duke i munguar familja e vet bëhet pjesëtare e vlefshme e familjes së madhe të botës, nga ku më pas do të veçojë rrethin e saj të ngushtë familjar. Rreth një shekull e gjysmë më pas, Nënë Tereza do të porosiste të njëjtën gjë:
“Çfarë mund të bësh që të promovosh paqe në të gjithë botën?! Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde.”
Konteksti sociopolitik, kulturor e historik i veprës me mision social
Personazhi i parë letrar i letërsisë sonë u krijua nga vjershëtari M. Kyçyku: “Kjo poemë e shkurtër u paraprin poemave narrative të romantizmit. Në kryeveprën e vet Erveheja Kyçyku krijon një vepër të plotë, ku sprovohet njeriu deri në triumfin e tij moral, kurse personazhi i Ervehesë është personazhi i parë letrar në letërsinë shqipe”. (Hamiti, 2010)
Sprovat e heroinës dëshmojnë për gjendjen sociale në të cilën ishte shoqëria shqiptare e kohës. Kriza e fuqishme e Perandorisë Osmane, kishte nxitur popujt e Ballkanit të synonin krijimin e shteteve të tyre, pas shkëputjes nga perandoria, që po shtynte kohërat e saj të pashpresa. Jehona e Revolucionit Francez shtoi përpjekjet e intelektualëve të perandorisë për të bërë kujdes në pastrimin dhe pasurimin e gjuhës turke, si parakusht për krijimin e shtetit kombëtar në të ardhmen. Ky ishte interesi edhe i intelektualëve të të gjitha kombeve që formonin perandorinë. Poema Erveheja e Muhamet Kyçykut e shpuri më tej sigurinë e krijuesit shqiptar, sepse vepra do të shërbente si bazë për krijimet e mëvonshme. Ajo, ndonëse e ngjizur mbi një fabul tregimtare turke, e përshkuar nga fryma e tesavvufit si poetikë, u përpunua dhe u formatua si një tekst i mirëfilltë, ku lënda ishte tërësisht shqiptare. Veç problemeve që kriza kishte shkaktuar për gjithë perandorinë, ajo zbuloi edhe probleme tërësisht të natyrës shqiptare. Duke krijuar mitin e gruas, ajo la modele mitike.
Vlerësimi i mësipërm i studiuesit Sabri Hamiti, flet për rolin e poemës në historinë e letërsisë shqipe, duke dëshmuar njëherazi tharmin e fuqishëm artistik, që jepte realiteti konfliktual dhe i vrazhdë i kohës. Figura monumentale e gruas shqiptare, që zhbirohet deri në imtësitë shpirtërore, i shërbeu shoqërisë së kohës, por la si dokument boshin, i cili shtyn krijuesin ta plotësojë me krijimin artistik. Duke u ngjizur mes figurave stilistike të apostrofës dhe sarkazmës, poema iu largohet vargjeve vetëlavdëruese të divanit, me të cilin nisi letërsia jonë me alfabet arab, si dëshmi e një arti të idealizuar individual dhe bëhet identifikim me krijuesin. Duke krijuar figurën ideale si model etik e moral, vepra bën zhbirimin e utopisë sociale duke shërbyer si fakt i kohës historike. Pas filozofisë së poemës epike qëndron konstruksioni ligjërimor ideologjik, për shkak se mund të zbulojmë lidhjen e saj të mundshme me një realitet të caktuar, ose faktorët sociologjikë dhe politikë që e kanë përcaktuar.[8]
Në këtë mënyrë ajo shërben si një dokument social i kohës, i cili vjen deri në kohën tonë, sepse poema ka vlera edhe si produkt shoqëror, si mjet komunikimi mes kohërave. Ajo do t’u shërbejë si model krijuesve të mëpastajmë, të cilët do të ndihnin të bëhej Shqipëria.
Poema tregimtare morale prej 856 vargjesh, ndarë në strofa katërshe, e mori fabulën prej një tregimi në prozë në gjuhën turke Revza (Lulishte), duke krijuar poemën morale origjinale. Gjuha e poemës, nga kompozicioni, nga detajet e gjetura, i japin asaj statusin e origjinalitetit.
Fabula e veprës Erveheja endet rreth ndodhive, peripecive të një gruaje shqiptare, e cila di të sakrifikojë deri në ekstrem për të mbetur ajo që ishte në çastin, kur i shoqi u largua. Vuan, endet në botën e halleve, shkon në prag të vdekjes disa herë, por nuk dorëzohet, për asnjë çast nuk humbet besimin te Zoti. Integriteti shpirtëror vetjak e ndihmon t’i kalojë kurthet që i ngriheshin gjithkund, duke marrë shpërblimin e qëndresës morale. Shpëton me ndërhyrjen e Zotit duke marrë në fund shpërblimin e virtyteve të saj, rikrijimin e familjes, madje edhe të gjinisë, tashmë të zgjeruar.
Autori ka shënuar se e ka shkruar Ervehenë për të paditurit, masën e madhe të popullit. Vepra e shkruar do të arrinte atje mes leximit të atyre të paktëve që arrinin të lexonin me alfabet arab. Pas një ekspozicioni të shkurtër, nis tregimi i autorit, i cili nuk i lë hapësirë mendimit. Fabula dhe personazhi ndihmojnë të jepet një pamje më e gjerë e tërë popullit. Teknika epike in media res na fut në zhvillimin e veprimit pa u munduar ta përmbyllë atë sa më shpejt. Pjesa e parë e poemës ka tension dramatik, ndërsa e dyta, si i mbarojnë tërtherjet, ka më tepër përsëritje, ndërsa autori bën kujdes që të përcjellë porosinë.
Erveheja dinjitare, e bukur, e mençur, e lumtur prej martesës, do të mbetet fillikat në shtëpinë e vet, sepse të shoqit “I ra puna të largohej”. Duke mos zbuluar arsyen konkrete të largimit nga familja, poemës i mungon e veçanta, ndaj ndihet që autori synon të përcjellë porosinë morale. Fabula shtjellohet duke ia lënë amanet të vëllait beqar gruan. Ai e jep besën se do të kujdeset për të kunatën, por Erveheja ishte shumë e bukur, ndaj fillon të vuajë. I kunati kërkon të shtrojë shtrat me të, menjëherë pas dhënies së fjalës. Ai ndesh në qëndresën e saj dhe sipas porosive të qoftëlargut e akuzon si të pandershme. Me dëshmitarë të blerë arrin ta dënojë, duke e ekzekutuar me gurë. Ndodhet gjysmë e vdekur nën muranë, kur kalon aty pranë një bujar (arap). Botuesi Jani Vreto shkruan se në origjinal ishte arap (që në shqip ka kuptimin njeri i zi), por ai e zëvendësoi me fjalën bujar (fisnik), duke menduar se mund të jetë arab, banor i Arabisë. Duke na treguar për zëvendësimin gjejmë faktin se gjuha turke e shurdhon bashkëtingëlloren b në p te fjala arapçe (arabisht), pra gjuha arabe, prej nga del se arap është emri i atij që flet arabisht e jo njeri me ngjyrë. Personazhin më pozitiv të veprës, që i shpëton jetën heroinës së poemës, duke pasur pasoja të tmerrshme, autori e etiketon me emrin e banorit të atij populli të zgjedhur, që nxori njeriun, i cili priti Kur’anin e Shenjtë, që pati fisnikërinë ta përkrahte të dërguarin e Zotit. Arabi fisnik, i cili dëgjon rënkimet e Ervehesë, që po vdes nën muranën e sapongritur, ishte arap (bujar, fisnik), dhe jo arap (njeri i zi). I bindur se homonimia do të prekte përcjelljen e mesazhit, Jani Vretoja e zëvendëson fjalën, duke e shtuar dozën e përshtatjes. Personazhi pozitiv është pjesëtar i një populli tjetër, ndaj vepra dëshmon edhe pranimin prej autorit të diversitetit kulturor, si pasuri e Perandorisë Osmane.
Intriga e poemës me elemente të fuqishme dramatike, fillon prej kunatit, i cili nuk dihet në është marrosur nga tundimi prej bukurisë së veçantë të Ervehesë, apo i verbuar prej besëprerjes. Sidoqoftë Erveheja do të ketë problem me bukurinë e saj të rrallë edhe në episode të tjera të poemës. Duke u mbështetur te mendimi i Faik Konicës: “Ashtu kuptova se në të vërtetë kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen njëfarë urrejtjeje kundër bukurisë” (Konica, 1993) duhet ta pranojmë se kjo urrejtje duhet të ketë qenë më e fortë një shekull më parë dhe veçanërisht në kohë krize. Autori nuk e individualizon fisnikun, sepse i duhet individualizimi për të krijuar mitin e heroinës. Ai e shpie në shtëpinë e vet qenien e gjetur nën muranë, ku i shërben me ngrohtësi bashkë me gruan. E përsëri problem bëhet bukuria. Sapo ajo shërohet, bëhet edhe më e bukur. Bujari i ofron martesë, sipas kodit kuranor mbi martesën me një grua për bamirësi. Ajo e njeh Kur’anin e shenjtë, dispozitat e sheriatit islam, i dinte se sa të nevojshme ishin zbatimi i dispozitave që orientonin jetën shpirtërore, fizike dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, rregullat në familje, në bashkëshortësi. Këtë etapë të vështirë ajo arrin ta kalojë duke e bindur atë burrë besimtar se mirësia që kreu duke i shpëtuar jetën, se mirësinë ia kishte bërë Zotit e nuk duhej ta prishte. Nëse ai e fton për martesë se e gjykon si të ngratë, ajo arrin ta bindë se ka status tjetër. I duhet të përballet më tej edhe me tundimin që i ka shkaktuar shërbëtorit të fisnikut, i cili për hakmarrje, me që ajo nuk pranon të martohet me të, hakmerret duke vrarë djalin e bujarit, por padit Ervehenë për krimin.
Iu bë detyrim lufta, ndonëse e urrente atë. Asaj i është dhuruar urtësia, ndaj dhe mirësi e madhe. Është në prag të një katastrofe, sepse i duhet të ridalë në rrugë, pasi provon se është e pafajshme. Duke nderuar besnikërinë e Ervehesë, fisniku i jep dhuratën e kurorës, niqahun, si ta kishte pjesëtare të familjes, por asaj i duhet të largohet prej asaj shtëpie fatkeqe. Buzë një rruge, me niqahun e ndarë nga bujari, i shpëton jetën një burri, i cili i detyrohej arkës së sundimtarit. Përsëri propozim për martesë prej të shpëtuarit nga vdekja dhe përsëri dhunë për të realizuar dëshirat mashkullore.
Pas mospranimit, i shpëtuari e shet si skllave te një kapedan anije. Fatkeqësitë nuk kanë të sosur. Edhe si skllave arrin ta mbrojë nderin e dinjitetin vetjak. Së fundmi i vjen në ndihmë ndërhyrja hyjnore, që e mbyt anijen e njerëzit e saj të zhytur në vese. Zoti e hedh të gjallë në breg të detit Ervehenë.
Pas pjesës së parë të poemës, me aq shumë pika takimi me realitetin social absurd të shoqërisë shqiptare të fillimit të shekullit XIX, fabula e pjesës së dytë të poemës vijon të endet në një botë mrekullish, si shpërblim hyjnor për besnikërinë e heroinës. Vishet si burrë dhe arrin të marrë lejen nga mbreti për të qëndruar në vendin ku e hodhi dallga. Mjekon verbimin (sëmundje e paditurisë) e bën emër në mjedisin përreth. Kur froni mbretëror mbetet bosh, sepse nuk ka trashëgimtar, këshilli mbretëror e vendos në krye të mbretërisë, duke u bërë një me amanetin e mbretit, që jep shpirt i lehtësuar pas atij gjykimi të mençur. Vijon të shërbejë si mjeke popullore dhe nami arrin deri në qytezën e saj, ku vuajti padrejtësisht. Vijnë për t’u kuruar i kunati, i shoqëruar me të vëllanë, të cilit i premtoi dhe i dha besë, shërbëtori plëngprishës me bujarin aristokrat, të cilët shfaqen të penduar. I shëron dhe së fundmi u tregon se kush është në të vërtetë. Vë në fronin e mbretit të shoqin, i kërkon bujarit të sjellë të shoqen, që ta ketë si nënë, fal kunatin dhe shërbëtorin, duke i shërbyer simbolit të besimit islam si mëshirë e falje..
Tregimi në vargje ka tension dramatik, deri sa Erveheja arrin të marrë të drejtën për të qëndruar në vendin ku e hodhi shqota detare, por gjithçka në poemë endet rreth figurës së Ervehesë, që shërben për të zhvilluar fabulën tregimtare.
Erveheja qe një grua,
që s’kish shoqe n’atë ditë,
vajzë dhe si u martua,
posi hëna kur bën dritë.
Bukurinë e kish me shur [9],
fort qe një zonj’ e ndershurë,
burrin e kish bërë mamur [10]
dhe me huje [11] të bukurë. (USHT, Histori e Letërsisë Shqipe, Tiranë, 1959, f. 289)
Fjala grua është në kuptimin zonjë, sipas traditës sonë të kohës, por dhe fesë islame. Shihet vijueshmëria e edukimit të femrës që në vogëli dhe më pas. Megjithatë është reflektuese e diellit, nuk ka dritën e vet, është hënë, sepse metafora diell i referohet vetëm adhurimit. Është shumë e bukur, duke dëshmuar se shqiptarët kanë problem me bukurinë, por jo me fisnikërinë:
“Kështu, në qoftë se në Shqipëri bukuria është e përbuzur dhe e shkelmuar, s’ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetra të kombit, shqiptar, është edhe e gjallë dhe merr një fuqi të re nga shembull i Atij që duhet të jetë dhe është pasqyra e mirësive të shpirtit dhe të sjelljeve…” (Konica, 1993)
Vlerat e Ervehesë dalin në përplotësimin moral të burrit, çka flet për një hap në raport me kohën në këtë drejtim. Autori e shpie edhe më parë mendimin për gruan, sepse edhe ajo ka rolin e vet në forcimin e tipareve pozitive të bashkëshortit të vet, duke mos mbetur thjesht në reflektimin e dritës së burrit: “Posi hëna kur ep dritë”.
Tiparet pozitive që mishërohen nga veprimet e tyre gjatë gjithë shtjellimit të veprës, krijojnë sfondin e shpresës për shoqërinë në të ardhmen. Erveheja është shembull mirësie e përkushtimi ndaj njerëzve. Për të shpëtuar një të panjohur jep gjithë niqahun e vet. Është me karakter të fortë, arrin të mos i nënshtrohet çastit të temperamentit sanguin shqiptar, nuk di të marrë hak, sepse nuk e pranon komponentin “hakmarrës”, “të identitetit shqiptar, një komponent ky, të cilin nuk e ka si veçori kryesore si identiteti kulturor evropian” (Frashëri, 2006) edhe besimi islam, që edukon mirësinë dhe paqen shpirtërore. Heroina grish banorin shqiptar të çdo kohe, të dy gjinive dhe tërë shtresave shoqërore, veçmas të shqiptarit në kohë krize, që të mos lejojë të bjerë në krizë shpirtërore, e cila varet tërësisht prej individit. Duke konsoliduar identitetin shpirtëror, mund të arrijë të përballojë, të ulë ndikimin e krizës në tërësi mbi të e shoqërinë, në përgjithësi.
Figura e Ervehesë, e para në letërsinë shqipe, anon nga perfeksioni social, synon të ngrihet në nivelin e një qenieje shpirtërore, që afrohet me dritën (fuzuliun) duke arritur aq pranë me arshin hyjnor. Tregimi i rrjedhshëm është plot gjallëri e dramatizëm. Dialogu është i afërt me ligjërimin bisedor, plot ngjyra. Vargu tetërrokësh i jep mundësi autorit të individualizojë karakteret nëpërmjet gjuhës apo veprimeve që kryejnë.
Diskutim
Muhamet Kyçuku zgjodhi mitin e gruas si mjedis ku ai kreu meditimin e vet social. Qeniet mitike shqiptare kanë shumë figura femërore, që hyjnë thellë në histori. Me figurën e Ervehesë krijohet personazhi i parë femër, por njëherazi zë fill miti i gruas në letërsinë tonë të individualizuar, që në letërsinë e Rilindjes Kombëtare do të zërë vend parësor.
Zhbirimi i gjendjes sociale plot mungesa, ku ajo jeton, pasi nuk është më nën kujdesin e mbrojtjen e të shoqit, i japin mundësi autorit të gjejë të veçantën, pa lustër, problemet sociale, ekonomike, shpirtërore, morale, etike, fetare etj., për të cilën kishte nevojë shoqëria shqiptare e kohës, disa prej të cilave shfaqen edhe tani. Gruaja është qenie natyrore, por edhe sociale e shpirtërore, që jeton në natyrë, në familje dhe në komunitet. Problemet e shumta që shfaqen rreth Ervehesë janë probleme të kohës, madje edhe më të fuqishme se për një kohë të caktuar historike. Nën tisin krijues artistik gjejmë fakte të organizimit familjar, shoqëror, zakonor e ligjor të popullit tonë në shekullin e fundit të ekzistencës së Perandorisë Osmane, kur po dukeshin shenjat e krijimit të shteteve të veçanta.
Siç shprehet studiuesi, Adem Balaban te punimi i vet: Rëndësia e përdorimit të gjuhës në menaxhimin e krizës, “Nëse para, gjatë ose pas krizave të tilla, do të përdoret drejt dhe korrekt gjuha nga udhëheqësit politikë, media dhe njerëzit mund të parandalohen dhe zvogëlohen konfliktet.”[12] Te poema tregimtare Erveheja e shkruar shqip, por me alfabet arab, gjuha jo vetëm parandalon konflikte, arrin të bindë e të edukojë moralisht, por dhe me besimin islam. Erveheja e përdor këtë mjet të komunikimit për të informuar, këshilluar, argumentuar e bindur personazhet e tjerë të poemës tregimtare. Fjala në gojën e personazheve pozitivë të poemës fiton forcë, sjell zgjidhje problemesh e jep kënaqësi, krejt ndryshe nga fjalët e personazheve negativë, që marrin urrejtje e përçmim.
Duke qenë grua, ajo nuk di t’i ndajë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Bujari e shpie në shtëpi gruan e gjetur nën muranë, pa e ditur besimin e saj fetar, shtresën e saj shoqërore apo origjinën e saj etnike. Erveheja e shpëton nga vdekja qyqarin, i cili ka dëmtuar arkën e sundimtarit, u jep 400 florinj, gjithë niqahun e vet, sepse ajo nuk di të bëjë llogari, kur lypset mirësi, pa e ditur besimin e tij. Po kështu nuk dihet besimi fetar i mbretit që i jep strehë, nuk dihen besimet e atyre që u kuron verbimin pa asnjë pagesë. Për këtë arsye vepra poetike Erveheja u bë e dashur për të gjithë banorët shqiptarë, pavarësisht besimit fetar.
Përfundime: Propozime
Në qoftë se me divanin e Nezim Beratit letërsia shqipe dëshmon se mori në mënyrë krijuese modelin dhe shtytjen nga letërsia e tesavvufit për të hyrë në rrugën e krijimit poetik individual, me poemën tregimtare Erveheja të Muhamet Kyçykut kjo letërsi vuri themelet e poemës narrative, e cila shpejt do të nxiste zhanre të tjera që pritej të shfaqeshin. Duke ruajtur e ftilluar ndjeshmërinë artistike në gjuhën amtare, ndihmoi për plotësimin me elemente shpirtërore identitetin vetjak. Duke qenë dokumente në kohë artistike, detajet e shumta të ngurtësuara në të, japin ndihmesë për të zhbiruar kohën historike dhe njëherazi ato shërbejnë si pika referimi për komunikimin nëpër kohëra.
Elementet e poetikës mistike (sufiste): Zoti, zemra, besimi, hëna, përkohshmëria e jetës tokësore plot privime përballë asaj hyjnore tërë dinjitet, të jetuarit shpirtërisht deri në tërtherje etj., jepen paralelisht me elemente të poetikës mitike shqiptare: orët, zanat, shtojzovallet, me themele te miti i Magna Mater, si jehonë e kultit të perëndeshës anatoliane, që e bën figurën e Ervehesë më se shqiptare, më se të lidhur me një mjedis të caktuar. (Roller, 1999)
Figura e Ervehesë duke qenë origjinale, sepse është funksionalizuar artistikisht në kuadër të strukturës letrare, (Krasniqi, 1984) ka ruajtur topose sociale, që ruajnë klishe sociale, të cilat kanë arkivuar fakte të kohës. Në strukturën poetike të veprës dhe veçmas atë të heroinës, shpallet edhe vetëdija morale, sociale dhe estetike e Muhamet Kyçykut, pikëpamjet e tij mbi jetën dhe mbi shoqërinë. Arsyet e brendshme kombëtare, ai i ktheu në fakte letrare, që çuan në krijimin e fortë dramatik të karakterit të Ervehesë.
Figura e veprës, siç thotë Lesingu, bënte efekt estetik duke shënjuar përshtypje të thellë te shqiptarët, si esencë metafizike e bukurisë. Me poemën Erveheja autori gjeti mundësinë t’i flasë bashkatdhetarit të vet për problemet që e shqetësonin me shumëkuptueshmërinë e thjeshtësisë, duke mos u bërë tregtar i fjalës. E kaloi hijen e vet, synoi ta kapërcente kohën, ndaj mbeti në kohë me poemën tregimtare dhe sprova e gruas që beson në Zot doli me sukses. Poeti personifikoi fenomenet sociale, i bëri qenie që ndiejnë, duke projektuar vetveten, ëndrrat dhe idealet e veta. Nuk u vu në qendër të gjithësisë individi dhe dëshirat e tij, si te mistikët (sufistët), por vepra dëshmon tipare të traditës më të mirë shqiptare, që kishin zëvendësuar elemente të misticizmit. Te karakteri i pavarur i Ervehesë janë trashëguar një numër shumë i madh tiparesh të vjetra, që shërbejnë si shembull tipik për forcat e ngurtësisë kulturore dhe qëndresës politike.[13] Me këtë poemë tregimtare hapet rruga e bektashizmit, si një trashëgimi fetare dhe kulturore, që do t’i sjellë letërsisë shqipe Naim Frashërin.
Filozofi i madh kinez, Kong Fu Tzu ka shkruar:
“Shenjat dhe simbolet janë ato që e sundojnë dhe udhëheqin botën, e jo fjalët apo ligjet.”
Me anë të Ervehesë u shënjua imazhi i dinjitetit, i kthyer në simbol. Prandaj është pafundësisht e bukur jeta morale e Ervehesë. Si qenie me emrin ‘Njeri’ synonte diçka më të lartë se ekzistenca, dinjitetin njerëzor, që i jep kuptim jetës. Vepra përcolli këtë trashëgimi morale deri me vendosjen e sistemit kolektivist në Shqipëri, pas Luftës II Botërore. Me vendosjen e rendit komunist, jeta u bë aq kolektive, u prek rëndë dinjiteti dhe personaliteti i çdo individi, sa jeta e secilit rrezikoi të humbte veçantinë e saj, ndërsa njerëzve iu kultivohej shtetërisht psikologjia e turmës.
Socializmi do të galdohej nga turmat pa qytetarë dhe i nxiste ato të urrenin njerëzit që e ruanin me fanatizëm dinjitetin. Ndershmëria shembullore, pasi u ndalua ligjërisht besimi fetar, asokohe quhej budallallëk, ndërsa krenaria e vërtetë e dinjiteti vetjak ndëshkohej kolektivisht dhe dënohej shtetërisht. Njeri i mirë çmohej ai që nuk e dallonte veten në asgjë nga të tjerët, madje ‘shkrihej me ta’. Nuk shqetësohej kush institucionalisht për përsosjen shpirtërore të individit dhe talentet e fuqishme duhej ta vuanin në heshtje dramën e tyre. Dinjiteti ishte kërcënim i hapur për diktaturën, megjithatë vepra Erveheja e realizoi detyrën e vet sociale dhe për këtë e dënuan me heshtimin ostacizt.
Mungesa e kontaktit me artin cilësor ndikoi në prishjen e shijeve estetike, veçmas të rinisë, siç e kishte parashikuar qysh herët personaliteti dhe veprimtari i shquar:
Para syve të riut të sotshëm ma i madhi njeri në botë asht Krali i Automobilavet: Fordi, ma i vlefshemi Libër asht Romani i dashurisë.
Pra po shofim çiltazi se në jetën e mbrendëshme kemi një shkretië të përgjithshme; as nji gja nuk na bindë dëshirat, as kur sendi nuk na kënaqë; si nji dtë qi përplaset nga shtërgata asht tue u tramzuë mendimi i brezit të rijë dhe po mundohet me gjetun shtroherën qi të prekin pakë ndijësit e ashpëruara. (Vokopola, 1927)
Kategoria e rastësisë objektive i ka dhënë hapësirë krijuesit për realizimin e veprës, ku zonja e një shtëpie të thjeshtë ka vlera mbretëreshe. Ai e ofroi produktin e vet si ndjeshmëri artistike, si letërsi në gjuhën amtare, por jo më pak si kulturë, si moral, si dije duke forcuar karakterin utilitar, kur kriza rrezikonte të shtoheshin prodhimet kallpe, siç thuhet në një citat te Protagora e Platonit:
“Sigurisht, thashë, dituria është ushqim i shpirtit dhe duhet të ruhemi, miku im, që sofisti të mos na mashtrojë kur lëvdon atë që shet, si matrapazët që shesin sende për trupin, sepse ata lëvdojnë pa dallim gjithë mallin e tyre pa ditur cili vërtet është i dobishëm … Rreziku është shumë më i madh në të blerë të dijes, sesa në të blerë të mishit dhe të pijes.”
Bibliografia
Çami M. (1910). Erveheja, Selanik, f. I.
ibidem, f. V.
ibidem, f. XII.
Doja A. (2006). A political history of Bektashism from Ottoman Anatolia to contemporary Turkey, Journal of Church and State [Oxford].
Doja A. (2008), Bektashizmi në Shqipëri: Histori politike e një lëvizjeje fetare, Tiranë.
Frashëri K. (2006), Identiteti Kombëtar Shqiptar dhe Çështje të Tjera, Tiranë, 2006, f. 6.
Hamiti S. (2010), Poetika shqipe, Tiranë 2010, f. 147.
Karamustafa T. A. (1994), God’s unruly friends: Dervish groups in the Islamik later middle period 1200-1550, (Salt Lake City: University of Utah Press).
Konica F. (1993), Vepra, Tiranë, 1993 (f. 227).
ibidem, f. 226.
Krasniqi B. (1984), Letërsia dhe vetëdija historike, Prishtinë, 1984.
Kressing F. (2002), Preliminary account of research regarding the Albanian Bektashis. English, Book, Illustrated edition: Albania–a country in transition: aspects of changing identities in a South-East European country / [edited by] Frank Kressing, Karl Kaser, Baden-Baden: Nomos.
Roller, Lynn E. (1999). In Search of God the Mother the Cult of Anatolian Cybele (Berkeley-Los Angeles: University of California Press). New Book on Magna Mater.
Universiteti Shtetëror i Tiranës, Historia e Letërsisë Shqipe I, Tiranë, 1959, fq. 284.
Assoc. Prof. Faruk Kiliç A., The model of M. Akif Ersoy in the social crisis Resolution, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana.
Balaban A. The importance of Using Language in Crisis Management, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana.
Taşdelen M. Sari Salltuk as a Spiritual Leader in the Balkans, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana.
Vokopola F. (1927) Të rinjt e sotshëm si mejtojnë edhe kujt i mbesojnë?, Zani i Naltë, 6, IV, janar, f. 174-178.
[1]. Assoc. Prof. Ahmet Faruk Kiliç, The model of M. Akif Ersoy in the social crisis Resolution, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana
[2]. Ahmet T. Karamustafa, God’s unruly friends: Dervish groups in the Islamik later middle period 1200-1550, (Salt Lake City: University of Utah Press, 1994).
[3]. Prof. Dr. H. Musa Taşdelen, Sari Salltuk as a Spiritual Leader in the Balkans, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana.
[4]. Doja, Albert, “A political history of Bektashism from Ottoman Anatolia to contemporary Turkey”, Journal of Church and State [Oxford]. 2006.
[5]. Unë.
[6]. Në.
[7]. Dhurova.
[8]. Albert Doja, Bektashizmi në Shqipëri: Histori politike e një lëvizjeje fetare, Tiranë, 2008.
[9]. Lavdi, nam.
[10]. Të lumtur.
[11]. Tipare.
[12]. Dr. Adem Balaban, The importance of Using Language in Crisis Management, 2nd International Conference on Humanities “Crisis and Spirituality”, 17-19 may 2013, Tirana.
The importance of Using Language in crisis Management: “Whether before during or after such crisis, the proper and correct use of language by political leaders, media and dhe people may prevent and reduce conflicts”.
[13]. Kressing F. (2002), Preliminary account of research regarding the Albanian Bektashis. English, Book, Illustrated edition: Albania–a country in transition: aspects of changing identities in a South-East European country / [edited by] Frank Kressing, Karl Kaser, Baden-Baden: Nomos.