Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare

Pas një veprimtarie të bujshme patriotike të NDSH-së, dhe pas një përcjelljeje të gjatë e të gjithë anshme të organeve të ndjekjes, ilegalja shqiptare duke e parë se veprimtaria e mëtejshme në kushte të reja ishte e vështirësuar, krerët e saj filluan që të kenë si opsion  edhe propozimin nga një pjesë e krerëve atdhetarë për largimin e saj nga Kosova. Propozimi i një grupi për largimin e tyre nga vendi, krijoi si të themi edhe një lloj përçarje në mes të ilegales në Kongresin e Pestë të saj në malet e Blinajës. Dihej se në të dolën dy propozime, njëra ishte që të vazhdohet me veprimtari ilegale, duke qëndruar në vend, ndërsa tjetra ishte që të dilet jashtë vendit nëpër mes kanaleve të ndryshme dhe nga atje të organizoheshin dhe në momentin më të përshtatshëm të kthehen në vend duke përmbysur pushtetin e sapo instaluar komunist dhe të shpallin bashkimin kombëtar.

Refuzimi i Hasan Alisë për largim nga Kosova

Patrioti i Anamoravës Hasan Ali- Remniku, i takonte grupit të parë, i cili me një grup shokësh, edhe pse e dinte se rreziqet ishin të mëdha, ai me këmbëngulje ishte për qëndrim të mëtejshëm në Kosovë dhe asnjëherë gjatë jetës së tij nuk u luhat dhe nuk vuri në dilemë largimin e tij nga Kosova. Ai ishte i prerë në qëndrimet e veta. Kosova dhe popullata e pa mbrojtur shqiptare kishte nevojë për të, sikurse edhe ai për ata, dhe ishte shumë i vendosur për të vazhduar luftën e nisur deri në fund për lirimin e atdheut.

Hasan Ali- Remniku, ishte shokë e mik i Hysen Tërpezës, por ishte edhe mik i Bacës Ramiz Cërnicës. Edhe pse e kishte lutur e përgjëruar Hysen Terpeza për të iu bashkangjitur atij për largimin në Greqi, ai kishte qenë këmbëngulës, dhe i kishte thënë “ Unë kur dola në male isha betua se do të luftoi pushtuesit, dhunuesit, hajnat, vrastarët, njerëzit e ligj të çdo lloji ngjyre e rase- veçmas shkaun. Edhe nëse më shkon forca, unë nuk do të dorëzohem i gjallë por do të qëndroi me çka kam dhe sa të mundem e nëse vritem le të jetë edhe ashtu, që me gjakun tim ujitet atdheu shqiptar që aq shumë e desha. Juve miq, shokë e luftëtar shpirtra të Shqipërisë Etnike që deri dje ishit roje e atdheut iu qoftë udhë e mbarë e unë do të qëndroi edhe ca kohë në Kosovë. Ju jap fjalën se edhe unë pasi që do ti kryej do punë- porosi e amanete do të dalë në Shqipëri e do të kthehem në Kosovë…”[1], këto edhe ishin fjalët e fundit që i tha  shokut të vet të idealit Hysen Tërpezës.

Formimi i Komiteti të NDSH-së në Remnik

Sipas disa të dhënave që na i ofron në “Autobiografinë” e vet, veprimtari i shquar i ONDSH-së – Shemë Dajkoci, në mes tjerash, për organizimin dhe veprimtarin e ONDSH-së në Anamoravë, në mes tjerave shkruante se: “Në fshatin Bresalc kryetar ka qenë Hajrullah Hoxha, i cili ka organizuar në Verbicë, në Zhegoc dhe në Ponesh…”[2], komitete të NDSH-es, por, më tej,  askund në shkrimin e tij nuk hasim ndonjë të dhënë plotësuese lidhur me veprimtarin e ONDSH-së, në fshatin Remnik. Por, në bazë të disa të dhënave të më vonshme, që i gjejmë në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në gazetën “Rilindja” që ishte i botuar me titull “Prita në Bistricë”, me 16 qershor 1965. Sipas tij, del se Hasan Remniku qysh herët, menjëherë pas vitit 1945, kishte filluar të merrej me veprimtari atdhetare ilegale. Vazhdimisht sipas Bullaiqit, por që më vonë e hasim edhe tek libri i Muhamet Pirrakut “Mulla Idriz Gjilani…”, Prishtinë, 1995, vërtetohej e dhëna se, me propozimin e Hasan Remnikut, formohet organizata e NDSH-es në Gjilan (1949), me programin e saj luftarak, e quajtur “Zogiste”. Organizata quhej me këtë emër, por në bazë të të dhënave që kemi arritur ti sigurojmë, ajo ishte degë e NDSH-së dhe kishte të njëjtin program të saj.

Duke përcjellë rrjedhën e ngjarjeve, dhe më vonë, pas zbulimit të ONDSH-së në Gjilan, më 1949, sipas të dhënave, në muajin tetor, të vitit 1949, në fshatin Remnik formohet dega e NDSH-së, me anëtarët: Mustafë Kokën nga fshati Kokaj të Gjilanit dhe Arif Sylën nga fshati Remnik, të cilët kishin për qëllim që në kuadër të saj të përfshinin të gjitha fshatrat e Anamoravës së Epërme. Arif Syla ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Hasan Remnikut dhe me te vazhdimisht mbante lidhje, sa që në fund aq shumë kishte fitua besimin e këtij të parit, sa e caktoi që të jetë edhe korrier i tij. Arif Syla, edhe më herët kishte rënë në kontakt me anëtarët e NDSH-es. Qysh nga viti 1945, mbante lidhje me ta, e cila gjë vazhdoi edhe në vitet e më vonshme. Pas vitit 1949, me formimin e degës së NDSH-së, në Remnik, ai i  mbante lidhjet në mes të KQ të NDSH-së në Shkup, me Gajur Beun dhe Hasan Remnikut.

Pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve të degës së NDSH-së që vepronte në Gjilan, të cilët në procesin gjyqësor, me 12-16 nëntor 1949, u dënuan me vite të mëdha burgu. Nga kjo datë, dega e NDSH-së, e Remnikut filloi të veproj në mënyrë të pavarur, dhe barrën kryesore e morën: Hasan Remniku, Mustafë Koka dhe Arif Syla. Pas një takimi që patën në fund të nëntorit, Hasan Remniku u zgjodh udhëheqës kryesor ushtarak, Mustafë Koka u emërua si udhëheqës ideologjik dhe njëherit kryente punët e sekretarit të organizatës. Ndërsa Arif Syla u caktua arkëtar i saj.

Organizata e NDSH-es, në fshatin Remnik, me kalimin e muajve, filloi të shtoi edhe veprimtarin e saj. Numri i anëtarëve shtohej për ditë e më tepër, ndërsa i simpatizantëve ishte edhe më i madh në tërë rajonin e Anamoravës së Epërme. Anëtarët rregullisht paguanin anëtarësinë dhe gjatë veprimtarisë së tyre ishin shumë konspirativ.

Vlen të përmendet pagesa e anëtarësisë në kushtet tejet të vështira të organizatë: Pasi se të hollat anëtarët nuk guxonin ti dorëzonin vet, por, për çështje sigurie, ata kishin aplikua një formë tjetër të pagesës, që ishte shumë më e sigurt, megjithëse edhe kjo punë ishte me shumë rreziqe. Anëtarët e organizatës më herët në mes veti merreshin vesh për ndonjë vend më të sigurt dhe më të fshehur në mal për ti lënë parët e anëtarësisë. Aty, në mënyrë të fshehtë, anëtarët dhe simpatizantët në mënyrë të organizuar lenin parat dhe në ditën e caktuar, arkëtari shkonte dhe i merrte të hollat që iu shërbenin për nevojat e organizatës.

Më 1950, në Kosovë fillon të aplikohet aksioni për heqjen e ferexhesë. Ndaj këtij aksioni reagon ashpër Arif Syla. Nga pozita që mbante, sjellja e tij ishte e pa tolerueshëm. Andaj, për një sjellje të tillë, ai arrestohej nga organet hetuese. Mirëpo, organet e sigurimit, duke hetuar se ai diçka po fshihte, pastaj diçka kishte folur pa dashje, dhe se tërthorazi kishte zbuluar se e njihte Hasan Remnikun dhe se ishte anëtar i një organizate ilegale. Ai me dinakëri lirohej nga burgu, por vazhdimisht duke e përcjell organet hetuese, dhe për tu mos hetuar përcjellja, ata përsëri e emërojnë si referent për arsim në fshatin Remnik. Pas një kohe , kur “qetësohen” shpirtrat e hetuesisë e të përcjelljes, anëtarët e degës së NDSH-së që vepronte në Remnik, takohen përsëri. Qëllimi ishte që të likuidohen dy policët që e kishin keqtrajtuar Sylë Arifin, në burg. Megjithatë, anëtarët e tjerë nuk u pajtuan me këtë propozim, ngase konstatuan se nuk ishte momenti i duhur për këtë aksion.

Më 1948, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe ish- Jugosllavisë (gjatë kohës së Informbyrosë), kishin mbërritur pikën e vlimit. Në Kosovë, gjatë asaj periudhe kalonin shumë persona të dyshimtë për pushtetin jugosllav, e sidomos ata që vinin në Kosovë nga Shqipëria. Kështu ndodhi edhe me oficerin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë Skender Kosovën, që si udhëheqës i një treshe kishte kalua në Kosovë dhe ishte likuidua nga organet e e sigurimit jugosllav.

Për këtë vrasje të Skender Kosovës, nga organet e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, erdhi një letër për Mustafë Kokën, që në mënyrë urgjente kërkohej, sa më parë të vriten dy oficer të UDB-es, që dega e NDSH-së konsideronte se ishin më të rrezikshmit për popullin shqiptar. Nga ana e grupit, për likuidim u propozuan që të vriten oficerët e UDB-es, Xhafer Lila dhe Vojisllav Taliqi- Voja. Për likuidimin e tyre u caktua  anëtari i degës së NDSH-es, Mustafë Koka, të cilën në mesë të natës së 5/6 qershorit 1951, e kreu me sukses detyrën e marr.

Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-së, organet e ndjekjes shtuan edhe më tepër ndjekjen ndaj tyre. Fshatarët e Anamoravës me dhunë i detyronin të tregonin se kah dhe ku ndodhej grupi i Hasan Alis. Filluan forca të mëdha të ndjekjes të dilnin në teren dhe të organizonin prita të shumta.

Kush ishte Hasan Alia-Remniku

Familja e Hasan Alis, në fshatin Remnik kishte ardhur aty kah viti 1913, sipas disa të dhënave, ai në atë kohë kishte vetëm tri vjet. Hasani kishte lindur më 1910 në një familje mesatarisht të kamur fshatare. Shumë shpejt familja e tij në fshatin e ri, kishin krijuar miqësi dhe u pritën ngrohtësisht nga vendasit. Me sjelljen e tyre të fisme, fshatarët asnjëherë nuk i ndan nga gëzimet dhe as nga hidhërimet e tyre. Me kalimin e viteve familja e Hasan Alis, filloi të njihej me mbiemrin e fshatit, që më vonë në shumë dosje të UDB-es e gjejmë me mbiemrin Hasan Remniku. Babai i tij, Ali Ramë Çollaku, nga ai Hasan Alia kishte trashëguar trimërinë e guximin ndërsa, nga nëna Zelë, kishte trashëguar ndjeshmërinë dhe dashurin  ndaj skamnorëve. Hasan Ribniku, fshatar në gjendje mesatare ekonomike nga Ribniku, komuna e Cërnicës[3] shkruante në dosjen e tij. Mirëpo, gjatë hulumtimeve, në shumë vende na del se Hasan Remniku ishte një lloj Robin Hudi shqiptar, kur shihte se depot e pushtetit ishin të mbushura me mall e veshmbathje, ndërsa në anën tjetër popullata shqiptare vuante për një kothere bukë apo për një palë opinga, ai e ndjente veten keq dhe në një mënyrë ishte i detyruar që ti merrte ato nga magazinat dhe t’iu shpërndante popullatës shqiptare. Ai nuk mundi asnjëherë të duronte padrejtësinë, sidomos nga komshit e vet që i kishte serbë.

 Ishte i martuar me Naziren nga Lubishta, dhe në jetën martesore u linden tre fëmijë: Naziren, Nurien dhe Aliun (1942).

Gjatë kohës së okupimit punoi si policë në komunën e Parteshit. Mirëpo, pas përfundimit të luftës, Hasan Alin- Remnikun e gjejmë në anët e ndryshme të Anamoravës, duke punuar për të mirën e kombit të vet. Shpesh e hasim duke i ndërruar strehimet dhe jatakët, duke ndërruar terrenet dhe shpellat ku fshihej. Ai ishte i vetëdijshëm dhe kishte dëgjuar nga informatorët, se UDB-eja po kërkonte me pishë një njeri që do ta zbulonte me tradhti Hasan Remnikun. Andaj, për çdo lëvizje ai ishte vigjilent në takimet dhe në jatakët e tij. Arif Sherif  Selmanin nga Remniku e kishte caktuar korrier, ai ishte një djalë i ri, trim dhe shumë i besueshëm. Nga ky edhe vinin informatat se kah sillej ushtria dhe policia jugosllave, dhe se çfarë çmimi kishin vu për kapjen e tij.

Në një takim me Hasan Remnikun ai në një farë dore kishte marr edhe detyrat konkrete nga ai të cilat ishin:

  1. Ta informojë rregullisht mbi qarkullimin e ushtrisë e të milicisë dhe të interesohet se cilët njerëz i kërkonin ata.
  2. Të mbanin evidencën e njerëzve që janë bashkëpunëtor aktivë të pushtetit të sotshëm, t’i dërgojë listën e tyre në mënyrë që këta njerëz në momentin përkatës të likuidohen.
  3. Të marri vesh se cilët njerëz janë të pakënaqur me rendin e tashëm shoqëror, në mënyrë që me kohë dhe sistematikisht t’i rekrutojë për veti.
  4. Ta informojë për situatën në magazinat e shitoret e kooperativave, në mënyrë që me rastin e plaçkitjeve të mos hasin në befasi, etj.

Dora e djathtë e Hasanit- mësuesi Mustafë Koka

Mustafë Rushiti- Koka, ishte i lindur më 1926, në fshatin Inatovc, të rrethit të Gjilanit. Babai i tij ishte një fshatar i pasur që asnjëherë nuk ishte pajtuar me copëtimin e tokave shqiptare. Nga urrejtja e madhe që kishte ndaj pushtuesit, ai menjëherë pas mbarimit të LDB-së, kishte formua një grup që luftonin kundër sistemit të sapo instaluar në vend. Më 1947, ai arrestohej dhe dënohej me 20 vjet burg. Në burg, së bashku me babin ishin të dënuar edhe vëllezërit e tij, që u cilësuan si armiq të popullit dhe të shtetit.

Mustafa, si djalë i ri, fillimisht nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë për politik, por kah fundi i luftës, iu bashkëngjit brigadës partizane të Shqipërisë dhe bashkë me ta shkoi në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1947. Gjatë kohës sa qëndroi atje, ai ndoqi mësimet në Shkollën Normale, e në të njëjtën kohë kreu edhe kursin ushtarak- informativ.

Pas kthimit në atdhe, ai u propozua nga komuna, për të vazhdua shkollimin në kursin pedagogjik në Prizren. Derisa vazhdonte mësimet, organet e sigurimit, filluan ta përcillnin hapa pas hapi. Për Hasan Remnikun, mësuesi i devotshëm kishte dëgjua shumë fjalë dhe për veprimtarin e tij patriotike kishte marr informata edhe gjatë qëndrimit sa ishte në Shqipëri. Dëshirë e kahershme e tij ishte që të takohej me të. Njoftimin në mes këtyre dyve e bëri Sylë Arifi, që në atë kohë kryente detyrën e sekretarit të Këshillit të Vendit. Me detyrën që kryente Sylë Arifi, kishte mundësin që mësuesit të ri ti siguronte një vend të ri pune, që mundësisht të ishte sa më afër Hasan Remnikut, që për qëllim kishte të bëhej lidhja dhe kontakti sa më i shpejt me KQ të NDSH-së në Shkup.

Pas një kohe të shkurtër, Mustafë Rushiti- Koka, kaloi me detyrë në shkollën e fshatit- Remnik. Po në këtë kohë filluan edhe takimet e shpeshta e më të shpeshta me Hasan Remnikun. Me kalimin e tij në fshatin Remnik, mësuesi kërkoi të takohej edhe me Agush Hetemin nga Bresalci, që me te njihej që më herët.

Agush Hetemi para lufte kishte qenë bujk, gjatë lufte kishte bashkëpunua me forcat nacionaliste. Më 1943, kishte marr pjesë në Ponesh e Livoq të Poshtëm kundër forcave partizane. Më 1949, bashkë me Ramadan Ramadanin prej Gjilani kishte formuar organizatën ilegale “Zogisti”, që kishte për qëllim rrëzimin e sistemit ekzistues shoqëror. Por, në bazë të të dhënave del se kjo organizatë nuk ishte tjetër gjë, por ONDSH, që vepronte në kushte më të vështira dhe konspiracioni ishte edhe më i thellë.

Me ndihmën e Sylë Arifit, Mustafë Koka, Hasan Remniku dhe Agush Hetemi u takuan në vendin e quajtur “Gumnisht”. Biseda në mes të takuerve nuk zgjati shumë por, në atë takim paraqitën planin konkret për veprimtari të mëtejshme. Aty u vendos që në mënyrë sa më urgjente të fillohet me likuidimin e aktivistëve të njohur të pushtetit në këtë anë. Si raste primare ishin të gjithë aktivistet dhe oficerët e UDB-es që punonin në këtë anë. Qëndrimi u mor që në rend të parë duhej me u likuidua sekretari i këshillit popullor i vendit në Malishevë. U propozua po ashtu që të fillohet me prerjen e menjëhershme të telave të telefonit dhe shtyllave të tyre në rrugën që lidhte Gjilanin-Bujanocin dhe Kamenicën.

Menjëherë pas këtij takimi, plani i propozuar i grupit filloi të realizohej. Në rrugën Gjilan –Bujanoc u prenë telat e telefonit, ndërsa 13 ditë më vonë u vra sekretari i Këshillit Popullor të Vendit në Malishevë, Petar Markoviqi. Pas aksionit, Agush Hetemi tentoi të arratisej dhe ti bashkohej Hasan Remnikut në mal, por, forcat e UDB-es, e arrestuan.

            Jeta e kaçakut nuk ishte e lehtë për Hasan Remnikun, e aq më tepër qëndrimi larg fëmijëve e mundonte së tepërmi. Disa herë nga Arifi (korrieri), kishte kërkua që disi t’ia sillte djalin e vetëm tek ai për ta par. Ai pa hezituar herën e parë i solli djalin –Aliun , 12 vjeç, ku u takuan në vendin e quajtur “”Qeremide”, dhe kishte ndodhur edhe një takim tjetër pas dy viteve, në vendin e quajtur “Bostanishte”, atëherë kur edhe u bënin përgatitjet për ikjen e tij për në Shqipëri më 1952. Arif Sylën e kishte të besuarin e tij, andaj jo rastësisht kur ishte arrestuar nuk kishte pranua asgjë edhe pse torturat ishin tepër të mëdha për djaloshin e ri nga Remniku.

Në procesin gjyqësor, të grupit të jatakëve, në bazë të aktgjykimit nr. K-23/51, thuhej se ai “kishte pranua se diku rreth Shëngjergjit të vitit 1951, ishte takua me Hasan Remnikun, ku me këtë rast ai e kishte porositur që ta ftonte mësuesin e fshatit Mustafë Reshitin, për tu takua në vendin e quajtur “Zheden”, aty diku mbi fshat. Pas kryerjes së porosisë, Arifi bashku me mësuesin takohen me Hasanin dhe marrin pjesë që të dy në takim, takimi zgjat mbi dy orë. Me këtë rast bëhet edhe kontakti i parë i mësuesit me të arratisurit. Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-es, të cilën e kryen mësuesi, ai iu bashkohet atyre në mal. Me të akuzuarit, Hasan Remniku shumë herë ishte takuar në vendet e ndryshme të fshatrave për rreth. Sipas një deklarate të dhënë në UDB-en e Vitisë me 31 tetor 1951, aty thuhej se ata ishin takuar edhe në vendet e quajtur “Qeremica” dhe “Tërshevina”[4].

Në procesin gjyqësor, sipas aktgjykimit K- 23/51, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqipton dënimin prej 4 viteve burg të rëndë.

Popullata e Karadakut, duke i ditur qëllimet e atdhetarit Hasan Remnikut, filluan në mënyrë të fshehët ti ofrohen atij dhe ta përkrahin në realizimin e idealeve të larta. Dihej se pas “mbarimit” të luftës, shumë shqiptar pushteti i ri i kishte burgosur, dhe i kishte dërgua për të vuajtur dënimin në kazamatet serbe. Në mesin e tyre ndodheshin edhe familjarët e mësuesit të njohur – Mustafë Kokës. Duke e ditur biografin e familjes së mësuesit, organet e UDB-es, kishin marr përsipër që disi ta survejonin mësuesin dhe ti bënin grackën për ta arrestuar. Ai, me kohë e kishte hetuar përcjelljen e tyre, kështu që me ndihmën e korrierit të Hasan Remnikut, kërkon që të takohej me të. Pas takimit që pati me Hasanin në varrezat e kolonëve të Remnikut, në vendin e quajtur Zheden. Mësuesi hallëmadhë pasi se i tregoi arsyet e tij për të hyrë në grupin e tij, Hasan Remniku i dëshiron mirëseardhje në radhët e qetës, që më vonë e vërejmë se bëhen shokë të pandashëm, sa edhe vdekja në fund nuk mundi ti ndaj.

Në një dosje të UDB-es, e gjejmë se Mustafë Koka më 6 qershor 1951, në banesën e tij kishte vrarë dy policët e pushtetit Vojon dhe Xhaferin, gjë që kjo ndikoi të përshpejtohej dalja e tij në mal dhe ti bashkëngjitet qetës së Hasan Remnikut.

Me të marr vesh organet e ndjekjes se edhe mësuesi iu kishte bashkangjitur Hasan Remnikut, forcat e rendit dhe ushtria jugosllave intensifikojnë edhe më tepër ndjekjet ndaj tyre. Kurse organet e UDB-es, marrin masa të duhura, duke liruar shumë shqiptar nga burgu, duke i kushtëzuar që në një mënyrë të zbulonin dhe të hedhin në prit ballistin e fundit të Anamoravës.

Grupit të Hasan Alis, ndërkohë i bashkëngjitet edhe anëtari i NDSH-së, Agush Hetem Muharremi. Agush Hetemi ishte një atdhetar i devotshëm, i cili ishte angazhuar në radhët e LNDSH-së, por pasi arrestohet, Gjykata e Qarkut në Gjilan atij i shqiptoi dënimin me vdekje- pushkatim. Pasi se nga lart ishte marr urdhri që Hasan Alia të zihet i gjallë o i vdekur, me një shpejtësi marramendëse, bëhen planet për të keqpërdorur miqësinë që kishte Agushi me Hasan Remnikun. Agush Hetemit, gjykata më vonë, sipas kërkesës së UDB-es, i fal dënimin, prej vdekjes- pushkatim, i caktojnë dënimin prej 20 vjetësh burg. Duke menduar se në këtë mënyrë, atë, do ta bindin që të bashkëpunojnë me ta. Më vonë, sipas disa të dhënave, Agush Mehmeti arratisej nga burgu duke iu bashkua grupit të Hasan Alis-Remnikut. Pas arratisjes së tij, UDB-eja edhe për këtë shpall një shpërblim të lart në të holla për të gjithë ata që din dhe e nxënë Agush Mehmetin.

Sipas dosjeve të shumta të jatakëve që dalin para gjyqit dhe dënohen me vite të shumta burgu, numri i tyre për strehimin e Hasan Remnikut në tërë territorin e Anamoravës ishte tejet i madh. Ai pa frikë strehohej si në Remnik, Lubishtë, Smirë, Livoq i Epër e i Ultë, Ponesh e fshatra të tjera për rreth[5].

Më me ëndje Hasan Remniku e vizitonte fshatin Livoç, ngase aty ndodhej miku i tij i idealit, Daut Kepa. Me të marr vesh se Hasani kishte vendos për arratisje nga Kosova për në Shqipëri, Dauti i siguron një person për ta përcjell jashtë vendi. Personi i besueshëm ishte Sylë Vraniqi, nga fshati Vraniq i Therandës (Suharekë), që mori për sipër rrugëtimin prej Vraniqi deri në kufi.

Hasan Alia, duke e par se rrethi i lëvizjes sa vije po ngushtohej, dhe se shumë miq e dashamirë të patriotit po vinin familjet dhe jetën e tyre në rrezik, sbashku me grupin vendos që të arratiseshin për Shqipëri.

Zbulimi i tërthorët i Hasan Remnikut me shokë

Edhe pse konspiracioni ishte në çdo nivel, megjithatë organet e UDB-es, me rastin e arrestimit të Arif Sylës (korrieri i Hasanit), për shkaqe krejt të tjera, ngase ai kishte reaguar me rastin e heqjes së çarçafit të grave, por në hetuesi, ai kishte folur edhe diçka, që për organet e UDB-es ishte me shumë rëndësi. Ai tërthorazi kishte folur se si e njihte Hasan Remnikun, dhe se merrte pjesë në një organizatë ilegale. Mjaftonte kjo për hetuesit, që më vonë ta përcillnin në çdo hap. Me qëllime të caktuara atë e lirojnë nga burgu, por jo edhe nga përcjellja e vazhdueshme. Më vonë, në grupin e Hasan Remnikut, sipas të dhënave që i jep Mazllum Nimani, në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në grup i hedhin tre persona, tre ish të burgosur politik[6], me detyrë që ta vrisnin ose likuidojnë Hasan Remniukun. I tërë ky aksion përfundoi pa sukses. Megjithatë, organet hetuese të Jugosllavisë nuk heqin dorë nga përcjellja e atdhetarit, më vonë në organizatën e tij i hedhin edhe tre oficer të sigurimit. Sipas të dhënave që i ofron Jovan Bullaiq ata ishin: Tahir Sokoli nga viset e Gjakovës, komandim i milicisë në Bresalc, Rexhep Xhiha nga Gjakova, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ismail Ramë Zenuni nga Smolica e Gjakovës, i cili në atë kohë ishte Shef i Milicisë të Rrethit të Kamenicës. Megjithëse kontaktet donin të ishin të shpeshta,  Hasan Remniku gjatë tërë kohës tregonte një kujdes të pashoq dhe esesi nuk iu epte as shansin më të vogël që ata të përfitonin besnikërinë e tij.

Likuidimi i Hasan Remnikut me shokë

Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë me 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9/10 tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatëzën, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie Misin Alidemen. Ata ishin të përgatitur mirë, ngase më herët kishin qepur rroba të policisë për burrat, ndërsa për gratë kishin sigurua pantolla, për hir që të lëviznin më lehtë gjatë rrugëtimit. Ushqimin e kishin sigurua me bollëk, andaj çdo gjë ishte e gatshme për nisje. Sipas Jovan Bullaiqit, për Arif Sylën kjo ishte dita më e dhembshme në jetën e tij. Kur kërkoi nga Hasan Remniku që të përshëndetën, Hasani reagoi ashpër duke i thënë se ai vetëm po i përcillte shokët, se ai do të kthehej përsëri në Kosovë. Kjo nuk ishte e vërtetë, por ishte një taktik për të humbur gjurmë dhe për të krijuar huti tek personat që e kishin marr përsipër që ta përcillnin. Rruga ishte e mundimshme dhe me plotë rreziqe, grupi i nisur për rrugë, natën ecte ndërsa ditën u fshihte në male për të vazhduar rrugën në natën tjetër. Organet e ndjekjes Hasanin e cilësonin se ishte shumë dinak dhe shumë i kujdesshëm “ai kujdesej për çdo gjë”[7]. Sbashku me lëvizjet e grupit, në anën tjetër sipas dosjeve të UDB-es, lëviznin dhe bënin përgatitjet e fundit edhe organet e ndjekjes. Grupi vazhdimisht shoqërohej nga përcjellësi i tyre që e kishte marr përsipër që ta “hidhte përtej kufirit”. Pas dy dite rrugëtimi, ata kishin arritur në malet e Kabashit dhe pritnin lidhjen tjetër që do i përcjell, që Hasanit ia prezantuan si njeri nga Zhuri me emrin Ragip, dhe që ishte njohës i mirë i këtij terreni. Hasani çdo gjë e merrte me dyshim dhe për ti bindur personat e panjohur, iu thoshte se edhe ai e njehte shumë mirë këtë terren. Për çdo rast sigurie, Hasani, përcjellësit e vet i kishte vu para dhe nën kërcënimin e automatikut ecnin në drejtim të kufirit dhe pa dijen e tyre, ecnin në drejtim të “Pritës në Bistricë”, që i kishin organizua ushtarët dhe policët e shumtë që ishin shpërndarë në formë harku pran lumit. Afërsia në kufi krijonte një ndjenjë shqetësimi dhe gëzimi tek grupi i Hasan Remnikut, ndërsa tek ushtarët ishte ankth i vërtet prania e Hasan Remnikut. Pas kalimit të lumit të ftohët nga grupi, në fushë u ndizen dritat e shumta të kamionëve të ushtrisë, kërcitën rafalët e shumta, përcjellësit e tyre u zhdukën në strehimoret e përgatitura më herët, ndërsa të shtrirë pran njëri tjetrit ngelën Hasan Remniku me shokët.

            Pas kësaj ngjarjeje kobzezë, ushtarët e policët festuan gjatë dhe me mburrje organizuan në Prizren, Ferizaj e Gjilan një ekspozitë të tmerrit, duke i detyruar fshatarët që ti vizitonin të vrarët, që i kishin shtrirë në llucën e rrugëve, për t’iu futur tmerrin qytetarëve shqiptar. Ashtu në heshtje, kokë ulur fshatarët i përcollën duke iu bërë nderimet e fundit bijve më të dashur të kombit vet.

[email protected]

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …