Ka diçka thellësisht të dhimbshme në mënyrën se si, sot, përmes disa gazetave, portaleve dhe formave të tjera digjitale të komunikimit, trajtohen personalitetet historike e kulturore të kombit tonë. Sa herë që përmenden emrat e tyre në faqet e këtyre mediave, lexuesi i vëmendshëm përfshihet nga një ndjesi e thellë pezmi dhe shqetësimi, jo vetëm për përmbajtjen, por për mënyrën dhe qasjen ndaj tyre.
Ndonëse duket sikur vëmendja ndaj figurave të njohura është rritur, shtrohet pyetja esenciale: a është kjo vëmendje e mbështetur në hulumtim të thelluar, në burime të besueshme dhe në ndershmëri intelektuale? Apo kemi të bëjmë më tepër me riprodhime të nxituara, të ngarkuara me paragjykime, preferenca subjektive apo qëllime të pavëna në shërbim të së vërtetës historike?
Shpesh ndodh që këto shkrime, përkundër pretendimit për të ndriçuar figura të mëdha të së kaluarës sonë, mbeten të pjesshme, të njëanshme dhe të varfra në substancë, duke përçuar më shumë shijen personale të autorit sesa një përfaqësim të drejtë dhe objektiv të jetës dhe veprës së atyre që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare. Kësisoj, kujtimi i tyre reduktohet në narracione të rrëshqitshme, që herë i idealizojnë në mënyrë të pamerituar dhe herë i zhvlerësojnë në mënyrë të pamëshirshme.
Në një kohë kur teknologjia e ka bërë fjalën më të lehtë për t’u përhapur, përgjegjësia për të trajtuar me seriozitet figurat kombëtare është më e madhe se kurrë më parë. Shkrimi për ta nuk duhet të jetë thjesht një akt i lirë publikimi, por një akt i ndërgjegjes kulturore dhe historike, ku pesha e së vërtetës dhe kujdesi për kujtesën kolektive duhet të jenë të pashmangshëm.
Dhe kjo është ajo që dhemb më së shumti: kur fjala e shkruar bëhet e lehtë, por pasoja e saj në ndërgjegjen publike është e rëndë.
Historia e popullit shqiptar është në thelb histori e qëndresës për ruajtjen e identitetit, një përpjekje e gjatë dhe e pashkëputur nëpër shekuj, që ka ndodhur jo në rrethana të qeta dhe të favorshme, por në përballje të vazhdueshme me sundime të huaja, ndarje politike dhe presione kulturore. Ruajtja e identitetit kombëtar nuk ka qenë luks, por nevojë jetike, një akt i përditshëm i rezistencës, shpeshherë i shoqëruar me gjak, sakrifica dhe vetëflijim.
Në këtë rrugëtim historik, shqiptarët kanë nxjerrë figura që kanë ndriçuar jo vetëm brenda kufijve etnikë, por edhe në skenën ndërkombëtare – personalitete që me krenari përmenden si dëshmi e kontributit të shqiptarëve në trashëgiminë njerëzore. Përmendja e këtyre figurave nuk është vetëm akt simbolik i krenarisë kolektive, por edhe dëshmi e faktit se populli shqiptar, pavarësisht kushteve të vështira historike, ka prodhuar mendimtarë, luftëtarë, udhëheqës dhe vizionarë me vlera universale.
Megjithatë, shpeshherë në diskursin publik dhe mediatik ka tendenca për ta ngushtuar kompleksitetin e këtyre figurave në etiketime të pjesshme, të cilat synojnë t’i klasifikojnë ata sipas kategorive moderne politike apo fetare. Pyetjet si “Çfarë feje ishte Skënderbeu?”, apo “Cilit formacion politik i përkiste kjo apo ajo figurë e Luftës së Dytë Botërore?”, janë tregues të një qasjeje reduktuese, që rrezikon të zbehë përmasën historike dhe kontributin real të këtyre personaliteteve.
Në të vërtetë, madhështia e figurave kombëtare nuk qëndron në etiketat që u veshim sipas prirjeve ideologjike apo fetare të kohës sonë, por në përmasën e tyre si shprehje të idealeve të lirisë, dinjitetit dhe përkatësisë kombëtare. Këto figura duhet të shërbejnë si ura të bashkimit të kujtesës sonë kolektive, të lexuara me ndershmëri historike, larg instrumentalizimit të momentit dhe mendësive të ngushta politike.
Eshtrat e historisë shqiptare kanë mbijetuar në erërat e ndryshimeve të mëdha, pikërisht sepse kanë qenë të ngulitura në një përkatësi më të thellë se çdo ideologji e përkohshme: përkatësinë ndaj kombit dhe vlerave të tij. Dhe është kjo përkatësi që duhet mbrojtur, jo përmes kategorizimit të thjeshtë, por përmes kuptimit të thellë të kompleksitetit dhe universalitetit të figurave që i kanë dhënë frymë historisë sonë.
Është e habitshme, dhe në të njëjtën kohë e dhimbshme, kur debati rreth figurave të mëdha historike shqiptare rrëshqet nga përmasa e tyre kombëtare e civilizuese në diskutime të cekëta që përqendrohen në përkatësinë fetare apo orientimin politik të tyre. Pyetjet si: “Çfarë feje kishte Skënderbeu?” apo “Ishte ky apo ai atdhetar djathtist apo majtist?” – nuk janë vetëm të pavend në kontekstin e kontributeve madhore që këta njerëz kanë dhënë për kombin, por edhe shprehje e një ngushtësie konceptuale, që i trajton figurat kombëtare përmes filtrave të kufizuar të kohës sonë.
Historia nuk duhet të lexohet si një katalog etiketimesh, ku personalitetet klasifikohen në ndarje ideologjike, fetare apo partiake, por si rrëfim i përpjekjeve të mëdha për liri, identitet dhe dinjitet kombëtar. Të merremi sot me përkatësinë fetare të Skënderbeut, apo të diskutojmë nëse një figurë si Ismail Qemali, Hasan Prishtina apo Bajram Curri ishte më pranë së majtës apo së djathtës, do të thotë të zhvendosim vëmendjen nga thelbi: nga ideali që ata mishëruan, nga sakrifica që bënë dhe nga trashëgimia që lanë.
Ky lloj relativizimi i rëndësisë, ku çështjet thelbësore zëvendësohen me kuriozitete periferike, rrezikon të zbehë vlerën e figurave tona historike, duke i reduktuar në polemika të momentit që nuk e shërbejnë aspak të vërtetën historike. Madje, në njëfarë mënyre, kjo tregon se sa të gatshëm jemi të pranojmë ndarjen edhe aty ku historia kërkon unitet – e ndoshta kjo është një nga plagët më të rrezikshme për kujtesën tonë kolektive.
Në vend që të pyesim se çfarë feje kishte një figurë, apo cilës ideologji i përkiste, le të pyesim çfarë bëri për kombin, si mbrojti atdheun, si u flijua për të, dhe si mund të shërbejë si frymëzim për brezat që vijnë. Sepse në fund të fundit, ajo që mbetet dhe i jep kuptim historisë nuk janë etiketat, por vepra. Dhe është përmes veprës që ata jetojnë në ndërgjegjen tonë kombëtare – jo përmes polemikave që i vogëlojnë.
Fryma kombëtare si themel ideor i lëvizjeve shqiptar
Nuk është hera e parë që e shpreh këtë bindje, por ndjej nevojën ta ritheksoj: që nga fillimet e tyre, të gjitha programet – qofshin ato të organizatave legale apo ilegale shqiptare – janë ndërtuar dhe mbështetur mbi një bosht të përbashkët ideor: vetëdijen dhe përkushtimin kombëtar. Ky nuk është vetëm një fakt historik, por një e vërtetë themelore që meriton të mbahet në qendër të çdo diskutimi mbi lëvizjet politike dhe shoqërore të shqiptarëve, sidomos gjatë shekullit XX.
Pavarësisht formës së organizimit, rrethanave historike, ndikimeve ideologjike të kohës apo rrymave të jashtme politike që përpiqeshin të depërtonin në agjendat shqiptare, tabani i tyre mbeti kombëtar – i rrënjosur në idealin për liri, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar. Ky ishte filli i përbashkët që i mbante të lidhura kauzat e ndryshme, pavarësisht emrave të organizatave, formave të veprimit apo qasjeve taktike që ato merrnin në raport me zhvillimet ndërkombëtare.
Të kuptuarit e kësaj baze ideore është thelbësore për të mos rënë në grackën e analizave që e relativizojnë karakterin kombëtar të lëvizjeve shqiptare, duke i paraqitur ato si përfaqësuese të formacioneve të caktuara ideologjike, të majta apo të djathta, në vend që t’i shohin si manifestime të përpjekjes për çlirim kombëtar dhe për ruajtje të identitetit shqiptar. Pikërisht kjo përbashkësi – kjo frymëmarrje kombëtare që i mbajti gjallë edhe në kohët më të vështira – është ajo që u jep legjitimitet historik dhe moral.
Në këtë kuptim, të kujtojmë dhe të ritheksojmë karakterin kombëtar të këtyre programeve nuk është thjesht akt kujtese, por domosdoshmëri për të ruajtur koherencën e së vërtetës historike, për të respektuar ata që u flijuan për kombin dhe për të mos lejuar që mjegullat ideologjike të djeshme apo të sotme ta deformojnë atë që ishte, dhe mbetet, thelbi i çdo përpjekjeje të organizuar shqiptare, shërbimi ndaj kombit dhe atdheut.
Ka një trishtim të thellë kur sheh se si, sot, me një fjalë të lehtë dhe një mendjelehtësi të dhimbshme, njollosen ata burra që vitet më të bukura të jetës i kanë shkrirë në qelitë e ftohta të kazamateve serbe, duke mbajtur mbi supet e tyre barrën e një ideali që nuk kërkonte shpërblim, por vetëm liri. Ata që ndriçuan errësirën me heshtjen e qëndrimit të tyre, sot rrezikohen të fshihen nga kujtesa për shkak të një fjale të pamatur, një aludimi të pabazë, një shijeje personale që kërkon më shumë të dëmtojë sesa të kuptojë.
Shpesh, mjafton një gojë që lëshohet, një “kokë e krisur” siç thuhet, për të përlyer një jetë të tërë të ndërtuar me gjak, me burg, me qëndresë e me heshtje të lartë. Dhe çfarë është më e dhembshme: kjo ndodh pa asnjë përpjekje për të kuptuar njeriun, rrethanën, kohën. Mjafton që dikush të përmendë emrin e një ideologjie, të dyshojë për një “klan”, të përmendë një miqësi të vjetër të dhomës së burgut — dhe aty fillon gjuetia e njollës.
Por a mund të shlyhet një jetë vetëm sepse dikush foli pa menduar? A mund të hidhet në humnerë një veprimtari atdhetare, një përkushtim i heshtur dhe i vërtetuar me vuajtje, thjesht se një fjalë e keqe kaloi rrugës? Nëse duam të jemi të drejtë me historinë, duhet të dimë se për të gjykuar një njeri – e veçanërisht një atdhetar – duhet të ngjitemi mbi një mal të fakteve, jo të fluturojmë me fjalë të thata. Dënimi pa prova është më shumë se padrejtësi – është dhunim i kujtesës kolektive, është mosmirënjohje ndaj sakrificës.
Dhe kështu, e trishtueshme mbetet heshtja kur duhet të flasim, dhe fjala e pamatur kur duhet të mendojmë. Sepse historia nuk është kurrë e ndërtuar mbi thashetheme – ajo kërkon vështrim të thellë, maturi dhe mbi të gjitha, respekt ndaj atyre që, në vend të zhurmës, zgjodhën qëndresën. Dhe këtë nuk mund t’ua marrim dot, pa u bërë edhe vetë të padrejtë ndaj së vërtetës që na mban gjallë si komb.
Herë pas here, ndalem dhe e gjej veten të zhytur në një mendim të hidhur: përse në hapësirën tonë kombëtare duket thuajse e pamundur të mbijetojë një figurë e devotshme pa u njollosur, pa u vënë në pikëpyetje, pa u shtrirë mbi të hijet e dyshimit apo të përbaltjes së qëllimshme? Pse rrallëherë e lëmë historinë të flasë përmes fakteve dhe veprave, dhe aq shpesh e lejojmë fjalën e lirë – jo si shprehje e lirisë mendore, por si armë për përçmim – të godasë ato figura që i kanë dhënë kuptim qëndresës, përkushtimit, sakrificës?
Kjo pyetje nuk është vetëm retorike, por shenjë e një shqetësimi të thellë kolektiv, që flet për një krizë më të madhe se sa ajo e interpretimit historik, është kriza e mosrespektimit të dinjitetit, e mungesës së standardeve etike kur bëhet fjalë për gjykimin e figurave publike dhe kombëtare. Ndodh që edhe figurat më të ndritura, që kanë dhënë gjithçka për atdheun – që kanë duruar burgun, përjashtimin, përçmimin – të kthehen në objekt të fjalëve të lehta dhe dyshimeve të pambështetura, thjesht sepse dikujt i është dhënë liria të flasë pa përgjegjësi.
Përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa duket, por një gjë është e qartë, nëse një shoqëri nuk di të respektojë më të mirët e saj, ajo ngadalë gërryen vetë themelet e kujtesës dhe të vlerave mbi të cilat ndërtohet identiteti i saj. Të mos mundesh të ruash të paprekura ato pak figura që mishërojnë moralin, përkushtimin dhe vizionin, do të thotë të pranosh heshtur humbjen e orientimit kombëtar.
Në këtë kontekst, pyetja “Çka po ndodh me ne?” nuk është vetëm një thirrje për vetëreflektim, por një alarm i heshtur që kërkon ndalje – ndalje të fjalës së pamatur, ndalje të gjykimit të nxituar, ndalje të përçmimit si mënyrë për të ndërtuar vëmendje. Sepse vetëm atëherë kur mësojmë të vlerësojmë drejt, mund të ecim përpara si shoqëri që i respekton rrënjët dhe ruan me kujdes kujtesën. Dhe vetëm atëherë mund të themi me të drejtë se jemi duke ndërtuar, e jo duke rrënuar, themelin e së ardhmes sonë.
Të padukshmit që mbjellin dyshim
Kur shohim shtrirjen e fenomenit të përçarjes, të njollosjes së figurave kombëtare dhe të përhapjes së dyshimit si formë diskursi publik, është e drejtë dhe e domosdoshme të ndalemi e të reflektojmë, mos vallë, përtej nxitjeve të brendshme, kemi të bëjmë edhe me një ndërhyrje të qëllimshme nga jashtë, me një propagandë të fshehtë dhe të mirëstrukturuar, që nuk ka asnjë interes në forcimin e unitetit tonë kombëtar?
Nuk është hera e parë në histori që forcat e huaja, me apo pa maska ideologjike, kanë ndërhyrë në ndërtimin apo deformimin e narrativave tona, shpesh duke përdorur mjete të sofistikuara psikologjike e mediatike për të minuar themelet e identitetit tonë. Ato nuk kanë pasur nevojë të ndërhyjnë me tanke – mjafton të ndërhyjnë në vetëdijen tonë, në mënyrën si e lexojmë të kaluarën dhe si i gjykojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është forma më e rrezikshme e ndërhyrjes, kur fjala e huaj bëhet mendim i yni, kur dyshimi i hedhur qëllimisht kthehet në bindje kolektive.
Në këtë rrjedhë, lind pyetja themelore, kujt i shërben kjo përçarje? Përgjigjja është po aq e qartë sa është e hidhur, përçarja i shërben vetëm atyre që nuk e duan as forcimin e identitetit tonë kombëtar, as bashkimin tonë shoqëror, as përparimin tonë institucional. Ajo i konvenon atyre që, historikisht, e kanë parë unitetin tonë si rrezik, dhe përçarjen tonë si mundësi.
Por a kemi nevojë të përgjigjemi? Po, por jo me të njëjtën monedhë. Jo me dyshim përballë dyshimit, as me njollë përballë njollës. Përgjigjja jonë duhet të vijë përmes ndërtimit të një vetëdijeje më të thellë historike, përmes forcimit të mendimit kritik, përmes ruajtjes së dinjitetit të kujtesës dhe përmes respektit për të vërtetën. Sepse më e fortë se çdo propagandë është një shoqëri që e njeh historinë e vet dhe që nuk e shet atë për përfitime të momentit.
Dhe nëse dimë të ruhemi nga rrjetet që na zënë ngadalë, pa zhurmë, duke na larguar nga njëri-tjetri, atëherë kemi shansin të mos biem viktimë e strategjive që kërkojnë të na thyejnë përbrenda. Në të kundërt, nëse heshtim e lëshojmë terren, do të bëhemi vegël e vetëpërçarjes, e cila është forma më e heshtur – dhe më e thellë – e humbjes kombëtare.
Një nga plagët më të rënda të ndërgjegjes sonë kolektive është mënyra se si figurat më të përkushtuara të kauzës kombëtare, sidomos pas viteve ’80, janë ballafaquar me një valë të pamerituar njollosjesh, shpifjesh dhe insinuatash që kanë kërkuar t’i përkulin ato jo përmes argumentit historik apo fakteve, por përmes dyshimit të qëllimshëm dhe thashethemeve që qarkullonin nëpër kuluare.
Në kohën kur shumë prej këtyre individëve ishin të angazhuar në luftë reale me jetën – duke përballuar ndjekje, burgje, varfëri dhe izolim – nëpër ambientet tona të brendshme, madje edhe në rrethet intelektuale, qarkullonin zëra të ulët që i akuzonin se kishin lidhje me okupatorin, se ishin parë duke pirë kafe në Beograd, se flirtonin me pushtetin, pa asnjë dëshmi, pa asnjë përgjegjësi morale. Ishin fjalë që nuk e kërkonin të vërtetën, por që e prodhonin turpin si instrument për të shuar reputacionin.
Ironia e këtij realiteti është therëse, pikërisht ata që rrezikuan më shumë, që guxuan kur të tjerët heshtnin, që i dhanë kuptim fjalës “qëndresë”, u përballën me dyshimin si ndëshkim, si të ishte mëkat të luftoje pa zhurmë, pa pretendime, pa krah politik. Kjo logjikë përbaltuese nuk ndaloi as në vitet e luftës së fundit në Kosovë, kur ndodhi diçka edhe më e dhimbshme: edhe në kushtet e një lufte të hapur për mbijetesë kombëtare, akoma gjuha e përçmimit dhe dyshimit përpiqej të shënjestrojë njerëz që po flijoheshin për një ideal.
Dhe në sfond të gjithë kësaj, rikthehet si një mallkim ajo fjali që pushtuesit e përdorën për dekada me radhë: “Shqiptari më i mirë është ai që është i vdekur.” Sa e frikshme është kur, në mënyrë të heshtur apo të nënkuptuar, kjo logjikë gjen jehonë edhe në shoqërinë tonë – jo më nga goja e okupatorit, por nga mendësia jonë e brendshme, që shpesh i pranon më lehtë dëshmorët se sa të gjallët që punojnë në heshtje për kauzën.
Nëse nuk mësojmë të ruajmë e të mbrojmë figurat tona të përkushtuara pa pritur që të largohen nga kjo botë për t’i nderuar, atëherë jemi duke ushqyer një kulturë të brendshme vetëasgjësimi, ku suksesi bëhet faj, ndërsa përkushtimi – objekt dyshimi. Një shoqëri që gjykon me fjalë të lehta dhe harron me lehtësi të tmerrshme, rrezikon të mos ketë më figura për të ndjekur, sepse i ka konsumuar, i ka heshtur apo i ka përbaltur të gjitha. Dhe kjo është humbja më e madhe që një komb mund t’i bëjë vetes.
Nëse shoqëria jonë do të përballej edhe me një sprovë tjetër të ndërgjegjes, ajo do të ishte pikërisht kjo: as vdekja nuk e shpëton më shqiptarin nga dyshimi, përbaltja dhe mohimi, nëse ai nuk përkon me modelin e atij që gjykon. Ndodh, në mënyrë tragjikisht absurde, që edhe figura të cilat janë flijuar për kombin, edhe pas ndarjes nga jeta, të vazhdojnë të përballen me një lloj “gjyqi moral post-mortum”, të gjykohen jo për atë që kanë bërë, por për atë që përfaqësonin në imagjinatën e të tjerëve.
Në një shoqëri ku fjalët e pamatura kanë zë më të fortë se aktet e sakrificës, madje edhe i ndjeri nuk gjen paqe në kujtesën kolektive, nëse nuk është “i duhur” për syrin e dikujt, për klanin, për kahjen politike apo për kalkulimin e interesave të ditës. Kështu, ndodhemi përballë një realiteti të dhimbshëm, ku jo vetëm që nuk i falet suksesi të gjallit, por nuk i falet as shenjtëria të vdekurit.
Kjo gjendje reflekton një krizë të thellë të etikës kolektive, ku historia nuk ndërtohet më mbi të vërtetën dhe respektin, por mbi përzgjedhje emocionale, ideologjike apo konjukturale. Dhe pikërisht në këtë lëmsh mendësish që përjashtojnë në vend që të përfshijnë, kujtesa kombëtare rrezikon të mos jetë më një vend nderimi për të mirët, por një fushë ndarjeje për të “përshtatshmit”.
E nëse, sipas mendësisë së dikujt, as shqiptari që ka dhënë jetën nuk është i mirë, atëherë shtrohet pyetja e thellë, kush mbetet për të qenë i denjë për këtë komb? Kur edhe figura të dëshmuara, të përndjekura, të flijuara, gjykohen në mungesë për shkak të paragjykimeve të sotme, atëherë kujtesa historike nuk është më mjet drejtësie, por armë e heshtur për përjashtim.
Dhe këtu qëndron sfida jonë më e madhe, të mësojmë të nderojmë, pa ndarë, të kuptojmë se dinjiteti nuk matet me pëlqim personal, se historia nuk mund të filtrohet me syrin e momentit, dhe se një komb që nuk i mbron të vdekurit e vet të shenjtë, vështirë se mund t’i ruajë të gjallët nga padrejtësia.
Një ndër shenjat më të dukshme të pjekurisë morale dhe të ndërgjegjes historike të një populli është aftësia e tij për të çmuar me nder e dinjitet bijtë dhe bijat që i kanë dhënë më të mirën e vetes në shërbim të atdheut. Të jesh pjesë e një shoqërie që di të ruajë kujtesën, që nuk harron por përkujton, që nuk hesht por flet me mirënjohje, është jo vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi.
Populli që ngrit lapidarë për heronjtë dhe idealistët e tij, që organizon tubime përkujtimore, që flet për ta me krenari dhe përulje, nuk po ndërton vetëm monumente të gurit, por po forcon themelet e identitetit të vet historik dhe moral. Ky akt i përkujtesës është më shumë se një gjest simbolik: është një shprehje e qartë se nuk jemi një shoqëri që e harron sakrificën, por një shoqëri që ndërton të ardhmen mbi nderimin e së kaluarës.
Krenaria për këtë vlerësim nuk është ndjenjë boshe, as patetizëm i rastësishëm; është shprehje e thellë e vetëdijes kolektive, se pa ata që dhanë jetën, mundin, dijen dhe dinjitetin e tyre për të mirën e përgjithshme, ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Për këtë arsye, çdo emër i gdhendur në gur, çdo flamur që valëvitet për një të rënë, është edhe një pasqyrë e asaj që kemi arritur ta ruajmë si vlerë.
Në një botë ku harresa bëhet shpesh më e shpejtë se kujtesa, të dish të çmosh të vetët është një akt fisnikërie kombëtare. Dhe në këtë qëndrim të vazhdueshëm të mirënjohjes, qëndron jo vetëm krenaria jonë si popull, por edhe forca jonë për të qëndruar bashkë – në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
T’i nderojmë sa janë mes nesh
Ka një moment në historinë e çdo kombi kur ai duhet të ndalet dhe të reflektojë thellë mbi mënyrën se si i trajton njerëzit e vet më të çmuar – jo pas vdekjes, kur lavdia shndërrohet në ritual, por sa janë ende gjallë, sa janë ende pranë nesh, me zërin e tyre të qetë dhe me kujtimet që e mbajnë të gjallë ndërgjegjen historike kolektive.
Është një gabim i përsëritur – ndoshta i trashëguar – ai që na bën të presim që njeriu të mos jetë më, për t’i thënë “faleminderit”, për t’i shprehur nderin dhe respektin që e ka merituar në jetë. Por respekti nuk ka vlerë të plotë kur është vonë, kur ai që e ka bartur barrën e sakrificës nuk është më këtu për ta dëgjuar, për ta ndjerë, për ta besuar.
Pikërisht për këtë arsye, duhet të mësojmë të nderojmë sot – jo nesër, të flasim me respekt për ata që jetojnë ende me ne, që ecin nëpër rrugët tona pa bujë, shpesh të harruar, ndoshta edhe të lënë pas dore nga një shoqëri që ka humbur ndjeshmërinë ndaj sakrificës. Dita-ditës ata po pakësohen – jo vetëm në numër, por edhe në zë – dhe shumë shpejt do të vijë koha kur nuk do të kemi më kujt t’i themi “faleminderit për atë që bëre për ne”.
Nderimi i atyre që jetojnë sot është një test i maturisë sonë shoqërore. Është tregues nëse kemi mësuar diçka nga historia, apo nëse do të vazhdojmë të ndërtojmë monumente për të harruarit nga gjallëria jonë kolektive. Prandaj, t’u ofrojmë respektin që meritojnë – jo si formë nostalgjie, por si akt drejtësie. Sepse e ardhmja e një kombi matet edhe me kujdesin që tregon për ata që i dhanë të kaluarës së tij dritë dhe që sot ende ndajnë ajrin me ne.
Në themelet e çdo kombi që synon të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme qëndron kujdesi për njerëzit e vet, për bijtë e tij – të gjithë, pa përjashtim. Ata janë pasqyra e historisë sonë, pjesë e mozaikut të përvojës kolektive, gurë në murin që kemi ndërtuar mes sfidash, gabimesh, dritash dhe hijeve. Çfarëdo që të kenë qenë, cilado qoftë rruga që kanë ndjekur, ata janë tanët – dhe vetëm me një mendësi përfshirëse mund ta ruajmë të plotë ndërgjegjen tonë historike.
Shpesh, në përpjekjen për ta pastruar historinë nga e papërsosura, rrezikojmë të rrëzojmë nga kujtesa edhe ata që kanë qenë shtylla të heshtura të rezistencës, të dijes, të përkushtimit. E, në një komb si i yni, që i ka mbijetuar shekujve përmes njerëzve të zakonshëm që bënë gjëra të jashtëzakonshme, nuk kemi luksin të humbim më njerëz. As duke i përjashtuar me gjuhë të ashpër, as duke i njollosur për arsye të paqarta, as duke i harruar për mungesë të një biografie të përsosur.
Kjo nuk do të thotë të heshtim për të metat apo gabimet – por do të thotë të ruajmë masën, drejtësinë dhe njerëzinë në gjykim. Nuk na duhen armiq të rinj të ndërtuar në emër të “pastërtisë” ideologjike apo kujtesës së selektuar. Na duhen ura, lidhje të gjalla, respekt për kontributin e gjithsecilit – sepse nëse fillojmë t’i harrojmë tanët, t’i përçmojmë apo t’i humbasim përmes përbaltjes, do të humbim vetë një pjesë të qenies sonë kolektive.
Në këtë kohë të trazuar, më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë se një popull që nuk i ruan dhe nuk i nderon bijtë e vet, shkon drejt shpërbërjes së heshtur – jo nga jashtë, por nga brenda. Dhe ajo është humbja më e rrezikshme nga të gjitha.
Nderimi si detyrë ndaj lirisë
Çdo hap që hedhim sot mbi këtë tokë të lirë është i mbushur me një përgjegjësi të heshtur, por të thellë, të mos harrojmë kurrë ata që u angazhuan, që sakrifikuan gjithçka, madje edhe jetën, për t’ia dhënë këtij vendi mundësinë të marrë frymë në liri. Nuk ishte e lehtë rruga deri këtu. Nuk ishte e qetë, as lineare. Ishte e ndërtuar me gjak, me qëndresë, me vizione të qarta dhe me njerëz që besuan se edhe ky popull e ka vendin e vet në mesin e botës së lirë e demokratike.
Sot, kur flasim për vlera, për shtet, për të drejta, për mundësi, duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë prej tyre nuk është dhuratë e rastit. Ato janë trashëgimi e një përpjekjeje të gjatë, që u mbajt gjallë nga gjenerata të tëra, të cilat, në rrethana shumë më të vështira se tonat, besuan në të pamundurën dhe punuan për të mundurën. E për këtë, nderimi nuk është vetëm akt kujtese, por akt i drejtësisë morale dhe historike.
Të kujtosh dhe të respektosh ata që u flijuan për tokën që sot e quajmë tonën nuk është vetëm çështje ceremoniale. Është themeli i ndërgjegjes sonë kombëtare, busulla që na kujton se çdo liri e sotme ka pasur një çmim, dhe se për ta mbrojtur atë liri, duhet të ruajmë me dinjitet kujtimin e atyre që na e mundësuan.
Prandaj, nderi dhe respekti për ata burra dhe gra të përkushtuar nuk duhet të jenë episodikë, por të ngulitur në strukturën morale të shoqërisë sonë – si shenjë se jemi të denjë për lirinë që e trashëguam, dhe të gatshëm ta mbrojmë për brezat që vijnë.
24 prill, 2025