Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, për një ngjarje me shumë interes të historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Janë afër 300 faqe dokumente të vjela nga Arkivat Britanike në Londër, të natyrës diplomatike, politike, shoqërore, ushtarake etj. Shumica e dokumenteve i përket korrespodencës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, me Ministrinë e Jashtme dhe të Komonuelthit (Foreign and Commonwealth Office – FCO) dhe një numër më i kufizuar informacionesh të përcjella nga Konsullata e Përgjithshme Britanike në Zagreb. Dokumentet përfshijnë edhe korrespodencën diplomatike të ambasadave të Madhërisë së saj, në: Athinë, Ankara, Moskë, Vjenë e deri në Abu Dhabi [Emiratet e Bashkuara Arabe], me Londrën. Pjesa më e rëndësishme e kësaj korrespodence i është bërë e njohur edhe Uashingtonit, me të cilin Londra konsultohej herë pas here dhe, siç dëshmojnë dokumentet, duket se ndanin edhe qëndrime të përbashkëta.
Një vend të konsiderueshëm zënë edhe artikujt e shtypit të vendeve perëndimore. Imazhet e para të qëndrimeve të diplomacive perëndimore ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe ndaj çështjes shqiptare, u përcollën pikërisht përmes këtyre artikujve. Në të vërtetë, disa prej shkrimeve të shtypit perëndimor dhe sidomos të atij austriak e gjermano-perëndimor shprehnin më qartë përmasat reale të asaj që po ndodhte në Kosovë në pranverën e vitit 1981, të egërsisë me të cilën u soll Jugosllavia ndaj demonstruesve dhe intelektualëve shqiptarë gjatë dhe pas demonstratave. Në ndonjë dokument specifik të këtij botimi do të pranohej e argumentohej juridikisht legjitimiteti dhe drejtësia e kërkesës kyçe “Kosova Republikë”.
Tematika e këtyre dokumenteve është e pasur dhe e larmishme, por, përmbajtja e saj mund të rivijëzohet në disa drejtime, të cilat fokusohen: tek nacionalizmi i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë; tek shkaqet e Demonstratave të mars-prillit të vitit 1981; tek kërkesa kryesore e tyre “Kosova Republikë”; tek roli i Shqipërisë në këto demonstrata dhe tek marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë; tek politika zyrtare e Britanisë së Madhe ndaj Jugosllavisë dhe kërkesave të shqiptarëve; tek reagimi i organeve të larta partiake e shtetërore në Serbi e Federatë, gjatë dhe pas demonstratave; tek qëndrimet e dyzuara të udhëheqësve shqiptarë në Kosovë; tek analizat interesante për kushtetutshmërinë e kërkesës së demonstruesve “Kosova Republikë”; tek hamendësimet intriguese për vdekjen e papritur të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu etj.
Hartuesit e dokumentacionit në përgjithësi i gjejnë rrënjët e krizës brenda Jugosllavisë dhe jo jashtë saj, në kundërshtim me përpjekjet e udhëheqësve jugosllavë, që i kërkonin ato jashtë Jugosllavisë, kryesisht tek politika e shtetit shqiptar apo e Bashkimit Sovjetik. “Nacionalizmi në Kosovë, përmendet me të drejtë në një informacion të Ambasadës britanike në Beograd, është një problem endemik, të cilin as Tito nuk mundi ta zgjidhte”. Dokumentacioni hap rrugën për një analizë më realiste e më të plotë të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Politika zyrtare britanike e vitit 1981 ishte për ruajtjen e Jugosllavisë dhe të tërësisë së saj territoriale, ndërsa kërkesa e shqiptarëve “Kosova Republikë” shihej me dyshim dhe rrezikshmëri, sepse pranimi i saj mund t’i hapte rrugë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe hapjes së “Kutisë së Pandorës”. Sidoqoftë, nuk do të mungonin edhe gjykimet dhe zërat e veçantë jashtë kuadrit zyrtar, të cilat e konsideronin të drejtë kërkesën e shqiptarëve për barazi brenda Federatës Jugosllave. Disa artikuj të shtypit të këtyre muajve, ndonëse furnizoheshin me “karburant” nga shtypi dhe autoritetet jugosllave, arritën në konkluzione më të drejta se vetë politikanët e shteteve të tyre, duke pranuar opsionin “Kosova Republikë”, madje edhe shkëputjen e saj nga Jugosllavia, duke sjellë si shembull historinë e disa vendeve evropiane.
Qeveria jugosllave, siç dëshmon dokumentacioni, qëllimisht e keqinterpretonte kërkesën e demonstruesve për “Kosovën Republikë”, me shkëputjen e saj nga Jugosllavia dhe me ndryshimin e kufijve, duke e ditur se një opsion i tillë, do të prishte ekuilibrat dypolarë dhe do të kundërshtohej nga Perëndimi. Në mënyrë jo korrekte dhe të përsëritur, disa politikanë jugosllavë i referoheshin Aktit Final të Helsinkit, për pandryshueshmërinë e kufijve evropianë të vendosur pas Luftë së Dytë Botërore, duke “harruar” të përmendnin një nga nenet e tij, i cili i hapte rrugë ndryshimit të kufijve në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, në rrethanat e “Luftës së Ftohtë” ishte gati e pamundur të “kapërceje gardhin”. Frika dhe paragjykimi për tjetrin ishin të pranishëm kudo. Por, studentët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës nuk kërkuan ndryshimin e kufijve, por barazi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Në ndonjë dokument të këtij vëllimi vihet në dukje një tipar i veçantë i nacionalizmit shqiptar – prirja drejt të drejtave kombëtare dhe jo drejt lirive individuale, sikurse ndodhte në vendet anëtare të KSBE-së, ku bënte pjesë edhe Jugosllavia. Prirja për të drejta dhe liri individuale, ishte karakteristike për vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore e Lindore, [ndonëse edhe Jugosllavia kishte problemet e veta], por, tek shqiptarët interesat kombëtare kishin fituar prevalencë mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, për kohën kur u hartuan këto dokumente.
Dokumentet nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit dhe këndvështrimeve të ndryshme, jo thjesht se ato janë ushqyer nga burime zyrtare jugosllave, por kryesisht për shkak të “doganës” që vë koha. Por, kjo nuk e cenon vlerën e tyre. Publikimi i këtij korpusi dokumentar do ta pasurojë më tej njohjen tonë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, do të na ndihmojë të gjykojmë më mirë për historinë e saj, për njerëzit që morën pjesë dhe mbi të gjitha për drejtësinë e kërkesës “Kosova Republikë”. Viti 1981 shënoi një pikë kulmore të kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por jo fundin e një rruge të gjatë, e cila do të vazhdonte dhe do të kurorëzohej vetëm në fillim të shekullit të XXI, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Shpresojmë dhe besojmë se publikimi i këtij vëllimi origjinal dhe intrigues do të tërheqë vëmendjen e lexuesit të thjeshtë, studiuesve të shkencave shoqërore, e veçanërisht të historianëve. Interesi besojmë se do të jetë i shumëfishtë për njerëzit që bënë historinë në ato vite, të cilët janë ende gjallë. Dokumentacioni është përcjellë sipas kronologjisë së ngjarjeve, pa i cunguar e hequr pjesëza nga trupi i tyre.
Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-1-
Kronologji e ngjarjeve në Kosovë, 11 mars-31 maj 1981
11 mars
Prishtinë
19.00 Demonstrata në Mensën e Studentëve të Universitetit. Zgjatën deri në 05.00, më 12 mars, në zonën midis konvikteve të studentëve. Gjatë demonstratave, u përdorën forcat e milicisë kundër demonstruesve. Asnjë student nuk u dëmtua rëndë, përveç dy milicëve, njëri nga një plumb pistolete dhe tjetri nga një gur në sy. 18 anëtarë të Forcave të Sigurisë u raportuan të dëmtuar lehtë.
12 mars
Prishtinë
Udhëheqësit e demonstratave u identifikuan nga Forcat e Sigurisë. 80 prej tyre ishin nga Kosova dhe 20 nga vende të tjera por të gjithë ishin studentë në Universitetin e Prishtinës.
Seancë e përbashkët e Komitetit të Përgjithshëm të LK-së së Kosovës dhe Kryesisë së Kosovës duke shtuar Kryesinë e LK-së së Kosovës.
Deklaratë e nxjerrë nga “Tanjug”.
16 mars
Zjarr misterioz në Patriarkanën e Pejës.
25 mars Prizren
11.30 30 studentë sulmuan dhe dëmtuan Kolegjin e Trajnimit të Mësuesve.
12.30 Trazirat shpërndahet nga Forcat e Sigurisë. U konstatua se rebelët përbëheshin nga nxënës të Shkollës së Mesme në Prizren dhe nga Kolegji për Trajnimin e Mësuesve, plus nxënës nga shkolla e mesme në Suhareka. Forcat e milicisë u gjuajtën me gurë: u dëmtua një milic.
26 mars
Podujevë Grevë
Prishtinë
07.00 Rreth 500 studentë u mblodhën në kampusin e Universitetit.
12.40 Rreth 300 studentë duke bërtitur me parulla dolën nëpër rrugë.
14.00 Një grup i madh studentësh iu drejtuan qytetit me qëllim që të prishnin manifestimet në Stafetën e të Rinjve.
16.30 U përdorën njësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Prishtinës dhe njësi speciale kundër rebelimit nga Ministria e Federale e Punëve të Brendshme (të cilat kishin arritur në Prishtinë një ditë më parë) për të shpërndarë demonstratën. U konstatuan 32 studentë të plagosur (1 i plagosur rëndë); 12 anëtarë të Forcave të Sigurisë (1 i plagosur shumë rëndë). Pati dy të shtëna me armë revolver nga demonstruesit por nuk pati të plagosur.
17.30 Demonstrata u shpërnda; 200 demonstrues u arrestuan, 21 nga të cilët u ndaluan.
27 mars
U mbajt seancë e përbashkët e Komitetit Krahinor dhe Kryesisë së Kosovës ku u vendos që të përshpejtohej vlerësimi i ngjarjeve.
28 mars
Kryesia e Lidhjes Socialiste të Prishtinës u mblodh për të shqyrtuar “disa probleme socialo-ekonomike”.
30 mars
Obiliq
13.00 200 studentë nga Shkolla e Mesme dolën në demonstratë. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë; ka të dhëna se punëtorët e Termocentralit “Kosova B” janë nxitur që të bashkohen me demonstratën.
Prishtinë
Studentët e fakulteteve të ekonomikut, drejtësisë dhe matematikës bojkotuan mësimin.
1 prill
Podujevë
11.00 200 studentë dolën në demonstratë. Rreth 10 demonstrues u 17.00 plagosën, 3 prej tyre rëndë; 1 milic i plagosur lehtë.
Prishtinë
13.00 Studentë nga Fakulteti Ekonomik Bujqësor i Shkollës së Mesme dolën në demonstratë.
15.00 Me demonstratën u bashkuan disa punëtorë ndërtimi dhe më vonë punëtorë nga Fabrika e Amortizatorëve-Prishtinë, nga koncerne të ndryshme ndërtimi në Prishtinë dhe nga kompania aty afër në Obiliq. Demonstruesit thërrisnin parulla që përfshinin “Kosova për kosovarët”, “Kosova Republikë” dhe “Rroftë Adem Demaçi” (shqiptar irredentist i cili aktualisht gjendej në burg në Jugosllavi). Demonstruesit numëroheshin rreth 3-4 000 veta nga të cilët autoritetet pretendonin se 2 700 ishin studentë.
21.00 Demonstrata më në fund u shtyp. 18 demonstrues të plagosur: 3 rëndë, 17 anëtarë të Forcave të Sigurisë: 2 rëndë. Nuk janë përdorur të shtëna armësh gjatë demonstratës.
“Tanjug” botoi një deklaratë të shkurtër për elementët nacionalistë armiqësorë që prishin rendin dhe për marrjen e masave përkatëse të sigurisë.
U mblodh Kryesia e Përbashkët e Kosovës me atë të LK-së së Kosovës për të vendosur për masat që duhen marrë.
2 prill
Prishtinë
06.00 Demonstratat filluan sërish. Grupe punëtorësh nga 2 organizata në Prishtinë dhe 1 organizatë në Vushtrri okupuan stacionin e autobusit dhe hodhën parulla. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë. Tjetërkund në Prishtinë studentët bërtisnin me parulla nacionaliste të tilla, si: “Jemi fëmijët e Skënderbeut, ushtarë të Enver Hoxhës”.
09.00 Grupe të vogla në pjesë të ndryshme të qytetit po formonin grupe të reja me studentë nga fakultete të tjera dhe punëtorë nga organizatat “Puta”, “Voça” dhe “Crepo-Ciglana”.
10.30 Formohen grupe të tjera në qytet dhe përreth tij dhe në fshatin e Devet Jugoviça. Demonstruesit, qytetarët dhe fshatarët bënë presion ndaj autoriteteve të Sigurisë. Një ngjarje e tillë e ngjashme ndodhi në një zonë afër Obiliqit.
14.00 Grupe demonstruesish, punëtorësh dhe fshatarësh bllokuan një njësi të vogël të mbrojtjes territoriale e cila mundi të arrinte në Prishtinë vetëm në orën 16.00. Në mesin e këtyre demonstruesve kishte njerëz të armatosur me armë zjarri.
15.00 Grupe punëtorësh, disa të armatosur mbërritën në Prishtinë.
16.00 Një grup i madh demonstruesish arriti në periferi të Prishtinës duke ecur drejt qendrës së qytetit.
20.00 Demonstrata u shpërnda.
Komiteti për Mbrojtjen e të Gjithë Popullit dhe Vetë-Mbrojtjen Sociale të Prishtinës nënshkroi një urdhër për të rrethuar qytetin me tanke. U vendos ndalimqarkullimi në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Vushtrri dhe Gllogoc nga ora 20.00 deri në 05.00. Përforcime për Forcat e Sigurisë mbërritën në Prishtinë nga Republikat e tjera dhe nga Vojvodina. U ndalua grupimi i më shumë se 5 personave në vende publike.
Podujevë Demonstratat filluan herët në mëngjes më shumë nga studentët, por në radhët e tyre kishte edhe qindra qytetarë, punëtorë dhe fshatarë. Ata u përpoqën të bllokonin rrugën për në Prishtinë për të penguar Forcat e Sigurisë që të hyjnë në Podujevë. Nga Podujeva erdhën përfundimisht njësi territoriale në ndihmë të tyre. 34 shtëpive të serbëve dhe malazezëve iu vu zjarri.
Vushtrri 12 punëtorë nga organizata “Kosova”, ishin së bashku me një turmë prej rreth 150 studentësh duke thirrur parulla.
Lipjan
15.20 Rreth 450 studentë që bërtisnin hynë me forcë në qytet dhe thyen xhamat e një pike karburanti dhe dyqaneve në përgjithësi. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë rreth orës 17.00.
Gjilani
18.00 Një grup prej rreth 30 studentësh në qytet hidhnin parulla. Demonstrata u shpërnda nga Forcat e Sigurisë.
Gllogoc
10.00 Studentë nga Shkolla e Mesme filluan të dalin në demonstratë; më vonë u bashkuan disa qytetarë, duke përmbysur makina dhe duke i vënë zjarrin atyre. Disa demonstrues qëlluan me armë, dhe një student u plagos. Në varrezat e zonës disa nga demonstruesit shkulën gurët e varrit. Demonstruesit morën një armë automatik nga një prej Forcave të Sigurisë (që më vonë u mor sërish).
Gjakovë
18.00 Një grup prej rreth 100 studentësh thërrisnin parulla; ata u shpërndanë nga Forcat e Sigurisë.
Seancë e Përbashkët e Kryesisë Federale dhe Presidiumit të LKJ-së ku shqyrtuan situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Deklarata e Xhavit Nimanit për ngjarjet në Kosovë.
Seancë e Kryesisë së Përbashkët të Serbisë dhe LK-së së Serbisë.
3 prill
Ferizaj
09.00 Një fabrikë druri u okupua prej rreth 200 punëtorësh.
13.00 Ata u larguan nga fabrika dhe dolën në rrugë ku me ta u bashkua një grup studentësh. Më vonë filluan të hidhnin parulla të tilla si “Çmobilizoni njësitë e mbrojtjes territoriale në fabrika”, “Nuk duam tanke në Krahinë”, “Nxirrni shokët tanë nga burgu”, “Nuk duam që fëmijët tanë të rrihen nga policë jashtë Krahinës”. Demonstruesit filluan më pas të thyejnë xhamat e dyqaneve dhe apartamenteve, të përmbysin makina, të shkatërrojnë kioska dhe të dëmtojnë rëndë Hotel Ljubotan. Gjatë demonstratës u dëgjuan të shtëna armësh.
20.00 Demonstrata dështoi për arsye të ndalimqarkullimit.
Vitia
10.00 Një grup prej 100 studentësh demonstruan duke hedhur parulla. Forcat e Sigurisë e shpërndanë demonstratën me ndihmën e një pjese të stafit mësimdhënës.
Vushtrri
10.00 Një grup studentësh dhe disa punëtorë demonstruan në rrugë duke mbajtur foto të Titos me vete, por nën parullën “Republikë me hir a me pahir”. Ata u përpoqën të hyjnë në shkollën e Punëve të Brendshme, por nuk u lejuan. Të afërmit e demonstruesve, të përkulur në dritaret e shtëpive, qëlluan me armë në drejtim të Forcave të Sigurisë dhe kështu forcat e milicisë duhej t’i përgjigjeshin edhe ata me zjarr. Demonstrata u qetësua para mbrëmjes.
Mitrovica
11.00 80 punëtorë nga fabrika të ndryshme dolën në rrugë dhe me ta u bashkuan edhe studentët. Ata mbanin një fotografi të Titos në krye të kolonës. Me ta u bashkuan edhe studentët. Ata thyen xhama në dyqane të ndryshme dhe thërrisnin parullat “Trepça punon për Serbinë” dhe “Rroftë Kosova Republikë”. Demonstrata u shpërnda pa përdorur armë zjarri.
Sipas statistikave zyrtare deri më 3 prill:
Nga demonstruesit: 8 të vdekur dhe 130 të plagosur, 55 me plagë nga armë zjarri.
Nga Forcat e Sigurisë: 1 milic i vdekur me armë zjarri, 135 të plagosur, 4 nga të cilët rëndë.
Dëmi material deri në këtë datë është vlerësuar të jetë rreth 9 milionë dinarë. Forcat e Sigurisë kanë arrestuar 956 njerëz: 219 të ndaluar dhe 45 të akuzuar.
Fadil Hoxha: fjalim në Prishtinë
4 prill
Dushan Dragosavac foli me redaktorë gazetash në Beograd.
Dobrivoje Vidiç foli në komunën Vraçar në Beograd.
Hapet central hidroelektrik në Kosovë.
6 prill
Seancë e LK-së së Kosovës. Fjalim nga Dushan Ristiç.
Konferencë për shtyp në Beograd për gazetarët e huaj dhënë nga Stane Dolanc, i cili u shprehë për viktimat se kishte 11 të vdekur dhe 57 të plagosur.
8 prill
Hiqet ndalimqarkullimi në Prishtinë dhe komuna të tjera.
Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” publikoi veprime sulmuese të jugosllavëve në Kosovë.
Gazeta “Rilindja” (Prishtinë) përgjigjet.
Radio Zagrebi sulmoi gazetën “Zëri i Popullit”.
10 prill
Gazeta “Bashkimi” (Tiranë) sulmoi Jugosllavinë për regjistrimin e përgjithshëm në Kosovë.
11 prill
Radio Zagrebi pretendonte se ndoshta Shqipëria kishte pretendime territoriale në Jugosllavi.
Mbledhja e konferencës së LK-së së Kosovës në qytetin e Prishtinës.
13 prill
Shkollat fillore në Prishtinë rifillojnë mësimin.
Mbledhja e Lidhjes Socialiste të Kosovës: fjalim nga Azem Vllasi. Shifrat e viktimave flasin për 9 të vdekur, 257 të plagosur: 75 demonstrues të plagosur rëndë, 55 të plagosur lehtë; 127 anëtarë të Forcave të Sigurisë të plagosur.
15 prill
Fjalim i Dushan Dragosavac para aktivit politik në Obiliq.
16 prill
Kolë Shiroka sulmon në gazetën “Bashkimi”.
17 prill
Bakalli tha në një konferencë për shtyp për gazetarët e huaj se 28 organizatorë të lëvizjeve ishin nën hetim. Shkollat e mesme dhe Universiteti i Prishtinës do të rihapen më 20 prill.
18 prill
Fjalim i Fadil Hoxhës në Prishtinë.
Fjalim i Bahri Oruçit në Mitrovicë.
19 prill
Gazeta “Pravda” sulmon komentet e Tesliç në gazetën “Borba” të datës 12 prill.
20 prill
Fillojnë provimet e Universitetit në Prishtinë.
Përfundon regjistrimi i përgjithshëm në Kosovë.
21 prill
Fjalim i Xhavit Nimanit në Prishtinë me rastin e 40-vjetorit të kryengritjes në Kosovë.
22 prill
Dr. Ivo Margan: fjalim para Kryesisë Federale.
23 prill
Gazeta “Rilindja” sulmon një tjetër artikull të gazetës “Zëri i Popullit”.
24 prill
Mbledhje e Kryesisë së Kosovës.
Fjalim i Enver Rexhepit ku jep detaje për ngjarjet 11 mars-4 prill.
25 prill
Një grup prej 20 të rinjsh dhe studentësh që mbajnë veshur kostume kombëtare shqiptare si një gjest “nacionalist” marshojnë nëpër Prishtinë.
27 prill
Fjalim i Fadil Hoxhës në Prishtinë.
28 prill
Mbledhje e përbashkët e Kryesisë së Republikës së Serbisë dhe LK-së së Serbisë. Fjalim nga Galovaç.
29 prill
Fjalim i Lazer Kolishevskit në një mbledhje të përbashkët të Kryesisë Federale dhe Këshillit Federal për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.
Mbledhje e Kosova SUBNOR.
Mbledhje e Kryesisë së LKJ-së.
30 prill
Broshura të shpërndara në Deçan ku bëhet thirrje për demonstrata të tjera.
Raport për një fabrikë në Vushtrri së cilës i është vënë zjarri nga nacionalistë shqiptarë (i pakonfirmuar).
Istog
8 njerëz të arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata, të veshur me qeleshe të bardha shqiptare. Më vonë u liruan. Autoritetet e kuptuan më pas se kishin lënë të lirë udhëheqës të një grupi kundërrevolucionar (11 milicë dhe 2 demonstrues të plagosur).
2 maj
Demonstrata të ndryshme të vogla në Podujevë, Lipjan, Grabovac dhe Pejë të shënuara nga qytetarët. Demonstrata në Ferizaj ku u thyen xhamat e një kishe.
4 maj
Kryetari i RSFJ-së, Cvijetin Mijatoviç mbajti fjalim.
5 maj
Fjalim nga Ali Shukrija në mbledhjen e LK-së së Kosovës. Bakalli jep dorëheqjen dhe Veli Deva zgjedhet në vend të tij.
Kaçanik
13.45 250-300 studentë nga Shkolla e Mesme lanë ambientet e shkollës dhe u drejtuan në rrugë duke thirrur parulla.
Dobro Selo
11.00 30-40 studentë thyen xhamat e makinave dhe gjuajtën me gurë.
6 maj
Mbledhje e LK të Serbisë; fjalim nga Tihomir Vlaskaliç. Zjarr në një fabrikë tekstilesh në Prishtinë.
7 maj
Mbledhje e KQ-së së LKJ-së: fjalim nga Llazar Mojsov.
8 maj
Mbledhje e Kryesisë së RSFJ-së në të cilin u diskutuan marrëdhëniet me Shqipërinë.
9 maj
Fjalim i Dragoslav Markoviç në Paraçin.
10 maj
Mbledhje e Kryesisë së LK-së së Kosovës në të cilin u diskutua programi i veprimit të tyre.
12 maj
4 milicë u vranë dhe 3 u plagosën gjatë një rrethimi në një shtëpi në fshatin Prekaz i Poshtëm në Kosovë. 2 persona “të nxjerrë jashtë ligjit” u vranë. Deklaratë nga Franjo Herljeviç në Ditën e Sigurisë.
Prishtinë
22.00 Studentët okupuan 4 konvikte studentësh në Qendrën e Studentit dhe bërtisnin e fishkëllenin. Ata hidhnin jashtë dritareve letra dhe gazeta të ndezura. Më vonë rreth 150 studentë okupuan zonën ndërmjet konvikteve, hodhën shishe dhe thërrisnin parullat “Kosova Republikë”, “Poshtë spiunët”. Demonstrata u shpërnda rreth orës 03.00, më 13 maj, pas diskutimeve midis studentëve dhe qytetarëve.
14 maj
Ambasadori shqiptar mori një “Aide Memoire” nga zëvendësministri i Jashtëm për “ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë”. Ambasada shqiptare u përmend nga Kaleziç në një konferencë për shtyp.
18 maj
19.15
21.00 Rreth 1 000 studentë demonstruan në Qendrën e Studentit në Prishtinë duke thirrur parulla. Si rezultat, u vendos që të mbyllej viti shkollor në universitet, d.m.th. 10 ditë më herët. Zëvendëskryetari Pajazit Nushi, dhe Imer Jaka, anëtar i Këshillit Ekzekutiv, përgjegjës për kulturën dhe arsimin, paraqesin dorëheqjen e tyre.
19 maj
Pejë
19.00 20-30 studentë nga Shkolla e Lartë Tregtare kërcyen vallen “Kola” dhe kënduan këngë nacionaliste përballë konviktit. Kur po nxirreshin jashtë nga kjo zonë, ata përshëndetën me grusht duke thirrur “Duam Republikë, me mjete paqësore ose me luftë”.
20-22 maj
Sulm në “shtypin kryesor” nga profesorë të Universitetit të Prishtinës. Gazeta “Politika” përgjigjet.
21 maj
Një grup prej 6 studentësh filluan të thërrisnin parulla në stacionin e autobusit.
23 maj
Dy pajisje të vogla eksplozive shpërthyen jashtë ndërtesës së Ambasadës jugosllave në Tiranë.
24 maj
Ambasadori jugosllav në Tiranë proteston para autoriteteve shqiptare.
27 maj
Ambasadori shqiptar në Beograd u thirr në SFPJ – mbledhje e Kryesisë së KQ-së të LK-së së Serbisë.
28 maj
Kryesia e LK-së së Kosovës konfirmoi programin e saj të veprimit. Nga data 11 deri më 20 maj, u përjashtuan 440 anëtarë të LK-së së Kosovës. Culafiç, sekretar i LKJ-së, mbështeti rolin e shtypit në ngjarjet e Kosovës.
29 maj
Franko Herljeviç, sekretari Federativ për Punët e Brendshme, viziton Kosovën.
Mbledhje e Sindikatave të Kosovës.
-2-
Konfidenciale
GR 561
Fm Beograd 031151Z, prill ‘81
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 041, datë 03 prill ‘81
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 039
Demonstratat në Kosovë
- Demonstratat e 1 prillit ishin qartazi më serioze se ato të 11 dhe 26 marsit dhe, cilado qofshin shkaqet fillestare, ato kishin karakter të pastër politik.
- Kur takova Rotar këtë mëngjes, sekretar për Tregtinë dhe e pyeta për situatën aty, ai më tha se nuk duhet të lejojmë që çështja të ekzagjerohet. Numri i njerëzve të përfshirë është, tha ai, mbase më i vogël se 20% e popullsisë së përgjithshme. Nuk ishte e qartë nëse ai nënkuptonte popullsinë e Prishtinës apo të Kosovës në tërësi, por në secilin rast numrat janë shumë më të lartë sesa na bëjnë të besojmë deklaratat zyrtare të deritanishme. Sipas gazetarëve perëndimorë të bazuar në burimet lokale, numri i demonstruesve më 1 prill ishte i madh dhe përfshinte si studentët dhe punëtorët që marshonin pas fëmijëve të shkollave. Referenca në deklaratën e Nimanit mbi përdorimin e armëve e rrit seriozitetin e situatës.
- Autoritetet kanë vënë me të madhe theksin në përfshirjen e elementëve armiqësorë si brenda Kosovës dhe jashtë vendit. Rotar, tha se ishte e sigurt që kishte pasur provokime nga jashtë Jugosllavisë. Nuk ishte koincidencë që shqiptarët në Nju Jork kishin zhvilluar një demonstratë po atë ditë. Kolegu im nga Belgjika më tregoi se një sulm i fundit ndaj zyrave të jashtëm në Bruksel, besohej se ishte bërë prej punëtorëve shqiptarë nga Kosova të cilët kërkonin pavarësinë. Kreu i Departamentit për Lindjen e Mesme, SFPJ, i tha Këshilltarit tim se njerëz nga jashtë kishin dërguar ndihmë për elementët armiqësorë në Kosovë.
- Autoritetet nuk kanë bërë të qartë se çfarë masash janë duke marrë për të ripohuar kontrollin e tyre por është e qartë, dhe Rotar e konfirmoi këtë, se qeveria është e vendosur për të vepruar me vendosmëri për ruajtjen e rendit dhe stabilitetit dhe për të penguar çdo prishje të mëtejshme të jetës normale në Kosovë. Burimet zyrtare kanë thënë se masat për kufizimin e tubimeve publike janë ngritur në nivelin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe sapo është shpallur ndalimqarkullimi për periudhën nga 8 pm deri në 5 am, për disa bashki. Dëshmitarët kanë raportuar se Prishtina është rrethuar nga trupat, dhe policia speciale është nëpër rrugë. Gazetarët janë urdhëruar që të mos lejohen të hyjnë në Prishtinë.
- Rotar shtoi, se qeveria e dinte se ishte e nevojshme që problemi të zgjidhej në terma politike. Ai tërhoqi vëmendjen në normën e shpejtë të progresit të arritur në Kosovë dhe ishte i bindur se shumica e popullsisë e vlerësonte këtë dhe e pranonte pjesëmarrjen e plotë të Kosovës në çdo aspekt të procesit vendimmarrës në Jugosllavi. Ai parashikonte se situata do të qetësohej sepse populli do ta pranonte që zhvillimi i tij i plotë mund të arrihej vetëm brenda Jugosllavisë dhe nën sistemin e saj. Mesazhe mbështetjeje po vërshojnë në Kosovë dhe parashikoi se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për normalizimin me shpejtësi të situatës.
- Atasheu im i mbrojtjes do të përpiqet që të bëjë një vizitë në këtë zonë fundjavën e ardhshme dhe kreu im i zyrës së Kancelarit ka planifikuar që të jetë me pushime në Kosovë javën e ardhshme.
Bolland [Përsëritet sipas kërkesës]
Ky telegram nuk është përcjellë.
-3-
Konfidenciale
GR 500
Fm Beograd 061115Z, prill
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 043, datë 6 prill ‘81
Informacion me prioritet për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 42
Kosova
- Kur takova Gërliçkov, aktualisht anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komuniste, ai më dha informacionet e mëposhtme në përgjigje të pyetjeve të mia.
- Gërliçkov, tha se demonstratat lindën së pari nga kushtet sociale dhe ekonomike të cilat u shfaqën në një formë shumë më të mprehtë në Kosovë se tjetërkund. Megjithatë, situata kishte në vetvete një element të madh frymëzimi të jashtëm i cili ishte kryesisht irredentist. Demonstruesit kishin kërkuar Republikën e cila duhej të përfshinte pjesë të tjera fqinje të Jugosllavisë me pakicat shqiptare. Kjo ishte vetëm një fazë kalimtare. Faza tjetër, ndoshta mund të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
- Ata ende nuk e dinë me saktësi se kush i ka nxitur këto zhvillime nga jashtë vendit. Natyrisht që do ta zbulojnë këtë. Aktualisht nuk ka pasur fakte që të bëjnë fjalë për frymëzim nga ana e sovjetikëve. Gjuha e përdorur në fletushka në Prishtinë ishte në frymën e konform-byroistit. Ata e dinin se udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte në gjendje të dobët shëndetësore dhe se vuante nga vështirësi të brendshme dhe do të mirëpriste shumë një diversion të huaj.
- Autoritet mendonin se iniciativa kishte kaluar tashmë në anën e tyre dhe po përpiqeshin të izolonin forcat irredentiste dhe të kthenin shumicën e popullsisë kundër këtyre forcave. Autoritetet kishin pikërisht avantazhin se vetëm nacionalizmi në Shqipërinë staliniste ishte tërheqës për punëtorët, fshatarët ose inteligjencën e Kosovës. Sidoqoftë, nacionalizmi ishte i verbër dhe ata prisnin që të kishte më shumë trazira para se situata të ndryshonte plotësisht. Sidoqoftë, ngjarje të tilla do të ishin shumë të vogla dhe nuk do të kishin mundësi suksesi.
- Ata e kishin përdorur kaq shumë forcën, përfshirë ushtrinë dhe milicinë, me qëllim që t’i tregonin inspiruesve të huaj se çfarë ishte në gjendje të bënte Jugosllavia për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj. Brenda në Prishtinë ishin përdorur trupa me qëllim që të mbroheshin objektet më të rëndësishme. Të gjitha forcat e rendit kishin udhëzime të rrepta që të përdornin armë vetëm për vetëmbrojtje.
- Deri tani, tre anëtarë rezultonin të vrarë nga milicia, dhe shtatë të tillë nga demonstruesit. Dy nga këta të fundit nuk ishin vrarë nga forcat e rendit por, ata besonin, nga forcat armiqësore që donin gjakderdhje.
- Autoritetet do të publikonin të gjitha informacionet kur të ishte e vlefshme. Gërliçkov tha se mund të më siguronte që këto ngjarje nuk do të vijonin me shtrëngimin e kontrollit qendror dhe nuk do të lejoheshin që të pengonin procesin gradual të demokratizimit.
Bolland Ky telegram nuk është përcjellë.
[Përcillet sipas kërkesës]
-4-
GR 800
Fm Beograd 060821Z, prill ‘81
Prioritet për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 042, datë 6 prill ‘81
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 41
Demonstratat në Kosovë
- Kryesia Federale dhe Kryesia e Partisë, u mblodhën në një sesion të përbashkët në mbrëmjen e 2 prillit për të diskutuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Në një deklaratë të publikuar vetëm 24 orë më vonë, ata deklaruan marrëveshjen e tyre me vlerësimet e bëra tashmë nga autoritetet e tjera që ishin mbledhur më parë atë ditë.
- Sidoqoftë, deklarata kishte disa dallime për sa i përket pikave kryesore. Ajo theksonte se aktivitetet përçarëse të cilat kërcënonin paqen dhe rendin dhe prosperitetin publik ishin organizuar nga elementët irredentistë të cilët kohët e fundit ishin bërë pjesë integrale e rritjes së aksionit të organizuar nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm për të shkaktuar destabilizim dhe për të rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë. Këto aktivitete bazoheshin në konfrontimin e popullit shqiptar me popujt dhe kombet e tjera në Kosovë dhe në Jugosllavi. Aktivitetet kanë filluar me parulla sociale dhe demagogjike, të cilat kanë mashtruar një numër të caktuar të rinjsh, dhe përfunduan në parulla haptazi armiqësore për irredentizmin shqiptar, duke kërkuar shpërbërjen e Federatës. Autoritetet përgjegjëse patën sukses që të lokalizonin dhe kufizonin trazirat me gjithë grupet e vogla të provokatorëve në radhët e elementëve turbullues të cilët u përpoqën të krijonin incidente dhe përplasje me agresivitetin e tyre dhe veprimet brutale. Dy kryesitë miratuan masat e marra si të nevojshme dhe të justifikuara për t’i kthyer Kosovës normalitetin.
- Fadil Hoxha, anëtar shqiptar i Kryesisë Federale dhe Kryesisë së Partisë, shkoi në Prishtinë më 3 prill dhe dha një fjalim para aktivistëve të Partisë, i cili u transmetua në televizion. Ai konfirmoi se ngjarjet e kohëve të fundit kishin ndodhur jo vetëm në Prishtinë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Ai i përshkroi ato si kundërrevolucionare. Demonstratat studentore ishin vetëm një pretekst për sulm nga armiqtë e Jugosllavisë. Ai e vuri këtë situatë në një kontekst më të gjerë, duke thënë se në një kohë kur situata ndërkombëtare po përkeqësohej dhe ndërhyrja në vendet e tjera po rritej “ishte e qartë se nuk ishte në interesin e disave që Jugosllavia të jetë e qëndrueshme. Përmes trazirave dhe aktiviteteve nacionaliste, ata përpiqen ta bëjnë Kosovën një lidhje të dobët në Jugosllavi dhe të krijojnë kështu një krizë dhe pakënaqësi jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Jugosllavinë, duke pasur si objektiv shkatërrimin e sistemit politik. Për rrjedhojë, në situatën gjithnjë e më të rrezikshme ndërkombëtare shohim që gishtërinjtë e kundërrevolucionit manipulojnë përsëri në Jugosllavi, Kosovë dhe me gjerë, me qëllim që të krijojnë sërish pasiguri dhe një zonë të re konflikti për interesa të huaja”. Ai shtoi: “ne e dimë se duart e kujt po ndërhyjnë”. Më vonë, ai aludoi se kush ishin këta, duke thënë: “Është interesante se nacionalizmi dhe shovinizmi shfaqen në Kosovë aktualisht në frymën e disa koncepteve majtiste dogmatike të cilat nuk ndryshojnë aspak nga parullat armiqësore të periudhës së euforisë informbyroiste. Pavarësisht se çfarë fshihet pas parullave të ndryshme pothuajse marksiste, këto janë veprime të shërbëtorëve dhe agjentëve më të urryer të qendrave dhe agjencive të ndryshme të spiunazhit”. Ai bëri të qartë se do të dënoheshin rëndë të gjithë ata që janë përgjegjës për trazirat aktuale dhe çdo përpjekje të mëtejshme.
- Hoxha vazhdoi të mbronte gjerësisht progresin e arritur nga Kosova në kuadrin e Federatës dhe zhvillimin e saj nga feudalizmi dhe prapambetja në barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të përshkruante perspektivën dhe trajtimin e saj të veçantë në Planin e ri 5-vjeçar. Ai përfundoi me një thirrje për vëllazëri dhe bashkim dhe për të gjithë të rinjtë, studentët dhe nxënësit të cilët për çfarëdo arsyeje ishin përfshirë në këtë ngjarje, t’i ktheheshin studimeve dhe punës së tyre. Deklaratat e mëvonshme kanë pranuar se ekzistonte një problem real në ofrimin e punës për studentë që braktisnin shkollat dhe të diplomuarit, problem i cili duhej trajtuar me urgjencë.
- Që atëherë, media ka nisur një fushatë për të treguar se jeta po i kthehet normalitetit në Prishtinë, megjithëse po e bën këtë duke pranuar se është ende e nevojshme që të studiohen pasojat e këtyre trazirave. Vazhdojnë të vërshojnë mesazhe mbështetjeje nga organizatat socio-politike në të gjithë vendin dhe tashmë nga punëtorët jashtë vendit. Megjithatë, diplomatët dhe gazetarët e huaj nuk janë lejuar që të vizitojnë Krahinën. Dolanc do të japë sot në mesditë një konferencë për shtyp ku do të shpjegojë situatën për gazetarë të huaj.
Bolland [Ky telegram nuk është përcjellë]
[Përcillet sipas kërkesës]
-5-
Konfidenciale
GRS 65A
Zyra e Informacionit 070700Z
FM F C O 061900Z
Direkt për Beograd Kopje origjinale
Nr. tel. 45, datë 6 prill
Telegrami juaj, nr. 41
Çështja e Kosovës
- Jemi mirënjohës për raportimin e plotë të trazirave aktuale. Cig do të konsiderojë hartimin e një dokumenti mbi situatën aktuale të mërkurën në orën 13.00 më 8 prill. Çdo koment i mëvonshëm mund paraqitet nga përfaqësuesi i EESD nëse merret këtu përmes Zyrës së Informacionit, për shembull nga 031200Z.
Carrington
-6-
GR 1450
Fm Beograd 071435Z, prill ‘81
Direkt për FCO
Nr. tel. 044, datë 7 prill
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 43
Kosova
- Në një konferencë për shtyp, më 6 prill, Dolanc bëri përshkrimin më të detajuar gjer më sot mbi ngjarjet e fundit në Kosovë.
- Ai i vendosi këto ngjarje përballë sfondit të krizës botërore ekonomike dhe zhvillimit të shpejtë të Jugosllavisë që prej luftës për t’u futur në radhët e vendeve mesatarisht të zhvilluara. Duke theksuar se këto influenca nuk mund të ndryshonin politikat aktuale të brendshme dhe të huaja të vetëmenaxhimit dhe mosangazhimit, Dolanc e pranoi se ato shkaktuan njëfarë opozite në Jugosllavi të stimuluar nga forcat e huaja konservatore dhe reaksionare si dhe disa akte kundërshtimi me intensitet të ndryshëm në vetë Jugosllavinë. Për sa i përket këtyre të fundit, Dolanc theksoi se këtu nuk bëhej fjalë për një opozitë të organizuar dhe në shkallë të gjerë e cila mund të kishte ndikim të rëndësishëm politik, por për forca të interesuara vetëm për destabilizimin e Jugosllavisë.
- Ai vuri në dukje se në Kosovë kishte disa grupe nacionaliste që ishin të lidhura me qarqe të caktuara emigrantësh jashtë vendit, të cilat ai i përshkroi ose si profashiste ose si informbyroiste. Ishin bërë përpjekje që këto dy tendenca të shpërnguleshin në Kosovë. Këto grupe emigrantësh ishin të njohura. Ai citoi një të tillë në Shtutgart, një tjetër në Bruksel dhe grupe të tjera në vendet evropiane dhe në SHBA. Këta grupe ishin të mirë organizuara dhe komunikonin me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, tha ai, ishte e mundur që një incident i vogël në një mensë studentësh në Prishtinë, të kthehej në demonstrata që morën domethënie nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare. Demonstratat filluan në Prishtinë dhe përfshinë më së shumti 2,000 njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve në grupe që ndryshonin për nga madhësia në kohë të ndryshme. Në radhët e tyre kishte maksimumi 200 elementë të dhunshëm turbullues të cilët ishin përfshirë në thyerjen e makinave, xhamave të dyqaneve dhe i vinin zjarrin forcave të sigurisë. Ata i vinin fëmijët para tyre për të penguar ndërhyrjen e forcave të sigurisë. Demonstratat me flamuj nacionalistë dhe irredentistë u shpërndanë më pas në gjashtë komuna, kryesisht në afërsi të Prishtinës. Demonstruesit përdornin armë zjarri, kryesisht pistoleta dhe pak pushkë, megjithëse forcat e sigurisë ishin udhëzuar me rreptësi për të përdorur vetëm shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Në disa vende popullsia lokale i shpërndau demonstratat dhe punëtorët refuzuan pranimin e demonstruesve në fabrikat e tyre. Nuk u humb asnjë ditë pune megjithëse disa punëtorë u penguan që të arrijnë në vendet e tyre të punës për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimit. Më 6 prill, këto masa u hoqën ose u pakësuan, veçanërisht u shkurtua periudha e ndalimqarkullimit gjatë natës në mënyrë që jeta ekonomike dhe politike e Kosovës t’i kthehej sa më shpejt normalitetit.
- Duke iu kthyer fazës tjetër, Dolanc përmendi se mbledhjet e Lidhjes Socialiste po zhvilloheshin në të gjithë Kosovën duke rritur mbështetjen për masat e marra nga udhëheqja e Kosovës, Serbia dhe Jugosllavia. Lidhja e Komunistëve dhe forca të tjera socio-politike do të hidheshin tashmë në ofensivë për të normalizuar situatën me mjete politike. Megjithatë, ai theksoi se nëse do të nevojiteshin masa të tjera, autoritetet nuk do të tërhiqeshin prej tyre dhe pohoi se do të vepronin në mënyrë të ngjashme kundër kujtdo që në çfarëdo mënyre kërcënonte zhvillimin e Jugosllavisë dhe që ishte në kontakt me qarqet reaksionare të krahut të djathtë ose të majtë apo elementët profashistë ose pro informbyroistë dogmatikë jashtë vendit.
- Duke mbyllur fjalimin e tij, Dolanc shpjegoi vonesën në informimin mbi situatën në Kosovë me faktin se në fillim autoritetet nuk e kishin vlerësuar se demonstratat do të merrnin një intensitet të tillë dhe kishin menduar se nuk ishte e nevojshme për të krijuar ankth. Sipas tij, nuk kishte pasur ndonjë qëllim për t’i mbuluar gjërat.
- Dolanc zbuloi detaje të tjera kur iu përgjigj pyetjeve. Së pari, ai tha se ushtria kombëtare jugosllave nuk kishte marrë pjesë në trazira, por disa njësi ishin përdorur ekskluzivisht për të siguruar ndërtesa dhe sisteme të veçanta. Nuk ishte plagosur apo vrarë asnjë anëtar i forcave të armatosura. Deri tani kishte pasur 11 viktima, nga të cilat 9 demonstrues dhe 2 anëtarë të forcave të sigurisë. Viktimat e para rezultuan nga demonstruesit të cilët hapën zjarr në njerëz. Forcat e sigurisë kishin hapur zjarr dy herë kur ishin gjendur përballë zjarrit në Vushtrri dhe Ferizaj. Në këto raste dy demonstrues ishin vrarë, por pjesa tjetër e personave të vdekur ishin gjetur në rrugë dhe për këtë u hap një hetim për të zbuluar shkakun e vdekjes së tyre. Një anëtar i forcave të sigurisë ishte qëlluar dhe tjetri ishte vrarë me gurë.
- Dolanc tha se aktualisht nuk mund të thoshte që pas këtyre ngjarjeve ishte qeveria shqiptare dhe se shpresonte që Shqipëria do të vazhdonte të ndiqte politikën e Enver Hoxhës në interes të pavarësisë, integritetit dhe qëndrueshmërisë së kufijve të Jugosllavisë. Ai nuk shihte ndonjë rrezik që mund të largonte popullsinë e Kosovës nga Jugosllavia nëse lejohej lulëzimi i lidhjeve kulturore me Shqipërinë. Tekstet shkollore importoheshin nga Shqipëria dhe 11 mësues shqiptarë jepnin mësim në Prishtinë. Lidhje të tilla kulturore me Shqipërinë duhej të vazhdonin. Ai konfirmoi se një prej parullave kryesore në demonstrata kishte qenë “Kosova Republikë”. Ai pohoi se ishte e pamundur dhe antikushtetuese që të krijohej Republika e Pavarur e Kosovës dhe kjo nënkuptonte shpërbërjen e Jugosllavisë. Ai e minimizoi armiqësinë midis serbëve dhe shqiptarëve, duke pohuar se tani kishte 30,000 serbë më shumë në Kosovë sesa pas eksodit në vitin 1966.
- Bakalli, Kryetar i Komitetit Qendror të Kosovës, pranoi haptazi përmes një deklarate në mbledhjen e Partisë më 6 prill, vlerësimin e gabuar të autoriteteve mbi demonstratat e para. Ato ishin përqendruar në kapërcimin e problemeve të jetesës së studentëve dhe nuk ishin marrë sa duhet me zbulimin e karakterit armiqësor të organizatorëve të demonstratave. Ai akuzoi se Komiteti Qendror i Kosovës duhej që në mbledhjen e radhë të analizonte dhe vlerësonte këto ngjarje, shkaqet e tyre dhe rrethanat në të cilat këto veprime armiqësore arritën të gjenin hapësirë për t’u shprehur përmes demonstratave. Sidoqoftë, ai tha se ishte e nevojshme të pohohej tani se Lidhja Komuniste në Kosovë kishte dështuar për të trajtuar situatën politike me efikasitet.
- Media aktualisht shprehet se jeta duket se po i kthehet normalitetit në Prishtinë. Por, gazetarët e huaj nuk do të lejohen të hyjnë të paktën deri në fundjavë. Diplomatët janë ende të përjashtuar nga ky rregull.
Bolland [Përsëritet sipas kërkesës]
-7-
Konfidenciale
GPS 240
Fm Washington 072350Z, prill ‘81
Për FCO rutinë
Telegram nr. 1143, datë 7 prill
Dhe për Beogradin
Jugosllavia: Kosova
- Sipas udhëzimeve të Stoessel, Barry që është zëvendësasistent sekretar i Zyrës Evropiane të Shtetit, na tregoi sot mbi atë që amerikanët kishin dijeni për çështjen në Prishtinë. Ai nuk tha ndonjë gjë më shumë se Dolanc në konferencën e tij për shtyp dje.
- Reagimi i policisë ka qenë i rreptë dhe më pas Beogradi ka përforcuar masat e sigurisë. Dukej tashmë se Jugosllavia kishte kontrollin në dorë. Megjithatë, shteti ka nxjerrë një njoftim zyrtar mbi udhëtimet ku rekomandonte që të mos udhëtohej për në Kosovë. Barry komentoi se jugosllavët ishin qartazi të predispozuar që të vinin gishtin tek influenca e jashtme si burim i trazirave dhe aludonin se pas gjithë kësaj mund të ishte BRSS-ja. Amerikanët nuk kishin prova për të mbështetur këtë pretendim dhe ishin më të prirur që ta shikonin këtë si një djegie spontane që e kishte origjinën në vështirësitë ekonomike dhe pakënaqësitë e pakicës shqiptare. Jugosllavët do të përpiqeshin që të ruanin dhe zhvillonin “marrëdhëniet strategjike” me Shqipërinë.
- Mbase për ju këto janë të njohura, por dimensioni rus ishte i panjohur për ne. Ne dinim vetëm se Dolanc nuk e përjashtonte mundësinë e përfshirjes së huaj në konferencën e tij për shtyp. Ambasada jugosllave këtu, në kontakte me zyrën e kancelarit, pohonte se shkaku kryesor ishte vetëm aspekti ekonomik dhe ai i pakicës shqiptare.
Henderson [Ky telegram nuk është përcjellë]
-8-
Për përdorim të kufizuar
- Fergusson, 9 prill 1981
Çështja e Kosovës
- Keni pyetur nëse në zhargonin jugosllav, termi “informbyroist” nënkupton sovjetik. Termat “kominformist” dhe “informbyroist” janë emra kode të këmbyeshme për elementët prosovjetikë në Partinë jugosllave. Në fakt, as ne dhe as amerikanët nuk kemi gjetur ndonjë provë që të tregojë se sovjetikët kanë gisht në trazirat e kohëve të fundit.
- Zyra e Kabinetit do të nxjerrë sot më vonë një vlerësim aktual të situatës në Kosovë.
- C. R. Gray
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
-9-
Konfidenciale
GR 650
Fm Beograd 091450Z, maj
Direkt për FCO Kopje origjinale
Nr. tel. 049, datë 9 prill 81 13 prill 1981
Informacion për UKDEL NATO
Kopje për Washington (FCO PSE PASS)
Telegrami im, nr. 45
Kosova
- Siç mund të jetë pritur, Shqipëria ka kundërshtuar deklaratat e bëra nga udhëheqësit jugosllavë, të cilët ngjarjet e Kosovës ia atribuojnë kryesisht nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, dhe ka reaguar përmes një kryeartikulli kritik në gazetën “Zëri i Popullit”, i datës 8 prill, i transmetuar edhe në Radio Tirana (natyrisht teksti ju është vënë në dispozicion nga BBC). Jugosllavët janë kundërpërgjigjur me shpejtësi përmes një kryeartikulli në gazetën e sotme “Rilindja”, gazeta kryesore e Kosovës, ku artikulli përkatës është riprodhuar edhe në gazeta të tjera.
- Kritika e Shqipërisë është në disa vende jashtëzakonisht provokative dhe jugosllavët iu përgjigjen me zemërim: tjetërkund ajo prek një numër pikash të ndjeshme të cilat përgjigja e jugosllavëve ose i prek përkitazi ose i injoron krejtësisht.
- Shqiptarët përsëritën pyetjen e bërë në disa nga parullat e demonstruesve se përse burimet natyrore të Kosovës po shfrytëzoheshin në dobi të të tjerëve, ndërkohë që Kosova kishte mbetur e prapambetur dhe e harruar. Jugosllavët u kundërpërgjigjen me sugjerimin se problemi i shqiptarëve ishte se ata i shqetësonte lulëzimi i Kosovës.
- Mbështetja e gazetës “Zëri i Popullit” për ngritjen e Kosovës në statusin e Republikës në kuadrin e Federatës, irritoi gazetën “Rilindja” të përgjigjej se mbrojtja e saj e “bën gjithkënd të dyshojë se Shqipëria është vetë nxitëse ose kazani ku po gatuhen dhe nxiten këto tendenca armiqësore”.
- Gazeta “Rilindja” i përshkroi si farsë deklaratat solemne të shqiptarëve për stabilitet dhe pavarësi në Jugosllavi dhe vlerësoi se dëshira e tyre për “ruajtjen e miqësisë me popujt vëllezër të Jugosllavisë” ishte edhe qesharake edhe sulmuese, ndërsa gatishmëria e tyre për të ndihmuar “vëllezërit e tyre shqiptarë” tingëllonte më shumë si kërcënim sesa si gatishmëri për bashkëpunim. Me gjithë “sulmet e rënda” të shqiptarëve, gazeta “Rilindja” pohoi gatishmërinë e Jugosllavisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, megjithëse ushqente dyshime për sinqeritetin e anës tjetër.
- Por, jugosllavët e kaluan në heshtje fjalimin moralizues të shqiptarëve se “udhëheqja jugosllave duhet të tregojë maturi dhe të studiojë problemet e brendshme të saj me korrektësi në vend që t’u japë leksione me bollëk të tjerëve për maturinë, zgjidhjen paqësore të konflikteve, të drejtat e njeriut, të drejtat e kombeve e kështu me radhë”. Gjithashtu, jugosllavët nuk arritën t’i përgjigjen justifikimit të shqiptarëve mbi të drejtën e tyre për të ngritur zërin kundër “dhunës dhe shtypjes ndaj vëllezërve tanë” me argumentin e cituar kaq shpesh nga Jugosllavia se çdo shtet duhet të jetë i lirë “për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e pakicave të tij kombëtare”.
- Gazeta “Rilindja” i përmblodhi “mesazhet” e shqiptarëve si “të papranueshme, të palejueshme dhe keqdashëse”.
- Të dyja palët kanë përdorur gjuhë të fortë dhe ka të ngjarë që ky të jetë vetëm fillimi i rishfaqjes së fyerjeve në të cilat ishin përfshirë shpeshherë përpara se të fillonin përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre rreth 18 muaj më parë. Ndërkohë organizatat socio-politike në Kosovë dhe gjetkë po mblidhen çdo ditë dhe inkurajojnë mesazhe mbështetjeje mbi vlerësimin e situatës nga ana e autoriteteve dhe masat e marra në përpjekje për të vërtetuar se pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës është e kënaqur dhe se shpërthimet e kohëve të fundit ishin vepër e vetëm një grupi të vogël të poshtërish që i përkisnin bindjeve të ndryshme politike.
Bolland
[Përsëritet sipas kërkesës]
[Ky telegram nuk është përcjellë]