Sabit Syla

Prof. dr. Sabit SYLA: QËNDRIMI I FAKTORIT NDËRKOMBËTAR NDAJ KËRKESAVE TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS PËR PAVARËSI, 1990-1999 I

Fillimi i viteve 1980 shënon një pikë kthese në historinë e popujve që jetonin në Jugosllavi. Kriza e rëndë ekonomike që kishte filluar të gjunjëzonte ekonominë jugosllave, që krahasohej me një deficit tregtar e përkeqësim të borxhit të jashtëm që shkonte deri në 15 miliardë dollarë në vitin 1980 e me një inflacion deri në 20%, u shoqërua me dy ngjarje të rëndësishme që do t’i jepnin një drejtim tjetër zhvillimeve politike në Jugosllavi. Vdekja e Josip Broz Titos më 1980 dhe demonstratat studentore shqiptare të vitit 1981 ndikuan në zgjimin dhe daljen e hapur në skenë të nacionalizmit serb, i cili në mënyrë latente, ndonëse i pafuqishëm, i kishte rezistuar aq sa kishte mundur reformave decentralizuese në Jugosllavi që nga viti 1965. Tek qarqet intelektuale, kulturore e religjioze serbe filloi një propagandë gjithnjë e më e fuqishme e cila vinte theksin në padrejtësitë që i ishin bërë popullit serb që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Arsyetimet e shumta e të ndryshme mbi vuajtjet e serbëve dhe mënyrat për t’i korrigjuar ato, u artikuluan në mënyrë të qartë në “Memorandumin” e vitit 1986 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Serbisë. Në fakt, e gjithë esenca e “Memorandumit” pasqyrohej tek decentralizimi i Jugosllavisë dhe tek rregullimi kushtetues, sidomos i Serbisë në raport me krahinat, që do të konsideroheshin si zanafilla për të gjitha problemet pasuese. Në rastin e parë, atë të decentralizimit, qarqet serbe brengoseshin se në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë populli serb copëtohej në disa shtete, duke hapur kështu “çështjen serbe”, kurse në rastin e dytë, Kushtetuta e vitit 1974 i ofronte Kosovës disa tipare, sikurse: e drejta për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës; e drejta për organizim autonom të qeverisjes; pavarësia e sistemit gjyqësor, etj.,  duke ngritur kështu dyshimet për një ndarje të mundshme të Kosovës nga Serbia në të ardhmen.

Në këtë mënyrë para klasës politike të Serbisë u vu si detyrë kryesore suprimimi i autonomisë së krahinave, respektivisht reduktimi i kompetencave të tyre ekzekutive e legjislative. Realizimi i një detyre të tillë do të merr një karakter më të vendosur pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në krye të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, më 1987. Millosheviqi hartoi një strategji politike për Kosovën bazuar në atë çfarë shihej si interesi nacional serb. Mënyra e tij e arsyetimit ishte e thjeshtë: nëse Serbia nuk arrin ta rimerr kontrollin mbi Kosovën, atëherë ky do të jetë fundi i kombit serb. Vite më vonë, do të bëhej e qartë se Kosova kishte qenë vetëm fillimi i fushatës nacionaliste dhe ekspansioniste për t’i bashkuar “gjithë serbët në një shtet”.

Për të realizuar objektivin e tij politik Millosheviq mbështeti mitingjet e solidaritetit që serbët e malazezët nga Kosova mbanin në qytetet e Serbisë e Malit të Zi, për të dëshmuar “të vërtetën për Kosovën”, që në fakt promovonin idenë për ndryshimin e kushtetutës. Objektiv tjetër i mitingjeve ishte edhe ndryshimi i udhëheqjes politike në Vojvodinë e në Mal të Zi dhe zëvendësimi i tyre me njerëz besnik të programit serb. Rënia e udhëheqjes së Vojvodinës në tetor 1988 e më pas edhe të Malit të Zi në janar 1989, i hapën rrugë Millosheviqit që tërë energjinë ta fokusonte në drejtim të Kosovës me synim eliminimin e autonomisë së saj. Mbledhja e 23 marsit 1989 e Kuvendit të Kosovës u shoqërua me një presion të jashtëzakonshëm psikik e fizik nga qarqet politike e policore serbe mbi delegatët e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu demonstratat popullore në mbrojtje të Kushtetutës rezultuan me një dhunë policore që la 22 demonstrues të vrarë, shumë të lënduar e 647 të burgosur. Kështu, më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe të një pjese të deputeteve shqiptarë, do të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia politike e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Konfirmimi përfundimtar i amendamenteve pastaj u votua në një sesion të jashtëzakonshëm e solemn të Kuvendit të Serbisë në Beograd më 28 mars 1989.

Në këtë mënyrë Serbia vendosi kontrollin mbi gjithë fushën ekonomike-shoqërore, gjyqësinë, policinë, mbrojtjen civile të Kosovës, etj.

Duke mos u pajtuar me ndryshimet e dhunshme, delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese, përmes së cilës Kosova shpallej njësi e barabartë me njësitë tjera të ish Jugosllavisë. Miratimi i Deklaratës në fjalë u pasua nga reagimi energjik i Kuvendit të Serbisë i cili përmes ligjit nr. 33/90 ndaloi veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës (qeverisë), duke përvetësuar kështu edhe funksionet që ushtronin institucionet e Kosovës.

Suprimimi i autonomisë së Kosovës, më 1989, dhe uzurpimi i institucioneve dhe kompetencave legjislative e ekzekutive të shoqëruara me dhunën policore, vuri shqiptarët e Kosovës para një dileme – si të vazhdohej më tutje? Kosova ndodhej para një udhëkryqi historik – të pranohej në heshtje realiteti i ri dhe t’i nënshtroheshin regjimit serb apo të ndiqej aspirata shekullore e popullit shqiptar në Kosovë për liri e demokraci. Periudha në fjalë shënonte edhe konsolidimin e forcave të reja politike shqiptare që lindën si rezultat i pluralizmit. Nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si një forcë numerikisht më e madhe e unike në ish Jugosllavi, ku bashkohej gjithë inteligjenca e kohës, shqiptarët e Kosovës avancuan kërkesat e tyre politike. Në një mbledhje të organizuar në Kaçanik delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën më 7 shtator 1990 Kushtetutën e Kosovës, kurse referendumi për Kosovën si Shtet të Pavarur e Sovran, i shtatorit 1991, shënonte një transformim në kërkesat e shqiptarëve të Kosovës nga mundësia e bashkëjetesës me kombet e mbetura në Jugosllavi në opsionin e pavarësisë.

Duke u bazuar në miratimin e akteve të mësipërme klasa politike e Kosovës punoi në dy drejtime: në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në konsolidimin e brendshëm duke ndërtuar institucionet paralele shtetërore, përkundër dhunës së vazhdueshme serbe. Kërkesat e udhëheqjes politike të shqiptarëve të Kosovë për njohje të kërkesave për liri e pavarësi dhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar karshi tyre mund t’i periodizojmë në tre faza: (1) qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1990-1992; (2) 1995-1997, dhe (3) 1998-1999.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar gjatë viteve 1990-1992

Angazhimi për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës në formë të pavarësisë së saj u prit ftohtë jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga njësitë tjera federale. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare e aspak të përshtatshme për shqiptarët e Kosovës. Shpërbërja e Jugosllavisë, si një shtet i larmishëm në aspektin etnik, religjioz e kulturor dhe me një pozitë strategjike gjeopolitike paraqiti një sfidë tepër specifike për komunitetin ndërkombëtar, sidomos për BE-në dhe SHBA-të, pasi ky proces u zhvillua mu në kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe krijimit të një sistemi të ri ndërkombëtar.

Qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ishte një gërshetim i rrethanave të ndërlikuara politike ndërkombëtare. Përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe fillimi i krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, të shoqëruar edhe nga shpërbërja e Jugosllavisë, Çekosllovakisë e të Bashkimit Sovjetik, paraqitën një sfidë tepër të rëndë për SHBA-të dhe Evropën. Sfida kryesore qëndronte në përcaktimin e prioriteteve kryesore në politikën e jashtme dhe qasja që duhej marr ndaj zhvillimeve të reja. Bashkimi i Gjermanisë kishte rrezikuar pozitat dominuese të Britanisë së Madhe e të Francës në Evropë. Për t’u promovuar si një faktor me rëndësi në skenën politike evropiane Gjermania mbështeti shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë nga Jugosllavia, ndërsa Franca e Britania nuk favorizonin krijimin e shteteve të reja. Ndryshe nga Evropa, për SHBA-në Jugosllavia nuk paraqiste më tej ndonjë rëndësi strategjike sikurse në të kaluarën, kur kishte luajtur rolin e balancuesit midis Lindjes e Perëndimit, prandaj shpërbërja e saj nuk paraqiste ndonjë rëndësi për të. Por, presidenca e SHBA ishte në dijeni të një raporti të përpiluar në nëntor 1990 nga CIA, që parashihte trazira e dhunë etnike, prandaj për të evituar zhvillime të tilla diplomacia amerikane u angazhua për “demokraci, dialog, të drejta të njeriut, ekonomi tregu dhe unitetin”.

Komuniteti ndërkombëtar, i preokupuar nga rrethanat e mësipërme, që u acaruan edhe më tepër me nisjen e konfliktit të armatosur në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, nuk e pa të udhës t’i kushtonte vëmendje kërkesave që vinin nga shqiptarët e Kosovës. Ai u mjaftua vetëm në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rikthimin e një autonomie lokale në Kosovë. Një qëndrim i tillë dëshmohet nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe nga Rezoluta e Përbashkët e Senatit dhe Kongresit Amerikan e cila në esencë bënte thirrje për ndalimin e dhunës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rikthimin e autonomisë politike të Kosovës.

Prirja e faktorit ndërkombëtar për mosnjohjen e kërkesës së Kosovës për pavarësi u përforcua edhe me tepër për shkak se komunitetit ndërkombëtar i mungonte kompetenca për të analizuar pasojat ligjore e ekonomike që dilnin nga shpërbërja e Jugosllavisë. Prandaj, Bashkimi Evropian formoi në gusht të vitit 1991 Komisionin e Badinterit, si një mekanizëm që do t’i ofronte Konferencës së Paqes këshilla ligjore lidhur me Jugosllavinë. Komisioni kishte për detyrë të lehtësonte dallimet që mund të paraqiteshin në bisedimet paqësore midis subjekteve jugosllave që së shpejti do të fillonin në Hagë, por po ashtu lëshoi edhe një numër opinionesh juridike lidhur me statusin e Jugosllavisë e të njësive të saja konstituive. Ndonëse nuk kishin karakter obligues, këto opinione kishin rëndësi specifike dhe u reflektuan në rastin e Kosovës, sidomos ato që kishin të bënin me të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe me kufijtë në momentin e pavarësimit. Opinioni nr. 2 nuk njihte të drejtën e vetëvendosjes së një populli brenda një republike dhe shprehej në favor të garantimit të të drejtave etnike dhe minoritare, ndërsa opinioni nr. 3, përkujtonte se kufijtë midis republikave nuk mund të ndryshoheshin.

Opinionet e Badinterit e vështirësuan edhe më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse ajo nuk kishte qenë një republikë në ish federatën jugosllave, por vetëm një krahinë me në autonomi të caktuar politike e cila tanimë ishte revokuar dhunshëm nga Serbia. Duke marr për bazë opinionet e Badinterit, komuniteti ndërkombëtar u angazhua vetëm në ruajtjen e paqes dhe qetësisë në Kosovë, të cilën synonte ta arrinte përmes realizimit të së drejtave etnike apo minoritare. Mbi këtë bazë u hartuan propozime të ndryshme të cilat u shtjelluan në Konferencën e Hagës gjatë vitit 1991, sikurse “statusi special” apo një lloj autonomie e zgjeruar për banorët e minoritetit që formonin shumicën në hapësirën ku ata jetonin. Këto minoritete duhej të gëzonin të drejtat si: sistem arsimor i veçantë, organe të veçanta legjislative, strukturë administrative e gjyqësore etj.

Qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ishte po ashtu një refleksion ndaj kërkesave që paraqisnin serbët në Kroaci apo Bosnjë-Hercegovinë. Angazhimi për ruajtjen e integritetit territorial të këtyre dy republikave u reflektua edhe në rastin e Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar po ashtu veproi në drejtim të ruajtjes së integritetit territorial të Serbisë, duke e njohur Kosovën si pjesë përbërëse të saj. Njohja e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën mund të bazohet në deklaratat e disa diplomatëve evropianë. Lordi Oven, përfaqësues i kësaj Konference, në fjalimin për shtyp të mbajtur në Prishtinë ku iu drejtua shqiptarëve e serbëve: “Serbët duhet të pajtohen me autonominë e Kosovës, kurse shqiptarët – vazhdonte ai – duhet ta pranojnë Serbinë”. Edhe zëvendësi i ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dagllas Hog, me rastin e hapjes së Ambasadës britanike në Shkup, në dhjetor 1993, ndër të tjera deklaroi: “Ajo (Kosova) është pjesë e shtetit tashëm të Serbisë. Nuk synojmë ta shkatërrojmë integritetin e Serbisë, problemi do të zgjidhet brenda saj, Serbia do të jetë e detyruar që Kosovës t’i japë të drejtat politike më të gjera deri në autonomi”. Pro një autonomie të gjerë për Kosovën u shprehën edhe Italia, Gjermania e Franca. Po ashtu, edhe administrata e Bill Klintonit parashikonte për Kosovën një autonomi të gjerë nën sovranitetin e Serbisë.

Komuniteti ndërkombëtar, u tregua i njëanshëm dhe si rrjedhojë insistonte në ruajtjen e paqes por edhe të integritetit të Serbisë. Për të arritur këtë objektiv komuniteti ndërkombëtar veproi në dy mënyra: së pari, paralajmëroi Serbinë të hiqte dorë nga dhuna – më 24 dhjetor 1992, presidenti Bush i dërgoi një letër Sllobodan Millosheviqit, që u bë e njohur si “Paralajmërimi i Kërshëndellave”, që theksonte se: “Në rast konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, SHBA do të përgatitet ta përdor forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e në Serbi”. Së dyti, tentoi t’i bindte liderët e shqiptarëve të Kosovës të ri-integroheshin në sistemin politik të Serbisë, me shpresën se do të ndikonin në ndryshimin e pushtetit e me këtë edhe të fitimit të të drejtave të tyre. Në vazhdën e këtij synimi, lideri opozitar serb Milan Paniq, ishte takuar në Londër me Ibrahim Rugovën dhe i kishte ofruar këtij të fundit rivendosjen e të drejtave të njeriut dhe të një autonomie për Kosovën nëse shqiptarët do të dilnin në zgjedhje. Por, shqiptarët e Kosovës nuk kishin marr pjesë në zgjedhjet serbe pasi që konsideronin se Republika e Kosovës nuk është pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Në kujtimet e tij, ambasadori amerikan në Beograd vinte në pah këmbënguljen e udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës për të mos njohur autoritetin e Serbisë. Qëndrimi i tillë i udhëheqjes kosovare i bëri të ditur komunitetit ndërkombëtar se shqiptarët ishin të vendosur në rrugën drejt lirisë e pavarësisë dhe se nuk do të kishte kthim prapa në aspiratat kombëtare. Ky qëndrim vendosi bazën e kërkesës për pavarësi që do të parashtrohet në rrethana krejt tjera disa vite më pas.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …