Prof. dr. Sabit Syla: Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë më 1981 IV

Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit, të transmetuara nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) që paraqitnin edhe qëndrimin zyrtar të Shtetit shqiptar, qenë shpërndarë midis diplomatëve në vende të ndryshme evropiane e botërore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare ku qenë të akredituara. Artikujt patën një jehonë të madhe në botë kishin ngjallur interes në trupin diplomatik në Beograd e qenë pritur me interesim edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë e që mjaft diplomatë qenë shprehur pro ose indirekt kundër tyre.

Në Greqi u bë shumëfishimi i materialit dhe filloi shpërndarja në mjetet e informacionit masiv, në Radiotelevizion, në Agjencinë e Lajmeve të Athinës e në redaksitë e gazetave e revistave të Athinës. U morën kontakte me kryeredaktorë, redaktorë e gazetarë. U fol për përmbajtjen e artikullit si dhe materiali u shpërnda në gazetat e revistat e periferisë në rrethet diplomatike etj32. Në Turqi, për të gjetur një jehonë sa më të gjërë ky artikull (artikullit të 8 prillit) u morën të gjitha masat për një shpërndarje të gjithanshme dhe meqenëse pjesa dërmuese e emigracionit të hershem shqiptare nga Kosova nuk dinë të lexojnë shqip e përkthyem në gjuhën turqisht. Në të njëjtën kohë në bazë të një plani të hartuar, u morën e vazhdojnë të merren kontakte me shqiptarët duke ju folur atyre mbi qëndrimin tonë si dhe duke ju shpjeguar ndonjë problem që e kishin të pa qartë. Nga ana tjetër, organizuam e vazhdojmë te organizojmë filma-koktej ose darka për disa familje nga Kosova33. Nga ana e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Austri, qenë marrë të gjitha masat për shpërndarje sa më të gjerë të materialeve e broshurave, duke shfrytëzuar njëkohësisht njohjet me gazetarë e korrespodentë të huaj për të shpejtuar në çështjen e pasqyrimit të qëndrimeve të mbajtura nga Tirana e për të shtrirë materialet në një masë sa më të gjerë në shtresat intelektuale politike e diplomatike34.

Ambasada e Shqipërisë në Stokholm, që mbulonte vendet skandinave që kur shpërthyen demonstratat në Kosovë në bazë të udhëzimeve të marra nga Ministria e Jashtme e Tiranes, mobilizoi të gjitha forcat e saj në këto drejtime kryesore; a) Të shpërndante sa me shpejt materialet e artikujt e Tiranës; b) Të kontaktonte gazetarë e publicistë për t’i nxitur, shkruar e folur për demonstratat duke i ndihmuar ata me material e sqarime; c) Të aktivizonte shokët diplomatë në mënyrë të veçantë për takime me autoritete vendase e diplomatë të huaj për t’u folur mbi ngjarjet e për të mësuar qëndrimet e mendimet e tyre, etj35. Vlen të theksojmë se në mënyrë të veçantë në Suedi, përveç faktit që u furnizuan me një material të pasur përmes ATSH, Radio Tiranës si dhe materialeve që u shpërndanë nga Ambasada, influencë në njëfarë mase kishte pasur edhe takimi i ambasadorit Dhimiter Lamani me zv. ministrin e Jashtëm të Suedisë, Leifland. Gjatë takimit Lamani i kishte folur për ngjarjet në Kosovë duke i ngritur atij edhe shqetësimin se: “për ngjarjet në Kosovë opinioni publik suedez nuk po informohet sa dhe si duhet mbi ngjarjet e zhvilluara e të vërtetën, mbasi shtypi kufizohet në dhënien e disa lajmeve të Tanjugut që e shtrembërojnë të vërtetën”. Leifland me këtë rast kishte thënë se: “nuk ndërhymë në mjete e shtypit”. Më tej Lamani e kishte informuar se “nga ana jonë e shtypit i është dërguar materiali i nevojshëm”, Leiflandi i ishte përgjigjur: “Ju vazhdoni punën tuaj”36, gjë që tregon se pala suedeze nuk kishte ndonjë vërejtje për shpërndarjen e materialeve të Tiranës, përkundrazi inkurajoheshin. Shkrimet pozitive sidomos të shtypit austriak e suedez lidhen deri në njëfarë shkallë edhe me punën e mirë që kanë bërë përfaqësitë diplomatike të shtetit shqiptar atje, duke i servitur menjëherë shtypit atje qëndrimet e Tiranës e duke zgjeruar rrjetin e miqve edhe në radhët e gazetarëve në ato vende.

Ambasada e Shqipërisë në Argjentinë, në bazë të udhëzimit që kishte marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme, tre artikujt e gazetës së “Zërit të Popullit” për Kosovën, me gjithsej rreth 1600 broshura në spanjisht dhe shqip shpërndau në trupin diplomatik në Buenos Aires dhe Peru, autoriteteve të Ministrisë së Jashtme, Lëvizjes marksiste leniniste të Amerikës Latine, shoqatave të miqësisë me Shqipërinë, organizatave të majta në Amerikën Latine, bibliotekave, organeve të shtypit dhe propagandës, miqve të veçantë etj37. Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit”, iu qenë dërguar edhe përfaqësive diplomatike shqiptare në Algjer e Dar Es Salam, si dhe udhëzimet përkatëse me radiogram, qarkore dhe porosi të veçanta, materiale të cilat nga përfaqësia qenë shumëfishuar e shpërndarë në vendas, gazetarë, miq dhe diplomatë, si në Algjeri e 14 vende të zonës, në: Marok, Tunizi, Mauritani, Guine, Mali, Niger, Nigeri, Senegal, Benin, Togo, Çad, Guine-Bisao e Ganë38. Edhe përfaqësia në Meksikë, materialet i kishte përkthyer në gjuhën spanjolle e riprodhuar në 500 e 600 copë secilin artikull. Si këta artikuj ashtu edhe broshurën përmbledhëse për këtë çështje, menjëherë e kishte shpërndarë dorazi dhe me postë autoriteteve të vendit, funksionarëve të dikastereve të ndryshme, organeve të shtypit, radiove, televizionit, shoqatave e grupeve, Partive dhe Lëvizjeve marksiste-leniniste, trupit diplomatik, agjencive të lajmeve, punonjësve e studentëve të ndryshëm, njerëzve të artit e kulturës si në Meksikë ashtu edhe në vendet e zonës që mbulonte39.

Artikujt e Tiranës për Demonstratat e zhvilluara në Kosovë të cilat qenë shpërndarë edhe midis diplomatëve të vendeve evropiane-lindore nga përfaqësitë diplomatik në shtete të ndryshme ku qenë të akredituara, ato qenë pranuar dhe nuk janë kthyer mbrapsht. Në mjaft raste kishte pasur kërkesa edhe për ekzemplare të tjerë, të cilat u janë plotësuar. Vetëm, në një rast, ambasadori polak në Budapest i kishte kthyer Ambasadës së Shqipërisë artikullin e “Zërit të Popullit”, të datës 23 prill 198140. Kurse, Vietnamezet i kishin kërkuar edhe zyrtarisht Ambasadës së Shqipërisë që të mos e shpërndajnë artikullin e datës 23 prill në vendas41. Lidhur me qëndrimin e mbajtur vietnamez, po ashtu edhe korean të cilët nuk kishin mbështetur qëndrimin e Shqipërisë diplomatët shqiptarë qenë të udhëzuar se në rast nga ana e përfaqësuesve të këtyre vendeve të lartpërmendura do të kërkohej përkrahje e Shqipërisë për ndonjë problem të tyre, përfaqësuesit shqiptarë duhej që t’u flisnin atyre për dënimin që u është bërë në botë përdorimit të dhunës nga ana e autoriteteve jugosllave kundër vëllezërve shqiptarë të Kosovës. Vietnamezëve që ndaluan shpërndarjen në vendas nga ana e Ambasadës së Shqipërisë të artikullit “Zërit të Popullit”, të datës 23 prill t’u thuhet se ne i kemi përkrahur për dekada me radhë kundër vrasësve të popullit vietnamez kurse atyre edhe një herë që ju dha rasti të dilnin në përkrahje të Shqipërisë vepruan në të kundërtën42.

Masa e gjerë e shqiptareve jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë, prisnin me padurim qëndrimin e Shqipërisë mbi ngjarjet e zhvilluara në Kosovë. Ngjarjet e marsit dhe të prillit, patën një jehonë të gjerë edhe në radhët e emigracionit shqiptar nga Kosova e viset tjera shqiptare që gjendeshin në Evropë dhe në vendet përtej oqeanit. Në përkrahje të demonstratave dhe demonstruesve në Kosovë u zhvilluan jo pak aktivitete e demonstrimesh në favor të tyre nga mbarë emigracioni shqiptar dhe në veçanti aga ai i ikur nga Kosova. Të tilla demonstrime u zhvilluan në shtetet ku kishte përqendrim më të madh të shqiptarëve nga Kosova, si në Zvicër dhe në Gjermani, Belgjikë etj. Kështu në muajt prill dhe maj u mbajtën 10 demonstrata në përkrahje të Kosovës në  Bernë, Cyrih, Gjenevë, Shtutgart, Dyseldorf, Munih, Keln, Frankfurt Bon, Bruksel, etj.  Në to morën pjese disa mijëra shqiptarë. Por demonstrata në përkrahje të ngjarjeve të Kosovës u zhvilluan edhe në shtete të tjera përtej Adriatikut si në SHBA e Kanada, të përqendruara në Uashington, New York, San Francisko, Çikago, Toronto etj. Ata dënuan dhunën e përdorur nga regjimi jugosllav duke u solidarizuar me kërkesat e demonstruesve në Kosovë43.

Për të  çuar tek emigrantët shqiptar, qëndrimin e Shqipërisë ndaj demonstratave u intensifikua dukshëm puna propagandistike. Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës shpërndanë rreth 15 000 kopje broshurash, të cilat përmbanin  artikuj e datave 8 e 23 prill dhe 17 maj 1981, të  botuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Përveç kësaj forme u dërguan 200-300 copë gazetash shqiptare, me shkrime kushtuar ngjarjeve për Kosovën.  Revista “Shqipëria e Re” në gjuhen shqipe e rriti tirazhin në 5 000 kopje dhe ju shtua një separat i veçantë kushtuar problemeve konkrete të viseve shqiptare. Edhe gazeta “Shqipëria sot” botoi shkrimet që flisnin për ngjarjet në Kosovë. Nga organet e Ndërmarrjes së Librit u mor vendimi që të hapej një pikë për shitjen e librit shqip në RFGJ me anën e një shqiptari nga Kosova. Ndërkohe u bisedua dhe u ra dakord për të sjellë në Shqipëri rreth 14 grupe turistesh kosovarë nga emigracioni44. Në një informacion të Drejtorisë së IV, i titulluar “Emigracionin Kosovar në Evropën Perëndimore”, i hartuar më 7 shtator 1981 shkruante: “Nga ana jonë në këto vende janë shpërndarë 6836 copë broshura që u botuan në vendin tonë rreth ngjarjeve në Kosovë, pa llogaritur disa mijëra kopje të artikujve të botuar në “Zëri i Popullit” dhe në shtypin tjetër periodik të cilat u shpërndanë në momentin e daljes nga shtypi”45.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …