Qysh me botimin e vëllimit të parë të studimeve për epikën legjendare dhe për epikën historike shqiptare lexuesi shken¬cor u njoftua se tashmë kishte ardhur koha që autori, Zy¬mer Neziri, t’i vinte kurorë (sikurse thoshin latinët, «finis coronat opus») punës së tij të gjatë prej afro katër deka¬dash për kërkimin e traditave folklorike drejtpërdrejt nga goja e popullit; për zbulimin e burimeve parësore të kri¬juara prej fillimit të shekullit të kaluar nga dijetarë të huaj; për përgatitjen dhe botimin e folklorit e të por¬tre¬teve të disa breznive lahutarësh shqiptarë; për studi¬min e vlerave etnodalluese të Eposit shqiptar të Kresh¬ni¬këve dhe të karakterit vendës të tij; dhe tani, së fundi, edhe për certi¬fikimin shkencor të rëndësisë ndërkombëtare të Eposit të Kreshnikëve si pasuri e njerëzimit, e denjë për t’u regjis¬truar në programin e UNESCO-s si trashëgimi botërore.
Zymer Neziri, ndonëse përfaqësues i një brezi më të ri studiuesish të fushave të etnologjisë, në përgjithësi për vite e dekada ndoqi rrugën e paraardhësve të tij, duke flijuar pa ngurrim interesat e kërkimit vetjak në emër të mbledhjes dhe koleksionimit të traditës së letërsisë gojore shqiptare. Shumë studiuesve shqiptarë të kohërave të reja u ra edhe kjo detyrë: të bënin, në fakt, një «punë rilindësi», siç ka ndodhur në shumicën e përvojave botërore: «punë rilindësi», në kuptimin që shekulli i ideologjive kombëtare ka qenë dhe shekulli i zbulimit dhe i kodifikimit të epo¬pesë, të kujtimit më të hershëm të bashkësisë, shekulli i kërkimit të lashtësisë absolute dhe i madhështimit të «mitit të ori¬gjinës». Zymer Neziri jo vetëm nuk iu shmang kësaj për¬gjegjësie të vonuar, por me bindje ia kushtoi përparë¬sisht kohën dhe energjitë e veta mbledhjes së folklorit.
Tani, kur pasuria folklorike shqiptare mund të quhet përgjithësisht e mbledhur dhe e depozituar në arkiva dhe biblioteka institucionesh kërkimore-shkencore të specia¬li¬zuara, studiuesit etnologë mund t’ia lejojnë vetes «luksin» t’i paraqesin arritjet e kërkimeve të tyre në formën e për¬mbledhjeve me studime. Në këtë kuptim, vëllimi i dytë Studime për folklorin, II, epika gojore dhe etnokultura i Zymer Nezirit pritej prej lexuesit. Jo vetëm pse kjo ishte paralajmëruar qysh në vëllimin e parë, jo vetëm pse dihet mirë sa i gjerë është rrethi i interesave studimorë të autorit të tij, por mbi të gjitha sepse është tashmë koha për t’u dhënë vlerë përgjithësuese punëve të kryera nëpër vite.
Vëllimi i dytë me studime për folklorin, i Zymer Nezirit, që paraqet tani për botim, është ndërtuar në dy pjesë. Në shtatë studimet e pjesës së parë çështjet që trajtohen i takojnë kryesisht Eposit të Kreshnikëve. Për herë të parë nga studiuesi shtrohet pyetja pse F. Konitza me gazetën e tij «Albania», sikurse dihet mjaft i vëmen¬dshëm ndaj pasurive folklorike; megjithëse edhe vetë kishte mbledhur këngë popullore në veri të Shqipërisë dhe kishte vlerësim e stimë për Bëletën shqiptare të Mitkos; megjithëse i pri¬rur të besojë si një makfersonist i vërtetë se edhe shqip¬tarët kanë një Iliadë dhe Odise të tyre (dhe në mos e paçin të gatshme duhet ta gjejnë e ta pohojnë); m¬e¬gji¬thëse fare pranë vetëdijes mistifikuese të romantikëve, askund nuk e përmend Eposin e Kresh¬nikëve, që shoqë¬rohet me instrumen¬tin popullor, lahutën. Studiuesi ka pasur në duar mbi 600 zëra bibliografikë të shkrimtarit e publicistit F. Konitza, thuajse gjithçka që doli prej duarve të tij, por, megjithatë, me të drejtë e gjen me vend të pohojë se kjo çështje mbetet e hapur, duke ditur se ishte pikërisht Faik Konitza ai që shkroi me aq lartësim për përmendoren tjetër të traditës etnologjike, Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe mbledhësin e tij, Gjeçovin. Prej tij kemi cilësimin më të shtrenjtë kushtuar kodifikuesit të Kanunit: «Një lartësi e përulur».
Pjesa e parë vijon me një prej studimeve më të rë¬ndë¬sishëm të gjithë librit, kushtuar koleksionit të dorë¬shkrimeve të albanologut të njohur gjerman M. Lambertz, ndoshta i vetmi ndër albanologët e huaj që e fitoi këtë emër, si albanolog, përjashtimisht me kërkimet në folk¬loristikë. Nuk është hera e parë që Zymer Neziri u kushton vëmendje shkencore koleksioneve të këngëve legjendare e historike të mbledhura prej të huajve. Një punë të shumë¬vlershme ai ka realizuar me identifikimin dhe paraqitjen e vlerave të jashtëzakonshme të koleksionit të dy homero¬lo¬gëve amerikanë M. Parry dhe A. Lord, koleksion që ruhet në bibliotekën e Universitetit të Har¬va¬r¬dit dhe njihet më gjerësisht me signaturën «MP Collection». Në studimin për Lambertz-in dhe dorëshkrimet e tij shfaqet jo vetëm pasioni dhe zelli i një kërkuesi për të cilin zbulimi i trashëgimisë folklorike përbën qëllimin e jetës, por edhe aftësi të tjera kritike-filologjike, si ajo e tejshkrimit dhe ritejshkrimit (transliteration) të teksteve folklorike. Kjo është një çështje që, me sa duket, do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për studiuesit e folklorit. Nuk është fjala thjesht për tejshkrimin e teksteve gojore në ligjërim të shkruar, të cilin, ca prej përvojës e ca prej formimit disi¬plinar, shumica e folkloristëve janë mësuar tashmë ta bëjnë. Por, është fjala për tejshkrime të teksteve folklorike të interpretuara prej mbledhësish të huaj, me njohuri të kufizuara të shqipes dhe alfabetit/alfabeteve të saj, ose me grafema të shkrimit të gjuhëve të tyre amtare (të gjer¬manishtes, në rastin e M. Lambertz-it), ose me gra¬femat (shenjat) e alfabetit ndërkombëtar, ose, madje, edhe me alfabete të përziera.
Botimi i Noctes pelasgicae të C. Th. Reinhold-it nga studiuesi A. Klosi provoi se sa e vështirë është rithirrja në qarkullim shkencor e trashëgimive të tilla. Përkthyeses në shqip të veprës Histoire et description de la Haute Albanie (1859) të Hyacinthe Hecquart-it, znj. O. Tamburi, i është dashur të sqarojë me shënime të shumta dhe referenca krahasimtare tekstet folklorike të mbledhur nga albanologu frëng me motive të mbijetuara të tyre në folklorin e vendit. E njëjta vështirësi shihet edhe në «rikthimin» shqip të këngëve të mbledhura nga Rose Wilder Lane dhe të botuara në The Peaks of Shala: non-fiction travel (1923). Kalimi nga goja e mbledhësit në gjuhën e tij amtare dhe pastaj te riinterpretimi shqip ka sjellë shpesh largime aq të mëdha sa të humbë vërtetësia e burimit. Pa shkuar ende te tekstet e këngëve, le të shohim se si shmangen në këtë proces edhe sintagmat më të thjeshta, duke iu referuar librit të Rose Lanes: 1. Fjalia bu¬rimore shqip: «A keni mujt?!» (përshëndetje e malë¬so¬rëve të Shalës për autoren e librit) – idiomë me kuptim të mbyllur, përmbajtja e së cilës vjen nga «i mujshëm» – «mirë me shëndet», sikurse ruhet dhe në të folmet jugore tek «jam i pamundur». 2. Përkthimi i mundshëm anglisht: «How are you?!» (idioma më e afërt që mund t’i përgjigjej në përkthimin anglisht) 3. Si mund të jetë përkthyer anglisht: «How could you?!» (me sa duket përkthimi i fjalëpërfjaltë që i ka bërë interpretim idiomës vendëse 4. Përkthimi shqip i kohëve të sotme: «Si keni mundur të vini deri këtu?» (rikthimi shqip i shprehjes fillestare «A keni mujt?!» prej anglishtes)
. Mund të merret me mend se sa larg prej burimit shkojnë objektivisht tekstet folklorike të mbledhura prej të huajsh dhe të interpretuara e të riinter¬pretuara pastaj nga njëra gjuhë në tjetrën deri në rikthimin shqip. Z. Neziri kështu po u kujton studiuesve se duhet të përgatiten mirë për një sfidë të re, për sfidën e pasurimit të fondit të trashëgimisë folklorike shqiptare duke iu drejtuar koleksioneve të të huajve dhe duke formuar veten që në gjithë këtë proces të rifitohen edhe humbjet e paevi¬tueshme për shkak të atij ligji që zakonisht quhet «e drejta e diskriminimit e gjuhës amtare ndaj gjuhës së dytë». Kjo është një përvojë e dobishme edhe për studiues të tjerë, të cilët në të ardhmen mund të merren me koleksione të gjithaq të panjohura këngësh popullore shqiptare të mble¬dhur prej të huajsh, sikurse është, bie fjala, koleksioni i «këngëve kastritçe-çamike-çame» të Doris e Eric Stock¬man-it, të botuara deri më tani vetëm gjermanisht dhe pa kër¬kime në fondet e tyre.
Botimi shqip i veprave të atyre autorëve të huaj që kanë mbledhur folklor apo lëndë etnografike shqiptare duke e përkthyer në gjuhët e tyre amtare ka shtruar çësh¬tjen se ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj teksteve folklorike, si duhen rikthyer ato në gjuhën e burimit. Dukuria shfaqet me të njëjtën shkallë vështirësie pavarësisht prej kohës së mbledhjes dhe përkthimit e botimit në gjuhë të autorëve perëndimorë të burimeve folklorike shqiptare: prej Hyaci¬nthe Hecquard-it dhe veprës së tij Histoire et description de la Haute Albanie ou Guegarie deri tek Mark Milani (Život i obièaji arbanasa) dhe Rose Wilder Lane (The Peak of Shala), që u përmend. Në njërën anë këngët e mbledhura prej autorësh të tillë janë pjesë e traditës folklorike shqiptare dhe duhet të rikthehen sa më pranë burimit parësor. Në anën tjetër, gjatë përkthimit frëngjisht ose anglisht, është ruajtur kryesisht informacioni historik dhe disa të dhëna me karakter etnografik, kurse burimësia e teksteve popullore është cenuar rëndë, madje është vënë në dyshim. Është me interes të shihet kjo çështje edhe në rrafshin teorik: ç’ndodh në procesin e komunikimit të vlerave të traditës gojore kur këto shërbejnë si paratekste dhe pësojnë njëherësh disa shndërrime: ndërrojnë shkallë ligjërimi (nga ai gojor në ligjërim të shkruar), ndërrojnë gjuhë e mjete të shprehuri (nga gjuha e burimit në gjuhën e mbledhësit); ndërrojnë skemë realizimi (nga këngë me funksione të plota folklorike në burime me karakter historik dhe etnografik); ndërrojnë dëgjues e lexues dhe më së fundi rikthehen krejt të transformuar në pikën e nisjes. Problemi do të shihet duke iu referuar dy veprave të ardhura shqip vitet e fundit, të Hecquard-it dhe të Rose Lane-s. Si mund të bashkëpunojë përkthyesi me fol¬klo¬ri¬s¬tin dhe etnografin, a mund të shërbejnë tekstet e brenda¬shk¬ru¬ara veprave të tyre për pasurimin prapavajtës të fondit të këngëve popullore shqiptare, a duhet kërkuar arketipi i tyre apo thjesht duhet identifikuar motivi dhe duhen rikrijuar duke ndjekur gjedhen folklorike; sa humbet letërsia gojore në procesin e përkthimit dhe si mund të ruhet burimësia e saj – këto janë disa prej pyetjeve që përbëjnë shqetësimin shkencor të studiuesit të folklorit shqiptar sot.
Në studimin kushtuar ndihmesave të E. Çabejt për epikën gojore, Z. Neziri zbulon disa të dhëna e pikëpamje të albanologut të mirënjohur, që meritojnë të trajtohen si teza pune kërkimore monografike. Ndër to, pohimi se mund të kenë ekzistuar këngë epike ilirike (domethënë parashqiptare, jo në kuptimin që i jepet kësaj fjale – «ili¬ridske pjesme» – në traditën e studimeve kroate, për shem¬b¬ull), mbështetur në të dhëna të onomastikës së kryeher¬shme; si dhe pikëpamja se vazhdimësia e traditës së kën¬g¬ë¬ve heroike prej periudhës ilire duhet parë si pjesë e vazhdimësisë së përgjithshme historike ilire-shqiptare, me¬ritojnë një vëmendje të mëtutjeshme prej dijetarëve. Evokimi i pikëpamjes së Çabejt për «pesë zonat» e për¬hapjes së Eposit të Kreshnikëve dhe sistemimi i argumen¬te¬ve në dobi të këtij mendimi merr një rëndësi në kontek¬stin e studimeve të sotme me karakter rivlerësues për Eposin, gjeografinë e përhapjes së sotme, gjeografinë e përhapjes historike dhe habitatin e veprimit zanafillës.
Studiuesi në këtë artikull arrin të krijojë një bara¬s¬peshë të re, më të vërtetë, midis ndihmesave të Çabejt në fushë të gjuhësisë, letërsisë dhe etnologjisë, duke e ponde¬ruar këtë të fundit më të rëndësishme se në përfytyrimin dhe në studimet e mëhershme. Autori na sjell në mendje se, me gjithë botimet monografike që kanë parë dritën e botimit për metrikën në letërsinë gojore dhe në vjer¬shë¬rimin modern, ende nuk është zhvilluar si tezë shkencore men¬di¬mi i Çabejt se shumë debate e keqkup¬time do të ishin rrëzuar nëse problemi i dhjetërrokëshit në Eposin e Kre¬sh¬nikëve do të shihej pa atë dallimin e prerë që bën metrika midis ritmit kuantitativ dhe ritmit numerik, do¬me¬thënë duke i lexuar rapsoditë si tekste për t’u kë¬nd¬uar, të kushtë¬zuara nga masat muzikore dhe nga sasia e zanoreve, jo nga numërimi formal në formën e tra¬ns¬kri¬pt¬u¬ar, sepse vetë tejshkrimi është një operacion i dhimbshëm që sjell shma¬n¬gie e shformime.
Sido që të bësh studim për studimet është një punë fort e vështirë, Z. Neziri nuk i është shmangur përgjegjë¬sisë për të nderuar kërkimet dhe botimet e kolegëve. I tillë është artikulli për përmbledhjen Studime në fushën e letërsisë gojore të E. Mehmetit. Duhet pranuar se në letrat shqipe nuk kemi ndonjë traditë të vlerësimit publik të librit shkencor. Është i njohur fakti se, në mungesë të rece¬nsioneve të zakonshme, E. Çabej shpesh ka qenë i dety¬ruar të shkruajë e të botojë në shtypin shkencor autorecen¬sio¬ne për veprat e veta, me qëllim që atij publiku të ngu¬shtë shkencor që ekzistonte t’i vinte në ndihmë me të dhëna informuese. Z. Neziri, duke vlerësuar punën e stu¬di¬ue¬sit E. Mehmeti, jo në kuadër të një recensioni, por me një vështrim më të gjerë studimor, përmirëson këtë traditë të qortueshme të mungesës së vëmendjes ndaj pu¬në¬ve të kolegëve, dukuri që ka të njëjtën fytyrë mo¬spë¬rf¬i¬llë¬se si në Tiranë, ashtu dhe në Prishtinë.
Studimi për gjendjen e Eposit të Kreshnikëve sot është paraqitur fillimisht si trajtesë shkencore në Univer¬sitetin «Nikolla Kopernik» të Torunjit (Poloni). Studimi ka karakter paradigmatik. Përveçse informon për mbijetesën e Eposit të Kreshnikëve dhe të «urdhrit të lahutarëve» në mjaft rajone të Kosovës e të «Shqipërisë së Vjetër», autori rendit një varg propozimesh për t’ia zgjatur jetën e gjallë kësaj tradite, përmes veprimtarish kombëtare e ndër¬kombë¬tare, duke ar¬dhur deri tek ideja e krijimit të një instituti të ngjashëm me atë të Kalevalës (Finlandë) dhe te propozimi për një nismë shkencore-diplomatike për regji¬strimin e kësaj pasurie në programet e trashëgimisë shpi¬rtërore të njerë¬zimit, që janë në kujdesin e lartë të UNESCO-s. Trajtesa ka karakterin e një programi pune afatgjatë për Eposin e Kreshnikëve, duke përfshirë promo¬vimin ndërkombëtar të vlerave të tij në formën e festi¬valeve, publikimeve e studimeve.
Në studimin «Antroponimet dhe patronimet e epi¬zuara në Rugovë» me sa dimë për herë të parë parashtro¬het hipoteza e një faze të ndërmjetme që lidh kohën e përmbylljes së epikës heroike legjendare me atë të shfa¬qjes së epikës historike, që, sipas autorit, duhet të përta¬ko¬jë jo rastësisht me mesin e mijëvjeçarit të dytë. Kjo është koha kur historikisht shfaqet prania osmane në Ballkan, kurse në Evropë shfaqet Reforma dhe protes¬tantizmi, dy faktorë që ndryshuan rrënjësisht status quo-në e deriatë¬her¬shme. Si gjithnjë i vëmendshëm ndaj burimeve para¬folklorike, të karakterit etnologjik, kronikal, gjuhësor, autori priret të besojë tezën e albanologut R. Katièiæ, sipas të cilit një traditë e ngjashme e heroizimit të emrave të përveçëm ekziston qysh prej periudhës ilire dhe shfaqet tërthorazi e pranishme në vijimësi te pasardhësit e tyre. Sipas R. Katièiæ-it, «emrat e moçëm ilirë të përbërë (dy¬pje¬sësh, ko¬mpo¬zici¬on¬alë), të ruajtur në tekstet greke e latine, vërtet, nuk janë gjë tjetër pos fra¬g¬me¬nte të nguro¬suara të teksteve poetike, shembuj të vegjël të gjuhës së këngës he¬roike». Z. Neziri duket se ka punuar gjatë për të identifikuar jo vetëm kohën në kapërcyell prej epikës le¬gje¬ndare tek ajo historike, përmes antroponimeve, patro¬ni¬meve e toponimeve; por edhe për të paraqitur një tipologji të trashëgimit të emrave të heronjve kulturorë si emra heronjsh të kohërave historike. Miti i heronjve legjendarë paraqitet si traditë e gjallë shqiptare në Rugovë e vise të tjera. Dëshmitë folklorike që ai paraqet për ekzistencën e emrit të Kunes deri në kohërat e reja dhe sidomos për përsëritjen e rregullt të vëllezërve Muji e Halili si emra të njerëzve të botës tokësore marrin një rëndësi jo vetëm fol¬kl¬oristike, por dhe si prova të lidhjeve të forta të ba¬r¬të¬sve të epikës legjendare me këngët që ajo përmban, që janë lidhje të një tipi që mund të quhet «me një pasuri të trashëguar». Ky argument përforcohet nga faktet e shu¬m¬ta që sillen për kultin e heronjve historikë, për hyj¬nizimin e emrave të lavdishëm përmes traditës së trashë¬gimit në jetën e njeriut shqiptar. Është e njëjta sjellje dhe mendësi që përmend R. Katièiæ, që përsëritet prej kohë¬rave ilirike, në periudhën e lulëzimit dhe të përmbylljes së Eposit të Kre¬shnikëve dhe pastaj më vonë edhe në ma¬rrë¬dhë¬niet me epikën historike.
Në studimin «Roli mobilizues i këngës epike kundër robërisë» studiuesi arrin të spikasë një funksion jo aq të studiuar në dijet tona të këtyre këngëve, funksion që za¬ko¬ni¬sht e kanë këngët marciale, marshet, himnet, por, siç pa¬ra¬¬shtrohet nga autori, kjo ndodh edhe me këngët historike, duke filluar prej atyre më të hershme, prej ciklit të Gjergj Kastriotit, ruajtur kryesisht në ngulimet përtej detit, deri tek epika historike e hinterland-it, që shfaqet e organizuar me ci¬klet e këngëve për Ali pashë Tepelenën dhe Bu¬sha¬t¬li¬njtë. Nuk është fjala për sa është thënë në lidhje me këto këngë, për rolin edukativ dhe etik të tyre, po¬r për një funksion inkurajues, që autori e gjen edhe në po¬ezinë epike legjendare e historike evropiane. Për¬fun¬di¬mi, në të cilin ka arritur autori, se antagonizmi evropian dhe ai shqiptar, në epikën heroike dhe në epikën historike, kanë ka¬rakter kundërsllav dhe kundërosman, çka u përgjigjet të njëjtave mendësi të përftimit të tjetrit, «tjetrit rrezikues», meriton vëmendje shkencore edhe në studimet e mëtej¬shme. Duke e parë epikën heroike dhe his¬torike si një prej shenjave të ekzistencës, të kushtëzimit të fatit historik të atdheut, të meritës së mbijetesës së tij, Z. Neziri i shton «atdheut poetik» të Eposit të Kreshnikëve një mision tjetër, që nuk pushon së vepruari edhe më vonë. Fakti që autori e sheh këtë dukuri si një paralele të epikës popullore të disa popujve të Evropës është një prej provave se fun¬k¬si¬oni mobilizues i saj te shqiptarët, një funksion tipik për hi¬mnodinë evropiane, nuk është një përsiatje romantike, por një dukuri e përcaktuar qartë dhe në mënyrë termino¬logjike.
Në pjesën e dytë të librit Studime për folklorin, II, epika gojore dhe etnokultura, autori Z. Neziri ka renditur pesë punime studimore nga fusha etnokulturës. Prijnë dy punimet për kontributin e Ndon Bellushit. Studiuesi vlerë¬son ndihmesat me karakter të papërsëritshëm të Ndon Bellushit (doctor honnoris causa) si mbledhës i folklorit të arbërorëve të Greqisë (arvanitasve). Dihet mirë se Bellushi është i vetmi që ka arritur të mbledhë sistematikisht të folme, frazeologji, të dhëna etnografike dhe etnokulturore, fjalë të urta, këngë, rite dhe tradita shqiptare të ruajtura prej afro shtatë shekujsh në një mjedis tërësisht alokton, kr¬ejt të ishullzuar. Pasuria etnofolklorike e arbërorëve për këtë shkak ka marrë karakterin e një rezervati, që mu¬nd të sh¬ë¬rbejë për të zgjidhur të panjohura të evolucionit histo¬r¬ik të traditave parashkrimore, ashtu si po shërbejnë tani, bie fjala, të dhënat e hershme dialektologjike të mble¬dhura nga indoevropianisti i mirënjohur Eric P. Hamp në fshatin Vaccarizzo të arbëreshëve, ku arbërishtja nuk flitet më prej vitesh. Studiuesi Z. Neziri, paralelisht me para¬qitjen e ndihmesave të Bellushit si mbledhës ngulmues i folklorit midis arvanitasve, thekson edhe rëndësinë që kanë të dhë¬nat e koleksioneve të tij për të interpretuar dukuri folklor¬rike kombëtare, sidomos për të ndihmuar stra¬tifikimin e tyre, sipas parimit të kufirit minimal/ mak¬simal (limitus prius quam non / limitus ante quam non – jo më parë se / jo më vonë se).
Në pjesën e dytë pasojnë edhe tri punime studimore, kushtuar veprimtarisë shkencore të M. Tirtës, ku mbyllet pjesa e dytë e këtij libri. Dy studimet e para kanë argument të specifikuar, botimet monografike të M. Tirtës: Migrime të shqiptarëve të brendshme dhe jashtë atdheut (vitet ’40 të shek. XIX – vitet ’40 të shek. XX) dhe Mitologjia ndër shqiptarë. Një studiues i fushave të tilla si folkloristika dhe etnologjia, gjithnjë e më të ngushta për shkak të vetë pro¬cesit të rrudhjes së traditës gojore në epokën e «mitit të Shivës», duhet të jetë i lumtur kur gjen ndërmjetës të tillë si Z. Neziri, i cili ka punuar gjatë jo vetëm për të infor¬muar saktë e gjerësisht lexuesin për përmbajtjen e dy vep¬rave, por edhe për të sintetizuar me fjalë të kursyera ndry¬shimin e gjendjes së dijes pas botimit të tyre nga auto¬ri.
Studimi «Prof. Mark Tirta dhe etnologjia shqiptare» mu¬nd të konsiderohet si një monografi kushtuar këtij studiuesi, një emër i mirënjohur në fushë të studimeve etnologjike, specialist në disa nëndisiplina. Duke para¬qitur fushë pas fushe ndihmesat e shumta të M. Tirtës në stu¬dimet shqiptare, autori përgatit atelienë e vet për të ka¬luar në një shkallë tjetër karakterizimi, në kuadër të alb¬a¬no¬logjisë brenda dhe jashtë vendit, në kuadër të studi¬me¬ve rajonale-ballkanistike, duke ndjekur parimin prej rrethit më të ngushtë të dijes tek më i gjeri. Me studimin kushtuar personalitetit dhe veprave të M. Tirtës si etnolog, si stu¬diues i mitologjisë, si autor i të parit tekst universitar shqip për etnologjinë e shqiptarëve, si studiues i disa fu¬shave, disiplinave dhe ndërdisiplinave, me një njohje të admi¬rueshme të burimeve të drejtpërdrejta popullore në gjithë hapësirën historike shqiptare, me një vetëformim gjith¬ashtu të arrirë (sikurse ka ndodhur me një shumicë stu¬diuesish të kësaj breznie, që u bënë emra të shquar në folkloristikë dhe etnologji përmes shkollës së terrenit dhe përkushtimit e devocionit prej murgjish ndaj profesionit të tyre, duke e ndërtuar rrethin e tyre të jetës në fare pak stacione: ekspeditë – bibliotekë – institute).
Studime për folklorin, II, epika gojore dhe etno¬kul¬tura është një botim që të bën të mendosh se, në kohën kur pe¬ri¬odikët shkencorë po dalin me tirazhe gjithnjë e më të ku¬fizuara dhe po qarkullojnë me mundim të madh, ma¬dje edhe midis vetë studiuesve, shërbimi i artikujve dhe stu¬di¬me¬¬ve të botuara në to, në formën e përmbledhjeve të tilla, është jo thjesht një kënaqësi e ligjshme e çdo autori, por edhe përgjegjësi intelektuale ndaj dijes shqiptare.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …