Prof. dr. Valter Memisha: “Kongresi i Manastirit, ngjarje përcaktuese në rrugëtimin shqiptar “Një komb-një gjuhë”. (Fjalë e mbajtur më, 22 nëntor 2017, në Manastir, në Konferencën kushtuar Kongresit, 1908).
Historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet, shkruan patriarku i shqipes, Eqrem Çabej. Vetiu i drejtohej historisë së shqipes e të shqiptarëve, histori që ngërthen pafundësi ngjarjesh e ndër to gjen asosh që përqendrojnë përpjekjet e luftërat shekullore të popullit tonë dhe shërbejnë si gur shënues të rrugës në të cilën ka ecur e ai e gjuha jonë. E një nga këta gurë është Kongresi i Manastirit, të cilin e përgatitën dhe e realizuan rilindësit tanë të mëdhenj, ata që përpunuan ideologjinë kombëtare shqiptare e që hartuan programin kombëtar shqiptar, ata që veprën, madje edhe jetën, ia kushtuan shqiptarisë e Shqipërisë, ata që luftuan edhe për shkrimin e shqipes së ndaluar me ferman sulltanor për shekuj me radhë dhe, ndër të tjera, për të unifikuar këtë shkrim përmes hartimit të një alfabeti të vetëm.
Rruga për te ky kongres ka qenë e gjatë e qëndrestare, e vështirë e heroike, me luftë të brezpasbrezshme e me humbje të pallogaritshme, por për fund, fituese. Fituese, sepse nuk u realizuan synimet e pushtuesit turk që sundoi me politika e metoda shfarosëse për 500 vjet, fituese sepse nuk u realizuan as synimet asimiluese e gllabëruese të fqinjëve jugorë e veriorë. Shenja e parë, e patjetërsueshme e fitores dhe e vitalitet është ruajtja e gjuhës amtare, sepse po të ishte asimiluar ajo, edhe populli ynë do të kishte fatin e keq të mosekzistimit të mëtejshëm.
Përpjekjet për shkrimin e shqipes dhe, natyrshëm dhe pazgjidhshëm me këtë, hartimi i një alfabeti të saj, mund të shihen në periudhën parakombëtare e në atë kombëtare të saj. Periudha e parë karakterizohet nga përdorimi i shumë alfabete dhe i shumë mënyrave të shkrimit. Me informacionin që kemi deri më sot, fillesat për një shkrim të organizuar e sistemor, zbresin në shekulli XVI, kur botohet “Meshari” i Gjon Buzukut. Alfabeti i përdorur për këtë vepër është ai latin, por i stilit gotik, alfabet që përdorej në Italinë e Veriut, e kështu edhe në Venedik, ku u shtyp vepra. Gjithashtu për të realizuar shtypjen e veprës, për disa tinguj të veçantë të shqipes u përdorën edhe 5 shkronja nga alfabeti cirilik (Por siç thotë akademiku E. Çabej, “alfabeti i Mesharit karakterizohet nga polivalenca e mjaft grafive dhe poligrafia e mjaft tingujve”).
Me këtë alfabet, por më të stilizuar, në shekujt vijues, u shkruan edhe veprat e autorëve të tjerë të letërsisë së vjetër, si Budi, Bardhi e Bogdani apo vepra “Kuvendi i Arbrit (1706). Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX shpërfaqin dy procese në rrugëtimin kombëtar: shpesh lëvruesit e shqipes u përpoqën ta zgjidhnin problemin e shkrimit, duke u mbështetur në alfabetet e gjuhëve të tjera: në atë latin, grek, turko-arab e sllav. Në anën tjetër, u krijuan disa alfabete me tipare origjinale (veçojmë alfabetin e Dh. Todrit / Theodhor Haxhifilipit, me 52 shkronja).
Periudha kombëtare e shqipes që lidhet me Rilindjen, e çon në një stad tjetër procesin e shkrimit të saj. Pazgjidhshëm me forcimin e ndjenjës kombëtare dhe të luftës për autonomi e më tej për pavarësim të plotë, edhe në këtë periudhë vërehet një shumësi alfabetesh me dy pamje: alfabete të hartuara nga përpjekjet vetjake të disa personaliteteve të spikatura, si dhe alfabete të hartuara nga përpjekjet e organizuara të atdhetarëve, që synonin drejt një alfabeti të vetëm. Rol të madh luajnë në këtë mes shkrimtarët rilindës, për të cilët akademiku Rexhep Qosja shkruan se “prej fillimeve mendojnë se përpjekjet për shkrimin e gjuhës shqipe, për alfabetimin e saj, për shkollën e saj janë, së paku për një kohë, mjeti më efikas i luftës për pavarësinë kombëtare; ata mendojnë se çështja e gjuhës shqipe – e alfabetimit dhe e shkollës së saj – në të vërtetë është mjet më efikas i mobilizimit të vetëdijes dhe i krijimit të kohezionit kombëtar.”
Ku ta kërkojmë a më saktë të ripohojmë rëndësinë e Kongresit të Manastirit?
1. Kjo ngjarje lapidare, përcaktuese e vizionare, nuk është rastësore, nuk është pjellë e rrethanave çastore. Kongresi kurorëzon një rrugëtim dhjetëravjeçar që i kishte fillesat e veta sidomos në vitet ’60 të shekullit XIX, me veprimtarë të shquar si K. Kristoforidhi, J. Vreto, Pashko Vasa, Is¬mail Qemali, Hasan Tahsini e të tjerë. Naum Veqilharxhi, më 1836 në Enqiklikën e tij, shkruante se “Sa kombe që kanë mbetur në padije, u ngjasin gjithnjë robëve, duke punuar nga ditë për fatbardhësinë e të qytetëruarve e të fuqishëmve; ata vetëm atëherë kanë për të dalë nga gjendja e bagëtishme ku gjenden, kur të nisin të lërojnë gjuhën e tyre kombiare. Po kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të veçanta kombiare që janë filluar para meje.”
Kurse Sami Frashëri 29-vjeçar, në “Alfabetare e gluhësë shqip”, më 1879, të shkruarit e gjuhës amtare e quante mjet të domosdoshëm për të shpëtuar qenien e shqiptarëve si komb: “Është për t’u çuditur qysh ka rrojtur gjer më sot kombi i shqiptarëvet, duk me mos shkruar’ e duk me mos kënduar gjuhën’e tyre… Komb’ i shqiptarëvet, nga të mosshkruarit’ e gjuhës së vet, ka humburë gjer më sot më të shumët’ e njerëzet; po, në ka humburë aqë në kaqë mijë vjet, ata që kanë mbeturë do t’i humpnjë në fort pakë kohë, se koh’ e sotme nukë ngjan me kohërat’ e vjetëra; sot kombetë piqen’ e përzjehenë fort çpejt, edhe ata që janë më të fortë e më të diturë, mundinë kurdoherë ata që janë të dobët’ e më të paditurë.”
Sipas akademiku Sh. Demiraj ishte koha kur kishte dalë si detyrë e dorës së parë vendosja e një alfabeti të përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe, gjë që kishte edhe rëndësi politike të dyfishtë. Mungesa e një alfabeti të përbashkët jo vetëm që ngjallte përçarjen, që shfrytëzohej nga armiqtë për të mbjellë e për të thelluar dasitë krahinore e fetare midis shqiptarëve, por ishte njëkohësisht edhe një pengesë e madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe e, si rrjedhim, edhe për arsimimin dhe zgjimin e popullit shqiptar”. Akademiku veçon vendimin e atdhetarëve shqiptarë, veçan atë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” për të krijuar një alfabet të përbashkët, që njihet si “alfabeti i Stambollit” (1879), i cili të kishte “aq shkronja të thjeshta njëtrajtëshe sa tinguj të thjeshtë e të pandarë ka gjuha jonë shqipe”.
2. Pas Lidhjes së Prizrenit, Kongresi i Manastirit është i pari tubim i madh mbarëkombëtar, “është i pari kongres shqiptar përfaqësimtar, në të cilën morën pjesë shqiptarë pa dallim feje e krahine, që përfaqësonin shumicën e trojeve shqiptare dhe kolonitë shqiptare kryesore. Në Kongres përmes 50 delegatëve (me të drejtë vote vetëm 32 prej tyre) u përfaqësuan klubet e shoqëritë kulturore të Manastirit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Beratit, Starovës, Leskovikut, Kolonjës, Shkupit, Selanikut, Janinës, kolonitë e shqiptarëve të SHBA, të Bukureshtit, e Kostancës, të Sofjes, e Filipopolit, të Egjiptit, të arbëreshëve të Italisë etj.”
3. Në Kongres u shtrua domosdoshmëria e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mungesa e të cilit ishte bërë shumë shqetësuese, jo vetëm për shkrimin e shqipes, por ishte bërë pengesë në vetë procesin e formësimit kombëtar. Alfabeti i Stambollit nuk mundi të bëhej alfabeti i vetëm për shkrimin e shqipes, ai u përdor kryesisht në Jug dhe në disa koloni shqiptare në emigracion. Në Veri, fjala vjen në Shkodër ku përdorej alfabeti tradicional i shkrimtarëve të Veriut, u krijuan edhe dy alfabete të tjera mbi bazën e alfabetit latin – alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” më 1899 dhe ai i shoqërisë “Agimi” më 1901, por përdorej edhe alfabeti arab. Kështu, në një qytet të vetëm për shkrimin e gjuhës shqipe përdoreshin katër alfabete të ndryshme.
Në Kongres u paraqitën tri alfabete: Alfabeti i Stambollit, i Shoqërisë Agimi dhe i Shoqërisë Bashkimi. Dihet tashmë se puna për alfabetin nisi me tri mundësi: të pranohej njëri nga tri alfabetet kryesore që përdoreshin, me ose pa ndonjë ndryshim; të formohej një alfabet me elemente të tri sistemeve, duke i shkrirë këto tri alfabete; të krijohej një alfabet krejt i ri. Dhe “Komisioni vendosi të krijojë një alfabet të ri duke marrë një për një tingujt e shqipes për të caktuar mbi kritere të drejta shkencore e në përshtatje sa më të saktë me gjuhën shqipe, germat dhe mënyrat sesi do të shënoheshin ato.”
4. Zgjidhja me dy alfabete që bëri Kongresi, duket pragmatiste por u bë tregues i dukurisë se çështjet që lidheshin me përbashkimin kombëtar, nuk mund të zgjidheshin brenda pak ditësh. Megjithatë, Kongresi e orientoi përparësinë. Në vendimin e Komisionit, të 20 nëntorit 1908, thuhet: “Pas që u kënduan verbalet e ditëvet të tjera e pas që e pamë se puna që kishim bërë, ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne; të shtyrë edhe nga disa shkake të përjashtme, u kthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqiptarëvet. Mësimi ndë shkolla do të jetë i shtrënguar e i detyrshëm për të dyja.”
Por siç thotë akademiku M. Domi, jeta e zgjidhi përfundimisht problemin pa pasur nevojë për mbledhje, komisione e vendime, duke lënë në përdorim një alfabet të vetëm. Alfabeti latin i papërzjerë, i përpunuar nga Kongresi, kishte të mirën se ishte homogjen për nga karakteri i germave, i lehtë në të shkruar dhe mjaft i volitshëm në shtyp, se nuk kërkonte shtypshkronja me germa të posaçme, prandaj mund të bëhen botime me të në çdo vend. Kjo qe arsyeja kryesore që më pas, sidomos pas vitit 1912, alfabeti i Stambollit mbeti në një përdorim gjithnjë e më të kufizuar. Nga fundi i luftës së parë botërore, alfabeti thjesht latin i Kongresit të Manastirit ishte alfabeti i përbashkët i gjithë shqiptarëve, alfabeti i vetëm i shqipes. Është alfabeti i sotëm i gjuhës sonë.” Ky alfabet do të tregonte vlerat e veta në shkrimin e shqipes e përhapjen e arsimit e të diturisë në mbarë trojet shqiptare,
5. Alfabeti i sotëm latin i Manastirit, nuk ishte rezultat i kompromiseve pa kriter, ai ka bërë zgjidhje që tregonin pjekurinë që kishte arritur jo vetëm mendimi kombëtar, por dhe ai shkencor në atë kohë, çka mundësonte gjithë sipërmarrjet e mëtejshme në proceset arsimore e diturore në shtetin e ardhshëm shqiptar. Mjafton të përmendim këtu zgjidhje për vetëqëndrueshmërinë e çdo shkronje, d.m.th, që në të shkruar asnjë shkronjë nuk ndikohet nga rrethimi fonetik, sidomos nga shkronjat ndjekëse (ndryshe nga alfabeti i italishtes, i greqishtes etj., ku fjala vjen c –ja lexohet herë k e herë s, g herë g e herë gj etj). sipas akademikut M. Domi, në alfabetin e ri “janë të pakta inkosekuencat e diagrameve të zgjedhura, sepse nuk janë të rëndomta rastet e fjalëve ku takohen tingujt e shënuar prej germave përbërëse të tyre (t-h, d-h, g-j, s-h, z-h), ose nuk ndeshen fare në gjuhën letrare (x-h). Bën përjashtim vetëm nj”, por problemet që nxjerr kjo janë zgjidhur nga Kongresi i drejtshkrimit 1972.
6. Kongresit i Manastirit ka peshë e rol të pazëvendësueshëm për historinë e gjuhës letrare të njësuar. Ai mbylli rrugëtimin e gjatë disa shekullor të alfabeteve të shqipes, afroi shumë dy variantet e saj letrare, orientoi për zgjidhje në fushën ortografisë (dihet se ai u shpreh për një kongres tjetër pas dy vjetësh “për ortografi e literaturë të shqipes”). Ai çeli rrugën për Komisinë letrare, e cila vetëm 8 vjet më pas bëri një punë të vlerësuar për njësimin e drejtshkrimit, duke ecur në vizionin e Rilindjes që shkrimi t’i shërbente ngulitjes sa më të qartë të strukturës së fjalës dhe mbi këtë bazë të ruhej sa më shumë e përbashkëta, ajo që i afronte dialektet dhe jo ajo që i dallonte dhe i largonte. Kongresi kështu, shfaqet jo vetëm si gurë shënues në rrugëtimin tonë historik, por me vendimet për përbashkim kombëtar, edhe përmes shkrimit të shqipes me një alfabet të përbashkët, por është hapi i parë i madh solid e përcaktues, në rrugëtimin drejt Kongresit të Drejtshkrimit, 1972, i cili, me moton lapidare të Ali Hadrit Një komb – një gjuhë letrare e njësuar, realizoi ëndrrën e shqiptarëve dhe kurorëzoi përpjekjet e brezave për të pasur një gjuhë të përbashkët, atë që sot quhet shqipe standarde.
7. Kongresi i Manastirit është gur shënues, jo vetëm për shkrimin e unifikuar të shqipes, por edhe për historinë e kulturës kombëtare dhe për vetë historinë politike të Shqipërisë. Ai nuk ishte thjesht kongresi i alfabetit, i Abesë. Pjesëmarrja përfaqësimtare në të dhe mënyra se si i zhvilloi ai punimet edhe pse u shprehën mendime të ndryshme, treguan se populli shqiptar ishte gati të hidhte hapin e madh, atë të luftës për shpalljen e pavarësisë. Nga lëvizja “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, po kalohej në kryengritjen mbarëkombëtare “Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”, e cila u kurorëzua më 28 nëntor 1912
8. Kongresi ka meritën e jashtëzakonshme se e orientoi Shqipërinë dhe kombin tonë nga perëndimi, andej nga lindte dielli për rilindësin e madhe Naim Frashëri. Vetë orientimi për shkrimin e shqipes me alfabetin latin, tregoi edhe një herë se “Shqipërija është një copë vënt nga Evropa dhe shqiptarëtë janë një nga kombet’ e Evropësë…”
9. Kongresi i Manastirit i tregoi botës se shqiptarët ishin një komb dhe kishin një gjuhë, e cila i identifikonte dhe i bashkonte ata, i bënte ata të ecnin në rrugën mijëravjeçare të ilirësisë e të shqiptarisë. Por vetëm 6 muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria e shqiptarët copëtohen nga Fuqitë e Mëdha në 6 shtete, kjo me pasoja të pariparueshme edhe pas 100 e ca vjetësh. Pasojat i ndjeu drejtpërdrejt shqipja, e cila sot është e vetmja gjuhë në Ballkan e në Evropë që del me disa statuse. Përfitoj të shprehem besimmadh e shpresëplotë se vitin tjetër, në 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, këtu në Republikën e Maqedonisë të jetë jetësuar plotësisht Marrëveshja e Ohrit.
Të nderuar pjesëmarrës, Kongresi i Manastirit na kujton dhe një herë se të gjithë së bashku, pa dallime shtetërore, tërësisht të detyrueshëm si bashkëkombës, të punojmë pandashëm për të ngritur prestigjin kombëtar e ndërkombëtar të shqipes amë, ta vitalizojmë e ta latojmë atë, ta pastrojmë e ta pasurojmë, ta funksionalizojmë më tej e t’ia shpalosim aftësitë shënuese e krijuese, ta bëjmë të qëndrojë e dinjitetshme krah simotrave të veta me shkallë të lartë përpunimi e standardizimi, duke realizuar ëndrrën rilindëse dhe vetë përpjekjet e synimet e këtij Kongresi.
Prof. dr. Valter Memisha
Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
ASA
Tiranë