Dr. Zymer Neziri

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri: BETEJA E NOKSHIQIT, 140 VJET TË FITORES MADHËSHTORE KUNDËR MALIT TË ZI

Dy fjalë për Nokshiqin

Nokshiqi është katund matanë krahinës së Rugovës. I përket krahinës tjetër shqiptare, Plavës e Gucisë. Tradicionalisht, katund i banuar me familje Nokënikajsh të fisit Kelmend, sipas vijës etnografike të lisit të gjakut. Barqet e tij janë: Selimajt, Mekulajt, Buçajt dhe Mehajt. Janë me përkatësi të vëllazërisë së madhe të Lajçit. Nga të parët e tyre përmendet sidomos stërgjyshi, Nikë Deda, që ka jetuar para rreth tre shekujve. Ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare kundërosmane, supozohet, ashtu si krejt kelmendasit. Kur fisi i Kelmendit u shpall i fajshëm për kryengritjen e madhe të viteve ’90 të shek. XVII dhe toka e Kelmendit u zbraz, edhe Nikë Deda me familje për 12 vjet u strehua jashtë Kelmendit, në territorin e fisit Hot, në shtëpinë e mikut të vet, nga e kishte gruan. Pas qershorit 1702, kur nga pushteti osman u hoq ndalesa kundër fisit Kelmend, Nikë Deda u rikthye me djemtë: Ndrelë, Stakë, Pepë, Nokë e Nilë Nika, që nga vija e lisit të tamblit, pra, natyrshëm, ishin nipa të Hotit, sepse dajtë e tyre ishin nga fisi i Hotit. (Disa autorë, për shkak të dijes së pamjaftueshme për traditën tonë etnokulturore e për lidhjet martesore jashtë fisit, madje edhe në disa tekste serioze të albanologjisë e ngatërrojnë shumë keq prejardhjen e lisit të gjakut me atë të lisit të tamblit, që nuk do të duhej asesi.). Sot, pasardhësit e Nikë Dedës, i biri i Dedë Ndre Martinit, vija e lisit të gjakut, shtrihen në gjashtë katunde, nga Nokshiqi e deri në Shtupeq, afër Pejës, përfshirë këtu edhe katër katunde të tjerë të Rugovës: Stakajt, Pepajt, Drelajt, Malajt, me rreth një mijë familje, që jetojnë edhe jashtë, deri në Amerikë. Këtu do shtua edhe pasardhësit e të afërmve të Nikë Dedës, që jetojnë në Dukaivë, Shkrel, Husaj e në disa lagje të katundeve të tjerë. Për fat të keq, nokshiqanët në Nokshiq nuk jetojnë më!

Ka pasur nokshiqanë e nokshiqane të shquara, e disa nga të sotmit janë: Sylë Imeri-Buçaj, Ahmet Elezi-Buçaj, veprimtari i njohur Zekë Nokshiqi, mjekja Drita Mekuli, mjeku Bajram Selimaj, intelektuali Gëzim Mekuli, koreografja dhe aktorja Agnesa Nokshiqi, poetesha Xhemi Nokshiqi; pastaj, të deridjeshmit: poetët e mëdhenj Esad Mekuli e Qerim Ujkani-Selimaj, studiuesi i përmendur i letërsisë Hasan Mekuli, mjekja e shquar Sadete Mekuli, pleqnari i dalluar Galo Reku, baletani dhe koreografi Abdurrahman Nokshiqi, lahutari e rapsodi Xhemajl Ibishi-Buçaj. Në vijim, do përmendur të famshmit, luftëtarët e shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Nure Kurti, Kurt Asllani, Bali Bajrami, Hoxhë Nokshiqi, nusja dhe heroina e Nokshiqit, Kajë Galja, pjesëmarrëse edhe në luftërat më 1912,1918 e 1919, e bija e saj, luftëtarja dhe kaçakja në zë, Bege Maliqja, të bijtë, luftëtarët po ashtu fort të njohur, heronjtë Zymer Maliqi e Imer Maliqi dhe shumë të tjerë. Në këngët e rapsodëve tanë ata janë edhe personazhe të njohura edhe të epikës sonë heroike historike dhe këndohen në shumë vise të atdheut.

Nokshiqi në kujtesën e kombit shqiptar, 140 vjet pas betejës së famshme të fitores për mbrojten e Shqipërisë

Mali i Zi dhe Evropa e bashkë me ta edhe Perandoria Osmane, kërkonin nga Shqipëria që Malit të Zi t’i dorëzohen Plava e Gucia, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit tha: jo! Ajo organizoi ushtri vullnetare për mbrojten e kufirit, në krye me Ali pashë Gucinë. Kaloi ai vit, 1878, i kobshëm për shqiptarët, sepse Evropa në Berlin e vazhdoi copëtimin e Shqipërisë, pak muaj pas Shën Stefanit. Por, Shqipëria nuk u përkul.

Kaloi gati edhe viti vijues, 1879, dhe, në fund të tij, Mali i Zi e humbi durimin. Filloi me sulme provokuese. Pas betejës së humbur të nëntorit, pasoi edhe sulmi tjetër, beteja vijuese, gjithashtu e humbur, më 4 dhjetor 1879, pikërisht në Nokshiq. Forcat ushtarake të Malit të Zi, të komanduara nga Mark Milani, i një familjeje shqiptare të sllavizuar, vojvodë (dukë) nga Meduni, pjesëtar i fisit Kuç, janë ndeshur me forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga Plava e Gucia dhe nga viset tona përreth, e ndër to ishin edhe ato nga Rugova e Peja me anën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, nga vinin edhe Haxhi Zeka, drejtues i lartë politik e ushtarak i Lidhjes, si dhe rugovasit Çelë Shabani-Stakënikaj e Kadri Bajri-Palgjekaj, personalitete të njohura ushtarake e politike të Lëvizjes Kombëtare. Më 4 dhjetor 1879 u hap një faqe e re e historisë së lavdisë shqiptare dhe e turpit të ushtrisë pushtuese të Malit të Zi në Nokshiq.

Para fillimit të Betejës së Nokshiqit, me kërkesën e Markut, që këtu i printe fisit të vet, Kuç, njërit nga dymbëdhjetë fiset tona të Malësisë, që atje ka hequr dorë nga përkatësia shqiptare, pati një dyluftim ndërmjet të dy më të mirëve nga të dy ushtritë, thotë tradita gojore. Nga forcat shqiptare doli në dyluftim Adem Isufi. Ishte nga Rexhajt e Shkrelit të Rugovës, i biri i Isuf Smajlit, po ashtu i përmendur për dyluftime. Burrë rreth dyzet vjeç. Kishte përvojë të gjatë dhe ishte trim i madh. Edhe kësaj here doli fitimtar. Kundërshtarit të mundur ia preu kryet, sipas traditës së luftës, dhe ashtu ata krye të prerë e çoi lart. Shokët duartrokitën dhe brohoritën: ’’Dora të lumtë Adem Isufi e gjithmonë prefsh krena shkjeshë!’’ Marku u tha ushtarëve të vet: ‘’Çonje kryet, se kjo nuk asht fitore!’’ dhe u drejtua andej e tha: ‘’Rugovë, e dua mejdanin e dytë me ju! Dhe, Ademi del përsëri në fushë të mejdanit. Dhe, përsëri e bën zap edhe këtë kundërshtar të dytë dhe kryet ia pret. Dhe, përsëri shokët e urojnë me brohoritje: ’’Dora të lumtë Adem Isufi e gjithmonë prefsh krena shkjeshë!’’ Ushtria e Markut prapë ra me krye përtokë, e Marku prapë foli: ’’Rugovë, nuk i thonë as kësaj fitore pa u nda edhe mejdani i tretë!’’ E qiti edhe të tretin. Edhe Ademi u nis për herë të tretë në pikën e dyluftimit, por Rexhë Avdia, djali i axhës, një trim i rrallë, i tha: Bac, po t’tërrnoj, se u lodhe! Por, ky iu përgjigj: -’Jo, nuk u lodha hiç! Zene se veç ni mejdan e pata!’’ Vazhdoi guximshëm drejt kundërshtarit. Edhe ai pësoi si ata dy të parët. Mbeti pa krye. Uresa e brohoritjet ushtuan dhe u dëgjuan edhe larg Nokshiqit: ’’Dora të lumtë Adem Isufi e gjithmonë prefsh krena shkjeshë!’’ Kënga e ruan këtë dëshmi për histori:

Ç’janë këto gjamë që po i bje era,

po liftojnë Rugova e Peja!

Adem Isufi, trim si rrfeja,

ra n’Nokshiq, po i xjerr tri krena!

Mark Milani foli aty, në Nokshiq, më 4 dhjetor 1879: -’’Rugovë, tash e dua mejdanin e secillit me secillin!’’ Dhe, pas pak, filloi ndeshja trup më trup dhe fyt për fyt! Ishte shumë e përgjakshme. Betejë për jetë a vdekje. Dëshmi prapë është kënga jonë:

Rexhë Avdia, ni zog i atit,

top i kuq po m’del pej gjakut,

fyt për fyt me t’bitë e Markut.

 Shumë ushtarë të Markut në Betejën e Nokshiqit pësuan si ata tre të parët në dyluftim me Adem Isufin dhe me krenat e tyre u mbush fushëbeteja, kurse të tjerët morën ikën dhe u kthyen mbrapa. Pos Mark Milanit të Kuçit, ishte edhe Todor Milani, një nga komandantët e forcave ushtarake të Malit të Zi, po ashtu një shqiptar i sllavizuar, me prejardhje prej fisit Vasoviq, njërit nga dymbëdhjetë fiset e Malësisë, që tash nuk flasin më shqip, ashtu si Kuçi e Piperi. Në Lim u mbytën mjaft sish, duke ikur. Edhe kënga flet për kufomat e tyre në ujin e rrëmbyeshëm të Limit:

Nuk po i ço trupat for larg,

tej n’Tashlixhe, n’Vishegrad!

Markun e shpëtoi kali i tij, që doli me sukses në bregun tjetër të Limit, thonë. Pas kësaj disfate të rëndë, Marku ra. Madje, edhe kur vdiq, pas rreth njëzet vjetësh, në ditën e vorrimit, nuk e nderoi shteti i Malit të Zi.

Por, pa u bërë muaji, në janar 1880, filloi përsëri sulmi i Malit të Zi për pushtimin e Plavës e të Gucisë. Ishte sulm me të gjitha forcat ushtarake që kishte ky vend, i njohur në histori për sulme e pushtime të tokave shqiptare, para e pas Kongresit të Berlinit, e sot i mban rreth dy të tretat e tyre, pa i llogatitur edhe rreth 8 mijë hektarët e tashëm, që pa luftë i mori dhuratë nga 80 deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 21 mars 2018. Lufta mbrojtëse në janar 1880 e forcave të armatosura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte shumëditëshe dhe heroike kundër sulmit të Malit të Zi për pushtimin e Plavës e të Gucisë dhe komandohej me sukses të madh nga Shtabi i luftës dhe Ali pashë Gucia, komandant i përgjithshëm.

Mbrojtja heroike e krahinës së Plavës e të Gucisë edhe në janar 1880

Janari 1880 për mbrojtjen e krahinës së Plavës e të Gucisë ishte fort i përgjakshëm. Pra, prapë Nokshiqi ishte në luftë, ishin në luftë disaditëshe të gjitha katundet përreth, sidomos Pepajt, një luftë tejet e madhe për të shpëtuar nga pushtimi krahinën e Plavës e të Giucisë nga Mali i Zi. Mbahet mend sidomos ndeshja e përgjakshme e 8 janarit, që zgjati po ashtu disa ditë dhe që ishte më e madhja dhe më e vështira deri atëherë, ku ranë shumë e shumë dëshmorë dhe heronj nga viset shqiptare. Sipas traditës së luftës, luftëtarët e Malit të Zi, kundërshtarit të mundur ia prenin hundë e buzë dhe i merrnin si trofe lufte, ose e merrnin kokën e tij të prerë.

Në luftën e janarit 1880 ranë edhe komandantët e shquar Jakup Feri (Plavë, familja Shabaj) e Çelë Shabani (Stakaj, Rugovë, nga vëllazëria Nikëdedaj e Lajçit), që të dy personalitete shumë të shquara në traditën gojore dhe në këngët popullore. Qe edhe vargjet e rapsodit:

Kush e nisi luftën ma i pari,

Jakup Feri e Çelë Shabani…

N’mejdan Markut donë me i dalë…

Pra, përsëri Mali i Zi pësoi, u kthye mbrapa dhe hoqoi dorë nga Plava e Gucia. Në pranverë 1880, Evropa i tha Malit të Zi: -Merre Hotin e Grudën, për zëvendësim të Plavës e të Gucisë! Por, edhe aty ai u thye nga forcat shqiptare. Dhe, në vjeshtë, i erdhi radha Ulqinit, si zëvendësim i ri, po nga Evropa, për Plavën e Gucinë, kurse detyrën e kreu Dervish Pasha i Perandorisë Osmane, duke e sulmuar vendin tonë me forca shumë të mëdha ushtarake, dhe ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi. Ato ditë, për ta trembur Turqinë, forcat ushtarake evropiane e kishin mbushur me anije të luftës një pjesë të Adriatikut. Evropa ashtu veproi edhe më 1913, me rastin e ricopëtimit të Shqipërisë, kur Plavën e Gucinë e la brenda kufirit të Malit të Zi, pas luftës së saj të madhe e heroike, në tetor 1912, kundër Mark Milanit të ri, gjeneralit Janko Vukotiq.

Për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit kanë shkruar dhe janë mbajtur tubime shkencore, ku veçohen ato për përvjetorët e saj, sidomos për 100-vjetorin e themelimit, kurse veçmas për Betejën e Nokshiqit dhe për betejat e janarit 1880 kanë shkruar: Xhafer Belegu, Kristo Frashëri, Elmaz Plava, Marenglen Verli, Georgi Daniel, Riza Rexha, Shyqri Ballvora, Demush Shala,  Hasan I. Gjonbalaj, Ali M. Ahmeti, Zymer U. Neziri, Shefqet Canhasi, Xheladin Gosturani, Rexhep Dedushaj, Arbër Ahmeti, Bajram Rexhaj, Xhevat Hasani, Idriz Ulaj e Agron Selimaj (gjenealogji), Gëzim Zilja, Gëzim Mekuli, Fitim Rifati, Esat Gjonbalaj etj.

Ka edhe shumë dokumente të botuara për këtë betejë dhe për betejat e janarit 1880 kundër Malit të Zi, sidomos të Fuqive të Mëdha të Evropës. Presim që të kemi edhe një studim më të thelluar për të dy palët ndërluftuese, sidomos për sasitë e buxheteve të luftës, numrin e forcave të armatosura, aftësimin e tyre ushtarak, pikat strategjike të sulmit dhe të mbrojtjes, llogoret, prapavinë, kujdesin shëndetësor për të plagosurit, furnizimet me ushqim e me municion, numrin e betejave, të armatimit dhe të llojeve të armëve, të komanduesve dhe të niveleve të gradave të tyre, të formacioneve ushtarake, të strategjisë së komandimit, sidomos të humbjeve, ku ka mjaft luhatje të shifrave ndër autorë, që bën të jetë edhe një disertacion doktorate, për mbrojten e Plavës e të Gucisë, dhjetor 1879 – janar 1880. Është i nevojshëm. Madje, shumë i domosdoshëm për historinë tonë më të re.

Pra, ky ishte një vështrim për Betejën e Nokshiqit, në nderim të 140-vjetorit të saj, edhe sipas traditës sonë gojore, që është aq e pasur, duke i kujtuar me respekt udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos: Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Haxhi Zekën, Sylejman Vokshin, Ali pashë Gucinë, drejtuesin e luftës, dhe prijësit e saj: Jakup Feri, Çelë Shabani, Nuco Shahmani, Kadri Bajri, Bilko Shehu, Murteza agë Batusha, Melko Bashulaj, Mulla Jaha, Ajdin agë Kurtaj, Ali Kojaj, Rrustem Uka, Nure Kurti, Kurt Asllani, Selman Bashulaj, Fazli Syla, Ahmet Rama, Halil Sharkinaj, Bali Dema, Adem Bajraktari, Binak Alia, Bec Nikolla, Col Nikaj, Preluc Gjoka, Kolë Tomë Prëla, Gjelosh Nikçi ((Plava 2002: 60-62), si dhe luftëtarët e tyre: nga Plava e Gucia, Sanxhaku i Pazarit, Rugova, Rrafshi i Dukagjinit, Hasi, Luma, Malësia e Gjakovës, Nikajt e Mërturi, Dukagjini, Malësia e Madhe, si dhe nga shumë krahina të tjera.

Shembulli nga Shkreli, vendlindja e heronjve të Betejës së Nokshiqit

Shkreli i Rugovës, vendlindja e heronjve të Betejës së Nokshiqit, Adem Isufi dhe Rexhë Avdia, për ta dhe për dëshmorët e tij në Nokshiq e në beteja të tjera, me rastin e shënimit të 130-vjetorit të kësaj beteje, më 4 dhjetor 2009 zbuloi një pllakë përkujtimore në Qafë të Rexhajve dhe, pas dy vjetësh, po aty përuroi një qendër përkujtimore, që ka 9 varre. Aty janë Adem Isufi me të atin Isuf Smajli, Rexhë Avdia me atin Avdi Smajli, Hajdar Feku e Hajredin Feku, Ahmet Isufi, Bul Isufi e Zhuj Isufi. Qendra Përkujtimore e Rexhajve të Shkrelit u përurua më 10 qershor 2011, në shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo është ndër më të mëdhatë e këtij lloji dhe u krye pa ndihmën e shtetit.

Beteja e Nokshiqit edhe sot, në 140-vjetorin e saj, duhet të konsiderohet betejë madhështore dhe fitore madhështore. Kënga e saj u bë himn lufte dhe u këndua duke shkuar në shumë beteja, por këndohet edhe në dasma, kur krushqit nisen për të marrë nuse. Ajo është kënduar edhe në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja e Nokshiqit ishte betejë mbi beteja dhe edhe sot vlerësohet se ishte nderi ushtarak dhe politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shënimi i këtij përvjetori është borxh ndaj atyre që i kanë dalur zot vendit të vet, që u kanë thënë jo Fuqive të Mëdha të Evropës e Perandorisë Osmane dhe që janë flijuar për atdhe duke luftuar kundër pushtuesit, Malit të Zi.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …