Prof. Hamdi THAÇI: KËNGA DEL PREJ GRYKËS SË PUSHKËS

Autori i librit monografik “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”,  prof. Bedri Tahiri, sjell në historiografinë shqiptare jetën dhe veprën e dy trimave të familjes Loshi nga Padalishta, Kamer e Murat Loshit. Ai, më një përkushtim shumë serioz, më një punë të palodhshme, ka mbledhur dhe ka renditur të gjitha të dhënat dhe dituritë që janë ruajtur në ndonjë faqe të mangët të historisë së shkruar e sidomos në kujtesën e popullit, për jetën, luftën dhe flijimin e luftëtarit trim, dëshmorit Kamer Sejdi Loshit, duke i materializuar këto të dhëna për herë të parë në një dokument të shkruar që të mos harrohen kurrë. Autori i kësaj monografie, prof.  Bedri Tahiri, më një kujdes të veçantë dhe më një punë sikur të bletës, mblodhi thesarin e pasur që ruajti populli në kujtesën e tij, për bijtë e vet e heronjtë e historisë.  Për ta, deri më sot, janë kënduar këngë e janë thurë poezi, janë rrëfyer tregime dhe urtësi, të ruajtura në thesarin e popullit, e të përcjella gojë pas goje nga urtakë të dalluar ose janë kënduar këngë nga rapsodë të talentuar, por tash për herë të parë, “kjo gjuhë e artë, u shkrua në kartë”.

      Përkushtimi me të cilin ka punuar autori, bulëzon fuqishëm, sepse ai nuk do të ndalët vetëm në një segment të jetës dhe luftës se krye protagonistit, dëshmorit të lirisë, Kamer Loshit, por hullinë e tij do ta thellojë duke përfshirë në studimin e tij edhe protagonistë të tjerë, në radhë të parë Murat Loshin, të cilit, Kameri i plagosur rëndë, në çastet vendimtare të jetës, ia lë flamurin në dorë dhe me të, porosinë që ta vazhdojë luftën. Kjo porosi, sikur të heronjtë homerikë, të cilët nuk lëvizin nga fusha e betejës, për t`u flijuar, por duke i shpëtuar të tjerët, sepse flijimi i tij, pa pasur kush ta vazhdojë luftën, nuk do ta kishte kuptimin as vlerën e flijimit për liri. I tillë ishte edhe flijimi i Kamer Loshit. Këtë që shkruan autori në ketë histori, nuk është ngjarje e imagjinuar, por është një dramë që shndërrohet në tragjedi individuale, por e njëjta  personifikon tragjedinë kombëtare, sepse, kështu tragjike dhe njëherit heroike, ishte e kaluara e kombit tonë.

       Baza mbi të cilën ngritët kjo vepër e çmuar historike është atdheu, është ideali për liri, është sakrifica e heronjve të këtij libri, është Drenica kreshnike, është Padalishta trimoshe. Drenica pa të bëmat e djemve dhe vajzave të Padalishtës, do ta kishte më të zbehtë ngjyrën e gjakut të derdhur për liri, në të gjitha etapat e historisë: në luftën kundër pushtuesve osmanë, serbë, bullgarë, jugosllavë dhe serish luftën kundër okupatorit serb në fund të shek. XX, e cila u kurorëzua më çlirimi e Kosovës.

       Të gjitha këto të dhëna, të mbledhura pa përtesë, nga prof. Bedri Tahiri, të sistemuara me kujdes dhe të materializuara me të dhëna bindëse, i gjejmë në këtë monument kulture që na e ka dhuruar autori i vyeshëm. Ky është  libri i 40-të i prof. Bedri Tahirit, për historiografinë kombëtare. Vlera historike dhe pesha argumentuese e këtij libri është e pamatshme për lexuesin dhe shumë e nevojshme dhe e pazëvendësueshme  për studiuesin.

        Libri fillon me një sentencë të dijetarit e oratorit të njohur Mujë Loshi, i cili kishte deklaruar:“Loshët, kudoqofshin ata, në Batushë, në Padalishtë, në Suhogërllë, Radishevë e Kotorr, janë të shartuem në trup, pra janë njerëz me vleftë e të edukuar mirë, e nuk janë të shartuem në degë që nuk lidhin kokrra kurrë!”

       Nga kjo urtësi e Mujë Loshit, të cilën e ka zgjedhur autori, na bënë të kuptojmë, se, pavarësisht titullit  të librit, që iu dedikohet dy emrave të njohur nga trungu i Loshëve, në brendinë e tij do të defilojnë edhe shumë emra të tjerë, djem e vajza, trima e trimëresha, që më veprat e veta, me luftën heroike dhe vdekjen sublime për atdhe, e stolisin për bukuri historinë tonë kombëtare.

       Pastaj, edhe në Prologun e veprës, autori, sikur na sinjalizon për emra e ngjarje të mëdha, me të cilat do të përballët lexuesi në brendinë e këtij libri, shumë prej të cilave, për herë të parë i gjen të shkruara. Secili prej këtyre emrave nga Loshët e Padalishtës, por edhe nga vendet tjera të Drenicës, si dhe ngjarjet që janë të lidhura me ta, janë emra të veçantë në historinë tonë kombëtare. Po të bëjmë një analizë historike, secili prej këtyre emrave del si protagonist i ngjarjeve të veçanta të shënuara në këtë libër historie, kurse të gjithë bashkë, përbëjnë  një tërësi, e cila  parqet një hallkë të rëndësishme të historisë sonë.

       Për ta pasur lexuesi një orientim të drejtë dhe shpjegim të qartë, për bazën mbi të cilën është ngritur historia, lufta dhe të bëmat e trimave dhe trimëreshave të Loshëve të Padalishtës, autori në një saktësi që përshkruhet dhe përmbushet me faktet historike, thur biografitë e tyre.

      Si zakonisht, në raste të tilla, kur shkruhet historia dhe ngjarjet e rëndësishme të historisë kombëtare, është e preferuar që të shkruhet një histori e shkurtër e Drenicës. Autorit nuk i shpëton ky fakt i duhur, prandaj edhe në këtë monografi, fillimisht na jep një pasqyrë të shkurtër të Drenicës: Emrin, shtrirjen dhe historinë. Gjeografia është alfa për këtë vend të kryengritjeve të pareshtura për shekuj të tërë. Pastaj defilojnë, si në një dokumentar të thurur nga mjeshtri profesionalist, burrat e dheut, nga Millosh Kopiliqi deri të  Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Azem Galica, Shaban Polluzha e Adem Jashari, si dhe dhjetëra emra që me gjakun e tyre e shkruan historinë e këtij vendi.

       Në vazhdim, autori, shprish historinë e Padalishtës, duke filluar me një sentencë të Tagorës, e cila thotë: ”Balta mund t`i përlyej diamantet, por nuk mund t`i kthej në baltë”. Çmimi dhe vlerësimi që i jep autori bijve dhe bijave të Padalishtës, vërtetojnë se kjo sentencë është masë e vlerësimit të drejtë që i jep autori bijave dhe bijve të këtij fshati, të cilët nuk u përkulën kurrë.

      Autori, me shumë përpikëri, gjë që vërtetohet në gjithë përmbajtjen e librit, i qëndron besnik sentencës së Tacitit për historinë, që thotë: ”Historia ka një ligj, të mos thotë asgjë të rreme, të mos heshtë për asgjë të vërtetë!” Duke hulumtuar me kujdes, profesori Bedri Tahiri, mbledh fije për fije të vërtetat për Loshët e Padalishtës, të cilët i karakterizon në dy grupe: Loshët e mendjes dhe ata të pushkës. Këtu nënkuptohet se ky trung familjar i Loshëve ka dhënë disa njerëz të urtë, si Hajzer Loshi, Daut Loshi, Mujë Loshi, Sadri Loshi, Murat Loshi etj. Kurse vargu i Loshëve të pushkës është shumë i gjatë, për të cilët gjerësisht autori flet në vazhdim.

       Fillimshekulli XX, çlirimi nga Turqia dhe okupimi i Kosovës nga Serbia, për autorin është një periudhë historike e veçantë, e cila ndërlidhet më një seri ngjarjesh të rëndësishme, me karakter të përgjithshëm kombëtar, por edhe lokal, veçanërisht për Drenicën dhe Padalishtën. Autori këtu nuk harron ta përmend me përkushtim Ahmet Delinë e Prekazit, i cili, sikur i pari nisi luftën kundër Serbisë, në vitin 1912. Heroizmi i tij, nuk kishte si të përfundonte ndryshe, përveç se me flijim, por ai flijim mbet frymëzim i pashtershëm për shqiptarët, të cilët një shekull nuk e ndalën luftën kundër Serbisë.

Në këtë kontekst ngjarjesh, heroike dhe njëkohësisht të përgjakshme, janë edhe protagonistët e këtij libri të historisë: Sylë Loshi, dhe bijat e tij, Ajkuna dhe Elifja, të cilat sikur Ahmet Delia në Prekaz, prenë ushtarët serbë me sëpatë. E pastaj vargu i trimave të Padalishtës rritet e rritet me Selim Loshin, Kamer Loshin, Murat Loshin, Dan Loshin, Zeqir Loshin, Zenel Loshin etj, etj.

          Profesor Bedriu, me mjeshtri prej historiografi, që nuk “heshtë për asgjë të vërtetë” ndalet shkurt, por qartë, në ngjarjet dhe personalitetet e rëndësishme të historisë, në kapërcyellin e shek XX. Ai nuk e harron pa i dhënë vendin e merituar kryeprotagonistit të Luftës Çlirimtare, kryetrimit Azem Galica, pranë të cilit janë të lidhur të gjithë heronjtë e luftërave  dhe ngjarjet  e gjysmës së parë të shek. XX, çetat dhe grupet e Lëvizjes Kaçake, deri në Luftën e Dytë Botërore. Pikërisht me Lëvizjen Çlirimtare, që e udhëhiqte Azem Galica, ishte i lidhur edhe Kamer Loshi me çetën e tij.

        Lufta që bëri Kamer Loshi me çetën e tij në fshatin Belicë (4 mars 1924), për herë të parë trajtohet komplet, në mënyrë analitike dhe sintetike, në librin e Bedri Tahirit “Kamer e Murat Loshi, në histori dhe në traditën gojore”. Kameri, duke qenë komandant i një çete, e cila vepronte dhe luftonte nën komandën e Azem Galicës, kishte marrë pjesë edhe në shumë luftëra tjera. Këtë mund ta konstatojmë me metodën logjike që është e lejuar në historiografi, por shkëlqeu, jo vetëm me qëndresën heroike, por edhe me flijimin homerik. Kur plagoset për vdekje, ai, i lë amanetet, dhe mbi të gjitha porosit Muratin, të cilit ia beson komandën dhe i urdhëron të tërhiqen me çetën e vogël, që mos të shfarosën, sepse duhet ta vazhdojnë luftën. Pra, këtu na përkujton Leonidën e Spartës pellazgjike, i cili shpërndanë ushtrinë, kurse vetë mbetet simbol i flijimit dhe qëndresës.

Mbasi Kameri kishte “paguar shtatë herë vetën”, çeta çan rrethimin, nën mbrojtjen e zjarrit të tij, derisa u flijua në Altarin e lirisë. Ky flijim për liri, ishte aq sublim, sa  që nuk është harruar kurrë në mbamendjen e popullit, është pavdekësuar në këngën e thurur nga  gjeniu popullor, Dervish Goxhuli, kurse autori i këtij libri, prof. Bedri Tahiri, e bënë të paharruar përgjithmonë jetën dhe luftën e Belicës, aty ku shkëlqeu dhe ra Kamer Sejdi Loshi. Trimi, edhe në momentin më të rëndë, nuk dorëzohet dhe i thotë naçallnikut, komandantit serb se “s`ta dajë pushkën, o i gjallë sa t`jam”. Por, flijimi i Kamerit, duke e vrarë edhe naçallnikun me plumbin e fundit që e kishte, ai shpëton çetën dhe lufta vazhdon. Kjo ishte filozofia  e luftës çlirimtare, e cila me çdo kusht, duhet të vazhdojë. Kjo ishte filozofia e komandantëve të brezave të ndryshëm gjatë historisë sonë, prej kohërave më të vjetra e deri të Adem Jashari, i cili, duke u flijuar vetë dhe me gjithë familjen e tij, bëri  që lufta mos të përfundojë, por të vazhdojë deri në çlirimin e vendit.

Këtu qëndron fuqishëm edhe thënia e Dervish Goxhulit, se “Kënga del prej grykës së pushkës”, që në realitet, edhe pse e thënë në mënyrë alegorike, vërtet gryka e pushkës, u ka thurë këngë heronjve, në këtë rast edhe  Kamer Loshit.

        Sikur se nuk mori fund lufta më përfundimin sublim të Kamer Loshit, nuk përfundon as historia e prof. Bedri Tahirit. Autori vazhdon “ndjekjen” e rrugëtimit luftarak të çetës se Kamer Loshit, por tash e komanduar dhe e emërtuar çeta e Murat Loshit.

       Duke lexuar më përkushtim këtë libër të stolisur kaq bukur me heronjtë e luftës çlirimtare, veçanërisht të familjes Loshi, seç me shkrepi një mendim dhe thashë: Nga trung i lisit, vetëm lisa rritën. Të tillë dalin Loshët në veprën historike të prof. Bedri Tahirit.

         “Ma trim se ai që mban trimin është ai që e shkruan drejt historinë e trimit”1, me pat thënë në një rast baca Brahim Ajet Qirezi. Bedriu, nuk e di nëse e ka dëgjuar këtë sentencë filozofike të bacës Brahim, por aq shumë ju ka përmbajtur, sa nuk ka fjalë as shkronjë që ka shkruar në letër, që të mos jetë më kaq përkushtim, që kjo histori e të bëmave të Loshëve të shkruhet drejt.

Murat Loshi, shumë vjet pas rënies heroike të Kamer Loshit e të Azem Galicës, shumëfish e kishte nxjerr hakun e Kamer Loshit dhe dhjetëra Loshëve të tjerë, që ishin vrarë e masakruar  nga forcat serbe, në periudha të ndryshme, nga viti 1912 deri në vitin 1930. Fill pas betejave të përgjakshme, Murati me disa nga bashkëluftëtarët e tij do të shpërngulët në Shqipëri, për tu kthye sërish në Drenicë, në vitin 1941.

       Trimat si Murat Loshi nuk shkëlqejnë asnjëherë, duke soditur luftërat, por duke marrë pjesë në to. Prandaj, Murati, posa kthehet nga Shqipëria, shkon në mbrojtjen e trevave shqiptare në Sanxhakun e Tregut të Ri, ku dallohet veçanërisht. Me shpërthimin e Luftës së Drenicës, nën komandën e Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës, tok me ta lufton edhe Murati. Si shumë shqiptarë tjerë, pas shtypjes së Luftës së Drenicës, Murati për t`u kamufluar nga ndjekjet e pushtetit të ri gjakatar, bashkëngjitët me brigadat partizane. Edhe në këtë hark veprimi, Loshët i “nxënë belaja”. Në Vërshac të Vojvodinës, në mesin e shqiptarëve të pushkatuar nga vetë partizanët titistë, ishin edhe dy Losh, Selman Selim Loshi dhe Imer Dan Loshi. Loshët nuk e lëshonin pushkën, pushka nuk i lëshonte Loshët. Por, Murati do t`i shpëtojë shumë herë rreziqeve për jetë, në beteja ku luftonte me trimëri, por edhe nga kurthet që përgatiste armiku.

       Autori i kësaj monografie, kushtuar Loshëve të Padalishtës, nuk e ndal hulumtimin dhe studimin e tij, për derisa do ta gjejë edhe varrin e Kamer Loshit. Është interesant se kur fillon hulumtimi për një temë të caktuar, informatat “vinë” sikur me porosi. Më mirë të themi, hulumtuesi i gjen ato, duke punuar me përkushtim, prandaj edhe prof. Bedri Tahiri, në rrugën e pandalshme të hulumtimit, gjen margaritarin e burimeve z. Sadri Bardh Loshin, nga i cili mëson shumë për Loshët dhe të bëmat e tyre, por e mëson edhe vendvarrimin e Kamer Loshit. Nga Sadri Bardh Loshi autori mëson edhe për zgjuarsinë, dhe urtësinë që e kishte Murat Loshi, krahas trimërisë.

Në përpjekjen titanike, që sa më mirë të ndriçohet historia e Loshëve, autorin nuk e kishte lënë të qetë rasti, si ta zbulonte se kush ishte luftëtari i çetës së Kamer Loshit, Fazlia, i cili në betejën e Belicës, vritet i pari, kur tentoi ta çante rrethimin. Asnjëherë nuk është ditur më shumë për këtë trim, historinë e të cilit e mësojmë nga hulumtuesi i zellshëm prof. Bedri Tahiri.

Bedriu, gjatë punës hulumtuese,  e gjen mbesën e Fazli Çabrës, Fatime Muharrem Nura, nga e cila e merr këtë histori të trimit Fazli. Edhe historia e Fazli Çabrës është krenare dhe tragjike njëkohësisht, sikur se historia e shumë luftëtarëve të lirisë. Kur autori e zhvillon bisedën më mbesën e Fazli Çabrës, Fatimen, ajo ishte 89 vjeçare. Pra, ajo që kam thënë nga fillimi se Bedriu, duke qenë hulumtues shumë i zellshëm, me këtë monografi, jo vetëm se ia ka arritur qëllimit për zbardhjen e historisë së Loshëve, por na ka dhënë edhe historinë e shumë bashkëluftëtarëve të tyre, për të cilët më parë nuk është ditur fare, ose është ditur fare pak.

       Loshët në UÇK, është një kapitull shumë i veçantë i kësaj monografie, pa të cilën kjo histori do të dilte e gjymtuar. Mirëpo, autori tashmë me përvojë dhe sens për shkrime të tilla, nuk i lejon vetës një “rrëshqitje” në një lapsus të tillë. Përkundrazi, ai me kujdes të veçantë, me përkushtim të madh, iu bënë nder dhe respekt luftëtarëve të lirisë, të cilët në luftën e fundit kundër Serbisë (1997-1999), shkëlqyen dhe ranë, për të mos vdekur kurrë. Pavarësisht kohën, vendin, periudhën apo uniformën, ata që vriten në luftën për liri, kanë një emër të përbashkët, Dëshmorë të Kombit. Pavarësisht kohën kur dëshmorët skuqin tokën, ata janë gurthemeli i lirisë që ne po e gëzojmë sot. Prandaj, autori i lënë një vend meritor luftëtarëve dhe dëshmorëve të Loshëve e të Padalishës, të cilët u flijuan në luftën çlirimtare, si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këta dëshmorë të kohës më të re, Loshët e Padalishtës dëshmojnë luftën e tyre në kontinentet gjatë shekujve për çlirimin e atdheut.

Krejt në fund, autori, në këtë monografi, e ka shtuar këngën kushtuar Kamer Loshit, në gjashtë versione. Me këto këngë autori na ofron edhe një argument të fuqishëm, i cili në realitet paraqet edhe pikënisjen e këtij studimi. Kënga kushtuar Kamer Loshit, në të gjitha versionet, është burimi i parë me të cilin studiuesi prof. Bedri Tahiri, është frymëzuar dhe është mbështetur, për ta hartuar këtë vepër monumentale për historiografinë shqiptare.

      Libri është pajisur më referenca të mjaftueshme (207), me një literaturë të pasur (108 burime), me të cilën autori është shërbyer si dhe me (22 informata) që autori i ka marrë nga njerëz që i kanë përjetuar shumë ngjarje të përshkruara këtu dhe i kanë njohur shumë luftëtarë, biografitë e të cilëve janë prezantuar në këtë monografi.

Autorin e përgëzoj për këtë vepër monumentale dhe i urojmë shëndet të mirë e sukses në hartimin e librave të rinj.

           Prishtinë, 29 qershor 2019

1 Kur isha duke hulumtuar nëpër Drencicë , për të mbledhur të dhëna për LNDSH, diku në mars të vitit 2016, vizitova Brahim Ajet  Rexhepin e Qirezit, të birin e Ajet Qirezit, bashkëluftëtarit të gardës së Shaban Palluzhës.Në bisedë e sipër me tha”Ma trim se trimi është ai që e mban trimin(jataku). Por , ma trim se ai që e mban trimin është ai që e shkruan drejt historinë e trimit (vr. e H.TH.)

 

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …