(Deklaratë autentike e profesorit IMER GASHI, veteran i UÇK-së, Papiq, mars 2019)
Me shpërthimin e luftës çlirimtare në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, që hodhi shkëndijat e saj në mbarë Kosovën, shkëndija të tilla u përflakën edhe në Dukagjin, së pari në Gllogjan për t’u zgjeruar në të gjitha fshatrat rreth e rrotull. Prapaqani ishte njëri ndër fshatrat që formoi Shtabin Lokal të luftës së UÇK-së dhe zgjodhi hierarkinë komanduese në krye me Avdi Krasniqin si komandant i kësaj bashkësie lokale në të cilën gravitonin edhe luftëtarë të fshatit Papiq dhe ata të Fushës së Thatë. Në fillim pati vështirësi të natyrave të ndryshme, por së shpejti u stabilizua gjendja, falë dy punëtorëve veteranë të arsimit dhe komandantit të zgjedhur.
Nga beteja në betejë u dalluan shumë luftëtarë trima të këtij lokaliteti. Në mesin e tyre dallohej trimi Maxhun Berisha. Ai ishte i betuar që deri në frymën e fundit të mos e dorëzojë armën që ia kishte ruajtur i ati, Brahim Berisha. Mjerisht, në muajin shtator 1998, pas një ofensive të tmerrshme të forcave serbe, një grup pjesëtarësh të luftës dorëzuan armët. Atë ditë kur po kthehesha nga ky fshat, u takova me Maxhun Berishën, i cili kishte dëgjuar granatimet e armikut dhe kishte dalë si rrufeja në rrugë. Dhe më kujtohet si sot bisedën që zhvilluam në rrugë:
Maxhun, armët u dorëzuan nga një pjesë e shokëve! Çfarë do të bësh ti?
– O Baca Ymer, më tha, – kur e kam marrë në dorë këtë pushkë, jam betu që nuk do ta dorëzojë kurrë deri sa të bie i dekun mbi të!
Maxhun Berisha ashtu edhe veproi, kaloi Lumin e Bardhë dhe iu bashkua forcave të Ramush Haradinajt. Në çdo betejë tashmë ishte dalluar, ndonëse trimërinë, guximin e kishte trashëgimi nga të parët. Kjo tashmë është thënë dhe rrëfyer nga bashkëfshatarët, bashkëkohanikët e babait të tij dhe më herët.
Mirëpo, dita 28 marsi e vitit 1999 ishte kobzezë. Te Ura e Pozharit u bë një luftë e përgjakshme mes forcave të UÇK-së dhe atyre serbe. Atë ditë ranë dy trima, Elez Ramë Geci dhe Maxhun Brahim Berisha.
Më kujtohet ajo natë e errët me shi. Atë natë isha në Prapaqan te Beqir Musë Krasniqi, meqë nuk kisha ku të strehohesha, sepse fshati im ishte bërë rrafsh me tokë nga forcat serbe. Papritur më vjen një zë nga Beqir Krasniqi:
-Ymer, çou të dalim se është vra Maxhun Berisha dhe na duhet ta varrosim.
Një trishtim ma kaploi trupin; burrat e mëdhenj mbajnë fjalën: Maxhuni ra mbi pushkën e tij. Shkuam në shtëpinë e Maxhunit. Aty gjetëm pak njerëz. Ishte natë e tmerrshme dhe kishte granatime nga të gjitha anët. Nuk u vonua dhe erdhi një veturë ushtarake. U fut në oborr. Familja u trondit, posaçërisht e ëma. Aty pranë tyre u gjenden, Beqir Krasniqi, unë Ymer Gashi, Vesel Krasniqi, Ramiz Gërvalla nga Duboviku me dy vetë dhe familjarët e tij. Maxhunin, tash të rënë, e sollën nga fshati Maznik një epror ushtarak dhe dy ushtarë të tjerë. Assesi nuk më kujtohet emri i eprorit, por se ishte një mik i madh i tij dhe luftëtar tejet i guximshëm. Meqë Maxhunin kishim për ta çuar te varrezat e tyre, nga shtëpia kishte nja 500 metra largësi. Pasi shkuam atje filluam ta hapim varrim me dritë të shkrepëseve, sepse granatimet vinin prej të gjitha anëve. Aty erdhi edhe i ati i tij, Brahimi, i cili nuk lëshoi asnjë pikë loti, vetëm tha:
-Babë, të koftë hallall gjini i nanës dhe muni jem, po për këtë ditë të ka rritë e ruejtë baba!
Të them të drejtën, nuk kisha parë qëndrim më burrëror të prindit pranë të birit të rënë dhe që po lëshohej ngadalë në varr, edhe pse fjalët e tij na prekën shpirtin, ato na frymëzuan që së bashku me bashkëluftëtarët e tij, me nderime ushtarake t’i jepnim lamtumirën e fundit. Ndaj sot e përgjithmonë, e kujtoj jo vetëm atë natë, por edhe shumë herë të tjera Maxhunin fjalëpak e zemërmadh, qoftë para luftës frontale në aktivitete politike e kulturore, i cili ishte edhe aktivist dhe vëzhgues nëse forcat policore mund të ia behnin papritur. Kështu ndodhi edhe në organizimet e viteve 90-të, në takime e kuvendime politike, në aktivitete kulturore të Shoqërisë Kulturore e Artistike “ Gjergj Fishta” në Prapaqan, në programe e përvjetorë të shumtë jo vetëm në këtë fshat, por edhe në nivel komunal. Përherë më jepte besimin se ai ishte i armatosur dhe heshturazi sikur thoshte: krahët ua mbuloj unë.
Të tillë e kujtoj përherë Maxhun Berishën.