Prof. Lush Susaj: Kryeministër! Përse ja prisni ëndrrën për të vazhduar mjekësinë maturantes Anxhelina Zholi që në 12 vjet ka vetëm një 9?!

Prof. Lush Susaj: Kryeministër! Përse ja prisni ëndrrën për të vazhduar mjekësinë maturantes Anxhelina Zholi që në 12 vjet ka vetëm një 9?!

 

-Babai i Anxhelinës, shkrimtari Albert Zholi, miku Aristidh Kolës erdhi nga Greqia që fëmijët të mësonin shqip dhe të kontribuonin në Atdhe.

-Unë jam demokrat, por socialistët i kanë borxh të madh Albert Zholit, pasi ai organizoi në Athinë mitingjet madhështore të Fatos Nanos, Bashkim Finos, Dritëro Agollit, kundër racizmit.

Ja si bëhet dëbimi i programuar i rinisë, fermerëve dhe elitës së mirëfilltë.

Të dielën me 31 korrik 2022, mora pjesë në një dasëm të bukur shqiptare, e cila kurorëzojë me martesë, një njohje 8 vjeçare midis një djali nga Tropoja dhe një vajze nga Bulqiza, që të dy mjekë të diplomuar e të vlerësuar para tre vitesh me nivelin “Exelentë”, nga Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë, Tiranë. Që të dy kanë aplikuar dhe kanë fituar për të punuar dhe për t’u specializuar në njërin prej spitaleve më të mira të Italisë. Në sytë e babës së djalit, për rreth 5 orë, unë pashë vetëm lotë, e aty nga fundi i dasmës ai më tha: “Zoti më fali vetëm këtë djalë, e arsimova në shkollat më të mira, e tash Shqipëria nuk paska vend për djalin tim dhe as nusen e tij! Me 1 shtator do të mbetem vetëm, e nuk ka ç’më duhet ma as shtëpia, e as jeta pa djalin”. Këto janë fjalët e dala nga goja e një babai në dasmën e djalit të tij të vetëm, e që qeverisja e injorancës dhe korrupsionit, nuk e la që të gëzojë e as të shohë as edhe një ditë të vetme me djalin të punësuar e duke jetuar në vendin dhe në shtëpinë e tij në Tiranë. Të njëjtën pamje e pashë sot edhe në fshatin Prush të Tiranës, ku pak ditë më parë ishte larguar një familje me 11 anëtarë, duke braktisur kështu fermën bujqësore dhe banesën e tyre dy katëshe, e sikurse me treguan ka ikur për të mos u kthyer më kurrë. Përpara derës së banesës qëndronte ulur qeni i tij i murrmë, që shikonte nga rruga me shpresë se mos do të kthehet i zoti, e që tani e tutje do ta ushqejë fqinji i tij. Rreth 400 m më tutje është një tjetër fermer vreshtash, që këtë vit ka një prodhim rrushi të jashtëzakonshëm, e që nuk po i shitet. Ai e ka blerë pompën e ujitjes në Itali me një çmim prej 3000 euro, dhe thotë që këtë vit, nuk ka marrë as edhe një litër naftë nga subvencioni. Ai shprehet i irrituar me zyrtarët e administratës së bujqësisë, i quan të korruptuar e hileqarë dhe, betohet që kurrë nuk do të bashkëpunojë me ta, duke thënë që më mirë pa subvencion se sa duke u mashtruar, fyer e tërhequr zvarrë prej tyre. Ndërsa në momentin që hapa kompjutërin, pashë edhe një email, përmes të cilit një kolegu im nga Lushnja, njëri prej agronomëve më të mirë të vendit, kishte vendosur për të ikur sëbashku me familjen e tij jashtë, për shkak se në Lushnje (sikurse me shkruan), nuk po arrijnë që të nxjerrin bukën e gojës. Kolegu im që prej10 vitesh prodhon fidana të shartuar perimesh, e që ka edhe një tokë të mbjellur me shalqin, dhe një farmaci të vogël bujqësore, më shpjegon se si qeverisja e korrupsionit, ka nxjerrë një rregullore, sipas të cilës ai që kapet duke shitur plehëra kimike me pakicë (me nga 2-5 kg), gjobitet 3 deri në 5 milion lekë të vjetëra. Qëllimi është që tua ngecin fermerëve thesin e plehut, e paraja të shkojë sa më shumë tek pikat e shumicës, që zakonisht janë monopole të qeveritarëve. Ndërsa ai që ka10-15 vazo me lule, apo që ka 3-4 bimë zbukuruese e frutore, e që duhet të marrë vetëm 2-3 kg pleh, tani e tutje klika e hajdutërisë e detyron që të marrë një thes. Të tilla ngjarje e probleme hasim kudo e në çdo ditë. Ndërsa, problemi më i madh i kësaj periudhe, duket që ka zënë maturantët e Shqipërisë, të cilët janë goditur përmes VKM-ve dhe rregulloreve shkatërrimtare, e të hartuara pa asnjë kriter ligjorë e shkencorë.

Halli i Anxhelin Zholit një maturanteje të shkëlqyer të Shqipërisë dhe Europës

E kam fjalën për një vajzë, që këtë vit është diplomuar tek shkolla Don Bosko, e që në 12 vitet e shkollës së saj, ka marrë vetëm një notë- 9, në provimin e maturës shtetërore në lëndën biologji. Edhe atë për shkak të një pyetje, që sikurse na shkruan nxënësja “nuk përfshihej në programin mësimor”. Pyetje, e konstatuar edhe nga mësues!

Është fjala për vajzën e një shkrimtari dhe gazetari shumë të njohur, e që as nuk e shkonte kurrë ndërmend largimin nga Shqipëria, por që prej 3 javësh mallkon veten për shkak të pafuqisë për të mbrojtur fëmijën e vet përballë një administrate, që nuk e njeh moralin, rregullin, meritokracinë e as konkurimin e vlerave. E kam fjalën për nxënësen e meritës Anxhelin Zholi, që për një notë 9 në Biologji, pavarësisht se është shumë e sigurtë dhe e gatshme që të konkurojë në të gjitha nivelet e testeve për në shkollën e mjekësisë ku endërron, ajo nuk do të shkojë dot, sepse ligji është bërë kundër meritokracisë, sepse nuk ka konkurim vlerësues për këtë fakultet kaq të rëndësishëm në shëbim për jetën e njerëzve Në këtë mënyrë, përveç dy mjekëve të talentuar, që largohen menjëherë pas dasmës së tyre, sot njoha edhe një nxënëse qe ka një dëshirë dhe vullnet të jashtëzakonshëm për fushën e mjekësisë, por që shteti i saj me VKM ja ka mbyllur derën, e ja ka nxirë jetën, vetëm për ta dëbuar që të mos kthehet më kurrë. Në këtë mënyrë, për shqiptarët që jetojnë këtu, mjaftojnë që të punojnë pensionistët dhe pesanjosët, ndërsa elitat e mirëfillta të mjekësisë, etj, nuk pëlqehen aspak nga korrupsioni e as nga sistemet kakistokratike, sikurse ka qenë dhe është sistemi ynë shëndetësorë.

Duke bashkëbiseduar me një baba e një shkrimtarë të vrarë rëndë në sedër e në të ardhmën e fëmijës së tij, kuptohet lehtë ajo që ka ndodhur me sisemin e vlerave në Shqipëri. Shkrimtari dhe gazetari i njohur nuk kërkon asgjë më shumë se të drejtën e konkurimit të fëmijës së tij, në degën që ajo ka talent dhe vullnet të hekurt.

Duke qëndruar në këtë rast (që mos i ndodhtë askujtë), në mënyrë të natyrshme nga ana e prindit apo prindërve të goditur, lindin disa pyetje për kryeministrin dhe për ministren tonë të arsimit, sikurse janë:

Përse ja hiqni të drejten vajzës time Anxhelin Zholi për të studiuar në Mjekësi, për vetëm një 9 në 12 vjet, e ku notat e tjera janë me meritë e që të gjitha dhjeta, aq më tepër që ajo note është vendosur përmes një pyetje që nuk përfshihej në programin mësimor.

Me çfarë logjike, që një nxënës për një 9 në fiskulturë, bllokohet një talent për në shkollën e mjekësisë, kur sikurse dihet nga rrethet vijnë studentë me të gjitha dhjeta, pavarësisht se atje në të shumtën e rasteve nuk ka mësues, e mbase nuk është bërë mësim fare.

Përse të mos konkurohet njëlloj si në të gjitha vendet e botës, në mënyrë të tillë që talenti i mjekësisë të shkojë tek mjekësia, ai i ndërtimit tek ndërtimi, e kështu me radhë.

Në një reagim të shkrimtarit dhe gazetarit tonë të mirënjohur, është shkruar: “Të dy fëmijët e mi me mesatare të mirë kanë dashur të studiojnë për mjekësi, por atdheu i tyre nuk ua dha këtë të drejtë, dhe tani mendojnë që të ikin dhe vetëm të ikin nga atdheu, edhe pse unë fëmijët e mi i kam edukuar vetëm me frymën atdhtare e të kontributit për Shqipërinë”. Këto janë fjalët e kolegut tim nga Tepelena që tani po lufton që të largojë fëmijet e tij të sapo dalë nga shkolla e mesme, njëlloj sikurse edhe kolegu tjetër nga Tropoja, që po e largon djalin e vetëm, e që sot është një mjek i talentuar e shumë i zoti, por që po e largon menjëherë pas dasmës, sepse kështu mbyllen dyertë e shqiptarëve në Shqipëri.

Ngado që ta kapësh, ka vetëm antiligj dhe antishtet për të larguar rininë nga vendi i tyre, përmes padrejtësisë, falimentit, fyerjes dhe varfërisë. Diktaturat e kakistokracisë dhe korrupsionit nuk bëjnë dallime me të majtë apo të djathtë, nuk pyesin nëse je nga Tepelena apo nga Tropoja, të tilla diktatura rrënojnë sistemin e vlerave dhe meritokracisë, duke e zhytur vendin në kaos dhe varfëri, nga ku buron ikja pa kthim e shqiptarëve nga të gjitha trojet. Unë e di që qeveritarët tonë nuk lexojnë dhe nuk besojnë në vlera e as në dhimbjet njerëzore, por jam i bindur që shqiptarët do të lexojnë e do të kuptojnë se ku të degdisë shitja e votës 3-4 ditë para zgjedhjeve, dhe përkulja idiote para halabakëve, hajdutëve e kriminelëve.  Zoti i turpëroftë në jetë e breza blerësit, por edhe shitësit e votes.

Besoj se dhe ju e njihni Albert Zholin z,. Kryeministër pasi në gooogle kam parë një intervistë që ju ka marrë. Po ju flas shkurt për të:

-Autor i 23 librave, redaktor i 308 librave dhe autor – 5 mijë intervistave.Babai Anxhelinës, shkrimtari Albert Zholi, miku Aristidh Kolës erdhi nga Greqia që fëmijët të mësonin shqip dhe të kontribuonin në Atdhe. -Unë jam demokrat, por socialistët i kanë borxh të madh Albert Zholit, pasi ai organizoi në Athinë mitingjet madhështore të Fatos Nanos, Bashkim Finos, Dritëro Agollit, dhe atë kundër racizmit.

Duke e pasur komshi Albertin kam parë se ai i ka edukar fëmijët me dashurinë për atdheun dhe librin, ndaj janë pjesë e çdo promovimi libri dhe veprimtarie atdhetare në Shoqatën Labëria “Nderi i Kombit”

Por Alberti ndryshe nga ju është socialist me zemër dhe jo me tesër se tesera duhet për t’u punësuar në dogana.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …