SHQIPJA STANDARDE
Tashmë dihet nga të gjithë ata që do të kenë lexuar qoftë edhe fare pak shkrime që kanë të bëjnë me rrugën që ka ndjekur shqipja për standardizimin e saj, se, krahas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u themelua alfabeti i shqipes, ngjarja tjetër, mbase më e madhja kulturore shqiptare, ka qenë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor 1972 në Tiranë.
Vështruar qoftë edhe nga ana e jashtme , po sidomos vështruar mbi bazë të emrave të shkencëtarëve e studiuesve të shqipes që vinin nga të gjitha viset e qendrat më të mëdha të studimeve albanologjike jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, po edhe ndër arbëreshët e Italisë, Kongresi i Drejtshkrimit krijoi përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe shkencore e kulturore në shkallë kombëtare për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe.
Gjuha standarde shqipe duhet të merret si gjuhë kombëtare, sepse ajo nuk është pronë e një individi, por është pronë e një kombi.
Në gjithë rrugën që u ndoq për standardizimin e gjuhës shqipe, motivi dhe kërkesa kryesore ka qenë një standard i vetëm, sepse ky shihej edhe si një nga faktorët shumë të rëndësishëm, qoftë në luftën për çlirim kombëtar dhe qoftë për synimin për bashkimin e shqiptarëve, të paktën në fushë të kulturës, të letërsisë e të historisë. Madje, kjo ka qenë aspiratë e vazhdueshme, sidomos pas vitit ’70 të shekullit të shkuar, e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sepse një standard gjuhësor i përbashkët, jo vetëm konsiderohej si një element me shumë ndikim në krijimin e lidhjeve sa më të ngushta dhe në synimin për t’u bërë pjesë e një kombi të vetëm- e kombit SHQIPTAR, po ishte edhe një tregues i fortë që shqiptarët në ish-Jugosllavinë ishin një etni krejtësisht tjetër nga popujt sllavë, udhëheqja politike e të cilëve, herë më hapur dhe herë në mënyrë perfide, kishte synuar për t’i ndarë nga bashkëkombësit në Shqipëri, madje edhe duke i quajtur me emërtime të ndryshme: Albanci dhe Shiptari!
A ka ardhur koha për rishikim të standardit?
E kemi thënë sahera se FGjSh-ja duhet të korrespondojë me zhvillimet e reja gjuhësore dhe t’u përgjigjet kërkesave dinamike të kohës.
Të pasurohet me lëndë të re gjuhësore të krijuar këto 45 vjetët e fundit nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit, gjuhëtarët etj., fjalë që kanë hyrë tashmë në qarkullim në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shkruar.
Të përfshijë sa më shumë gjithë lëndën gjuhësore që rron në popull nga të gjitha dialektet e shqipes, të papërfshirë deri më tani në fjalor.
Gjuha jonë letrare kombëtare ka një leksik popullor shumë të pasur, të pafutur sa duhet në fondin leksikor të gjuhës standarde.
Kjo pasuri e madhe leksikore popullore, që është kryesisht në gegërishten, duhet të futet në fjalorin standard të shqipes.
Por kjo gjë mund të arrihet jo duke shpërfillur kodin drejtshkrimor, kontrollin filologjik, rregullat gramatikore, kritikën filologjike, por DUKE I FORCUAR DHE PËRPARUAR ATO.
Në fund mendoj se shqiptarët vetëm në këtë çështje kanë qenë të bashkuar, në standardizimin e gjuhës shqipe. Ky shembull duhet ndjekur që edhe punët e tjera t’i bëjmë ngjashëm me standardin.
Prof. mr. Eroll Sejdiu
Fjala shqipe
Pothuaj në çdo shkrim të botuar gjer më sot mbi jetën dhe veprimtarinë e gjatë dhe të frytshme të gjuhëtarit dhe patriotit të shquar, Aleksandër Xhuvanit, është pohuar me të drejtë se ai ka ecur në vazhdën e Kristoforidhit. Duke ecur në gjurmët e tij, Xhuvani gjatë tërë jetës së tij tregoi një interesim të madh për mbledhjen e visarit leksikor të gjuhës amtare nga goja e popullit. Fjalë e shprehje ai qëmtonte edhe nga vepra të ndryshme, sidomos nga veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, që i njihte rrallëkush.
Aleksandër Xhuvani i kushtoi vëmendje të madhe pastrimit të gjuhës amtare nga fjalët e huaja të panevojshme dhe pasurimit të saj me fjalë të reja, për të plotësuar kështu nevojat e saj gjithnjë në rritje sidomos për terma shkencorë. Ai ishte edhe i mendimit që gjuha shqipe të pasurohej jo vetëm duke krijuar fjalë të reja nga burimi i saj dhe sipas gjedheve fjalëformuese të gjuhës popullore, por edhe duke u dhënë disa fjalëve të gjuhës popullore kuptime të reja, domethënë nëpërmjet të ashtuquajturave neologjizma kuptimore.
Aleksandër Xhuvani krijoi një varg fjalësh të reja, sidomos terma nga fusha e gjuhësisë, psikologjisë, pedagogjisë etj. Të tilla janë, p.sh.:
Nga fusha e gjuhësisë: bashkëtingëllore, dyzanor, shkalla pohore, krahasore e sipërore (e mbiemrit), lakim, zgjedhoj, zgjedhim, pjesore (participium), paskajore, përcjellore, ndajfolje (adverbum), parafjalë (preposition), lidhëz, pasthirrmë, kryefjalë, kallëzues, kallëzues emëror, kallëzues foljor, ndajshtim (apposition), kundrinë, ligjëratë e drejtë, ligjëratë e zhdrejtë etj. Vlen të theksohet se shumicën e termave të sintaksës, që kemi sot në përdorim, i ka krijuar Aleksandër Xhuvani.
Nga fusha e psikologjisë, pedagogjisë etj.: parafytyrim (imagjinatë), ndijim (sensacion), ngashëri (emocion), gërshetim (intreccio), njëmendësi (realitet), i njëmendtë (real), ndihmesë (kontribut) etj.
Kjo është një meritë e madhe e këtij gjuhëtari dhe patrioti të shquar që punoi pa u lodhur për të mirën e gjuhës shqipe dhe të kombit tonë. Mbetet detyra jonë që të ndjekim rrugën e tij.
~ Prof. Eroll Sejdiu
T’ I FLASIM DHE SHKRUAJMË MIRË SHPREHJET E GJUHËS SONË
Në gjuhën tonë të shkruar përdoren edhe shumë fjalë e shprehje me forma të gabuara, si: difekt (për defekt),kapërxyer(për kapërcyer), shetitje (për shëtitje), spjegim (për shpjegim),u muar vendim (për u mor vendim), nga qarkullimi i moslirshëm (për qarkullimi jo i lirë), lokali jipet-ipet me qira (për lokali jepet me qira), i drogirat(për i droguar),të qenurit ministër (për të qenët ministër),avoketërit (për avokatët),dekajt (për dekanët),politikajt (për politikanët),termet (për termat),dokumentat (për dokumentet),me këtë tempo (për me këtë temp),nuk jam në ngjarje (për nuk jam në rrjedhë ),i sëmuar (për i sëmurë),pyell (për pyll), • Në fjalët e përbëra, kur takohen dy zanore, nga të cilat zanorja ë fundore e temës së parë është e patheksuar dhe takohet me zanoren nistore të pjesës së dytë, ë-ja nuk shkruhet. P.sh.: bashkë + autor = bashkautor dhe jo bashkëautor, bashkudhëtar dhe jo bashkëudhëtar, mirupafshim dhe jo mirëupafshim, i gjithanshëm dhe jo i gjithëanshëm, kokulur dhe jo kokëulur, i shumanshëm dhe jo i shumëanshëm etj.
- Ndërsa te fjalët që gjymtyra e parë e tyre është e theksuar: ë-ja shkruhet. P.sh.: njëanësi dhe jo njanësi, i njëanshëm dhe jo i njanshëm, zëëmbël dhe jo zëmbël etj.disciplinë (për disiplinë),sekcion (për seksion) etj
T’ i shkruajmë mirë numërorët
Gabime ndodhin në shkrimin e numërorëve në ato raste kur duhet të caktohet një periudhë disamujore ose më shumë, ose edhe më pak, si:
Periudha 3 mujore.
Përkujtohet … në 5 vjetorin e vdekjes.
Me një përvojë 6 vjeçare.
Te ne mund të bëjnë praktikë tre mujore, gjashtë mujore dhe tre vjeçare.
Emërtimet e përvjetorëve dhe formimet e ngjashme me to, kur numërori shënohet me shifër duhet të shkruhet me vizë ndarëse ndërmjet shifrës dhe fjalës së mbetur, si:
Periudha 3-mujore dhe jo 3 mujore.
Përkujtohet…në 5-vjetorin e vdekjes dhe jo në 5 vjetorin…
Me një përvojë 6-vjeçare dhe jo 6 vjeçare.
Ndërsa nëse numërori shënohet me fjalë, atëherë shkruhet bashkë me fjalën e mbetur pa u ndarë:
Te ne mund të bëjnë praktikën tremujore, gjashtëmujore dhe trevjeçare dhe jo tre mujore, gjashtë mujore, tre vjeçare.
Për disa fjalë të përbëra
Në fjalët e përbëra, kur takohen dy zanore, nga të cilat zanorja ë fundore e temës së parë është e patheksuar dhe takohet me zanoren nistore të pjesës së dytë, ë-ja nuk shkruhet. P.sh.: bashkë + autor = bashkautor dhe jo bashkëautor, bashkudhëtar dhe jo bashkëudhëtar, mirupafshim dhe jo mirëupafshim, i gjithanshëm dhe jo i gjithëanshëm, kokulur dhe jo kokëulur, i shumanshëm dhe jo i shumëanshëm etj.
- Ndërsa te fjalët që gjymtyra e parë e tyre është e theksuar: ë-ja shkruhet. P.sh.: njëanësi dhe jo njanësi, i njëanshëm dhe jo i njanshëm, zëëmbël dhe jo zëmbël etj.