Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË (SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 - I

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË (SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 – I

Atje diku në male të Dushkajës…

Katundi Jabllanicë gjendet në krahun verior të Dushkajës, ndërsa për qendër administrative, arsimore, kulturore, ka Gjakovën. Territori i këtij katundi ka kofiguracion relievor kodrinor e malor, por edhe me fusha të gjera, të rrafshta e pjellore që shtrihen në anën e djathtë të Lumbardhës (Bistricës së Deçanit) si dhe në të dy anët e Përronit i cili, në drejtim perëndim-lindje, gjarpëron nëpër luginën e Jabllanicës.

     Jabllanica kryesisht është e rrethuar me male. Në lindje, verilindje dhe veri, Lumbardha e Deçanit e ndan nga krahina etnogjeografike Lugu i Baranit, në veriperëndim përkufizohet me Llugaxhinë, në perëndim me Zhabelin, në jug me Gërgocin dhe në juglindje me territorin e katundit Kralan të Dushkajës.

    Katundi Jabllanicë në përbërje të vet ka 6 lagje, apo mahallë, siç i quajnë këtu, e që janë: Mahalla Mulaj, Mahalla Lugjve, Mahalla e Poshtme, Mahalla Përkolve, Mahalla Shavarit, Polanat. Lagjet në Jabllanicë janë të tipit disperz, larg njëra-tjetës. Është krejt e natyrshme që brenda një vendbanimi pjesëtarët e vëllazërive të gjakut të koncentrohen në lagje të veçanta. Sipas këtij principi, popullata e Jabllanicës organizon mënyrën e jetesës në tri lagje, ndërsa në tri lagje të tjera struktura e vëllazërive është pak e përzier. Ndërkaq, banorët e Jabllanicës të gjithë janë shqiptarë, të konfesionit mysliman.

(Pllaka përkujtimore e Masakrës së 1921-tës, në Kodër të Madhe, e shkatërruar nga barbaria serbe)

Deri vonë, në Jabllanicë kishte disa kulla me arkitekturë popullore karakteristike të kullave të Rrafshit të Dukagjinit, tip i shtëpive të fortifikuara, dy e tri kateshe, që dikur i kanë ndërtuar për arsyena strategjike. Shumë prej atyre kullave të dikurshme sot nuk janë më, ngase në vend të tyre kanë ngritur shtëpi të reja të tipit bashkëkohor. Disa kulla që kanë mbetur në Jabllanicë, janë në shkatërrim e sipër dhe nuk banojnë në to. Është, pra, para zhdukjes ky element interesant e karakteristik i kulturës sonë materiale popullore tradicionale. Në këto kulla jabllanicasit kalitën dhe ruajtën mikpritjen e bujarinë shqptare. Dyert e tyre ishin të mëdha e të hapura për miq, e frëngjitë e vogla ishin shtigje për t’iu përgjigjur armikut. Në këto kulla jabllanicasit e thurën jetën dhe historinë e tyre nëpër shekuj…

     … Dhe, pikërisht në këto kulla, gjetën mikpritje e strehim strategët e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, e të tjerë…, si dhe pjesëtarë të çetave kaçake me në krye Azem Bejtën, gjë që, një ditë, populli liridashës i Jabllanicës do ta paguajë shumë shtrenjtë…

     Politika serbo-sllave në vazhdimësi bëri presione, shtypje sistematike, burgosje, vrasje, masakra, mbi shqiptarët që donin të jetonin në trojet e tyre. Për të gjitha këto përdorën mënyra të ndryshme, deri te ato më qyqaret, për të fshehur gjurmët e krimeve. Në regjitrin e masakrave të tilla, njëra ndër më të shëmtuarat, është edhe Masakra e Jabllanicës së Dushkajës e vitit 1921.

  1. DECENIET E PARA TË SHEKULLIT XX DHE MASAKRA E JABLLANICËS

Pikërisht, për shkak të asaj politike të fshehjes së krimeve, për këtë gjenocid që ishe bërë në Jabllanicë, deri më tash, nuk kemi parë të jetë publikuar ndonjë shkrim i veçantë. Duke i zënë ngoje terroret e këtij lloji, të asaj kohe, mbi popullatën shqiptare, profesor Mark Krasniqi shkruan: “Pushteti borgjez dhe xhandarmëria e tij, kishin përkrahje të madhe nga bashkëpunëtorët e tyre besnikë (…) – vojvodë e kapitenë të njohur, siç ishin: Kosta Peçanac nga Gjurakoci, Miliq Kërsta nga Istogu, Spirë Kapetani (Dobrosavleviq) nga Dellovci, Arseni Qyrku (Qirkoviq) nga Gllaviqica, Gal Milenko Terziq (Gal Qorri) nga Letina (Pejë), pastaj Nikodim Grujiqi, Novë Giliqi nga Babiqi etj. Kështu, më 1921 brenda ditës, Miliq Kërsta me xhandarmëri e bashibozukë vrau 63 shqiptarë të pafajshëm në fshatin Jabllanicë (Dushkajë)”1)

Sadri Adem Kosumaj

Ndërsa, Prof. dr. Zekeria Cana në një shkrim të tij thotë: “Në fillim të muajit korrik 1921 vala e terrorit të vazhdueshëm që nuk kishte lënë pa përfshirë gati asnjë fshat të Kosovës, përlau edhe Jabllanicën e Dushkajës, zonë kjo kryesisht malore, në verilindje të Gjakovës. Në qoftë se në burimet arkivore jugosllave kjo masakër zihet ngoje vetëm me dy-tre rreshta, Sadri Adem Kasumaj, i cili asokohe ishte djalë 15 vjeç, e përshkruan plojën në hollësi.

     Më 9 korrik 1921, herët në mëngjes, ekspedita ndëshkuese e ushtrisë dhe xhandarmërisë e prirë nga banda çetnike dhe vullnetarët serbo-malazias të anës së Pejës, Deçanit, Klinës, Gjakovës dhe Istogut, e rrethojnë Jabllanicën nga të gjitha anët. Burrat u thirrën që të mbledhen që të gjithë në mes të fshatit se do të vinte aty edhe Osman Aga, kryetar i komunës së Cërmjanit. U bë bastisja e shtëpive që asnjë mashkull të mos mbetej brenda. Më pastaj fshatarët u akuzuan rëndë si strehues të kaçakëve në krye me Azem Bejtën. Pasoi plaçkitja e shtëpive dhe e bagëtisë, lidhja e fshatarëve me shoka dhe rripa. Masakra nisi me vrasjen e Osman Agës pas shpine. Gjashtëdhjetë meshkuj, të lidhur, nga mosha 13 vjeç e sipër,  i dërguan jashtë fshatit, në Kodër të Madhe dhe i pushkatuan të gjithë. Shpëtuan vetëm dy vetë të mbetur nën të vrarët. Kufomat e viktimave u varrosën pas pesë-gjashtë ditësh nga fshatrat përreth.

     Pas masakrës së Jabllanicës ushtria, xhandarmëria, çetnikët dhe vullnetarët serbo-malazias ia mësyjnë Kralanit, krejtësisht të braktisur, vrajnë kryeplakun Sali Brahimi 60 vjeç, plaçkitën dhe dogjën fshatin”.2)

     Pra, ishte ky masakër i paparë. Viti dihet: 1921-shi. Datën e saktë nuk e dimë. Pleqtë thonë: “9 javë mas Shëngjergjit”. Dihet kush e bëri masakrën: xhandarmëria, rajat e grupet çetnike të Miliq Kërstës, nga Peja, Istogu e rrethinat e tyre, por të mbështetur e të ndihmuar drejtpërdrejt nga forca të armatosura ushtarake nga Gjakova.

  1. ATY RRININ STRATEGËT E KOMBIT

(pleqtë rrëfejnë…)

    “ … M’kujtohet  se Azem Bejta me trimat e tij shpesh vike nëpër Jabllanicë. Vike për Va t’Gashit e bike nëpër katun tonë e shkojke dikah nëpër male. E maj mën mirë se n’kullë tonë a kanë vet Hasan Prishtina me Isë Boletinin … Jan’ ardhë natje herët dhe jan’ ngjitë n’kullë. Ju kena kthy buk’ e kan’ pushu bukur mirë… Ata ishin kan’ ba pa rru. Baba Ramë, Ram’ Fazlia, e ka marrë ujt e i ka lagë, e dyt i ka rru me brisk kose. Si sod e maj mën kur Hasan Prishtina i tha bab’s Ramë: “ksi rroje t’letë nuk e kam ba te asni berber” … E di si at’ nat’ kan’ fjetë te na e t’nesrit, m’doket, jan’ shku për Gjakovë…” (Tregoi: Bekë (Halil) Ahmeti).

     “ …N’Jabllanicë asht kanë Hasan Prishtina, n’kullë t’Haxhi Bajramit – t’Ramfazlive. Knej asht ra shpesh Azem Bejta. Bike nëpër Va t’Gashit, kah Mas Arave… Bile ni her n’Va t’Gashit ju kish pas nxanë prita pej xhanarrve që edhe civil’ kishin pasë me veti. … Thojshin se veç ni bërtimë e Azemit asht ni, e t’tanë xhanarr e civil’ e kan’ lshu pritën eAzemi e ka vazhdu rrugën e vet…”

    “ … Bajram Curri ish kan’ ardhë shpesh n’Jabllanicë, te na Përkolt. Thojshin kah senja 1910 – 12. Kish pasë jarani me Adem Ramën e Përkolve. Ni her’ Bajram Curri i kish pa thanë bab’s Adem: “Adem, a ma falë qefin”? Fjala ish kanë për kali t’shal’s, se ish kanë kali me za. … Për hatër t’jaranisë si e kishin pasë nërveti, e mi neru Bajram Currin, Ademi me gjith’ qef ja kish pas falë kalin e shal’s …” (Tregoi: Halil (Mehmet) Ademaj).

“ … Knej vike shpesh edhe Azem Galica. Vike nëpër Va t’Gashit e bike rreth katuni, mas arave, e shkojke nëpër mal për Zhebel e Maznik e për në Shipni, e apet u kthejke ksej rruge …” (Tregoi: Smajl (Sylë) Hajdari).

  1. JABLLANICA NJË NATË PARA MASAKRËS…

Natë e verës së vitit  1921. Jabllanica e Dushkajës, e komunës së Cërmjanit, me kryetar komune Osman Agën e Rashkocit. Miftar katundi në Jabllanicë ishte Tahir Smajli i Mëhallës së Poshtme, e ndihmës i tij  Bardhec Hajdari i Mëhallës së Lugjve.

       Jabllanica, fshat malor, me 13 shtëpi (sipas pleqve), me burra të njohur e të zotët, bujarë e mikpritës. Por, atë natë, në kulla të Jabllanicës nuk ishin vetëm jabllanicasit: kishte kaçakë e rebelues të tjerë të strehuar këtu, që luftonin për të drejtat kombëtare, kundër pushtetit antipopullor të Jugosllavisë borgjeze. Kishte, atë natë, në Jabllanicë edhe shumë mysafirë të rastit, ndër të cilët, në evokime, edhe sot përmendet Ali Bajraktari i Bajraktarve të Vranocit, Fazli Rexhepi prej Kosuriqit (Lugu u Baranit), e ndonjë tjetër.

             Ajo natë, la do kujtime në traditë të Jabllanicës:

Çka  tregoi shpatulla e pulës ?…

     “ … Ni natë para se mu gri Jabllanica, Ali Bajraktari i Vranocit ish kanë musafir n’Jabllanicë, te Ramfazlit… At’ nat’ kishin pasë pulë për darkë. Kah po hajnë darkë, Haxhi Bajrami, i zoti i shpisë, pi kqyrë shpatllën, se i kish pa kqyrë mirë Haxhia shpatllat e pul’s. Ali Bajraktari e vetë: “Haxhi, shka po thot shpatlla”? Haxhia, tuj e lujtë krytë, kish pa thanë: “Hiq mirë s’po kallxon… Kjo po thot se ma mirë sonte t’i narkojmë senet e t’ikim pej katuni, e mos t’na çelë sabahi ktu …” (Tregoi: Rexhë (Binak) Zeneli).

Parandjenja e Agës

           “ … At’ nat’, Asman Aga kur shkon me ra n’fjetë t’vet, i kish pas porositë mashkujt: “Si vjen kush mem lypë natën, thuni se nuk jam k’tu. …Dikur, mas gjys’s nat’s, vjen dikush e thirrë te dera e aborrit. Kur del ni mashkull i Ag’s, ata i thonë: “Thirre presetnikin”. Kur shkon ky e i ban za Asmanit te dera e fjet’s, Asmani i bërtet: – “A u kam thanë mos me kallxu si jam ktu”. Po ky mashklli kish pas harru, ja s’kish pas ni kur i ka porositë Aga. …Asmani del e i gjanë te dera e aborrit xhanarrt si ishin ardhë mi marrë. Aty e gjanë edhe Sadik Kokallën e Cërmjanit, se ai ish panurr i Asman Ag’s. Kokallën e kishin pas marrë përpara se me ardhë te Aga.

            … Prej aty nisen e vinë për Jabllanicë. N’katun kishin pas mrri para sabahi …” (Tregoi: Sejdi (Adem) Kasumaj).

          “ … Kur ishin kan’ shku at’ nat’ mi marrë Asman Agën, se ish presetnik e Kokallën – panurr i tij, Asmani i kish pa thanë nifar’ Milloshit, dallavogjë – “Po pritoj me ardhë bre, se asht e përzime e madhe”, po ai i thot” –“Hajt Asman, mos ki dert, se s’ka met prekë kush”. …” (Tregoi: Ukshin (Ramë) Hamzaj).

Rrethimi i katundit

          Burimet gojore të ruajtura në traditë të Jabllanicës tregojnë se katundi është rrethuar diku në orët e hershme të mëngjesit, para agut. Rrethimi ishte bërë kështu: Forca ushtarake të armatosura që vijnë prej Gjakove e vendosen në vendin e quajtur Zabeli i Gojanit, në jugperëndim të fshatit, kah Mëhalla e Lugjve, afër rrugëve që lidhin Jabllanicën me fshatra të Dushkajës e me Gjakovën, në këtë krah, si dhe në vendin e quajtur Te Vorret e Ahmezenelve, kah Mëhalla e Poshtme, ana lindore e fshatit, aty ku një rrugë çon për në Kralan, e tjetra kah Vau i Gashit (Va në Bistricë të Deçanit) që çon në fshatin Nepole (Lugu i Baranit). Në këto dy vendrrethime ushtria kishte pasur edhe topa. Vendrrethimi i tretë i kësaj ekspedite famëkeqe ishte bërë kah ana veriore e Jabllanicës, në Kodër të Madhe e në Mal të Vnesht’ve, nga bandat çetnike të Miliq Kërstës – të ardhura nga Peja.

           “ … Krejt katuni ish kanë i rrethumë. N’dy an’t pej ushtrie e knej pej Peje jan’ kanë shkitë raje. Ushtria jan’ kanë n’Zabel t’Gojanit e te Vorret e Ahmezenelve, e shkitë raje jan’ kanë n’Kodër t’Madhe…” (Tregoi: Halil (Mehmet) Ademaj).

          “ … Ni top asht kanë n’Zabel e nja te Vorret e Ahmezenelve. Me topa kishin pa gjujtë n’kullë t’Haxhi Bajramit e n’kullë t’Fazli Syl’s…” (Tregoi: Rexhë (Binak) Zeneli).

         “ … Topat ishin t’ngrehun te Vorret e Ahmezenelve edhe n’Zabel t’Gojanit. Me topa kan’ gjujtë para se mej vra burrat n’Kodër… N’kullë tonë janë ra do gjyle t’topit e naj kanë prishë përzoret e kull’s edhe kulmin …” (Tregoi:Bekë (Halil) Ahmeti).

* * *

Dhe, askush s’kishte menduar se vetëm ajo natë malësorët e Jabllanicës po i ndante nga Vdekja e Madhe. Nuk kishin menduar se shumëkush nuk do ta priste i gjallë natën tjetër që vjen. Jo, nuk kishin parë as në ëndërr nënat që përgjithmonë do të mbesin pa bijtë e tyre më të mirë, motrat pa vëllezër, gratë pa burra … Jo, as të strehuarit e Lëvizjes Çlirimtare, e as mysafirët, nuk kishin menduar se s’do t’ju kthehen më shtëpive të tyre…

         Dhe, drita e ditës që zbardhi, pas asaj nate, Jabllanicën e zuri të rrethuar nga bishat e egra serbosllave të etura për gjak shqiptari…

      Por, edhe pas rrethimit, megjithatë, dikush kishte arritur të ikë, të largohet nga fshati…

Largimi i Bajraktarit …

      “ … At’ nat’, Ali Bajraktari i Vranocit ish kan’ qillu musafir n’Jabllanicë, n’Mahallë t’Lugjve. N’natje, kur merret vesh si shka u ba, si u rrethu katuni, dikush i kish pa thanë: “Çou Bajraktar se po grihet katuni” – “Nashtë  – kish pa thanë ai  – shka t’ju gjajë ju, let’ m’gjajë edhe mu”. Masanej, kishe si me zort e kishin pa binë, e ni plakë e lugjve e ka qitë dej te Prroni, e Prronit përpjetë ish kan’ ikë Bajraktari …” (Tregoi: Tafë (Isuf) Zeneli).

… Dhe Man  Sejdisë

    “ … Man Sejdia, thonë, ditën si dojke mu gri Jabllanica, ish kan’ ikë e hi n’bira t’vjedullakve, ku kish pa qinru 7 dit’ pa hangër e pa pi. Ai ish kanë pej Strellcit, po rrike n’Jabllanicë. Thojshin a kanë nipash i Maliq Belegit … “ (Tregoi: Sejdi (Adem) Kasumaj).

Mëngjes i asaj ditëzeze.

Në Jabllanicë, drama po i afrohej aktit më tragjik të saj…

Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …