leoni

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË (SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 - II

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË (SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 – II

4. JABLLANICA NË DITËN E MASAKRËS

 

Ditë tmerri…

      Në Jabllanicën e rrethuar fillon rrëmuja…

      Xhandarmëria me raja, bashibozukë e banda çetnike të kryebanditit Miliq Kërsta hyjnë nëpër oborre e shtëpi. Bastisin. Mbledhin meshkujt: pleq e të rinj. I lidhin nga dy e nga tre me shoka të tyre, me litarë, si mundën… I çojnë në Kodër të Madhe.

Preteksti: – “Ju po e mbani Azem Bejtën me kaçakët e tij” – kishin thënë ata…

     Në Kodër të Madhe, dikur, ishte dëgjuar batarja. I vrasin burrat atje.

     Në Ulicë të Lugjve vritet kryetari i komunës, Osman Aga dhe polici i tij, Sadik Kokalla.

     Te Ura e Madhe vritet fëmija 13 vjeçar, Qerim (Binak) Zeneli, i cili çonte lopët të kullosin…

     Vritet plaku me mjekërr, Hasan Shabani i Përkolve, në prak të derës së oborrit…

     Vritet edhe ndonjë tjetër nëpër rrugë të fshatit, në oborre të tyre,  e që gjithsej të pushkatuar atë ditë në Jabllanicë bëhen 64 meshkuj (dëgjohet edhe numri 63 i viktimave të kësaj masakre ?)…

     

Në Kodër të Madhe  ndodhi ploja

          Kodra e Madhe, vendi i ngjarjes, atë ditë kishte humbur krenarinë, ishte shndërruar në një kasaphane të tipit më të egër e barbar që dinin t’i bënin serbosllavët, ku viktimë ishin shqiptarët. Kodra e Madhe atë ditë u ul me gjakun e 64 shqiptarëve, dhe arsyeja: vetëm pse ishin shqiptarë, pse donin LIRINË dhe ÇLIRIMIN KOMBËTAR. (!!!)

          Më të moshuarit e sotëm të Jabllanicës, në kohën kur u bë kjo masakër, ishin fëmijë, ndonjë prej tyre u lind po atë vit të kobshëm, e disa të tjerë në atë dhjetëvjetësh… Këta, pra, janë dëshmitarët. Fjalët dhe kujtimet e tyre janë vetë historia e plojës së Jabllanicës… Ndaj, nga goja e disave prej tyre, në mënyrë origjinale (pa ndërhyrje gjuhësore), po shkëpusim disa kujtime që, së bashku, e thurin këtë pjesë të zezë të historisë së Jabllanicës, kohë zezonash e kombit tonë:

          “ … Isha 6 vjeç. M’kujtohet kur na’u mush aborri me xhanarr dhe ja kan’ nisë me na hallakatë shpi për shpi. I lypshin mashkujt pej 15 vjet e përpjetë… Ni çetnik mu pat afru e m’tha: “mos u tut”. Kshtu hishin nëpër katun, shpi për shpi, e i mledhën burrat. Burrat i lidhshin dor’ për dore me shoka t’tyne. I lidhshin ka dy e ka tre me ni shokë. Qashtu t’lidhun i kan’ çu n’Kodër t’Madhe e i kan’ ba batare 64 burra. N’at’ kohë, miftar katuni ish kanë Tahir Smajli i Mahalls Poshtër… Haxhi Bajrami i jonë, ish kan’ ngjitë përpjetë Ulic’s. Kur a shku n’Zabel t’Gojanit asht ra n’pritë t’çetnikve. Ju kish pas thanë se “me pasë armë, e kish ni edhe Peja se shka kisha ba qetash”… Pa i maru k’to fjalë baba Haxhi, çetnik’t e kishin pa gjujtë me batare e qashtu i vramë kish pa qinru tri dit’ e net…” (Tregoi: Bekë (Halil) Ahmeti).

             

           “ … Jam kanë 15 vjeç. M’kujtohet se knej pej Peje jan’ ardhë shkitë raje. Udh’heq’s e kishin pasë Miliq Kërstën. Jan’ kanë ma shum se 50 vetë. Do pej tyne pushk’t  i  kan’ pasë t’lidhme me konop t’gjave… Pej Gjakove jan’ ardhë ushtria. Ata e kishin pa marrë me veti edhe presetnikin, Asman Agën e Rashkocit e panurrin e ti, Sadik Kokallën e Cërmjenit. Mas pari me ta ish kan’ zatetë Uk Zeneli, n’Zabel t’Gojanit, se Uka u çojke herët. E kishin pa vetë: “Kush asht miftar katuni”? Mixha Ukë ju ka thanë se “Asht Bardhec Hajdari” ). Ata i thonë: “Shko thirre Bardhecin”… Kur a shku Bardheci te ta, e kan’ vetë: “A ka komitë ktu”? Bardheci ju ka thanë – “S’ka”. At’her ja kan’ dhanë ni letër dhe i kan’ thanë: “Shko te Miliq Kërsta n’Kodër!”. Kur shkon Bardheci te Miliqi e ja jep letrën, ai e merr e knon. N’letër kish pa shkru: “Mledhi të tanë, se jan’ t’përzimë me koçak’ gati secilla shpi”…

           … Mashkujt e katunit i ka mledhë Miliq Kërsta. N’tana an’t e katunit ka pasë shki, ushtri e raje. Kah shkojshe u zatetshe n’ta. Kan’ pasë edhe topa me veti. Topat i kan’ pasë t’ngrehun n’Zabel t’Gojanit, te rruga që vjen pej Gjakove, edhe te Vorret e Ahmezenelve t’Mahall’s Poshtër, n’ledina, te rruga për kralan…

                  … Para se me fillu m’i gri katunin, lypën buk’. Bardheci jonë i mledhi do dhën m’i pre. 15 dhën i kan’ pre me ju ba buk’ Asman Ag’s e ushtrisë çetnike. Dhët’ jan’ mledhë e pre para dyrve tona. Ktu para dyrve i kan’ pru kazanat e mishit, po buk’ nuk hangrën… Asman Aga i kish allti e pushkë, e nuk guxojshin fort me ju afru. Kokalla i thot’ Ag’s : “S’po dorzohem presetnik”, po meniher’ i rrethunë, e ni çetnik, carragor, ja merr alltinë e pushkën, i lidhën dhe i nisën Ulic’s teposhtë (është fjala për Ulicën e Lugjve – sqarim yni) për mej çu te shkitë raje… Kur jan’ ra te shpia e Ramfazlive, asht ni batarja n’Kodër t’Madhe si ja nisën mej vra burrat atje, edhe meniher’ i kan’ pushkatu aty n’ven Agën e Kokallën, qaty i kan’ vorret… Kur i kanë vra kta t’dy, un’ jam kanë nja 3-4 metra ngat…

 

           … Pa u vra burrat i pata thanë Qerim Binakit – po ikim n’mal. I bana rixhe, po ai nuk erdh se tha: “m’i marrin lop’t”, se i pat l’shu lopë e bullica. Qerimi asht kanë 13 vjeç at’her. E kishin pa vra kah jan’ shku teposhtë, të Ura Madhe. I kan’ ra pushkë mas shpine, i kapun n’gardh, tuj dashtë m’i kapërcy gardhin…

     … Kah i kan’ çu n’Kodër burrat e Jabllanic’s, koçakt e musafirt si i kan’ nxanë ktu, ni shka kur e sheh Maliq Belegin i thot: “O Maliq, për dyje ma Faza jote s’tmaron apangë me sixhima t’bardhë”. Maliqi ish kanë koçak, po rrike n’Jabllanicë, e ky shkau e kish pa njoftë Maliqin… N’Jabllanicë ka pasë edhe koçak’ tjerë, po jau kam harru emnat, se ktu vishin m’u mshefë… (Tregoi: Smajl (Sylë) Hajdari).

           

        … Jabllanica asht gri me t’nizetenitën sene, 9 javë mas Shingjergji. Miftar katuni a kanë Tahir Smajli. Ushtria pej Gjakove e raja pej Peje jan’ ardhë t’armatosun. Udh’heqsa t’tyne jan’ kanë Vuksan Gojkoviqi e Zhivk Rajoviqi… At’ sene Jabllanica i ka pasë 13 shpi, po ka pasë koçak’, musafir’ e t’ikun pej tjera anve… Nuk kan’ mujtë me kunrashtu se i kan’ mashtru. Kur ja kishin pa nisë me’i mledhë mashkujt e me’i lidhë, ju kan’ thanë: “Do t’ju çojmë në burg të Pejës”… Thojshin se ai Vuksani e kish pa ditë guhën shipe mirë. At’ ditë, tuj folë me miftarin e katunit, Tahir Smajlin, ai e kish pa vetë: “A asht burrë i mirë Ali Bajraktari”? – “Po, gospodin” – ja kish kthy Tahiri. – “Pra, Ali Bajraktari ka thanë se ju po e mani Azem Bejtën me 60 komitë të tij”… S’kish pa vanu e i pushkatojnë, aty n’Kodër t’Madhe, 64 vetë !… Thojshin, puna si e kemi majtë Azem Bejtën, Isë Boletinin, koçaktë… Për Asman Agën si kryetar e Sadik Kokallën, panurr i ti, thojshin se jan’ nisë Ulic’s Lugjve teposhtë me Zhivk Rajeviqin e 2-3 raje. Maspari i çarmatosin e i lidhin… “Shka u ba kshtu”? – thot Aga. – “Hajt, mos ki dert” – i thot Zhivki, e si nihen pushk’t n’Kodër t’Madhe, meniher’ raja i vrasin Agën e Kokallën…” (Treguan (bashkërisht): Sejdi (Adem) Kasumaj dhe Tafë (Isuf) Zenelaj).

      “… Thojshin se disa ktu kishin pa dashtë me ju kunrashtu çetnikve, po masi e kan’ pa Asman Agën, si asht kanë presetnik, kan’ besu n’ta, e kan’ thanë si masi asht ky ktu, nuk na ngucin… Ish kanë natja. At’ dit’ bile kishim pasë kosaçë n’livadhe. Baba Ramadan a kanë n’kullë, ish kanë i varrumë. I kishin pa ba rixhe me ikë, po nuk kish pa pranu, tuj ju thanë se “Se la shpinë vetëm”. Po, masanej vinë raja, e marrin e e çojnë n’Kodër. Ni kapetan pej Janoshit i kish pa thanë bab’s Ramadan: “Shko n’shpi e bima do duhan”! Po, n’shpi nuk gjanë duhan se e kishin pa marrë shkitë raje kah kan’ hallakatë… Hasa Shabani i Përkolve ish kanë plak me mjekërr. I kan’ ba za te dera e aborrit, e si a dalë Hasani, ja kan’ shpërthy barkin me singija e ja kan’ qitë zorr’t përjashta, n’derë t’aborrit…

      … Si a kthy baba Ramadan n’Kodër, i kan’ vra të tanë. Burrat i kan’ vra shkitë raje që udh’heqs e kan’ pasë Miliq Kërstën e nër komandë t’Sav Batares. I kishin pa thanë Sav Batarja, puna si ka ba gjinën batare… Masi u gri katuni, ushtria jan’ shku, po shkitë raje kishin pa nejtë ksajde edhe 3-4 dit’… Qysh thojshin, kurkush pej katunit s’ju ka dhanë buk’, po e kan’ marrë vet nëpër shpija kah kan’ hallakatë e plaçkitë…” (Tregoi: Halil (Mehmet) Ademaj).           

         

        “… I pari n’ushtri asht zatetë Uk Zeneli, baba Ukë i joni, se ish kanë tuj shku n’Livadh     

t’Kronit. Kish pa folë me Asman Agën edhe e kish pa vetë: “Shka a kah don

mu ba kshtu, shka asht gjith’ kjo ushtri ktu”? Asman Aga i thot: “Nashta na    

grinë”. – “Ani pot përcjelli e ik” – i kish pa thanë baba Ukë, po Aga s’kish pa pranu… Dikur ma vonë edhe panurri i Ag’s, Kokalla, i kish pa thanë Asmanit: “Po qesim pushkë”, po krytari s’kish pa pranu as ashtu…At’her i kishin pa lidhë me konop e jau dorzojnë shkive raje. Tuj çu teposhtë Ulic’s, për n’Kodër t’Madhe, tu shpija e Ramfazlive jan’ ni pushk’t n’Kodër, e aty i kan’ gri Agën e Kokallën… At’her kishin pa gjujtë n’kan’ e kan’ pa…Rob e thmi e kan’ marrë iken kah kan’ mujtë… Vllau i jem, Qerim Binaki, 13 vjeç, ish kanë me lopë te Ura Madhe. Smajl Syla i kish pa thanë “Po ikim”, po Qerimi i ka thanë “Jo, se mi marrin gjanë”, e nuk asht ikë. Smajli a ikë, e sod asht gjallë. Vllaun tem e vrajnë, mas shpine, i kapun n’gardh…

       … Masi u gri katuni, ushtria jan’ largu e shkitë raje kishin pa nejtë edhe 3-4 dit’ nëpër male… Shki raje kish pasë pej Gorazhdeci, Bollopoje, Dollci, Tërsteniki e t’katunev tjera… (Tregoi: Rexhë (Binak) Zeneli).

         “ … At’ dit, kur i kan’ mledhë katunin, katër raje ishin kan’ hi n’kullë tonë. I marrin tre mashkuj: Isuf Kadrinë, Ram’ Hamzën e Nezir Kadrinë. Kur dalin te dera aborrit, donë me’i lidhë. Isufi ju kish pa thanë: “Nuk jam lopë mëm lidhë, se vi vet” … Kur shkojnë n’Kodër t’Madhe, Isufi apet kish pa kunrashtu, kapet me ta fyt për fyt edhe e rrxon ni raje e nisë me ikë. Tuj ikë, e gjujnë dhe e vrajnë n’gardh t’arav, e t’nesrit e kishin pa gjetë…

        … Tahir Smajli, kur shkon n’Kodër, tuj folë me Gojkoviqin, ky e t’vetë: “Tahir, sa djem i ki ktu”? – “Tre” – i thot’. – “Dy po ti fali” – i thot’ shkau, e dy djem të Tahirit shkojnë pej shpije. Gojkoviqi i kish pa thanë:  “Ik Tahir edhe ti”… Po, ata dy djem si ja fali, ja kishin pa vra raja, n’shpi t’vet,  kur jan’ shku mej plaçkitë lopt’…” (Tregoi: Ukshin (Ramë) Hamzaj).

       

          “… Jan’ hi shpi për shpi e i kan’ lidhë t’tanë mashkujt, pej 13 dej n’80 vjeç e i pushkatunë n’Kodër… Ktu u pushkatu edhe baba Sylë. Kallxojshin si i kish pas thanë ni çetnik: – “E, ti je vllau i Hajdar Izlamit si i ka marrë 7 manxerre te Verrat e Lluk’s me luftu kunra neve. Ata e pushkatumë më 1913-tën sene te Mullini i Mahall’s Poshtër, e sod pot vrajmë edhe ty”. Baba Sylë i kish pa thanë: -“Shnosh thmija e shiptaria, se kan’ me na marrë hakin tonë”… (Tregoi: Tahir (Sylë) Hajdari).

 

Viktimat e masakrës serbo-malazeze të vitit 1921 në Jabllanicë (sipas kujtesës së pleqve)

1   HASAN KASUMAJ, vjeç 75

2   SELMAN KASUMAJ, vjeç 65

3   SADIK KASUMAJ, vjeç 26

4   SYLË KASUMAJ, vjeç 23                           

5   BEQIR KASUMAJ, vjeç 19              ……………………………………              

6   AVDYL ZENELI, vjeç 50                       N’këtë katund të bukur

7   ISUF ZENELI, vjeç 45                           me fare pak shtëpi     

8   XHEMAJL QELAJ, vjeç 6o                   në vitin ‘njëzet e një

9   OSMAN SMAJLI, vjeç 25                     kishte ndodhur tragjedi

10  BEKË SMAJLI, vjeç 23

11   AVDI SMAJLI, vjeç 19                        Armiku sllav i jugut

12   RAMË HAMZA, vjeç 30                      nga drithërimë e frikës 

13   ISUF HAMZA, vjeç 22                        gjashtëdhjet’ e katër burra     

14   JANUZ MEHMETI, vjeç 25               i kishte vrarë Brenda ditës…

15   BAJRAM MEHMETI, vjeç 30             …………………………………….

16   MUSLI MEHMETI, vjeç 70                                       (S.R. Hoxha)

17   ALI REXHA, vjeç 50

18   SELMAN REXHA, vjeç 22

19   SADIK REXHA, vjeç 18

20   QERIM ZENELI, vjeç 13

21   HAXHI AHMETI, vjeç 60

22   HYSEN AHMETI, vjeç 55

23   SYLË I. HAJDARI, vjeç 60

24   HAXHI NEZIRI, vjeç 60

25   ZENUN SMAJLI, vjeç 30

26   RAMADAN ADEMI, vjeç 60

27   HASAN SH. HASANI, vjeç 80

28   SADIK SHOTANI, vjeç 50 (jevg).

 

 Nga ata që ishin të strehuar në Jabllanicë dhe ndonjë mysafirë i rastit,

 nga anë të tjera, u vranë:

   

29   MALIQ BELEGU, vjeç 60

30   REXHEP BELEGU, vjeç 50

31   FAZLI MUZLIA, vjeç 60 (nga Podrima)

32   RAMË AHMETI, vjeç 60 (nga Strellci)

33   SELIM HOXHA, vjeç 60 (nga Drenica) me dy djemtë:

34   RESHIT HOXHA, vjeç 22 dhe

35   ÇERKIN HOXHA, vjeç 20

36   JAHJA ÇARKAXHIU, vjeç 40 dhe

37   HAXHI HELSHANI, vjeç 60 (dyqanxhinj nga Gjakova)

38   MET HASANI, vjeç 70

39   OSMAN AGA, vjeç 40 (nga Rashkoci – kryetar i komunës së Cërmjanit)

40   SADIK KOKALLA, vjeç 35 (nga Cërmjani, polic i Osman Agës)

41   RAMË S. SADRIAJ, vjeç 35 (nga Kosuriqi, komuna e Pejës)

42   AVDI GASHI, vjeç 21 (nga Buqani, komuna e Pejës)

43   DIN BALA, vjeç 25 dhe vëllai i tij

44   MAXHUN BALA, vjeç 30 (nga Llugaxhia)

45   KAMER SYLA, vjeç 60 (nga Llugaxhia)

46   MEHMET ALIA, vjeç 25

47   ALI HATA, vjeç 25 (jevg)

48   SEFA … (me vëlla dhe dy djem, të anës së Drinit)

49   Vëllai i Sefës, vjeç 35 …?

50   Njëri djalë i Sefës ………………..?, vjeç 25 dhe

51   Tjetri djalë i Sefës ………………..?, vjeç 22.

                         

                          …………………………………..

                              Të tjerët nuk dihen ?…

 

          Ja, pra, kjo ishte Jabllanica e asaj ditëvere të zezë të vitit 1921. Në Kodër të Madhe, e aty-këtu buzë rrugëvë të fshatit – kufomat mbi dhe… Ata që mbesin: gra, fëmijë e ndonjë tjetër, të tmerruar, kërkojnë të strehohen dikah… Marrin iken, ja mësyjnë maleve… Zbrazet fshati. Jabllanica e braktisur… Kullat shkret, fushat shkret. Nëpër fushë ndonjë kope e vogël pa bari, nëpër rrugica ndonjë kafshë e trembur pëllet dhembshëm, e kuisjet e ndonjë qeni lënin përshtypjen sikur edhe ata e kishin kuptuar tragjedinë… Por, krejt kjo, nuk është edhe fundi i dramës!…  Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …