leoni

Dr. Zeqir Veselaj: Dita pandemike e Tokës

Prof. Zeqir Veselaj: Një “quo vadis” për mjedisin

 Zgjedhjet e vitit 2019 prodhuan një moment të befasishëm për qytetarin e Kosovës. Sollën siç edhe pritej ndryshimin: rotacion të opozitës me pozitën në qeverisjen e vendit por jo shumë edhe në skenën politike. Janë po ato parti, shumica e politikanëve të njëjtë përgjatë dekadës, ndërsa fillimi tregoi se raporti pozitë-opozitë do të mbetet i njëjtë dhe epik për mentalitetin tonë dhe larg standardeve demokratike. Në fushën e mjedisit, u bë ndryshimi më i madh në 18 vjet, jo për të mirë fatkeqësisht.

Përderisa pas zgjedhjeve zhvilloheshin negociatat për koalicion, premtohej reduktimi i ministrive, një gjë që i gjithë qytetarët e mirëpritën shumë. Ministri fantome si ajo e inovacionit, ndërrmarrësisë, zhvillimit rajonal dihet se për çfarë qëllimesh ishin formuar. Disa akrobacione resoresh mes ministrive të shëndetësisë, arsimit, kulturës, sportit etj. fatmirësisht përfunduan mirë duke ruajtur resorët si kanë qenë. Flitej koluareve se si pjesë e reformimit, mjedisi do t`i bashkohej një ministrie tjetër. Thellë në vetvete nuk e besonim duke u ballafaquar situatën e rëndë mjedisore.

Dhe ndodhi që ministria e mjedisit iu bashkangjit asaj të infrastrukturës. Madje u ndryshua edhe emri kushtetues: nga “mjedis” që është në Kushtetutë, në “ambient” siç është tani (nëse është edhe zyrtarisht ky emri i ri). Mirëpo çështja e emrit është sekondare në këtë kontekst, edhe pse u cënua kushtetuta. Vështirë të besohet se nga ky mandat i proklamuar si e shpresës, nuk do ketë më resor të veçantë për mjedisin.

Arsyeja e parë ishte se Ministria e Mjedisit me themelimin e institucioneve të përkohshme qeverisëse nën mandatin e UNMIKU-ut ishte ndër ministritë e para dhe më kryesoret. Ndërkombëtarët më shumë se vet ne, e panë një vend me një natyrë të mrekullueshme që duhej të mbrohej gjatë rindërtimit të pasluftës. Pas themelimit, nga ajo ministri u sponzorua dhe më pas u aprovua ligji i mjedisit si një nga 10 ligjet e para të pasluftës.

Arsyeja e dytë, ka të bëjë me rolin që zë mjedisi në politikat globale, të BE-së dhe shteteve të civilizuara. Po të mos ishte me rëndësi si resor dhe sektor, BE-ja ku ne aspirojmë të anëtarësohemi ka “ministri” të veçantë në kuadër të komisionit Evropian (DG Environment si institucion përgjegëse për politikat mjedisore të BE-së) si dhe një komisioner të veçantë për mjedisin (ekuivalent i ministrit) që aktualisht është Virginijus Sinkevicius nga Lituania. A ka rrezik të humben donacionet për mjedisit, kjo do të shihet në të ardhmen. Të gjitha vendet e rajonit kanë ministri të mjedisit qoftë të veçanta si p.sh. Suedia, Finlanda, Serbia nga rajoni apo të bashkangjitura me sekorët tjerë si pylltaria, turizmi, planifikimi hapësinor, energjia, (Shqipëria, Maqedonia, Kroacia) e deri me energji nukleare (Gjermania). Mirëpo edhe aty ku është e bashkuar, fjala e parë e emërtimit gjithmonë është mjedis. Fjala e parë e emërtimit e përcakton qëllimin e parë të institucionit. Vetëm Holanda e ka ngjashëm organizimin si Ministri të Infrastrukturës dhe Mjedisit. Holanda dhe Kosova, mirëpo dy ekstreme në fushën e mjedisit.

Pavarësisht se ndër ministritë e para të themeluara, duhet pranuar se resori i mjedisit ka qenë një nga më të neglizhuarit përgjatë historisë institucionale të Kosovës së pasluftës. Me përjashtime të vogla, në shumicën e mandateve u është dhënë minoriteteve, ose partive e listave politike pa kurrfarë fuqie elektorale e as politike për të bërë diçka më shumë. Prandaj edhe mjedisin sot e kemi në gjendjen që e kemi. Buxheti për mjedis historikisht ka qenë tradicionalisht më i vogli në ndarjet vjetore buxhetore. Po të mos ishin infuzionet e komunitetit të donatorëve ndërkombëtar, zor se do ekzistonin edhe ato pak rezultatet pozitive që mund të shohim. Çdo Raport i Progresit të Komisionit Evropian ka vlerësuar kapacitetet e dobëta dhe secili ka rekomanduar se “qeveria duhet të forcoj kapacitetet administrative në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike”. Rezultati i zbatimit të atyre rekomandimeve po shihet. Zatën injorimi i përvitshëm i këtij por dhe rekomandimeve në përgjithësi të BE-së, ka bërë që rruga e integrimit të Kosovës ka mbetur në pikën zero. Madje as liberalizimi të vizave nuk ka. Dhe në këtë pikë do mbetet pavarësisht se jemi i vetmi vend që me pushim zyrtar ironikisht e festojmë Ditën e Evropës, e kemi ministri për integrim evropian.

A kemi qenë të kënaqur me punën e ministries së mjedisit? Aspak. Ministria bart përgjegjësinë për gjithë degradimin mjedisor që ka ndodhur në pasluftën e Kosovës. Shpesh nga pafuqia e saj pët t`iu kundërvënë presionit të shefave politik e biznesor, por jo rrallë edhe me “pëlqimet mjedisore” me shije korruptive, e të cilat një ditë do të duhet të hyjnë nën llupën e hetimit për krim ekologjik ndaj shtetit dhe qytetarit.

Reagimi i munguar?

Çuditërisht dhe dëshpërimisht reagimi publik mungoi plotësisht. Nuk pati reagim të opozitës e cila qartet ndaj pozitës edhe për gjëra shumë më të vogla. Por duket se edhe për ta mjedisi është në rubricën “etj”. Mungoi edhe reagimi i lëvizjes mjedisore (nëse mund ta quajmë të tillë), e cila e frustruar me kauzën e drejtë për mbrojtjen e Badovcit, sikur u pajtua që “për një plesht të digjet jorgani”, pra të shuhet ministria që paska dhënë lejen për kompleksin e vilave. Megjithatë problemet mjedisore nuk kanë filluar dhe as nuk do përfundojnë me Badovcin, e ministri me adresë për problemet mjedisore më nuk ka. Mungoi edhe reagimi i partnerëve ndërkombëtar që po financojnë në fushën e mjedisit. Dorën në zemër, pse të reagojnë ata kur populli që po prin në listat e ndotjes dhe të pasojave në shëndet nuk bëzan. Jo se ndoshta reagimi i ambientalistëve dhe qytetarëve do ua ndërronte mendjen partnerëve të koalicionit për vendimin, po të paktën të mbetej një shenjë mospajtimi në histori dhe përmirësim gabimi pas mandatit të kësaj qeverie apo në të ardhmen.

Tani do të dëgjojmë justifikime se ministria e mjedisit vetëm i është bashkangjitur një ministrie tjetër dhe nuk është shuar. Bile edhe se do të ketë fuqi edhe më të madhe pasi i është bashkangjitur një ministrie të fuqishme ku fjalët kyçe janë: investime, euro, ndërtim, tendera, autostrada etj. Duke parë se resori i mjedisit edhe si i veçantë është trajtuar për gjynah në këtë shtet, mund të imagjinohet se si do të trajtohet në bisht të një ministrie tjetër sidomos te ajo e infrastrukturës. Një anakronizëm fillestar: pëlqimet mjedisore për projektet e infrastrukturës, të cilat po e shkatërrojnë pamëshirshëm mjedisin e vendit tonë do t`i lëshoj vet ministria që i sponzoron ato. Ministria që do ndërtoj rrugë e infrastrukturë që kanë ndikim potencialisht negativ në mjedis do të marr pëlqime mjedisore nga vet-vetja duke bërë “be e rrëfe” se do respektoj ligjet e mjedisit. Konflikt më i hapur interesi, nuk ka se si bëhet.

Në aktivitetin mjedisor “Odise- Ekologji(k)a kosovare” në dhjetor 2019, kur ende vazhdonin negociatat për koalicion e pata pyetur një deputet të mazhorancës së sotme, se shuarjen e ministrisë së mjedisit me këtë gjendje a e konsideroni progres apo regres?. Ai deputet ka qenë edhe zëvendës-ministër mjedisi në një qeveri jashtë Kosovës. U përgjigj se “nuk është me rëndësi të jetë ministri, pasi ne mendojmë ta bëjmë mjedisin pjesë të të gjitha politikave zhvillimore dhe dikastereve qeveritare”. Përgjigje ideale për një shtet normal ose e mirë për të dal nga situata në një shtet si ne. Apo ndoshta edhe të ndodh mrekullia që në çdo ministri do të formojnë nga një zyre për mjedis siç janë p.sh ato për integrimin evropian (që prapë e ka ministrinë e veçantë)!.

Asnjëherë nuk shoh arsye të besueshme se Kosovës nuk i duhet ministri e veçantë për mjedisin. Kjo duke marrë për bazë numrin e vdekjeve të parakohshme dhe vite jetë të humbura nga pasojat e ndotjes së ajrit, problemet me sasinë dhe cilësinë e ujit, degradimi i natyrës dhe obligimet ndërkombëtare që na presin. Ky ripozicionim i mjedisit (përfshi ujërat, planifikimin hapësinor, zonat e mbrojtura natyrore etj.) do e lë në bisht të prioriteteve edhe idetë për një mjedis më të shëndetshëm dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Pak ka rëndësi se kush ishte ministër dje, kush është ministër aktual dhe kush do të vij më pas. Nuk gjykohen institucionet sipas asaj se kush i udhëheq pasi pozitat janë provizore siç jemi të gjithë në këtë botë.

Qytetari i Kosovës tash ballafaqohet me dy mungesa të mëdha për një jetë cilësore: e para pa të drejtën kushtetuese për mjedis të shëndetshëm. E dyta mbeti edhe pa ministri në Qeveri që pasi kishte zhvilluar një kornizë solide ligjore dhe politike, sadopak kishte shpresë të fillonte të vepronte për një mjedis më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm.

(Prof. Zeqir Veselaj  është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …