Profesori Azem Gashi, fitues i Çmimit “ Art Klina 2017”

Në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Klinës në Galerinë e Qendrës së Kulturës “ Jehona e Dukagjinit” në Klinë, është mbajtur manifestimi tradicional “Art Klina 2017”, edicioni i tretë. Pjesëmarrës në ekspozitën e konkursit për çmimin “Art Klina” kanë qenë 17 piktorë, skulptorë e artkrijues nga Komuna e Klinës dhe komunat tjera të Kosovës. Juria në përbërje: Idriz Berisha, Prend Buzhala dhe Sanije Zenunaj, fitues të çmimit “Art Klina 2017”, e kanë shpallur profesorin Azem Gashi. Vendi i dytë sipas jurisë i ka takuar piktores Shkurta Haxhia, ndërsa të tretin skulptori Butrint Morina. Profesor, Idriz Berisha, piktor, me këtë rast ka thënë se ky edicion, solli krijues të mirëfilltë brezash e zhanresh të ndryshëm, krijues të dëshmuar nga brezi i parë i Akademisë së Arteve gjerë te studentë në master për pikturë, skulpturë, grafikë, dizajn e tjera. “Përzgjedhja e veprave konkurruese, sivjet, solli krijime që i dhanë frymë arti. Kryesisht janë gjurmë të fshehura thellë në ndërdijen e krijuesve, duke krijuar harmoni të këndshme artistike në pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn. Artistët pjesëmarrës përmes këtyre krijimeve po përçojnë mesazh emancipues se arti është produkt shpirtëror estetik”, tha Berisha. Në këtë manifestim foli edhe Haxhi Ibishi në emër të pushtetit lokal. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të manifestimeve të shumta që janë organizuar në këtë komunë për nder të festës së 28 Nëntorit. Të dielën janë zhvilluar edhe aktivitete sportive në Palestrën e Sportit “Adem Jashari” në Klinë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …