Halil Braha

Profesori, Halil Braha nxori në dritë dy libra, përmbledhjen poetike: “Ku jemi” dhe librin “Fjala e urtë në shërbim të jetës”

Veprimtari, profesori e poeti,  Halil Braha, nxori në dritë dy libra, përmbledhjen poetike:  “Ku jemi” dhe librin, “Fjala e urtë në shërbim të jetës”.

Veprimtari,  Halil Braha, gjatë tërë jetës punën dhe veprën e tij ia ka kushtuar popullit, atdheut, arsimimit kombëtar, ndërsa  ka marrë pjesë në proceset më të rëndësishme të zhvillimeve kulturore e arsimore të kohës sonë.

Në vitet e rinisë ka bashkëpunuar me gazetat dhe revistat e kohës. Profesori Halil Braha merret edhe me klasifikimin dhe trajtimin e bimëve mjekuese.

Pas thellimit të dijeve dhe përvojës që ka fituar në këtë profesion ai ka regjistruar edhe firmën, “Brahomed”, në Vushtrri  ku merret aktivisht me këtë veprimtari të mjekësisë alternative popullore, në të cilën ka treguar sukses meritor.

Përmbledhja  poetike, “Ku jemi”, është pasqyrë e angazhimit të tij intelektual,  atdhetar, por duke qenë edhe  kritik i  e fshikullues i pamëshirshëm i dukurive devijuese të shoqërisë.

Përmes fjalës së latuar  artistike, ai ka arritur të vë në spikamë probleme të ndryshme të shoqërisë sonë  qofshin ato të përditshmërisë, të së kaluarës apo të botës shpirtërore intelektuale. Poezitë e Halil Brahës, kanë mesazh, janë poezi moralizuese me karakter edukativ, por edhe shpotitëse, satirike e humoristike.

Ai është pasues i poezisë së angazhuar sociale, i poezisë tradicionale. Shkuan me stofa, rimë të përpunuar me kujdes, ndërsa përfillë metrikën popullore të shkrimit por edhe vargun e lirë. Poezia e Halil Brahës karakterizohet me temat dhe motivet shoqërore, gjithnjë në përpjekje për ta afirmuar njerëzoren, të moralshmen, tolerancën, mirëkuptimin, barazinë shoqërore dhe vlerat e mirëfillta mbi të cilat qëndron diga kryesore e qytetërimit të mirëfilltë.

Në përmbledhjen me aforizma: “Fjala e urtë  në shërbim të jetës”, profesori e krijuesi, Halil Braha ka  paraqitur një nivel të lartë të mendimit filozofik, në pasqyrimin subjektiv të realitetit objektiv. Duke qenë vrojtues i vëmendshëm i realitetit, kritik i dukurive negative dhe i moralit të rrejshëm, mbështetës i traditës utilitare, moralist në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ai ka arritur të krijojë një botë origjinale të perceptimit real të disa fenomeneve të jetës në përgjithësi, sidomos ato edukative, në veçanti edhe ato që kanë të bëjnë me specifikat tona kombëtare, sikur është besa, mikpritja e të tjera.

Aforizmat e prezantuara në këtë libër shtrihen mbi  një gamë të gjerë të problemeve shoqërore, gjithnjë aktuale, me të cilat ballafaqohet përditë njeriu. Ato përveç karakterit edukativ e moralizues,  kanë edhe porosinë e urtë, e cila shëron shpirtin e njeriut, që ka dilema jetësore, të njeriut i cili nga padituria i rëndon jetën vetes dhe rrethit të tij.

Aforizmat e tij janë edhe shprehje e një përvoje të gjatë të jetës, duke qenë i përballur me dhunën, shtypjen, mungesën e lirisë së shprehjes dhe jetën nën robërinë e pushtuesve të ndryshëm.

Autori  i këtij libri, profesori e veprimtari, Halil Braha, tani në moshën e tretë ende është vital, i shëndetshëm, aktiv në jetë, një intelektual me frymëzime e rrezatime pozitive, i cili nuk ndalon në punën dhe veprimtarinë e tij, e cila në radhë të parë është në shërbim të njeriut, të mirësisë, dashurisë, mirëkuptimit, solidaritetit dhe emancipimit të mirëfilltë bashkëkohor.  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …