Adil Fetahu

PROGRAM KOMBËTAR, APO PAMFLET POLITIK; ÇKADO QOFTË – ËSHTË ME RREZIK!.

Në vargun e planeve dhe programeve serbe për Serbinë e Madhe, që nga ‘’Naçertinia’’ (1844) e deri më sot, strukturat shoqëerore, shtetërore, kishtare, shkencore e kulturore kanë nxjerrë e miratua shumë plane, programe, rezoluta, deklarate, memorandum e akte tjera, me emra e përmbajtje të ndryshme, por të gjitha me të njëjtin synim – hegjemonizmin serb dhe krijimin e Serbisë së Madhe.  Kohëve të fundit, termin Serbi e Madhe e kanë zëvendësuar me një terminologji tjetër dhe po e quajnë ‘Bota Serbe’. Në këtë frymë të Botës Serbe, alias Serbisë së Madhe, para pak ditës (31 korrik 2024) Kuvendi i Serbisë miratoi të ashtuquajturën Deklarata për mbrojtjen e interesave kombëtare, të drejtave politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb.

Pas miratimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi gjenocidin serb në Srebrenicë (23 maj), pak ditë më vonë (8 qershor) u mbajt në Beograd i ashtuquajturi Tubimi panserb, me ç’rast u miratua Deklarata për mbrojtjen e interesave kombëtare, të drejtave politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb.

Tubimin panserb nuk e përbënte populli serb as partitë e tij politike,  por strukturat e udhëheqjes shtetërore, kishtare, akademike e politike të Serbisë dhe të Entitetit të serbëve të Bosnjës. Në atë ‘’bullumentë’’ krerësh serbë ishin: kryetari i Republikës së Serbisë, Aleksandrar Vuçiq,  kryetari i Etitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik; patriarku  Porfirije me arkierejtë dhe popa tjerë të KOS: kryetarët, nënkryetarët dhe deputetët e Kuvendit të Serbisë dhe ata të Kuvendit të Entitetit serb të BH (Republika Srpska); kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e qeverisë së Serbisë dhe ata të Qeverisë së Entitetit serb të BH, kryetari dhe anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë: kryetari dhe anëtarët e ‘’Matica srpska’’

 Në kuadër të atij Tubimi panserb, Qeveria e Serbisë dhe Qeveria e Entitetit serb të BeH mbajtën mbledhjen e përbashkët, në të cilën miratuan Deklaratën e përmendur dhe ia prezantuan Tubimit panserb për miratim, që u miratua dhe thuhet se u nënshkruar nga të gjithë të pranishmit, me rekomandimin që Deklaratën ta ratifikojnë Kuvendi i Serbisë dhe Kuvendi i Entitetit serb të BeH.

Kuvendi i Entitetit serb e miratoi Deklaratën e Tubimit panserb, në mbledhjen e mbajtur më 2 korrik,  ndërsa Kuvendi i Republikës së Serbisë e miratoi më 31 korrik (2024), me 139 vota ‘pro’, nga 154 deputetë të pranishëm në sallë. Deklarata ishte pika e parë nga 60 pikat e rendit të ditës të seancës së filluar më 23 e të përfunduar më 31 korrik.  Gjatë diskutimit për Deklaratën, herë flitej për përmbajtjen e Deklaratës, herë për Litiumin që ka shkaktuar protesta gjithandej në Serbi. Dhe, sipas gjasave, vënia e Deklaratës në rendin e-ditës së Kuvendit, kishte për qëllim t’i zbuste pak ‘zemrat patriotike serbe’ të indinjuara nga problemi i Litiumit. Kryetari i Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke arsyetuar propozimin për miratimin e Deklaratës, tha se ‘’Deklarata paraqet bazën politike të çasjës institucionale se si e në ç’drejtim duhet ta udhëheqim politikën e shtetit dhe kombit në të gjitha rrethanat dhe është një program kombëtar të cilin duhet t’ia prezantojmë bashkësisë ndërkombëtare’’.

Përmbajtja e Deklaratës

Deklarata (e shtypur në 10 faqe A/4, përveç preambulës së gjatë gadi dy faqe shtypi, përmban 49 pika, më të gjata a më të shkurtëra, falsifikime, mite, gënjeshtra e trillime,  të formuluara në formë të konkluzave, qëndrimeve dhe qëllimeve që duhet të arrihen, me veprimet që duhet të ndërmarrin organet e shtetit, kishës, shkencës dhe kulturës, për mbrojtjen e serbëve në rajon e në botë, dhe për ruajtjen e identitetit, gjuhës e kulturës serbe.

Pjesa më agresive e Deklaratës ka të bëjë me Kosovën, duke e trajtuar këtë si pjesë të pandashme të Serbisë. Qëllime aspak më të mira nuk ka edhe ndaj Bosnje-Hercegovinës, por në këtë analizë do përqendrohem në pjesën që ka të bëjë me Kosovën.

Që në Preambulë, dy paragrafë të Deklaratës i referohen Kosovës, me këtë përmbajtje:

‘’Duke respektuar të drejtën e Serbiës për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtën e sovranitetit dhe integritetit territorial, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit;

Duke u nisur nga Kushtetuta e Republikës së Serbisë, e cila në preambulën e vet thekson traditën kombëtare të popullit serb dhe që Kosovën e Metohinë i definon se janë pjesë të pandashme të Republiëks së Serbisë…’’, në pjesën ‘normative’ të Deklaratës katër pika (11,12, 13, e 14) i referohen ekskluzivisht Kosovës, me këtë përmbajtje:

‘’11. Tubimi panserb konstaton se Kosova e Metohia janë pjesë të patjetërsueshme të Republikës së Serbisë, njëra komponentë e identitetit serb, që paraqet themelin shpirtëror të popullit dhe gurthemelin e betimit serb në rrugën svetosavle. Tubimi panserb  insiston në shfrztëzimin e emërtimit të plotë të krahinës jugore serbe – Kosova dhe Metohia, gjë që secesionistët shqipptarë po i shmangën;

  1. Tubimi panserb mbështet përpjekjet që Republika e Serbisë po i bënë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuara me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 e me rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe të drejtën e Republikës së Serbisë që po ia kushton mbetjes së popullit serb në Kosovë e Metohi. Tubimi panserb kërkon dhe konsideron se me të gjitha mjetet e disponueshme juridike, politike ,ekonomike dhe me mjete tjera duhet të mbrohen serbët në Kosovë e Metohi, si dhe të gjithë qytetarët tjerë lojalë ndaj Republikës së Serbisë, manastiret, kishat, kështjellat mesjetare, prona private, varrezat dhe objektet e tjera të rrezikuara;

13, Tubimi panserb gjykon krijimin e qëllimshëm të kushteve të padurueshme për jetën e serbëve dhe përndjekjen e tyre që po zbatojnë organet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë.  Ai respresion i koordinuar, i planifikuar dhe gjithëpërfshirës i secesionistëve shqiptarë ndaj popullatës serbe në Kosovë e Metohi, gjatë viteve të kaluara ka rezultuar me shpërnguljen e përshpejtuar të serbëve nga Krahina dhe me përkeqësimin drastik të pozitës së asaj pjese të popullatës serbe e cila, përkundër terrorit brutal me motive etnike, ka mbetur të jetojë në pronat e veta. Tubimi panserb pret që Republika e Serbisë do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe jetën e qytetarëve të vet në Kosovë e Metohi, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat e parapara me të drejtën e brendshme dhe atë ndërkombëtare;

  1. Tubimi panserb insiston në realizimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të gjitha aspektet e saj;

Tubimi panserb konsideron se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, formimi i Bashkësisë së komunave serbe dhe dialogu permanent, është rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve…’’.

Ka edhe në pikat tjera të Deklaratës çështje që ‘fërkohen’ me Kosovën, si ajo për gjeografinë nacionale, trashëgimin kulturo-historike të popullit serb në hapësirën e tij kulturore; mbajtjen dhe themelimin e shkollave të reja në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe: organizimin e kampeve të nxënësve e studentëve, të shkollave sezonale dhe manifestimeve të ndryshme kulturore (pika 31 e 32); rekomandimi që Republika e Serbisë dhe Republika Srpska në mënyrë kontinuele dhe të përbashkët ta ndihmojnë popullin serb në rajon dhe në diasporë, që këto (Serbia dhe Srpska) të mbrojnë trashëgiminë kulturore të popullit serb të rrezikuar jashtë Republikës së Serbisë dhe Srpskes (36).

Pjesa më e madhe e tekstit të Deklaratës i referohet raportit me Federatën e Bosnje-Hercegovinës, duke atakuar edhe atë në mënyrë perfide sovranitetin e atij shteti e duke unifikuar planet, programet dhe aktivitetet politike, ekonomike, arsimore e kulturore të  Entitetit serb të Bosnjës, sikur me qenë pjesë e shtetit të Serbisë. Dhe ky është koncep i mohimit dhe cenimit të sovranitetit të BH, sipas asaj që thoshte Dobrica Qosiq, se ‘’Republika srpska është e vetmja fitore e luftës së popullit serb në gjysmën e dytë të shekullit 20, i vetmi trofe lufte i Serbisë’’.

Sa i përket raportit ndaj Kroacisë, Deklarata insiston në rikujtimin dhe internacionalizimin e ‘gjenocidit’ që gjoja ka pësuar populli serb nga NDH në kohën e Luftës së Dytë Botërore.

***

Deklarata e Tubimit panserb, e miratuar nga qeveritë dhe  paralementet e Serbisë dhe  ‘Republiks srpska’, e miratuar,  bekuar e nënshkuar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, është akti më gjithpërfshirës nacionalist, klerofasisht, i formuluar si politikë zyrtare dhe strategji e veprimit të shtetit të Serbisë dhe të asaj kreaturës gjenocidale të quajtur ‘Republika srpska’ dhe të gjithë faktorëve të shoqërisë së popullit serb në Serbi, në Bosnje, në shtetet e rajonit dhe në botë, të quajtur  në mënyrë pezhorative si hapësirë shpirtërore e popullit serb.

Deklarata, si program kombëtar, e kthen Kishën Ortodokse Serbe në rolin që ka pasur në Mesjetë, duke e bërë pjesë të rëndësishme integrale të institucioneve të shtetit,  sepse atë e konsideron faktorin kryesor për depërtimin e klerofashizmit dhe nacionalizmit serb në shtetet e rajonit ku ekziston minoriteti serb, kinse për ruajtjen e identitetit, ndërsa ka për qëllim destabilizimin dhe defunksionalizimin e shteteve fqinje përmes nacionalizmit destruktiv serb në rajon.  Shteti do t’i ofrojë kishës mbështetjen logjistike për realizimin e qëllimeve të programuara. Një poet serb, Rajko Petrov Nogo, që ishte përkrahës i Karxhiqit dhe Mlladiqit,  e pat thënë me një rast: ‘Hapësira kulturore serbe gjithnjë na paraqitet kur humbim territore. Atë që nuk mund ta arrijmë me kufijtë e shtetit, me ushtri, polici e dogana, do ta arrijmë e ruajmë  me aktivitete kulturore e shpirtërore deri në kohë të caktuar.  ‘’Kad nema tenkova i haubica, dobra je i çirilica/, kad nema Ratka Mladica, dobar je i patrijarh’’ (kur nuk veprojnë tanke e haubica, është e mirë edhe çirilica/, kur nuk është Ratko Mlladiqi, (zëvendësim) i mirë është edhe patriarku!).

*

Kundër Deklaratës së Tubimit panserb, që tashmë është shndërruar në program zyrtar të shtetit dhe të popullit serb, janë deklaruar në mënyrën më të butë faktorët ndërkombëtar. Ambasada e ShBA-ve në Sarajevë, në reagimin e saj ka thënë se ‘’Konkluzat e miratuara në Deklaratë janë sulm i paramenduar kundër Marrëveshjes së Dejtonit dhe kundër  institucioneve të Bosnje-Hercegovinës’’.

Bashkimi Europian, në reagimin e vet ka thënë se ‘’Sovraniteti dhe integriteti territorial, rendi kushtetues dhe identiteti ndërkombëtar i Bosnje-Hercegovinës nuk mund të rrënohen dhe se çfarëdo aksioni kundër këtyre parimeve, do të shkaktojë pasoja serioze’’.

Por, në raport me Kosovën, që Deklarata është shumë më agreisve dhe kërcënim i drejtpërdrejt i sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe i sigurisë në rajon dhe Europë, as Ambasadës amerikane në Kosovë, as Bashkimit Europian në Bruksel nuk i bënë përshtypje për të reaguar me asnjë gjysëmfjalie!

As shtetit të Kosovës as shtetit të Shqipërisë përmbajtja e asaj Deklarate, nuk iu bëri përshtypje, thuase nuk ka të bëjë asgjë me rrezikimin e Kosovës dhe të rajonit!

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: Kundër një sulmi të Bilall Kasemit të Partisë BESA, të dhënë në një studio të TV 21

Kosumi godet partinë BDI-n, duke sulmuar gjithashtu Ali Ahmetin. Ai e quan BDI-në, si trashëgimtare …