Prokuroria në Gjykatën Themelore të Mitrovicës beson se Oliver Ivanoviq ishte anëtar i forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe prej vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Në fjalën përmbyllëse në gjykimin e politikanit serb, Oliver Ivanoviq dhe katër serbëve të tjerë që akuzohen për krime lufte ndaj shqiptarëve, prokurori e quajti të dyshimtë alibinë e të akuzuarve për ngjarjet e përmendura në aktakuzë. Prokuroria theksoi se ka dëshmi që të pandehurit janë fajtorë. Duke folur për ngjarjet e 14 prillit të vitit 1999, kur në pjesën veriore të Kosovës në Mitrovicë u vranë 20 shqiptarë, prokurori, mes tjerash, tha se disa dëshmitarë e kanë identifikuar edhe Ivanoviqin, si pjesëmarrës atë ditë. Poashtu, prokurori i rastit beson se Ivanoviq ishte njëri nga themeluesit e ‘Rojave të Urës’, një formacion ky është marrë me spastrimin etnik të shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës. Në gjykimin e zhvilluar kundër Ivanoviqit dhe katër serbë të tjerë, u dëgjuan 55 dëshmitarë, dhe gjykimi filloi më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Oliver Ivanoviq bashkë me serbët, Dragoljub Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Lazoviq, akuzohen për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në vitin 1999 dhe 2000.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim
Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …