Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 nëntor të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë kundër 14 policëve, 31 qytetarëve dhe 28 biznesmenëve, të cilët akuzohen për kontrabandim me mallra, bixhoz të paligjshëm dhe vepra tjera në rastin “Karaçeva”, lëndë e cila do të gjykohet në Gjykatën në Kamenicë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra. Po ashtu, sipas njoftimit asnjë prej të pandehurve nuk gjenden në ndonjë masë të sigurisë.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 5 nëntor 2021 për rastin “Karaçeva” ngarkon 14 zyrtarët policorë Ferid Leci, Hydush Kastrati, Sokol Keka, Imer Spahiu, Fatmir Kallaba, Asllan Kryeziu, Feat Zeqiri, Raif Thaqi, Selami Geci, Slavisha Nikoliç, Zlatan Arsiç, Naim Krasniqi, Naim Selishta dhe Fitim Kryeziu. Zyrtarët policorë po akuzohen për veprën penale Kontrabandimi i mallrave, vepër kjo për të cilën mund të dënohen deri në 10 vjet burg.