Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se është arrestuar serbi i dyshuar për krime lufte, Milosh Pleskoviq, i cili ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve, në lagjen “Hoqa” në Prizren, në vitin 1998. Me urdhër të prokurorit të çështjes, Pleskoviq gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, ndërkohë që do të dërgohet te Gjyqtari i Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor. Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se pas një pune intensive hetimore të Policisë së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të luftës dhe me autorizim të Prokurorit Special, është arrestuar serbi Millosh Pleskoviq, shtetas i Kosovës dhe Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, thuhet në njoftim.
