Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve, deputetë të Kuvendit të Kosovës Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, lidhur me përleshjen fizike të dt. 13 korrik 2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës. Sipas aktakuzës, të pandehurit, ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Hajdar Beqa gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321. Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
