Në gjykimin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të akuzuarve të tjerë për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Ilirjana Çollaku Tafa, ka kritikuar ashpër ekspertizën financiare të paraqitur nga eksperti Shaip Bytyqi, duke e cilësuar atë si të paargumentuar ligjërisht, joprofesionale dhe të pabesueshme. Ajo theksoi se konstatimet e ekspertizës nuk mund të pranohen nga një logjikë e shëndoshë. Eksperti Bytyqi mbrojti ekspertizën e tij, duke deklaruar se të dhënat e paraqitura ishin të bazuara në fakte dhe dokumentacionin në dispozicion. Prokuroria pretendon se mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të destinuara për informimin e qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, u përdorën për promovimin e fushatës elektorale të ish-ministres Hoxha. Seancat e radhës janë caktuar për më 9 dhe 10 shtator 2024.