Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Proletar Hasani: Lufta e UÇK-së dhe kolonel, Dilaver Goxhaj

(Parathëni e librit “Rruga qe me çoi ne radhët e UCK-së”)

Lufta e UÇK-së dhe e NATO-s për çlirimin e Kosovës tashmë i përket historisë dhe është bërë e njohur në mbarë botën. Për çdo shqiptar,por jo vetëm për ta, është fiksuar e plotë me penelata dhe drita fort realiste tragjizmi, shpërngulja biblike, masakrat, epiciteti, heroizmi, gjithë historia e përgjakur e popullit martir të Kosovës. Kjo ka ndodhur para syve të të gjithëve që janë dëshmitarë edhe të përmasave të egërsisë, mizorisë e të gjenocidit të pa parë në ditët tona, kundër krejt një populli të pafajshëm.

Tani Kosova është e lirë dhe kohët e ankthit e të tragjizmit të pashoq mbetën pas, por jo fort larg. Ato janë ende të freskëta, të gjalla, plagët, të rënët, shkatërrimet, dramat dhe dhimbjet e njerëzve të shumtë, gjë që do të thotë se asgjë nuk duhet dhe s’mund të harrohet. Për të gjitha këto janë shkruar qindra e mijëra shkrime e studime analitike dhe dhjetëra libra. Një prej tyre është edhe ky, i shkruar e i përmbledhur nga një autor shqiptar disi i veçantë për nga historia e lidhjeve me luftën në Kosovë dhe me vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK-në). Kur autori i këtij libri nisi të hidhte në letër e të botonte artikujt e parë që përmblidhen në këtë libër, ai nuk e dinte se ata do të ishin gjurmët dhe rruga që do ta çonte atë drejt luftës në Kosovë dhe në rreshtat e UÇK- së,që ai, si çdo shqiptar atdhetar, i adhuronte dhe i çmonte ato si njerëzit dhe si pjesën e atdheut të tij.

Por e veçanta e këtij libri qëndron në faktin se autori i tij e shkroi atë, duke e njohur e duke e përjetuar luftën e Kosovës nga afër, në rolin e luftëtarit dhe të drejtuesve të UÇK-së, që e njohu, e ndjeu dhe e përjetoi vetë ashpërsinë dhe madhështinë e kësaj lufte. Prandaj do të thosha se ky libër është disi ndryshe!

Ishte pikërisht zanafilla e këtyre shkrimeve të ndjera, që autori i shkroi pa asnjë referencë apo porosi, por veçse për qëllime atdhedashurie që e çuan atë krejt natyrshëm në rrugën për në radhët e luftëtarëve të UÇK -së, madje në krye të saj, pranë Shtabit të Përgjithshëm. Kësisoj, ai vuri në shërbim të saj jo vetëm zëmrën dhe penën, por edhe mendjen dhe gjithë profesionalizmin e tij prej intelektuali dhe ushtaraku, duke vërtetuar vazhdimësinë dhe përkatësinë e njëjtë, të të qenit shqiptar. Kësisoj autori e pa veten si pjesë përbërëse e luftës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

* * *

Libri “Rruga që më çoi në radhët e UÇK-së”, përmes linjës së shkrimeve të përmbledhur në të, ngjason me një kronikë mjaft besnike e realiste e kohës, ku janë regjistruar hap pas hapi e për çdo ditë luftimet, ngjarjet, konflikti, kriza dhe lindja e organizimi i lëvizjes,të kryengritjes së armatosur, krejtësisht të ligjshme e vet- mbrojtëse të popullit martir kosovar. Të gjitha këto “konstrukte”të ngritura dhe të bazuara mirë mbi durimin dhe zemërimin epik të një populli tragjikisht të vuajtur, të shtypur e të përgjakur në tokën dhe në të drejtën e tij ! Kjo ndodh sepse autori i librit është një përjetues dhe vëzhgues i përditshëm ,aktiv dhe i afërt i kësaj lufte dhe i forcave që bënë luftën dhe sollën lirinë edhe me ndihmën e NATO-s. Ai ka jetuar çdo ditë me luftën e popullit shqiptar në Kosovë.

Përmes këtyre shkrimeve zbulohet një veprimtari shumë interesante e tij në argumentimin dhe në ndihmesën për të zbuluar shkaktarët e vërtetë të tragjedisë kosovare,shkakun e sajuar shekullor sërb për të përligjur masakrën dhe dëbimin me përmasa biblike të kosovarëve nga trojet e veta etnike. Po në këtë frymë ai përligj edhe arsyet e pashmangshme dhe shpëtimtare për të dalë nga gjendja pa krye e “politikës së pritjes” të organizimit të kryengritjes së armatosur dhe të lindjes e të organizimit të UÇK-së tanimë historike, që u bë faktori kryesor në sensibilizimin dhe në nxitjen e reagimit të politikës shqiptare dhe veçanërisht të faktorit ndërkombëtar, për të ndërhyrë energjikisht me forca ushtarake për të ndalur egërsinë dhe genocidin e pa shoq serb e për të çliruar Kosovën e tërë rajonin e nxehtë e problematik ballkanik.

Kryetema që përshkon si një fill dallues çdo resht të librit është fund e krye e mbi të gjitha,rreth së cilës sillen gjithë të tjerat ,është shumë domethënës: Kosova ka të drejtë dhe e meriton lirinë!, para së cilës hezitojnë dhe artikulohen vetë diplomacia dhe faktori ndërkombëtar sot! Në të vërtetë ky argument përbën boshtin dhe lejtmotivin kryesor të librit, rreth të cilit vërtiten të gjitha temat e tjera po aq të rëndësishme sa çështja kombëtare dhe zgjidhia e saj, organizimi i kryengritjes së armatosur si dhe e UÇK-së,organizimi dhe veprimtaria e saj. I gjithë boshti që përshkon shkrimet e këtij Iibri,ngafaqia e parë

deri tek e fundit, përbëhet nga opsionet, mendimet dhe sugjerimet që bën në vijimësi të situatave në Kosovë. Në të vërehet lehtë se aty herë demaskohet politika shoviniste dhe dënon gjenocidin dhe masakrat e pashoqe serbe; herë motivohet lëvizja, UÇK-ja dhe lufta e saj. Dhe kështu, në vijimësi kritikohen zvarritjet e politikanëve në njohjen e UÇK-së si forcë e armatosur e Kosovës; në to ai ngre e propozon strategji ose skema taktike të përshtatshme për të përballuar sulmet dhe qëllimet e serbëve të stërvitur e të armatosur deri në dhëmbë me konceptin e një ushtrie të regullt. Madje ai përpiqet dhe ia arrin që të japë edhe “receia” për reshtimin e forcave, shfrytëzimin e armatimeve, mënyrat e armatosjes dhe të kryerjes së manovrave; të organizimit të një drejtimi sa më efikas në fushën e luftës;

mbi përgatitjen dhe stërvitjen e forcave; për mbrojtjen e popullsisë dhe mos dehjen nga suksesi pas luftimeve e te tjera si këto ,aq të nevojshme për forcat e një ushtrie si UÇK-ja, që ngrihej mbi bazën e vullnetarizmit. Autori me kulturën dhe përvojën e tij i është kthyer shpesh herë eksperiencës së luftimeve për këtë qëllim, si ajo e LANÇ -it të popullit shqiptar, luftës në Afganistan, ku përmes analizave të studiuara mirë, propozon forma e taktika efikase luftimi për UÇK-në. E gjithë kjo veprimtari ka qënë një ndihmesë e madhe konkrete për formacionet luftarake të UÇK-së për të kryer veprimtarinë e saj në fushën e luftës dhe për bashkëveprim me NATO-n.

Duke qenë se autori me shkrimet e tij e ka ndjekur hap pas hapi luftën e Kosovës, i a ka dalë që të vërë në to shqetësimin e dukshëm të tij,veçanërisht kur bëhet fjalë për faktet e mbarëvajtjes së kësaj lufte dhe të UÇK- së.

Të mbeten në mendje artikuj të tillë të guximshëm për nga rëndësia dhe mënyra e shtruarjes së çështjes shqiptare dhe e rrugëve të zgjidhjes përfundimtare të brengës e të padrejtësive shekullore ndaj popullit të Kosovës edhe pse ai shpesh duhet të godasë mendimin e disa politikanëve kosovarë dhe madje edhe evropianë. Të tillë janë artikujt me titull “Së pari shtet, pastaj pushtet”, “Tetë opsione për Kosovën”, “Faktori politik shqiptar dhe UÇK- ja” etj, ku shtrohen probleme themelore – sfiduese, si pavarësia e Kosovës, si e zgjidhën shtetet e tjera brenda ish Jugosllavisë fatin e tyre pa asnjë hezitim, me forcën e armëve! Prandaj ai jo pa qëllim bën objekt politikën e pa qartë shqiptare të Kosovës e të atdheut amë,duke i ngacmuar e nxitur njëherësh për pozicionimin e tyre përkrah luftës e UÇK-së.

Në epiqendër të shkrimeve të librit padyshim mbetet lufta e Kosovës dhe fuqia e armatosur e saj, UÇK-ja. Sipas autorit ishte shkëndija dhe më pas strumbullari i lëvizjes për zgjidhjen e çështjes shekullore kosovare. Ajo e detyroi faktorin ndërkombëtar që të sensibilizohej e të kthente sytë nga “treva e harruar” e Kosovës ende nën çmëndu- rinë milosheviçiane. Kësisoj u vu në veprim edhe ndihma ushtarake e NATO-s përballë sfidës poshtëruese e mëndjemadhe të zbatuar me kokëfortësi nga regjimi më i egër pushtues i Evropës moderne! Për autorin UÇK-ja, është forca që vuri në lëvizje dhe shtyu fuqishëm në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Dhe koha vërtetoi se sa e vërtetë ishte ky përcaktim, kjo gjetje. Autori shkruan; “Doli një forcë publike, sikurse është UÇK-ja, që ujët filloi të shkrijë dhe çështja shqiptare të futet shkëlqyeshëm e të rrjedhë natyrshëm në shtratin e vetë të mbarë!”

Duke gjykuar nga stili dhe nervi i shkrimeve, nga shumëlljshmëri a tyre, ato herë ngjasojnë me pamfletin, herë me analizën ushtarake dhe shpesh edhe me historinë ushtarake.

 Nisur nga tërësia e problemeve që trajtohen në shkrimet e librit, spikat “Uni” i autorit, që motivohet dhe shpjegohet me detajin aq të thjeshtë për çdo njërin prej nesh,që ai e vlerëson Kosovën dhe çështjen e shenjtë të saj, si pjesën e natyrshme e të patjetërsueshme të Shqipërisë!

* * *

Shembulli i autorit të librit është një rast i dyfishtë. Ai përbën një tregues jo vetëm i ndihmës konkrete në dobi të luftës së popullit vëlla të Kosovës dhe të UÇK-së, por njëherësh edhe pasqyrim i i saj në shtypin e përditshëm për ta bërë të njohur e për ta përjetësuar atë. Dhe ky ishte shansi i tij i rrallë, të ishte pjesëtar jo i rastësishëm dhe i thjeshtë i kësaj lufte. Prandaj është me interes dhe i mirëpritur në rrethet e lexuesve dhe të studiuesve shqip-tarë ardhja e këtij libri, ku gjejmë të përzier bashkërisht shqetësimin atdhetar e profesional me dashurinë e natyrshme për tokën dhe popullin martir shqiptar të Kosovës.

Librin e paraqitur e mbisundon stili i thjeshtë, i qartë, i lexueshëm e jo sentimental e konstatues. Në shkrime del qartë jo vetëm gjendja, por po kaq qartë propozohet edhe zgjidhja konkrete për çdo problem që analizohet. Në këtë pikëshikimi, libri mund të quhet si një përmbledhje me dokumente autentike.

Njëkohësisht ky libër, si dhjetëra të tjerë si ai, botuar pas luftës në Kosovë, ruajë edhe vlerën e dokumentit, vlerë që rritet me kalimin e kohës. Por ai, krahas të tjerave, ai është një argument i patolerueshëm për të gjithë faktorët dhe fuqitë demokratike të botës, por edhe për politikanët vendës, për të mos harruar luftën e NATO-s dhe gjakun e luftën e UÇK-së e të popullit shqiptar në Kosovë, e të shërbejë si kujtesë për çështjen kombëtare shqiptare, të ardhmen e Kosovës dhe të kosovarëve, .që është çmimi për veprën e gjakut të tyre të ndershëm.

PROF Dr. I SHKENCËS   SË HISTORISË USHTARAKE

Tiranë, Tetor – 2000

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …