Promovohet printeri 3D, Made in Kosova

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka vizituar  Kompaninë “Formon”, e cila ka lansuar projektin më të ri Printer 3D, prodhimi i parë i këtij lloji i dal nga kompanitë vendore.

Më këtë rast, Ministri Stavileci duke përgëzuar kompaninë për arritjet e tyre ka rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e tij për kompanitë që merren me fushën e Teknologjisë Informative.

“Nuk është e rastësishme që në kuadër të agjendës tonë në kuadër të pikave më të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë e vendosim teknologjinë e informacionit dhe komunikimeve elektronike, sepse kjo fushë i  përket të ardhmes, është një ekonomi e bazuar në dije dhe kreativitet dhe këto janë gjëra që i përkasin rinisë kosovare”, është shprehur ministri Stavileci, duke shtuar se tashmë kompanitë e TIK-ut, po tregojnë vendosmëri që kreativitetin e tyre ta lansojnë në tregun ndërkombëtarë.

Ministri Stavileci ka pohuar se këto kompani  me angazhimin e tyre serioz do të demonstrojnë së janë në gjendje të garojnë në tregjet e huaja.

“Produkti  printer 3 D është dëshmia më e mirë që kompanitë, të cilat kanë nisur me pritje të vogla tashmë me punën të cilën e kanë bërë me  profesionalizmin e të rinjve kosovarë  kanë arrit një pikë e cila na bënë edhe neve të mrekullohemi “ ka pohuar ministri Stavileci.

Nga ana tjetër, Rron Cena Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë Formon tha se  produkti printer  3D, do të jetë i dobishëm për përdorim personal dhe për biznese të vogla.

“Është hera e parë që në rajon ka një brend të tillë që merret me prodhimin, zhvillimin, dizajnimin komplet të një produkti elektronik duke filluar prej një sistemi të makinerisë, atë  të elektronikës dhe softuerit”, tha Cena .

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …