Pronari i “Plus Marketit” në Ferizaj, z. Sylejman Neziri, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykata së Apelit që kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës sipas të cilës i ishte ndaluar kompanisë ‘Frutin Company’ të importonte pijet “Coca-Cola”, “Fanta” dhe “Sprite:, nga Shqipëria pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, urdhërohet që Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e “Coca-Cola Company”, të cilat janë importuar nga “Frutin Company”. Por, këtë vendim e ka kundërshtuar z. Sylejman Neziri pronari i “Plus Marketit”, që refuzon të ofroj konsumatorëve produkte serbe.
“Gjykata e Republikës së Kosovës ia ka dhënë të drejtën një kompanie shqiptare, që nuk e di kush është, të na imponoj neve ta sjellim Coca-Cole-n vetëm prej Serbisë, armikut shekullor”, ka thënë Neziri para gazetarëve.
“Nuk e di pse ata shqiptarë, pse e përkrahin aq shumë produktin serb. Ne nëse nuk e përkrahim prodhimin vendor edhe vetveten kjo rini do ta lëshoj këtë Kosovë. Nuk është e drejtë që produkti i Coca-Colës rri që dy muaj këtu, iu bëjë apel gjykatësve të Kosovës, ata që e kanë marrë këtë vendim se po t’i kishte dy gram gjak shqiptari, kurrë këtë vendim se kishin marrë”, deklaroi ai. Ai ka pasur një lutje për institucionet e vendit ndërsa ka treguar edhe sa ka qenë qarkullimi në biznesin e tij ku shiten vetëm prodhimet vendore dhe ato të Shqipërisë.
“Unë e lus qeverinë e Kosovës që të jem i lirë dhe të punoj i lirë në këtë vend, mua nuk po më lënë të punoj i lirë. Kjo nuk është hera e parë që ballafaqohem me këto probleme, në Plus Market e dinë të gjihë çfarë shes, 55 milionë euro qarkullim kam bë vetëm me produkte të Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Neziri. “Sikur të gjithë të vepronit kështu, ndryshe do t’i kishim punët”, tha z. Neziri në fund të deklaratës së tij.