leoni

Prononcimet e korit eufemistik të mimikërisë: Lama, Gashi, Rexhepi, Hysa, Kosumi

Në kohën kur për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, u thyen heshtat mes Rusisë dhe disa vendeve anëtare të KS të OKB-së, lidhur me statusin e Kosovës, në kohën kur diplomati i mirënjohur i kalibrit jo vetëm amerikan, por edhe botëror, Riçard Hollbruk, paralajmëron Rusinë se po luan me rrezikun e rifillimit të luftës në Kosovë, në kohën kur Kremlini ka paralajmëruar kthimin e forcave ruse në vendin tonë, në kohën kur bota përparimtare demokratike, po shpreh shqetësim të thellë lidhur me procesin politik drejt përcaktimit të statusit të Kosovës, disa politikanë dhe zyrtarë të institucioneve tona, disa aktualë dhe disa ish zyrtarë, vazhdojnë ta “fërkojnë” dhe ta “zbusin” Kremilinin, nga larg, duke pretenduar të paraqiten “largpamës”, dhe duke mos dashur në asnjë mënyrë të pranojnë qëllimet antishqiptare të Moskës, ndoshta nga frika, por gjithsesi edhe nga servilizmi dhe idolatria e tyre e mimikrisë së njohur eufemistike.
Ky qëndrim skllav, ky qëndrim prej kacabunjsh adoleshentë politikë, kjo mungesë serioziteti, vjen në radhë të parë nga mendjemadhësia dhe krekosja e disave, të cilët do të dëshironin “që t’i ulin gjakrat”, të cilët synojnë të tregohen tejet të matur dhe shumë “largpamës”, të cilët nuk e bëjnë dot qejfin qeder, edhe kur situata sa vjen e po acarohet gjithnjë e më shumë.

Është jo vetëm i habitshëm, për të mos thënë edhe i marrë, pretendimi se Rusia nuk do ta pengojë pavarësinë e Kosovës, kur dihet se pikërisht Rusia është ajo, e cila është pyetur dhe pyetet për sllavët, sidomos prej vitit 1878 e këndej.
Është Rusia, ajo që i ka krijuar shtetet sllave në Ballkan e gjetkë, dhe është pikërisht, Rusia, ajo që ka penguar dhe do të pengojë me të gjitha mënyrat pavarësinë e Kosovës, por edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Këtë e dinë edhe nxënësit e shkollave tona të mesme, e dinë edhe gjyshet tona, që paçin dritë, këtë e dinë të gjithë ata që kanë mësuar ndonjë temë nga historia jonë, por nuk e dinë, apo bëhen sikur nuk e ditkan liderët tanë politikë, gati të gjithë, pa dallim.
Nuk ke si të mos habitesh me prepotencën virulente të Ulpiana Lamës, kur në emër të Qeverisë deklaron se “Rusia do të vazhdojë të kontribuojë për procesin politik të Kosovës”, ashtu sikurse edhe paska kontribuar deri tani.(!) Ky prononcim, jo vetëm që është fare i papërgjegjshëm, për më tepër është një lloj dalldie e kallaisur, e tipit të zonjës së dikurshme të Anadollit “që krihej derisa Stambolli digjej”.
“Presim nga Rusia qëndrim konstruktiv” shprehet me kapadaillëk, i pari i grigjës së deputetëve të LDK-së, Alush Gashi, duke komentuar qëndrimin antishqiptar të Rusisë, në KS të OKB-së.
Për ish-kryeministrin dhe mjekun e dështuar, Bajram Rexhepi, fjalimi i ambasadorit Çurkin, si dhe largimi i tij demonstrativ nga selia e OKB-së, në kohën kur po vazhdonte mbledhja, “qenka vetëm një incident i vogël diplomatik”, dhe asgjë më shumë.(!)
Ndërsa për anëtarin e ekipit negociator të Kosovës, Ylber Hysa, i cili është bekuar me temjanin e pop Savës, për tapitë që i ka dhuruara ekipi negocioator zonave mbrojtëse rreth kishave e manastireve serbe, “qëndrimi rus në OKB, nuk paska të bëjë fare me Kosovën”, po sigurisht paska të bëjë me Bangladeshin apo Melkizedekun.(!)
“Rusët nuk do të jenë fare pengesë për Kosovën”, siguron shqiptarët, po kështu me kapadaillëk dhe mungesë të shprehur të seriozitetit, ish-kryeministri i shkarkuar i Kosovës, Bajram Kosumi.
Ngjashëm kanë deklaruar edhe shumë politikanë të tjerë të vendit tonë.
Deklaratat e tilla nuk janë vetëm të papërgjegjshme, por në një masë janë edhe idiotike, sepse ato krijojnë huti te njerëzit tanë, jo sa duhet të informuar, lidhur me situatën tejet të rrezikshme në të cilën aktualisht ndodhemi.

Sepse të mos marrësh fare në konsideratë shantazhet e rrezikshme të Rusisë dhe tërë botës sllave, e jo vetëm sllave, kundër qenies shqiptare në përgjegjësi, nuk është hiç më pak se marrëzi, për të mos thënë, çmenduri.
Prononcimet e tilla të politikanëve të vendit tonë, janë më shumë se anakronike. Të injorosh sot rrezikun permanent që parqet Kremlini për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht, të sillesh me kapadaillëkun e sejmenit të dikurshëm të kohës së “Baba Qemos”, të jesh kaq i papërgjegjshëm, për situatën shumë të tendosur, e cila ndodhet në prag të shpërthimit, po qe se bëhet vetëm një gabim fare i vogël, kjo nuk falet dhe nuk mund të falet kurrë, pavarësisht sesi do të vendoset e ardhmja e vendit tonë. 
Të tilla prononcime bënin deputetët e ish Kuvendit të “Kosovë-Metohisë”, madje edhe në kohën kur tanket e Milosheviqit kishin zënë të gjitha rrugët e shtigjet e Kosovës, në mars të vitit 1989. Të tillët si këta, mbanin zgjedhje të lira nën okupim, në pranverë të vitit 1998, në kohën kur nga forcat policore dhe ushtarake serbe ishte larë në gjak Drenica dhe kur legjendari Adem Jashari, me shembullin e tij dhe të tërë jasharëve kishte lëshuar kushtrimin: “Liri, o vdekje!” Mendjemadhësia, krekosja, kapadaillëku, mungesa e shprehur e seriozitetit nga shumë politikanë tanë, për kohën plot rreziqe nëpër të cilën po kalojmë, tregon më së miri fytyrën, dijen dhe “moralin” e tyre.
Duke analizuar për së afërmi këtë gjendje të papërgjegjësisë së pjesës dërrmuese të njerëzve tanë, të cilët kanë marrë në duart e tyre fatin tonë, duhet përkrahur pa rezervë të gjithë ata që aktualisht po projektojnë një bashkërenditje të re të forcave të njëmendta kombëtare, të cilat do t’ i dalin zot vendit edhe kësaj radhe.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …