Propozimi për zëvendësimin e emrit të një rrugë në Livoç të Epërm, me një emërtim tjetër, e ka zemëruar familjen e dëshmorit Sherif Sherifi dhe lagjen atje.
Familja Sherifi i ka dërguar një reagim radios Kosova e Lirë, në të cilin thuhet:
Ne familja e dëshmorit Sherif (Sefë) Sherifi nga Gjilani, sot jemi lënduar nga deklarata e kuvendarit të Kuvendit Komunal, Shefik Surdulli (PDK) lidhur me emërtimin e një rruge në fshatin Livoç i Epërm.
Ne si familje e dëshmorit Sherif Sherifi, nuk jemi ata që e kemi propozuar emërtimin e rrugës me emrin e familjarit tonë, por propozimin e kanë bërë banorët e lagjes.
Komisioni për ankesa e ka miratuar kërkesën e banorëve.
Lagjja ku ne jetojmë numëron mbi 40 shtëpi dhe asnjë familje deri më sot nuk e ka kundërshtuar emërtimin e kësaj rruge, pos familjes Krasniqi, e cila nuk është banore e kësaj lagje dhe as nuk është pronare e parcelës.
Në të vërtetë është pronë e një familje serbe, e cila jeton në Francë, ndërsa familjen Krasniqi e ka autorizuar për shitjen e saj.
Të kthehemi prapë te qëllimi i reagimit tonë si familje.
Surdulli as që e përmendi faktin se babai ynë, është dëshmor dhe se lagjja ka të drejtë në kërkesën për emërtimin e kësaj rruge, por foli me aq pietet për palën kundërshtare, sa neve na bëri të ndihemi shumë të lënduar.
Ajo që na lëndoi më shumë është fakti se nëpër diskutime publike, apo fushata partiake, Surdulli flet me aq pompozitet për dëshmorët, ndërsa në rastin tonë harroi gjithçka.
Në familjen tonë, Sherifi nuk është dëshmor i parë i atdheut. Sefë Sherifi është vrarë në Tivar (1945), Sherif Mustafë Sherifi në Kumanovë (1913), Mustafë Ali Sherifi në Vranjë (1870), Ali Sejdiu në Nish (1878).
Këta janë familjarët tanë dëshmorë, të rënë nëpër periudha të ndryshme, në vendet që i kemi përmendur.
Sot, asnjë rrugë apo rrugicë nuk mban emrin e familjarëve tanë. Ata janë të anatemuar. Ata nuk u vranë në luftëra vëllazërore, por u vranë nga pushteti dhe pushtuesit serbë.
Për dijeninë tuaj, duhet të themi se deri në luftën e fundit, asnjë mashkull i familjes Sherifi nuk ka vdekur në shtrat, as nga sëmundjet, por të gjithë nga plumbat serb.
Në familjen tonë nga plumbat e Serbisë kanë vdekur edhe gra, Shahë Shala – Sherifi, bashkëshortja e Sefës, e cila vdiq nga torturat gjatë aksionit të armëve, në dimrin e acartë të vitit 1955-1956.
I nderuar kuvendar Shefik Surdulli, ne jetojmë në Gjilan dhe ke mundur të vish të marrësh informata edhe në familjen tonë, sikur që ke bërë për familjen që e mbrojte me aq zjarr.
Ne si familje reagojmë edhe ndaj partisë të së cilës i takon kuvendari që të distancohet nga deputeti i tyre për fyerjen që na ka bërë në të kundërtën do e marrim si aprovim të një deklarate të tillë. Ne si familje nuk i takojmë asnjë spektri politik, për ne parti është kombi mbi të gjitha!
Me respekt Familja e dëshmorit Sherif Sefë Sherifi 26.12.2019 Gjilan