Shumë qytetarë të Dukagjinit e më gjerë, sot në Sheshin e qytetit, në Pejë kanë protestuar kundër ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kryesuesi i Këshillit për organizimin e kësaj proteste Ali Lajçi, tha se qytetarët e Kosovës duhet të ngrenë zërin për shkak se nuk po flasim për kufij administrativë e komunalë, por po bëhet fjalë për kufijtë e një shteti, dhe Kosova do të humb rreth 12 mijë hektarë tokë me ratifikimin e kësaj marrëveshje. Përfaqësuesi i Grupit të Intelektualeve Rugova, Mujë Rugova tha se qëllimi i protestës është ti themi jo komisionit shtetëror dhe institucioneve më të larta shtetërore. Ai më tej tha se demarkacioni është në favor të Malit të Zi, gjë që sipas tij është e papranueshme dhe e pa drejt. Kryesuesi i Kuvendit komunal në Pejë, Islam Husaj, tha se përkrah formimin e Komisionit Ndërkombëtar për rishqyrtimin e të gjithë procesit të demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Organizatorët bënë thirrje që edhe me një shtator të dalin në protestën e organizuar në Prishtinë, për të kundërshtuar këto marrëveshje të dëmshme. Në fund, protestuesit u shpërndanë të qetë dhe pa asnjë incident.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …