Partitë opozitare: Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, nuk po arrijnë të merren vesh rreth formatit dhe forcës që do të përdorë opozita në protestat kundër Qeverisë së Kosovës, e cila ka nënshkruar shumë marrëveshje në dëm të vendit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë.
Opozita është unike lidhur me nevojën e organizimit të protestave masive deri në ndalimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, por nuk është unike mënyra se si do të organizohen e do të mbahen protestat. Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se do të përdoren të gjitha format për të ndaluar themelimin e AKS-së, duke mos mohuar as forcën fizike, dy partitë tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur kategorikisht kundër protestave të cilat paragjykohen se do të jenë të dhunshme.
Protestat në parim nuk paralajmërohen si të dhunshme, apo të pa dhunshme. Vetë fjalët: “protestë” dhe “demonstratë” shpjegojnë në së miri përmbajtjen dhe esencën e një ndërmarrjeje të tillë qytetare, me qëllim për të shprehur pakënaqësitë, për t’i paraqitur kërkesat dhe për të kërkuar me çdo kusht realizimin e tyre.
Protestat e ashtuquajtura pacifiste, sidomos nëse parafrazohen si të tilla, nuk janë asgjë më shumë sasa një marshim rasti, një defilim publik, në radhë të parë politik, për të shfaqur mospajtim. Si të tilla ato në asnjë mënyrë nuk mund të arrijnë qëllimin final të kërkesave, madje në asnjë rast. Nuk është shënuar asnjë rast në histori që me defilime paqësore të jenë larguar nga pushteti tiranët, dikatorët dhe vazalët e tyre.
Në pranverë të vitit 1998, në të gjitha qendrat e Kosovës, LDK-ja mbante protesta paqësore me dy gishtat përpjetë dhe në të shumtën e rasteve protestat e tilla nuk u penguan nga regjimi, me qëllim që të krijohej bindja se regjimi i Milosheviqit nuk i pengon protestat paqësore, por i pengon ato “të dhunshmet”, ku lavdërohej UÇK-ja dhe ku kërkohej liri e pavarësi për Kosovën. Krerët e LDK-së kërkonin nga protestuesit që të mos përmendej fare UÇK-ja, por në radhët e protestuesve kishte shumë liridashës që i brohorisnin luftës çlirimtare të Komandantit legjendar Adem Jashari.
Të pretendosh se do të arrish realizimin e ndonjë kërkese me defilime paqësore nëpër rrugët e kryeqytetit, nuk është asgjë më shumë sesa të gënjesh vetveten dhe të përfitosh politikisht mbi kurrizin e atyre protestuesve, të cilët për realizimin e kërkesave të tyre janë të gatshëm të ndeshen me të gjithë ata që bëhen pengesë fizike, duke mos kursyer as gjakun, dhe duke mos marrë parasysh kamxhikun, arrestin e burgun
Në këtë mes kërkesat dhe manifestimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë dhe po mbesin të vetmet protesta të njëmendta, të fuqishme, të cilat shpresojmë se një ditë do të realizohen edhe me sukses. Me protesta paqësore të opozitës kurrë nuk do të kishte dhënë dorëheqje, shqiptar-vrasësi e shqiptar-përbuzësi, Jabllanoviq. U desh të derdhet edhe gjak në qendër të Prishtinës, për ta detyruar kriminelin Jabllanoviq të tërhiqet, meqë ai nuk ka dëgjuar as e dëgjon zërin e mekur si të meiti të Isa Mustafës, apo zërin patetik të Hashim Thaçit.
Partitë politike, të cilat pretendojnë të manifestojnë kërkesat e tyre në rrugë, duhet ta dinë se në rrugë, me qëllim për të protestuar dalin edhe shumë qytetarë pa përkatësi partiake dhe ata nuk pyesin se cilës parti i takon ti, apo ai tjetri. Qytetari liridashës merr pjesë në protestë me qëllim për të mbështetur kërkesat e drejta, dhe jo për të parë sesi edhe në rrugë riciklohen kërkesat verbale, që shtrohen e që debatohen për çdo ditë në Kuvend, në Qeveri e në konferenca shtypi.
Përvoja e viteve të pas luftës në Kosovë ka treguar mirëfilli se kush ka luftuar dhe kush është angazhuar me forcë dhe vizion realist për të mirën e vendit dhe kush është fshehur në prapavijë dhe ka përfituar nga gjaku i protestuesve, që jo vetëm njëherë është derdhur në rrugët e Prishtinës dhe të disa qyteteve të tjera të Kosovës.
AAK-ja dhe NISMA nuk e kanë përnjëmend zgjidhjen e çështjeve vitale të vendit, andaj edhe mund të bëhen pengesë në realizimin e qëllimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë me defilime qytetare nëpër rrugët e kryeqytetit, as është arritur as do të arrihet qoftë edhe mos-nënshkrimi i një marrëveshjeje të firmuesve nga radhët e zyrtarëve tanë, të cilët kanë pranuar të nënshkruajnë çdo kërkesë të Serbisë, e cila në esencë ka qenë dhe është e drejtuar kundër sovranitetit dhe të ardhmes së Kosovës.
Ata politikanë që mendojnë se me defilime qytetare nëpër korzo të kryeqytetit mund ta ndalojnë formimin e Republikës serbe në veri të Kosovës, të quajtur AKS, për themelimin e së cilës kanë nënshkruar serbët e Beogradit dhe Isa Mustafa e Hashim Thaçi me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, ata politikanë pacifistë që mendojnë apo pretendojnë se mund t’ia kthejnë paqësisht Kosovës, 25.00 hektarë të uzurpuar nga Mali i Zi, se mund ta bindin Qeverinë që të japë dorëheqje, janë politikanë pacifistë, pa asnjë ndryshim në njëmendësinë e tyre me politikanët paqësore pacifiste të LDK-së dhe të PDK-së. Nuk ka qytetar normal të Kosovës, që nuk e kupton hilen e tillë pacifiste dhe është për të ardhur keq kjo përpjekje për t’ i manipuluar qytetarët dhe për ta shpërfillur besimin e tyre.
Protestat paqësore të opozitës nuk e ndryshojnë gjendjen, përkundrazi e komplikojnë, e përçajnë edhe më keq jo vetëm opozitën por edhe forcat e vërteta kombëtare që kanë për qëllim të ruajnë frytet e fitores të lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Vetëm me protesta të njëmendta, të fuqishme, këmbëngulëse, vetëm me krijimin e forcës unike qytetare, mund të realizohen kërkesat e drejta e të natyrshme. Realizimin e këtyre qëllimeve do ta bëjnë, ata, të cilët nuk janë pajtuar as do të pajtohen kurrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat kanë dëmtuar rëndë interesin dhe territorin e vendit.
Ahmet Qeriqi
10 shtator 2015