Në Kosovën e pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitores historike, në qershor të vitit 1999 me çlirimin nga Serbia kolonialiste dhe okupatore, u krijua një klimë e re në të gjitha segmentet e jetës së organizuar shoqërore në Kosovë e përgjithësisht në trojet e okupuara shqiptare nga ish-RSFJ dhe qeveritë e mëvonshme.
Jeta në liri iu takon të gjithë shqiptarëve, e të tjerëve që jetojnë në Kosovë, si atyre që kishin sakrifikuar gjithçka për çlirim nga robëria, si atyre, të cilët nuk kishin asnjë mëritë, përveç nëse njohin për mëritë ikjen nga toka e gjakosur e Kosovës, por edhe të atyre të kishin kundërshtuar luftën, dhe jo pak prej tyre që kishin bashkëpunuar me regjimin më kriminal e më vrastar që kishte njohur Evropa, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sojin e bashkëpunëtorëve, pas luftës e kishte marrë në mbrojtje Policia e UNMIK-ut, duke qenë se ata ishin deklaruar të rrezikuar nga UÇK-ja. Nga brumi i sojit të tillë, dëshmitarë të mbrojtur, janë ngritur e po ngrihen aktakuza kundër çlirimtarëve.
Të gjitha këto t’ i quajmë kategori, përditë shpalosin të drejtat e tyre, meritat e tyre gjithnjë duke u mbajtur në vetët e grupet e tyre.
Teprimi në të drejtat, është kthyer në një konkurrencë, me qëllim për të treguar se kush ka qenë “dikushi”, kush ka merita më shumë, kush cilit grup apo cilit orientim politik i përket, me pretendime për të treguar epërsi, zotësi, dije, strategji, duke i ngjyrosur me patriotizëm të thekur, në të shumtën e rasteve me patetikë dhe rrahje gjoksi, pa brendi, pa përmbajtje, pa fakte e dëshmi reale.
Teprimi, për ta paraqitur veten në vendin e parë të më meritorëve, bëhet për shumë shkaqe, por emërues i përbashkët e tyre është përfitimi material, duke e arsyetuar me aktivitetin, punën, mundin, burgun, përndjekjen nga regjimi, ikjen nga Kosova, pasi i kishte përndjekur regjimi e të tjera. Ne që kishin qëndruar në Kosovë, nuk na paska ndjekur regjimi, andaj edhe paskemi qëndruar e jetuar nën robëri.
Kjo kategori e njerëzve tanë, kuptohet jo e të gjithëve, shquhet për egoizëm, xhelozi, mungesë besimi në vete, mungesë identiteti të mirëfilltë të personalitetit, mungesë në paraqitjen reale të fakteve e rrethanave, devijime të karakterit, urrejtje të papërmbajtur ndaj gjithë të tjerëve, mos durim ekstrem, por edhe ekzagjerime tej çdo mase për veten apo klanin, për partinë apo mjedisin e vet familjar e shoqëror. Këta njerëz jetojnë duke improvizuar, jetojnë duke luajtur rolin e më të mirëve, më të përkushtuarve, më meritorëve me të pazëvendësueshmëve.
Këtë mbiprodhim, pas luftës e kanë favorizuar rrethana e reja shoqërore e politike në vend, liria e shprehjes dhe e organizimit, liria pa kufi në të gjitha segmentet e jetës dhe këtë liri e kanë shfrytëzuar më së miri dinakët, servilët, të gjindshmit, të lakueshmit, pakurrizorët, ikanakët gjatë luftës, shumë nga mërgimtarët dhe të gjithë ata që janë munduar dhe mundohen ta mbajnë sa më lartë flamurin, flamurin e meritave për komb e atdhe, edhe pse jo pak prej tyre ia kanë punuar dhe ia punojnë mbi kurriz kombit e atdheut.
Teprimi në të drejtën e vet, në radhë të parë bëhet për tu imponuar, me qëllim për ta paraqitur veten, klanin apo partinë si më të mirën, më të vlershmen dhe për të vjelë pastaj favoret. Në këtë mënyrë, të tillët bëjnë përpjekje që gjithnjë ta mbajnë zërin sa më lartë, nga frika e konkurrencës dhe nga mendësia profane, megallomane. Të tillët, në radhë të parë nuk kanë besim në vete, sepse thellë në qenie i ndiejnë zbrazëtitë, mungesën e intelektit, akëcili ndien mungesën e arsimimit të mirëfilltë, por të veshur për së jashtmi me diploma e merita.
Gara për të qenë gjithnjë në radhë të parë, iu bëhet qëllim i jetës dhe shkon deri atje sa disa nga ta edhe harrojnë përse jetojnë, harrojnë familjet, harrojnë rrethin, disa harrojnë përkatësinë, kombin e atdheun, pasi qëllimi për të qëndruar gjithnjë në ballë, me apo pa asnjë pikë merite, bëhet fiksion, bëhet sëmundje e pashërueshme, e cila në fund degjeneron në “panairin e vaniteteve”, në botën e kotësive.
Kemi raste kur një individ i këtij lloji njerëzish, nuk ka mbajtur as dy vjet të plota burg në kohën e pushtimit, por rrahë gjoks aq shumë, gënjen aq shumë për torturat që ia kanë shkaktuar udbashët, për rezistencën e pathyeshmërinë, sa pretendon të paraqitet si më i persekutuari nga të gjithë të tjerët. Duke u shërbyer me gënjeshtra e mashtrime të tilla, ai, aty ku i duket e leverdishme luan rolin e viktimës, për të zgjuar dhembjen e të tjerëve dhe për të arsyetuar postet, të cilat i ka mbajtur dhe i mban, duke e bindur veten se i meriton të gjitha, sepse ka vuajtur dhe vuan për popullin, nuk është me rëndësi se i do apo nuk i do populli meritat e tij
Ekzemplarë të tillë kemi me shumicë, sidomos në mesin e një kategorie megalomanësh pa identitet të mirëfilltë intelektual, me mungesë të shprehur të njohjen së realitet, mungesë e theksuar leximi e arsimimi.
Këta megalomanë të pandreqshëm e kanë edhe një hall tjetër.
Vazhdimisht iu duket vetja se janë harruar e po harrohen, madje për së gjalli, andaj trumpetojnë për të treguar se janë e do të jenë, se kanë qenë e janë themeltarë të lëvizjeve, grupeve, partive, se ata kanë qenë gjithnjë të parët, sepse me ta paska filluar dhe paska mbaruar historia. Sipas tyre nuk është me rëndësi kush ka luftuar, kush ka rënë për atdhe, por më me rendësi qenka kush ia paska vënë emrin një lëvizjeje të caktuar, kush ia paska vënë emrin UÇK-së, kush paska organizuar ndonjë grup për të hyrë në Kosovë gjatë luftës.
Këto janë prioritetet e tyre, sepse duan të mbulojnë diçka të madhe që u ka ndodhur, pasi ata nuk e kanë pasur guximin ta dëshmojnë veten fizikisht, atje ku ka ndodhur dhe ku është shkruar me gjak historia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk bëhet fjalë këtu për disa nga krerët e luftës, por për shumicën tjetër, e cila para dhe gjatë luftës ka jetuar në bollëk e begati, jashtë Kosovës, me krejt familjen afër, madje disa syresh duke përfituar për aq sa kanë mundur edhe nga fondet e luftës.
Të tillët, prej mbarimit të luftës e deri tani rrahin gjoks, mbajnë manifestime, flasin, vendosin pllaka me mbishkrime, në fshatra e lagje qytetesh ku kanë fjetur ndonjë natë kur ishin ilegalë, apo të vetëshpallur si të ndjekur nga regjimet serbe.
Të tillët shkruajnë nëpër portale, i atribuojnë vetes meritat për të folur në emër të luftës, të kombit dhe të krejt shqiptarëve, sepse ata mendojnë për vetët e tyre se janë të pazëvendësueshëm, se pa ta as liria e Kosovës nuk paska kuptim…
Sa të mjerë janë, kur mendojnë se nuk i njohim, se nuk i dimë “meritat” e tyre…
Ahmet Qeriqi
23 mars 2022
Prishtinë