leoni

Pse ngutet aq shumë Qeveria e Kosovës për fillimin e bisedimeve me Serbinë?

 


Presioni,  që ka ushtruar politika  zyrtare e BE-së kundër autoriteteve të Kosovës për fillimin sa më parë të bisedimeve me Serbinë, ka qenë një trysni e llojit të veçantë dhe asnjëherë nuk është analizuar si duhet ky presion i pashembullt,  në kohë paqeje. Po të ishte kohë lufte edhe do të kuptohej presioni i tillë. Kohë më parë, me rastin e konstituimit të institucioneve të vendit tonë, kreu i BE-së përgëzoi Kosovën jo gjithaq për institucionet e reja,  sa për fillimin e bisedimeve, meqë zgjedhjet e parakohshme kishin stopuar procesin e pritur të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.


Ky presion i hapur dhe i pa kompromis, duket se ka të bëjë me një finale të keqe për statusin e Kosovës, edhe pse autoritetet e larta të BE-së për fillim kanë paraparë bisedime të ashtuquajtura,  teknike, por kanë paralajmëruar se avash avash do të zhvillohen edhe bisedime të mirëfillta, për të gjitha çështjet e hapura. Zëdhënësja e zonjës Ashton, Maja Kocijançiq, ka deklaruar decidivisht se qëndrimi i BE-së për këto bisedime nuk është i njëjtë me qëndrimin amerikan dhe se bisedimet do të vazhdojnë derisa palët të merren vesh, apo derisa negociatorët e Qeverisë së Kosovës  t’i lëshojnë pe Beogradit, i cili ka paralajmëruar domosdonë e një kompromisi në bisedime  me përfaqësuesit e Kosovës dhe që ka të bëjë në radhë të parë me statusin. Beogradi po ashtu ka bërë të ditur se nuk do të ketë afat për përfundimin e bisedimeve, të cilat nuk i quan teknike, por bisedime të Beogradit, të kryeqytetit të Serbisë me Prishtinën, në kuadër të Kushtetutës së Serbisë dhe të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.>>>


 


E vërteta qëndron mbi këto premisa, ndërkohë që eufemizmi i negociatorëve nga Qeveria e Kosovës, shprehet duke i ikur terminologjisë së vërtetë realiste lidhur me bisedimet.


Po të ishin bisedime mes dy shteteve, sikur deklarojnë politikanët tanë, atëherë do të duhej që të dy shtetet ta njohin paraprakisht njëri tjetrin, dhe kjo nuk ka ndodhur. Për më tepër, Serbia ka bërë be “në kryq e në Velikidan” se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, madje edhe nëse bashkësia ndërkombëtare pajtohet që edhe “de jure” t’ ia bëjë tapi veriun, shtetit të Serbisë.


 


Duke folur për karakterin politik e strategjik të këtyre bisedimeve analisti serb, Dushan Janjiq,  ka deklaruar se në dialogun, të cilin ai e ka përkufizuar si dialog të brendshëm:  Prishtinë-Beograd,  gjithçka është politike. Ai i ka thënë radios “Evropa e Lirë” se mund të përdoret metodologjia e shqyrtimit të tyre si çështje teknike, por të gjitha çështjet ndërlidhen me çështjen e statusit. Në fund të fundit, mund të themi se lista e standardeve që mund të arrihen gjatë të ashtuquajturit dialog teknik, do ta definojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së statusit. Janjiq mendon se Raporti i Dik Martit ka dëmtuar imazhin e përfaqësuesve nga Kosova në bisedime për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu Veriu është një çështje e hapur, e cila kërkon të diskutohet dhe të zgjidhet. Do të ishte mirë për Beogradin që ta shtrojë këtë çështje në tryezën e diskutimeve, bashkë me çështjen e statusit apo të statuseve. Duke e diskutuar këtë çështje, të dyja palët ndoshta do të mund të arrinin një kompromis për të pasur një qëndrim të pranueshëm e të përbashkët për veriun, që në fakt do të ishte një autonomi më e lartë apo një pavarësi nga institucionet e Kosovës”. Ky është qëndrimi zyrtar i Serbisë dhe këtë e di mbarë bota, e dinë edhe politikanët tanë, të cilët edhe më këtë rast e fusin kokën në rërë, ashtu sikur struci.


 


Dihet mirëfilli, dhe këtë e dinë edhe më të painformuarit se Kosova nuk ka, as do të ketë kurrë farë leverdie për bisedime me Serbinë, sepse Prishtina zyrtare kurrë nuk ka kërkuar bisedime të tilla, por as i ka refuzuar ato, meqë, mjerisht, për fatin tonë të keq askush nga politikanët tanë nuk ka as guxim t’i refuzojë bisedimet, qoftë edhe me  një shtet, që ka kryer krimet më të shëmtuara kundër shqiptarëve dhe pjesëtarëve të popujve të tjerë në hapësirat e Ballkanit dhe që as ka kërkuar as kërkon falje, për më tepër kërkon llogari për krime të paragjykuara, nga shqiptarët.


Të ndodhur në mes të kullës  e çekanit, negociatorët e Kosovës, do të mundohen të na bindin përditë përmes medieve që i kontrollojnë dhe i financojnë se nuk do të bisedohet për statusin, as për autonominë e veriut, por për do çështje të tjera teknike, të cilat qenkan “të domosdoshme” për të dyja vendet. Ata, po ashtu nuk pranojnë se z. Kuper është ndërmjetës në bisedime, por ta ai mbetet   një lloj ndihmësi, pra një patericë mbi të cilën do të mbahen negociatorët tanë invalidë, me këmbë qelqi.


 


Pse pra nguten negociatorët e Qeverisë së Kosovës të fillojnë bisedimet e kushtëzuara të Beogradin? A mos ndoshta për faktin se duke i bërë amin çdo propozimi të të huajve, ata  tashmë janë bërë papagaj të llojit “okej”, apo sepse janë shantazhuar nga Dik Marti, nga eurodeputetët, nga Karla del Ponte, apo edhe nga vetë regjimi i Beogradit,  apo ndoshta sepse tashmë kanë mësuar dhe janë bindur  se Serbia është faktori numër një i politikave  dhe i vendimmarrjeve në Ballkan, sikur e ka thënë kryetari aktual i Kosovës, Behxhet Pacolli. Ndoshta nuk janë fare të shantazhaur, por për hir të një ardhmërie të begatshme dhe bashkëjetese në paqe e në bashkim vëllazërim mes popujve, u dashka ta sakrifikojnë ardhmërinë e Kosovës pa marrë leje nga populli i Kosovës.


Nuk duken shumë qesharake premtimet që ka dhënë Behxhet Pacolli gjatë fushatës zgjedhore, se po të bëhet kryetar se do të bëhet një Tito i ardhshëm i Kosovës. Me Hashim Thaçin e shantazhuar nga Evropa, me Behxhet Pacollin, mikun e përjetshëm të Serbisë dhe të Rusisë dhe Jakup Krasniqin e anashkaluar, bisedimet do të kurorëzohen me sukses, mbase si ato të Mbledhjes së Prizrenit të gushtit të vitit 1945, kur Vetëvendosja e miratuar në Bujan u shfuqizua për hir të “prosperitetit dhe zhvillimit të shpejtë të Kosovës nën Serbinë”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …