Pse u dashka të paguhet me para patriotizmi i dy futbollistëve shqiptarë, që luajnë për Kombëtaren e Zvicrës. A thua aq nevojë financiare paskan Xhaka dhe Shaqiri që shqiptarët “patriotë” të tipit “Tallava” të ua paguajnë dënimin me të holla, që u ka shqiptuar FIFA?
A nuk është ky një sharlatanizëm tipik, aziat, që nuk ka të bëjë fare me patriotizmin e vërtetë, por me mendjemadhësinë dhe fudullëkun e atyre, të cilët duan që emri i tyre të radhitet atje, ku mendojnë se ruhet atdhetaria dhe ai gjest i identitetit patriotik të paguhet me para. Gjesti patriotik i Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, është për t’ u lavdëruar, por shumë më tepër duhet lavdëruar loja e tyre e përkushtuar e cila gjunjëzoi ekipin futbollist të Serbisë, në Moskë. Ata, atje tekefundit kanë luajtur për Zvicrën jo për Kosovën as për Shqipërinë, por kjo nuk do të thotë që ata të mos e shprehin identitetin e tyre kombëtarë. Gjesti i tyre është lavdëruar edhe nga zviceranët, por asnjëri prej tyre nuk i bëri turr “kuletës” për t’ ua hedhur në ballë “bakshishin” dy lojtarëve të njohur, sikur shqiptarët e tipit “Tallava” të mësuar që t’ ua stolisin ballin dhe gjoksin këngëtareve nëpër dasma, ahengje apo koncerte. Mentaliteti “tallava” e lejon këtë, madje e sforcon, sepse ka origjinë nga orgjitë e kohës së moçme. Por jo çdo gjest duhet të paguhet me para. Pse nuk u kujtuan këta patriotë të “bakshisheve” për Ballist-Morinën, i cili bërë gjestin spektakular mu në Beograd, duke afishuar me dron “Autoktonusin”. Nuk u kujtuan kurrë këta “tallava-patriotë” për të, për ndjekjen penale nga Serbia, për mbajtjen në burg as për kalvarin nëpër të cilin është duke kaluar ai. (RKL)