Pse u referohemi me Bacë Enveri, Bacë Adem Demaçi, Bacë Adem Jashari e jo Bacë Ahmet Zogu, Bacë Sali Berisha, Bacë Edi Rama…

Pse u referohemi me Bacë Enveri, Bacë Adem Demaçi, Bacë Adem Jashari e jo Bacë Ahmet Zogu, Bacë Sali Berisha, Bacë Edi Rama…

Përdorimi në komunikim gojor  dhe në shkrime  i emrit, bac-baci, gjinia mashkullore  apo edhe i trajtës, bacë-baca,  ka vlerë  praktike, tradicionale  me shprehje respekti e nderimi që i referohet, vëllait të madh, xhaxhait apo personit ë caktuar, të njohur për veprat e tij  të çmuara, të dëshmuara,  për të mirat që i ka sjellë kombit e atdheut.

Pavarësisht se përkatësia e këtij emri  mund të haset edhe te popujt e tjerë të Ballkanit, në trojet shqiptare ka pasur dhe ka përdorim në viset veriore të Shqipërisë, veçmas në Kosovë, si në kaluarën e largët, ashtu edhe tani, madje përdoret dendur edhe nga brezi i ri i pasluftës në vend.

Apelativi, “Bacë” i paravihet një emri e mbiemri të caktuar, por jo gjithherë dhe jo për çdo kënd. “Fjalori i Gjuhës  së Sotme Shqipe”. Prishtinë 1981- faqe 82, jep shpjegimet elementare  të përdorimit, referimit etj.

Disa analistë e vrojtues e ndonjë biograf i vetë-deklaruar, (në rastin e Demaçit) pretendojnë se ky apelativ, është relativizuar shumë, madje edhe ka degraduar në ulje  të autoritetit të personit të caktuar, pasi emri qenka në përdorim të gjerë.

Në këtë rast, për një shpjegim të hollësishëm dhe përmbajësor,  i referohemi dy trajtave: bac, për vëllanë e  madh, xhaxhanë apo personin më të moshuar  dhe  bacë që i referohet njeriut të caktuar  në shenj nderimi, respekti, madje edhe adhurimi. Kemi një emër, por me dy referenca, që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën,  por e përmbushin, e plotësojnë e kuptimësojnë duke i dhënë dimension më të gjerë, më të përgjithshëm, më popullor me ndjenjë të veçantë referimi.

Prijësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, (1908-1985) nuk mbahet mend të ketë reaguar ndonjëherë, kur iu kanë referuar me këtë apelativ, edhe pse nuk përdoret në krahinat jugore të Shqipërisë. Nuk mund të gjendet ndonjë shembull apo këngë që ky apelativ nderimi e respekti iu ka drejtuar Ahmet Zogut, Ceno beg Kryeziut, Sinan Hasanit, Ali Shukriut, Rrahman Morinës, por iu ka referuar Bacë, Bajram Currit, Isa Boletinit e sa e sa të tjerëve.

Në Kosovë dhe viset shqiptare në veri, ky apelativ ka marrë përmasa shtrirjeje sidomos për Simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi (1936-2018) madje edhe në kuptimin sipëror,  si Baca i Madh, Baca i të gjithëve.

Askush dhe asnjëherë nuk e ka quajtur Bacë, Ibrahim Rugovën,  Sali Berishën as Edi Ramën. Kjo nuk do të thotë se të gjithë këta nuk kanë qenë apo nuk janë të respektuar nga të vetët, por megjithatë ka diçka simptomatike, diçka që populli e ka përcaktuar vetë e ka popullarizuar e ka segmentuar si më të veçantë, si rast ‘sui generis’ dhe e ka përcjellë, e ka ruajtur dhe nuk e ka harruar nga brez bë brez.

Bacë Adem Demaçit  në parim nuk i pengonte apelativi, edhe pse  jo vetëm njëherë e ka shprehur, se disa i thonë bacë, ia rrahin shpinën, sa për sy e faqe… Demaçit i ka penguar, madje edhe fort, kur i kanë kënduar për së gjalli… Ai i përmbahej rigorozisht urtësisë popullore,  “Trimit, qoftë edhe tri ditë pa vdekur, pos ia këndo  këngën, sepse mjaftojnë ato tri ditë, për ta prishur atë).

Karakteri dhe qenia e tij ishte shumë njerëzore, i stërmbushur me sinqeritet,  me rrezatim idealist, me dashamirësi, për të gjithë,  pa djallëzi, pa  dinakëri, pa shpirtligësi, pa asnjë urrejtje mbi baza fetare, kombëtare, racore, gjinore… Apelativi bacë, në rastin e tij, është një shembull  gjithë-popullor, jo i stisur, jo i porositur por që buron si një ujëvare, në natyrë,  që e oksigjenon ambientin.

Pas rënies heroike të kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari e Jasharëve, në Prekaz të Drenicës, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, në luftë kundër barbarisë serbe,  përveç apelativit Legjendar, me vendim të SHP të UÇK-së, populli  filloi t’ i thur himne e lavdi, këngë ndër më të zgjedhurat, krijime të të gjitha zhanreve letrare artistike,  por filloi ta quajë  edhe BAC. Bacë Adem Jashari, “Bac’ u krye” etj.

Personalisht nuk e përjashtoj mundësinë për një barasvlerësim me Bacë Adem Demaçin, sepse këtë po e bën populli dhr në këtë rast, të dy ishin emnakë, kishin  emrin  më të përzgjedhur biblik e kuranor, emrin e njeriut të parë, emrin domethënës…

Ahmet Qeriqi

Maj 2024

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Sejdi Begu: Martirit, Leotrim Malush Ahmeti

  Leotrim me thonë Emri i babës Malush Emri i nënës Kosovë Po shtatë vjeç …