UNICEF: Më shumë se 12. 000 fëmijë janë vrarë apo gjymtuar në zonat e konfliktit, gjatë vitit 2018

Pse zyrtarët e Kosovës nuk reaguan kundër përdorimit të armëve kimike në Siri më 4 prill 2017?

Sulmi, po thuajse i papritur i forcave ushtarake amerikane, kundër një baze lufte në Siri, nga ku është konstatuar se me armë kimike është bombarduar një lagje e qyteti Idlib, ku janë vrarë në mënyrën më mizore mbi 86 qytetarë në mesin e tyre edhe 30 fëmijë e foshnje,  ka hapur një faqe të re të luftës 6-vjeçare në Siri, ku regjimi kriminal i Asaadit ka vrarë rreth 400 mijë qytetarë të këtij vendi, të cilin e sundon me përkrahje të Rusisë dhe të Iranit. Ky sulm është përkrahur nga shumë shtete të botës, si Turqia, Franca, Anglia, Polonia, Japonia Australia, madje edhe nga Izraeli e Arabia Saudite, por është kundërshtuar nga Rusia dhe Irani.

Edhe sulmin me armë kimike të regjimit të Assadit kundër popullatës civile e kishte dënuar bota përparimtare, madje ditë më parë këtë sulm e dënoi edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, por jo edhe Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila mban një rezervë të mjegullt sa i përket luftës në Siri.

 Gjashtë vjet më parë, disa qeveritarë të Kosovës kishin sensibilizuar disa qytetarë se lufta e Opozitës demokratike në Siri kundër regjimit të Assadit, duhej përkrahur. Madje në këtë drejtim përkrahja kishte eskaluar bukur thellë. Krejt pa pengueshëm dhe me një aprovim solidar ishin nisur në Siri dhjetëra luftëtarë shqiptarë. Ishte krijuar bindja e fortë  se NATO-ja dhe Amerika do të intervenonin dhe shqiptarët atje do ta tregonin trimërinë, solidaritetin dhe internacionalizmin e tyre njerëzor kundër së keqes, ashtu sikur kishin treguar në vitin 1937-1938 në Spanjë, kundër regjimit fashist të Frankos.

U hapen dhe u riafishuan asokohe edhe faqet e ndritura të historisë shqiptare, duke rikthyer në kujtesë kohën kur shtetin e parë modern të Sirisë e kishin krijuar pikërisht shqiptarët në krye me Ibrahim Mehmet Ali Pashanë e Misirit, qysh në vitin 1830.  U botuan sa e sa shkrime për shqiptarët së Siri, për qëndresën dhe rreshtimin e tyre kundër diktatorit alavit, Assad. Por në kohën kur Amerika dhe NATO-ja u tërhoqën pas vërejtjes  serioze të Rusisë, punët u rrokullisën dhe morën një kahe bumerangu.

Në luftën e Sirisë ishin aktivizuar luftëtarë nga 70 shtete të botës, në mesin e tyre edhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, një numër krejt i vogël në krahasim me pjesëtarët e popujve të tjerë. Në kohën kur atje u lajmëruan grupet e para luftarake të kërkon themelimin e Levantit, shtetit të bashkuar Siri-Irak, si një Kalifat, të quajtur Shtet Islam, lufta në Siri hyri në një rrugë qorre e pa rrugëdalje.

Disa nga shqiptarët që kishin shkuar në Siri, për ta luftuar Assadin iu bashkuan kësaj force, e cila u ngrit me një shpejtësi të paparashikueshme, por e cila cenonte interesat amerikane në këto shtete.

Disa qeveritarë dhe politikanë në Kosovë, nga frika për humbjen e posteve nuk qenë në gjendje që të tregonin hapur se e kishin përkrahur vajtjen e njerëzve të caktuar në Siri dhe të kërkonin mirëkuptim e t’ i kthenin ata që i kishin dërguar. Për më keq ata filluan një fushatë të egër kundër tyre, madje duke nxjerrë edhe një ligj   që ua ndalonte dhe aktualisht ua ndalon  qytetarëve të Kosovës pjesëmarrjen në çdo luftë jashtë vendit, qoftë edhe kur sulmohet Shqipëria apo shqiptarët në Maqedoni.(!)

Ndërkohë kishte filluar edhe fushata e një segmenti të Qeverisë kundër disa klerikëve islamë të Kosovës të cilëve ua lanë në duar “këmbët e arushës”, duke i akuzuar për thirrjen që ata kishin bërë për të luftuar në Siri.

Fushata kishte për qëllim të tregonte besnikëri ndaj Amerikës, e cila e kishte përkrahur dhe po e përkrah edhe tani opozitën kryengritëse siriane, por jo forcat terroriste të ISIS-it.

Prej asaj kohe e deri tani, në asnjë rast, në asnjë forum, në asnjë konferencë shtypi Qeveria e Kosovës nuk e ka dënuar regjimin kriminal të Assadit, nuk ka pranuar qoftë edhe një familje të vetme refugjatësh sirianë në Kosovë, madje as ato me origjinë shqiptare, dhe ka hequr nga fjalori i përditshëm  fjalën, Siri.

As më 4 prill kur u bë i ditur botërisht lajmi për tmerrin njerëzor  kishte tronditur botën Ministria e Jashtme e Enver Hoxhajt nuk kishte reaguar, nuk kishte reaguar as pas reagimit të Ministrisë së Shqipërisë.

Po të ishin të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm këta qeveritarë do të duhet të tregonin përse ndodhi kjo, mos ndoshta për faktin se Siria nuk e ka njohur Kosovën si shtet?

Kjo ministri ka reaguar dhe reagon për një incident krejt të dorës së dytë kur ndodh në vende të ndryshme të botës, po nuk pati guxim të deklarohej kundër veprimeve kriminale të Assadit, sepse kësaj radhe  nuk besonte se mund të intervenonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe sot në ditën e tretë të krimit çnjerëzor e barbar në Idlib, hezitohet dënimi i regjimit të Assadit, tash sepse është vonë, është “si kofini pas të vjelave”. Çuditërisht as partitë e opozitës nuk reaguan për krimin por vetëm mbështetën sulmin e Amerikës.

Krerët e myslimanëve në Kosovë, Shqipëri e në Maqedoni të frikësuar me gogolin e ISIS-it, të frikësuar se mos po i burgosin si  “myslimanë terroristë”, apo sikur e thonë më butë si myslimanë të “radikalizuar”, janë futur  në tokë si urithët dhe deri tani nuk kanë bërë asnjë deklaratë kundër krimeve të Bashar Assadit dhe forcave ruse,  në Siri. Bashkësia Islame e Kosovës, me gjasë nuk ka guxuar ta dënojë sulmin me armë kimike të regjimit të Assadit kundër popullatës civile, në Idlib të Sirisë. Ajo edhe tani është e anatemuar prej kohës  kur në fillim, para gjashtë vitesh  përkrahu luftën e opozitës siriane kundër regjimit të Assadit, të cilin asokohe e kishte përkrahur edhe Qeveria e Kosovës.

Mos dënimi i këtij akti mizor, të cilit i dha përgjigje meritore kryetari amerikan, Donald Trump nga i cili shumë kush nuk e ka pritur, do të thotë pajtim me mizoritë e krimet.  Kjo tregon sa thellë ka sharruar fushata antimyslimane ndër shqiptarë, të cilët nuk guxojnë as ta përmendin fjalën Siri, ndërsa janë nxjerrë para gjyqeve dhe janë dënuar e  anatemuar të gjithë ata që kanë akuzuar  regjimin e  Assadit dhe që të gjithëve  u kanë veshur maskën e ISIS-it, për t’i frikësuar dhe për t’i  poshtëruar.

Lufta kundër Assadit në Siri ka qenë dhe mbetet një luftë e drejtë dhe si e tillë, ajo do të rezultojë me përmbysjen  e këtij  krimineli ashtu sikur është përmbysur kryekrimineli i Ballkanit, Slobodan Milosheviq.

Përkrahja e kryengritësve dhe çlirimtarëve sirianë, nuk do të jetë më tabu, sepse krimin e goditi në kokë, forca më e madhe e botës, Amerika,  dhe çështja e Sirisë doemos se do të zgjidhet në dobi të popullit që ka vuajtur dhe po vuan nga njëri ndër regjimet më gjakatare që ka njohur bota e qytetëruar.

(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …