Si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut, më 17 shtator të këtij viti, komuna e Rahovecit është goditur në masë të madhe nga përmbytjet si në: shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj. Me vendimin e kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl latifi, janë formuar edhe komisione të veçanta të regjistrimit dhe vlerësimit të dëmeve si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Kryetari Latifi i ka falënderuar anëtarët e secilit komision të cilët kanë bërë një punë të mirë në terren, ku edhe pse ishin në grevë, u përkushtuan ta kryejnë punën e vet me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Në raportet e përgatitura nga komisionet për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, ekonomi familjare dhe biznese, amvisëri e infrastrukturë publike, është paraqitur vlera e dëmit total: 3,546,477.66 €. Ne sot, po ashtu janë bërë kërkesat në Qeverinë e Kosovës për kompensimin e dëmeve, sepse një barrë e tillë financiare është shumë e rëndë dhe e papërballueshme për buxhetin e komunës së Rahovecit. Kërkesat janë parashtruar për Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe ministritë gjegjëse: MBPZHR, MAPL, MMPHI, MINT, ku edhe është kërkuar që të ndahet buxhet për t’i kompensuar qytetarët e dëmtuar të komunës së Rahovecit. Si Kryetar i Komunës Latifi, shpreh shqetësimin për situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve dhe vërshimeve, njëkohësisht kërkoj përkrahje nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, duke insistuar në kompensimin e dëmeve të mëdha tashmë të ditura, pas vlerësimit nga ana e komisioneve komunale.