Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. Një pjesë e bisedës mes tyre, është zhvilluar edhe për Kosovën dhe luftën kundër serbëve. Putin e ka përdorur Kosovën si pretekst për ta justifikuar pushtimin rus të Donbasit dhe planet e afërta për shkëputjen e rajonit nga Ukraina. “Personalisht kam lexuar të gjitha dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë. Më kujtohet mirë në vendim ku thuhet që një apo tjetër territor për ta ushtruar të drejtën e vetëvendosjes, nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin. Ky është një vendim i gjykatës ndërkombëtare. Ky vendim u mbështet gjithashtu nga të gjithë”, citohet të ketë thënë Putin. Ai ka deklaruar se Luhansku dhe Donetsku, kanë të njëjtën të drejtë porsi Kosova, pasi tashmë është krijuar një precedent.
