1. Profesor Lafe, në nëntor të këtij viti mbushen plot 50 vjet nga mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë (1972). Si e shikoni atë nga perspektiva e sotme?
Po, kanë kaluar 50 vjet! Kur e kujtoj, më duket edhe e largët (gjysmë shekulli nuk është pak), por edhe e afërt, sepse me rastin e këtij jubileu vetvetiu po më ngjallen kujtimet e kohës kur u përgatit dhe u zhvillua ai Kongres. Brezat që kanë hyrë në jetën aktive në këta 50 vjet, besoj se
kanë vetëm një përfytyrim të përgjithshëm për atë Kongres, si një tubim shkencor ku u diskutua dhe u vendos për çështje të drejtshkrimit të shqipes. Prandaj përfitoj nga pyetja juaj për të dhënë disa shpjegime e sqarime, sepse sot nuk janë aq të shumtë ata që e dinë si rrodhën ngjarjet që sollën mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit.
Pa u zgjatur në historinë e drejtshkrimit, do të përmend se pas luftës Instituti i Studimeve i themeluar më 1946 në Tiranë (prej vitit 1948 Instituti i Shkencave) mori përsipër përpunimin e rregullave të drejtshkrimit, hartimin e një gramatike të plotë shkencore të gjuhës shqipe (deri atëherë kishte pasur vetëm gramatika shkollore) dhe të një fjalori shpjegues, që do të ishte i pari i tillë për gjuhën shqipe. Rregullat e drejtshkrimit i hartoi një komision i përbërë nga gjuhëtarët më në zë të asaj kohe: Aleksandër Xhuvani (1880–1961), Kostaq Cipo (1892–1952) dhe Eqrem Çabej (1908–1980). Po këta e ripunuan dhe e plotësuan udhëzuesin drejtshkrimor të vitit 1948 dhe botuan një udhëzues të ri më 1951. Ritmet e zhvillimit të arsimit e të kulturës në periudhën e pasluftës ishin të larta dhe sollën gjithashtu zhvillimin e pasurimin e shpejtë të gjuhës së shkruar. Doli nevoja e përpunimit të një drejtshkrimi të ri, më të plotë, më të përcaktuar dhe për këtë u hartua një projekt nga prof. Mahir Domi. Projekti i tij u diskutua në konferenca të posaçme (1953, 1954) dhe më tej u përpunua e u botua nga komisioni i përbërë nga Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Eqrem Çabej dhe Androkli Kostallari (1956). Por edhe ky projekt nuk arriti t’i përmbushte kërkesat e gjuhës letrare që po zhvillohej e pasurohej me ritme të shpejta, duke u bërë për herë të parë edhe gjuha e arsimit të lartë (institutet e arsimit të lartë filluan të krijohen në Tiranë më 1946, pastaj më 1951 e 1952 dhe më 1957 nga bashkimi i tyre u themelua Universiteti i Tiranës). Ndërkaq edhe studimet në fushën e gjuhës shqipe kishin ecur përpara në shumë drejtime: në fushën e morfologjisë, të sintaksës, të fjalëformimit, të leksikologjisë, dialektologjisë, fonetikës, historisë së gjuhës etj. Ishin krijuar kushtet për një hap të ri edhe në fushën e drejtshkrimit. Pas një pune disavjeçare më 1967 u botua një projekt i ri i drejtshkrimit, në hartimin e të cilit pata nderin të bashkëpunoja edhe unë si asistent i profesorëve të mi Androkli Kostallari, Eqrem Çabej dhe Mahir Domi.
Siç dihet, në verën e vitit 1948 marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë u ndërprenë plotësisht. Marrëdhëniet diplomatike u rivendosën më 1955, por marrëdhënie kulturore e shkencore nuk ka pasur. Gjuhëtarët e Shqipërisë e të Kosovës nuk patën mundësi të bashkëpunonin për problemet e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare në përgjithësi, por i kanë ndjekur dhe i kanë pasur parasysh studimet që botoheshin andej e këtej. Pas disa tubimesh shkencore u botua në Kosovë një udhëzues drejtshkrimor i ri (1964), që afrohej në shumë pikame udhëzuesin e Tiranës të vitit 1956, por natyrisht duke ruajtur tiparet themelore të variantit letrar të gegërishtes së mesme, që përdorej atje që nga viti 1941, kur Kosova u bashkua me qeverinë e Tiranës (zanoren a në fjalë si kamba, hana, nana; mungesën e rotacizmit: rana, syni,
vuna etj.; grupin ue: due, grue, krue etj.). Viti 1967, kur u botua Projekti i Tiranës, e gjeti Kosovën me një klimë më të favorshme politike për shqiptarët pas rënies së ish-ministrit të brendshëm A. Rankoviç. Kështu u bë e mundshme që projekti të bëhej i njohur edhe në Kosovë. Kjo dha shkas që të mblidhet në Prishtinë ajo që njihet si Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968), ku u përfaqësuan të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi. Është tashmë i njohur vendimi i Konsultës i shprehur në përcaktimin Një komb – një gjuhë letrare kombëtare. Pas Konsultës dhe në pajtim me vendimet e saj, projekti i Tiranës filloi të zbatohej e të diskutohej edhe në Kosovë. Ndërkaq duhet përmendur se në Republikën e atëhershme të Maqedonisë vendimi për të zbatuar gjuhën letrare të shtetit amë qe marrë që më 1967 (gazeta “Flaka e vllaznimit” u quajt pas kësaj “Flaka e vëllazërimit”). Ky bashkim gjuhësor me shtetin amë hapi rrugën e frytshme të bashkëpunimit ndërmjet gjuhëtarëve shqiptarë andej e këtej kufirit. Është pikërisht kjo ngjarje e madhe historike, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, ku u përfaqësuan të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë së atëhershme, që i hapi rrugën një forumi mbarëkombëtar për gjuhën shqipe, siç qe Kongresi i Drejtshkrimit. U zgjata disi në këtë shtjellim, sepse brezat që kanë hyrë në jetën aktive në këta 50 vjet, i njohin shumë pak, për të mos thënë nuk i njohin ndoshta fare zhvillimet që përshkrova më lart. Vështruar nga perspektiva e sotme, Kongresi i Drejtshkrimit mund të vlerësohet si arritja më e madhe e shqiptarëve në fushën e kulturës për periudhën e pasluftës. Kongresi përmbylli diskutimin e gjerë rreth projektit drejtshkrimor, që vijoi rreth pesë vjet (në shtyp dhe nëpër mbledhje të posaçme), dhe miratoi një rezolutë, e cila, së pari, pohon se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar … e cila përdoret sot pothuajse nga të gjithë shqiptarët dhe është bërë modeli i normës gjuhësore të përbashkët për të gjithë ata që shkruajnë shqip.” Më tej në rezolutë përcaktohen parimet e drejtshkrimit, kriteret e ndërtimit të tij dhe një varg kërkesash që duheshin mbajtur parasysh gjatë redaktimit të projektit për t’i dhënë formën përfundimtare.
Kongresi i Drejtshkrimit u mblodh në ditët e përkujtimit të 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe me këtë merrte edhe një vlerë simbolike: për herë të parë pas 60 vjetësh delegatë nga të gjitha trojet shqiptare mblidheshim për të diskutuar dhe për të vendosur për një çështje madhore, për gjuhën letrare të përbashkët e të njësuar. Më 28 Nëntor 1912 delegatët shqiptarë u mblodhën rreth flamurit kombëtar dhe nënshkruan themelimin e Shqipërisë si shtet i pavarur; më 25 Nëntor 1972 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën rreth flamurit të gjuhës shqipe dhe shpallën se shqiptarët, kudo që janë, kanë një gjuhë letrare të përbashkët e të njësuar, sepse janë një komb, kanë një histori dhe të njëjtat aspirata për të ardhmen. Ashtu siç bashkoi Kuvendi i Vlorës ata që kishin punuar e luftuar për një Shqipëri të pavarur, edhe Kongresi i Drejtshkrimit bashkoi ata që ishin për një gjuhë letrare shqipe të përbashkët e të njësuar, ashtu siç po zbatohej
atëherë në gjithë hapësirën shqiptare.
Falë kësaj gjuhe letrare të përbashkët ngjarjet që rrodhën nga fundi i shekullit të shkuar dhe më pas, na gjetën më të bashkuar, më të lidhur e më të afërt me njëri-tjetrin se kurrë më parë. Pavarësisht se shqiptarët nuk jetojnë të gjithë në një shtet, sot në rajonin tonë ka një faktor shqiptar, që po fiton gjithnjë e më shumë peshë. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit si vijim i saj kanë qenë hapa vendimtarë e të mbarë që shqiptarët sot janë së bashku përpara historisë.
2. Si njëri ndër 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit, çfarë kujtoni nga ajo ngjarje dhe koha e saj?
Vendimi se do të organizohej një kongres për të përmbyllur diskutimin pesëvjeçar të
Projektit të drejtshkrimit na u njoftua nga Ministria e Arsimit. (Atëherë Instituti ynë ishte në
përbërje të Universitetit të Tiranës, që varej nga Ministria e Arsimit; vendimi për krijimin e
Akademisë së Shkencave u mor më vonë, në tetor 1972). Kongresi do të mbahej një javë para
festave të 28 e 29 Nëntorit. Kuptohet se kongresi do të ishte veprimtaria më e lartë e më
domethënëse për të festuar jubileun e 60-vjetorit të Pavarësisë. Na ishte vënë në dispozicion për
një javë (20–25 nëntor) salla e mbledhjeve plenare e Kuvendit të Shqipërisë dhe salla e sotme
“Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave, që lidhej me të. Për organizimin e Kongresit u krijua
një komision prej 19 vetash, i kryesuar nga drejtori i Institutit, prof. Androkli Kostallari, njeri me
energji të pashtershme dhe aftësi të shquara organizative. Prof. Mahir Domi ishte nënkryetar.
Unë u caktova sekretar i komisionit dhe, siç dihet, gjithë detyrat kalojnë së pari nga sekretari.
Kam qenë i mbingarkuar me punë atëherë. Por isha i ri, 34 vjeç, dhe munda t’i përballoja me
ndihmën e përhershme dhe mirëkuptimin e gjithë kolegëve të Institutit. E ndieja se po përjetonim
ditë me rëndësi dhe me vlerë historike. I gjithë Instituti ynë ishte i mobilizuar që Kongresi të
zhvillohej me një nivel shkencor të lartë. Atëherë kam qenë edhe përgjegjës i Sektorit të kulturës
së gjuhës në Institut. Kishim ngritur një kartotekë të pasur me vëzhgimet tona për çështje të
drejtshkrimit e të normës letrare në përgjithësi. Me materialet e saj kemi ndihmuar shumë
delegatë dhe pjesëmarrës të Kongresit që t’i punonin sa më mirë temat e kumtesave të tyre.
Kongresi përveç anës shkencore pati edhe anën dekorative e propagandistike. Duhej një
pllakat që të simbolizonte Kongresin, një medaljon, një distinktiv dhe formulimi grafik i
dëshmisë së delegatit. Duke u përpjekur për të bërë më të mirën, kam njohur atëherë nga afër
mjeshtër të talentuar të artit grafik. Por ata kishin mjaft punë të tjera nëpër duar në atë vit jubilar
dhe kështu nuk ka qenë e lehtë t’i shtroje për t’u marrë me kërkesat e tona. Duhet të shtoj se viti
1972 politikisht rrodhi, ose më mirë ishte lënë të rridhte i qetë, si vit i festimeve të 60-vjetorit të
Pavarësisë dhe kjo atmosferë qetësie shpirtërore ka qenë shumë e dobishme për mbarëvajtjen e
punës sonë.
3. A janë arritur objektivat e Kongresit të Drejtshkrimit dhe detyrat që u vuri ai gjuhëtarëve
shqiptarë?
Objektivi kryesor i Kongresit të Drejtshkrimit ka qenë pohimi se shqiptarët, kudo që janë, në
shtetin amë, në republikat e ish-Jugosllavisë e në diasporë kanë një gjuhë letrare kombëtare të
përbashkët dhe jo më dy ose tri forma të gjuhës letrare. Kjo është arritja e madhe kryesore e
Kongresit e formuluar në Rezolutë, siç e përmenda më lart.
Kongresi i Drejtshkrimit ishte forumi më i lartë shkencor, ku u shqyrtuan në tërësinë e tyre
parimet themelore, kriteret dhe çështjet e përgjithshme, si edhe shumë zgjidhje të veçanta të
drejtshkrimit e të normës letrare, sidomos në fushën e gramatikës.
Në përmbyllje të diskutimeve Kongresi shprehu edhe disa kërkesa:
a) brenda vitit 1973 të hartohen përfundimisht “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” –
kjo detyrë u krye;
b) në bazë të “Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” brenda vitit 1974 të hartohet
“Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” – kjo detyrë u krye më 1976;
c) brenda vitit 1975 të hartohen “Rregullat e drejtshqiptimit” dhe “Rregullat e pikësimit të
gjuhës shqipe”. Detyra e parë nuk është kryer, mendoj më fort për arsye subjektive (lënie pas
dore dhe mosorganizim i forcave shkencore), sesa për arsye objektive. Detyra e dytë u krye me
vonesë, më 1981, pasi kishte përfunduar hartimi i pjesës “Sintaksa” për “Gramatikën e gjuhës
shqipe” (botim i Akademisë së Shkencave).
Kongresi i Drejtshkrimit pati edhe një arritje tjetër të madhe: ndërgjegjësoi shoqërinë
shqiptare dhe shtetin për rolin dhe rëndësinë e gjuhës letrare në jetën e një populli, ngriti në një
shkallë më të lartë kulturën gjuhësore. Po shtoj këtu se pas botimit të “Drejtshkrimit të gjuhës
shqipe” (1973) qeveria në Shqipëri nxori vendimin “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të
njësuar të gjuhës shqipe” (Nr. 50, 8 mars 1974), i cili solli një përmirësim të dukshëm të kulturës
gjuhësore. Njohja dhe zbatimi i drejtshkrimit u bënë kërkesë e ditës edhe në Kosovë dhe te
shqiptarët në Maqedoni e më gjerë.
Por le të kemi parasysh se atë që arritën shqiptarët me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972,
popuj të tjerë të rajonit e të Europës në përgjithësi e kishin arritur shumë kohë më parë. Ashtu siç
ishim të vonuar në shpalljen e Pavarësisë, ashtu ishim të vonuar edhe në arritjen e një gjuhe
letrare të përbashkët. Prandaj habitem me mendjen e atyre që e gjykojnë Kongresin e
Drejtshkrimit si të parakohshëm dhe kujtojnë se gjuha letrare e përbashkët do të formohej
vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, kur t’i vinte koha. Lidhur me këtë do të përmend një thënie të
gjuhëtarit të njohur zviceran Ferdinand de Saussure, që e kam dëgjuar për herë të parë të cituar
nga prof. Rexhep Qosja në kumtesën e tij në Kongres: “E lëshuar në mëshirën e fatit të vet, gjuha
ruan ndarjen në dialekte, prej të cilave asnjëri nuk derdhet vetvetiu në tjetrin, dhe kështu mbetet e
dënuar të jetë gjithmonë e copëtuar. Mirëpo, meqenëse përhapja e qytetërimit e shton
komunikimin, me një marrëveshje të heshtur zgjidhet njëri prej dialekteve ekzistuese dhe ai
bëhet transmetues i gjithë asaj që e intereson kombin në tërësi.”
4. Sa ka arritur shqipja standarde që të jetë e përdorshme në trevat ku jetojnë shqiptarët? Sa
jeni të kënaqur me nivelin e përdorimit të saj?
Rrezja e veprimit të shqipes standarde ka ardhur duke u shtrirë gjithnjë e më shumë si në
pikëpamje territoriale, ashtu edhe në pikëpamje të shtresave shoqërore. Është naive të mendohet
se menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit shqiptarët do të flisnin kudo me gjuhën e njësuar!
Gjuha përfaqëson një shprehi dhe shprehitë duan kohë për t’u fituar e për t’u ndryshuar. Ju e dini
p.sh. se në Shqipëri ende llogaritë i bëjnë me “lekë të vjetra”, ndonëse leku i ri ka hyrë në
përdorim që më 1965. Shumica e shqiptarëve të sotshëm as e kanë parë lekun e vjetër, megjithatë
thonë p.sh. 1200 lekë në vend të 120, madje kështu thonë edhe anëtarët e qeverisë, sidomos kur
është fjala për rritjen e rrogave a të pensioneve. Le të kemi parasysh se analfabetizmi ndër
shqiptarët deri në mesin e shekullit të kaluar ka qenë rreth 90 për qind. Edhe në vende të tjera me
tradita kulturore shumë të pasura, gjuha letrare është shtrirë pak nga pak në masat e popullit,
duke u zgjeruar e përmirësuar arsimi i përgjithshëm, shtypi, botimet, radioja e televizioni dhe
jeta qytetare. Është iluzion të mendohet se një standard tjetër, kinse më i përshtatshëm, do të
kishte pasur më shumë sukses. Jeta shtetërore, shoqërore e kulturore dhe arsimi në të gjitha
kontekstet shqiptare zhvillohen me standardin e sotshëm. Kjo ka bërë që ai të njihet e të kuptohet
kudo, edhe nga ata që nuk janë në gjendje ose nuk e kanë të nevojshme ta përdorin. Parulla se
standardi ka dështuar, që përhapin disa herë nën zë e herë me zë, është ndjellakeqe dhe
dashakeqe. Mjafton të vizitosh Panairin e përvitshëm të Librit që hapet në nëntor në Tiranë, për
t’u bindur se shqipja standarde jo vetëm nuk është e dështuar, por gëzon shëndet të mirë dhe
zhvillohet e rritet paprerë.
Edhe në vende të tjera me tradita kulturore e arsimore të pasura njohja dhe përdormi i gjuhës
standarde nuk ka ecur me ritme të shpejta. Kam lexuar se në Itali, më 1861, kur u krye bashkimi i
gjithë territoreve të vendit në një shtet, jo më shume se tre për qind e italianëve zotëronin
italishten letrare të kohës. Dhe të mos harrojmë se është fjala për Italinë, vendi ku u themelua
universiteti i parë në Europë. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore përqindja e atyre që zotëronin
italishten letrare e kaloi dukshëm përqindjen e atyre që flisnin kryesisht në dialektin krahinor.
Zotërimi dhe përdorimi i standardit varet nga interesat kulturorë të njeriut, nga dëshira e tij
për të komunikuar në një formë më të ngritur gjuhësore sesa gjuha e shtëpisë a e vendbanimit të
vet. Gjuha standarde është gjuha e veprimtarisë shtetërore e publike, ose siç thuhet, e “situatave
formale”; në familje e në rrethin shoqëror, d.m.th. në “situata informale”, flitet gjuha bisedore, që
është e ndryshme sipas krahinave, d.m.th. ndryshe në Ulqin, ndryshe në Shkodër, ndryshe në
Prizren, në Shkup, në Tiranë, në Elbasan, në Preshevë, në Vlorë etj. Më ka bërë përshtypje
futbollisti i shquar shkodran Medin Zhega (1946–2012). Kam pasur rastin ta dëgjoj disa herë në
televizion duke folur jo me dialektin e qytetit, po me gjuhën letrare (mund t’i kërkoni intervistat
e tij edhe sot në google). Ai kështu e ka treguar veten jo vetëm si mjeshtër i shquar i futbollit, por
edhe si qytetar me horizont kulturor. Ka disa që, për fat të keq, kujtojnë se duke ndërruar
ligjërimin bisedor dialektor me gjuhën letrare, humbasin dinjitetin dhe personalitetin! Ligjërimi
letrar dhe ligjërimi bisedor dialektor kanë secili vendin e vet, nuk janë në armiqësi, por
bashkëjetojnë dhe pasurojnë e ndikojnë njëri-tjetrin.
Në Shqipëri e në Kosovë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, gjuhë e veprimtarisë shtetërore; në
Maqedoninë e Veriut statusi i gjuhës shqipe ka përparuar dhe ajo ka marrë edhe funksionet e
gjuhës zyrtare në komunat shqiptare. Në Malin e Zi gjuha shqipe ka një status më të ulët. Siç ka
vërejtur studiuesi Haxhi Shabani në një shkrim tani së fundi (“Gjurmime albanologjike”, 2020)
në mjediset urbane e gjysmurbane me popullsi shqiptare në disa fusha të veprimtarisë publike
përdoret gjuha malazeze, kurse në zonat fshatare nuk ka hapësirë për të realizuar disa nga
përdorimet publike e institucionale (këtë dukuri e ka quajtur ruralizëm i gjuhës shqipe në Malin e
Zi). Për fat të mirë ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë e Kosovës nuk ka kurrfarë pengesash për
komunikim dhe kështu shqipja standarde potencialisht është e pranishme edhe atje me të gjithë
diapazonin e përdorimeve të saj si gjuhë zyrtare e dy shteteve.
Si përfundim i kësaj do të them se gjuha merret me gjirin e nënës, kurse gjuha standarde
mësohet në bankat e shkollës, me mësues të mirë, me libra të mirë, me vullnet të mirë dhe ky
mësim vijon gjithë jetën. Shqipen standarde sot e kupton (ose e zotëron në mënyrë pasive) gati
çdo shqiptar i shkolluar; numri i atyre që e zotërojnë standardin në mënyrë aktive (me ndërhyrje
ku më pak e ku më shumë të së folmes vendore ose të traditave të vjetra) vjen duke u shtuar brez
pas brezi.
5. Ka kritika të ndryshme lidhur me mënyrën e përcaktimit të standardit (normës letrare) të
gjuhës shqipe, duke e cilësuar si një vendim politik. Çfarë përgjigjeje keni ndaj këtyre kritikave?
Janë kritika të gabuara. Disa i shprehin nga naiviteti, se nuk e njohin rrjedhën e gjërave. Disa
të tjerë fshehin prapamendime e qëllime që mund të quhen të mbrapshta. Ta sqarojmë më mirë
çështjen. Përmenda më lart se Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968) mori vendimin për të
lënë formën e deriatëhershme të gjuhës letrare me bazë gegërishten dhe për të marrë formën
gjuhësore të shtetit amë me bazë toskërishten. A mund të mendohet se ky ishte një vendim
politik i pushtetit jugosllav të asaj kohe? Nuk ka marri më të madhe!
Tani të kthehemi te ecuria që kishte marrë procesi i formimit të gjuhës letrare në Shqipëri dhe
që u pasqyrua në Projektin e drejtshkrimit të vitit 1967. Por për këtë po ia lë fjalën akademikut
Idriz Ajeti (1917–2019), i cili ka dhënë një kontribut themelvënës për sendërtimin e gjuhës
letrare të njësuar në Kosovë. Më 1996 ai ka shkruar: “Në vitet e fundit një lagje e papërfillshme
intelektualësh shqiptarë, kryesisht të andejshëm, kanë zënë e po shprehin pakënaqësi ndaj
zgjidhjes së çështjes së gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Kontestohen vendimet e Kongresit të
Drejtshkrimit, gjuha letrare e sanksionuar nga Kongresi, sepse në bazë të saj është vënë dialekti
letrar toskë. Ç’është ajo që e nxit atë palë intelektualësh shqiptarë, kryesisht shkodranë, pas
ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, të bëjnë rishikime në lëmin e gjuhës së njësuar, që pranë
gjuhës së sotme letrare shqipe të vihet një gjuhë-shemër? A ka ajo të meta të rendit gjuhësor,
apo dergjet nga ndonjë sëmundje tjetër? Në qoftë se është fjala për çështje që prekin themelet e
gjuhës kombëtare, atëherë mendojmë se do të jetë vështirë të merret e të rrëzohet godina e
gjuhës sonë letrare, njëzet e sa vjet pasi mori shtat dhe u përvetësua nga mbarë bota shqiptare!”
…. Kongresi i Drejtshkrimit veproi mirë e drejt kur sanksionoi njëzëri mendimin e
pjesëmarrësve, duke gjykuar kësisoj: Nga gjysma e dytë e shek. XIX gjuha e shkruar shqipe
kishte arritur një shkallë të mirë bashkafrimi në ndërtimin e godinës së madhe gjuhësore
nëpërmjet elementeve të ndërsjella gege-toske, por rezultantja e tyre nuk ishte e barabartë:
toskërishtja e shkruar me një strukturë të qëndrueshme trajtash, pse ruante një stad më të vjetër
e më të drejtë formash, kishte arritur në një shkallë të atillë zhvillimi me shfaqje shkrimi sui
generis toske; gegërishtet e shkruara nuk kishin mbërritur në shfaqjen e tyre të shkrimit një
afrim që do t’i bashkonte të gjitha të folmet gege. Ajo lagje intelektualësh nuk udhëhiqej nga
parime thjesht gjuhësore në punë të zgjidhjes më të mirë, më të pranueshme të gjuhës letrare
shqipe, veçse nga synime jashtëshkencore, jashtëgjuhësore: gjuhës letrare të sotme t’i vihej
përballë një shemër, me ç’gjë e vështirësonte përtej mase krijimin e gjuhës së përbashkët letrare
shqipe. … Gjuha e përbashkët shqipe, e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, duke pasur në
bazë të saj toskërishten, brenda një kohe tepër të shkurtër arriti në një shkallë stabiliteti të
kënaqshëm.” (“Formimi i popullit shqiptar dhe i gjuhës së tij në rrjedhë të kohës” – në: Shekulli
21 Mendime dhe opinione. Gjonlekaj Publishing Company. New York USA, 1996, f. 116–117).
Këtë arsyetim të drejtë të akademikut Idriz Ajeti e përforcon edhe një e dhënë statistikore. Në
vitin 1927, kur popullsia e Shqipërisë ishte 828.593 banorë, vetëm 62.889 prej tyre kishin kryer
ndonjë shkollë (vetëm fillore, të mesme ose universitet); 78 për qind e këtyre të shkolluarve vinin
nga Shqipëria e Jugut (prefekturat Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë) dhe vetëm 22 për qind nga
Shqipëria e Veriut (Teki Selenica, “Shqipëria më 1927”). Kuptohet vetvetiu se edhe ky
shpërpjesëtim kulturor-arsimor (arsyet u takon historianëve të arsimit t’i shpjegojnë) ka ndikuar
në zhvillimin më homogjen e më të qëndrueshëm të toskërishtes letrare. Është e vërtetë se në
periudhën ndërmjet dy luftërave në Shqipëri praktikohej si gjuhë e administratës së shtetit një lloj
gegërishteje afërsisht sipas dialektit të Elbasanit. Por ajo mbeti kryesisht gjuhë e burokracisë.
Shkrimtarë e njerëz të letrave si Faik Konica, Fan Noli, Çajupi, Asdreni, Lumo Skëndo, Lasgush
Poradeci, Mitrush Kuteli, Kristo Floqi, Nonda Bulka, Branko Merxhani, Sterjo Spasse, Lame
Kodra, Skënder Luarasi, Tajar Zavalani, Vedat Kokona etj., vijuan të shkruanin në toskërishten
letrare si më parë, po ashtu edhe një numër i mirë gazetash e revistash. Edhe në përkthimet
letrare, veçanërisht në prozë, ka mbizotëruar toskërishtja. Në këto rrethana nuk mund të mëtohet
që dialekti i jugut u favorizua nga politika. Favorizim do të thotë t’i japësh dikujt pa të drejtë
diçka që i takonte me të drejtë një tjetri. Por ky nuk është rasti.
Nuk ishte e papritur që do të dilnin kundërshtime ndaj asaj që u arrit në Kongresin e
Drejtshkrimit. Gjithnjë kur hidhen hapa të rëndësishëm përpara, kur kalohet në një gjendje të re
më të përparuar, ka njerëz që, nga plogështia e mendimit ose për motive vetjake të dobëta,
zgjedhin të mbeten të lidhur pas së shkuarës. Dhe nuk është e rastit që kundërshtimet, siç ka
vërejtur akad. I. Ajeti, kanë ardhur nga disa filologë të mjedisit intelektual shkodran. Shkodra
është e vetmja nga qendrat e katër vilajeteve shqiptare (i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit, i
Janinës) që i mbeti shtetit shqiptar. Ajo ka pasur një status të dallueshëm urban që në kohën e
Perandorisë Osmane. Nga vitet ’60 të shek. XIX, me ardhjen e një misioni jezuit, Shkodra u bë
qendra kryesore e lëvrimit dhe e mësimit të gjuhës shqipe. Shoqëritë kulturore “Bashkimi” e
“Agimi”, shtypshkronja “Zoja e Papërlyeme” dhe gazetat e revistat që u botuan atje, i dhanë
gjallëri jetës mendore e letrare të qytetit. U krijua një traditë letrare e mbështetur në të folmen
vendore, që njihet edhe si shkodranishtja letrare. Me këtë formë gjuhësore zhvillohej gjithashtu
veprimtaria botuese e predikuese e klerit katolik. Edhe pas luftës, me gjithë përndjekjet ndaj
kundërshtarëve të regjimit të ri, në Shkodër vijoi tradita e saj e pasur kulturore e letrare. Në atë
qytet krijuan dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre një varg shkrimtarësh e dijetarësh, dolën botime
të shumta letrare e shkencore, lulëzoi një veprimtari artistike e dendur në traditën letrare
shkodrane (teatri “Migjeni”, estrada e Shkodrës etj.). Të gjitha këto me mbështetje nga shteti. Për
shtetin përmbajtja duhej të ishte në frymën e mësimeve të partisë dhe të parimeve të socializmit;
gjuha sipas së traditës letrare shkodrane nuk ishte aspak problem. Gegërishtja si gjuhë e
krijimtarisë artistike u lëvrua edhe nga autorë të tjerë në Tiranë e në ndonjë qytet tjetër. Madje
edhe në revistat shkencore të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, studiues nga veriu,
historianë a gjuhëtarë, i hartonin dhe i botonin gegërisht punimet e tyre. Nuk kishte kurrfarë
pengese për këtë.
Praktika e përdorimit të gegërishtes letrare në Shkodër dhe përgjithësisht në Shqipëri u
ndërpre në vitet pas Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, kur vetë krijuesit hoqën dorë prej saj,
duke u bashkuar me praktikën e re të Kosovës (shtrohej pyetja: Kur në Kosovë po shkruajnë
sipas drejtshkrimit të sotshëm, po ne këtu?). Ndryshe nga Shkodra, pjesa tjetër e Shqipërisë së
Veriut (krahinat e Malësisë së Madhe, Pukës, Kukësit, Dibrës, Matit, Mirditës, Krujës, Tiranës),
ishte e paurbanizuar dhe pa traditë letrare. Pas luftës, me shtrirjen e plotë të sistemit arsimor edhe
në ato zona, banorët e tyre u kulturuan duke kaluar drejtpërdrejt nga e folmja vendore te gjuha e
shkollës, pa u ndikuar nga ndonjë traditë letrare e mëparshme si në rastin e Shkodrës. Prandaj
kundërshtimet ndaj gjuhës standarde kanë qenë tepër të rralla nga ato anë.
Ka pasur kritika për disa qëndrime të shprehura dikur në organe të klerit katolik lidhur me një
gjuhë letrare kombëtare të njësuar e të përbashkët, e cila me gjasë nuk do të ishte shkodranishtja
letrare. Duhet pasur parasysh se katolicizmi në Shqipëri ka një shtrirje deri diku të kufizuar në
anën veriperëndimore, prandaj për veprimtarinë e kishës ka qenë e mjaftueshme shkodranishtja
letrare tradicionale. Unë besoj se sikur katolikët shqiptarë të ishin të shpërndarë edhe në krahina
të tjera të vendit në veri e në jug, vetë kisha katolike do të bëhej nismëtare për një trajtë
gjuhësore të përbashkët e të përpunuar mirë. Kudo kisha ka synuar që Shkrimi i Shenjtë dhe
predikimi të arrijnë te besimtarët me një gjuhë të tillë. Prandaj edhe formimi i gjuhëve letrare në
disa vende lidhet me veprimtarinë dhe kërkesat e kishës. Por në një Shqipëri analfabete si ajo e
paraluftës, një gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar, e ndryshme më pak a më shumë nga
shkodranishtja tradicionale, nuk i përshtatej atëherë praktikës së kishës katolike. Prandaj ajo nuk
bashkohej me idenë për ndonjë zgjidhje deri diku të shpejtë të gjuhës letrare të njësuar. Sot
larmia e formave gjuhësore në veprimtarinë fetare i takon së kaluarës. Të gjitha bashkësitë fetare
të shqiptarëve kanë pranuar gjuhën letrare dhe i kryejnë veprimtarinë e tyre botuese e predikuese
në këtë gjuhë. Besimtarët shqiptarë sot janë shkolluar e kulturuar nëpërmjet gjuhës letrare, nuk
janë analfabetë, prandaj ligjërimet krahinore nuk i përshtaten më veprimtarisë fetare.
Përfundimisht mund të thuhet se gjuha letrare kombëtare e sanksionuar nga Kongresi i
Drejtshkrimit më 1972 është një realitet i pakthyeshëm. Në këtë kuptim një kongres tjetër si ai i
drejtshkrimit është krejt i panevojshëm, i paarsyeshëm, sepse nuk mund të kishte tjetër
përfundim veçse të vinte pranë shqipes standarde edhe një gjuhë “shemër”, siç e quan akad. I.
Ajeti. Ky është qëllimi i mbrapshtë i kundërshtimeve dhe përgojimeve të sotme ndaj shqipes
standarde. Jam i bindur se shqipja standarde do të përparojë, duke i thyer shkopinjtë që i fusin
ndër rrota aty-këtu, sepse shqiptarët e vështrojnë atë si domosdoshmëri dhe si vlerë të lartë
kulturore e kombëtare.
6. Sa qëndron mendimi se mbizotëron toskërishtja dhe se dialekti gegë është diskriminuar në
standardin e shqipes?
Dëgjohet herë-herë një pikëpamje e tillë, që gegërishtes i është bërë padrejtësi. Dy janë
burimet e këtij keqkuptimi. Së pari, drejtësia e padrejtësia janë koncepte që nuk kanë të bëjnë me
ecurinë e zhvillimit të një gjuhe letrare. Gjuha letrare nuk është si një parlament, ku çdo krahinë,
sipas numrit të popullsisë, dërgon deputetët e vet! Gjuhët letrare kudo nisen nga një bazë deri
diku e ngushtë (në pikëpamje të fonetikës e të trajtave morfologjike të fjalëve), që bëhet pastaj e
përgjithshme, mbizotëruese. Pra njëri nga dialektet, siç e ka shpjeguar edhe F. de Saussure në
citatin e përmendur nga prof. R. Qosja, do të mbizotërojë mbi tjetrin: ose toskërishtja mbi
gegërishten, ose gegërishtja mbi toskërishten. Nuk mund të ketë baraspeshë që të mos i mbetet
hatri askujt! Këtu vetvetiu del edhe kjo pyetje: sikur shqipja standarde të ishte mbi bazën e
gegërishtes (p.sh. mbi dialektin e Elbasanit, siç qe vendimi i Komisisë së Shkodrës për gjuhën e
administratës), si do të veprohej për të mos i bërë padrejtësi toskërishtes? Nuk besoj se ka
zgjidhje tjetër përveçse: kush të dojë le të shkruajë edhe toskërisht! Atëherë, për ku u nisëm e ku
vajtëm? Askund!
Albanologu gjerman Rolf Ködderitzsch (1941–2020), që ka punuar disa vjet edhe në
Universitetin e Tiranës, për të sqaruar këtë çështje ka mbajtur një kumtesë të posaçme: “A është
gjuha letrare shqipe e njësuar një instrument për të shtypur gegët?” (Ist die vereinheitlichte
albanische Schriftsprache ein Instrument zur Unterdrückung der Gegen? Bonn, 1996); është e
nevojshme që kjo kumtesë të botohet edhe shqip, se pakkush e ka lexuar gjermanisht.
Ndonëse në vështrim fonetik e morfologjik shqipja standarde mbështetet kryesisht mbi
toskërishten, në tërësinë e saj ajo është një madhësi mbidialektore, d.m.th. e tillë që ka përthithur
elemente të shumta jashtë toskërishtes, veçanërisht në fjalëformim e në fjalor, p.sh. kush e di sot
se fjalë të tilla aq të përgjithshme si: akullnajë, bishtajë, bjeshkë, fik (folje), pendohem, furrnaltë,
rrafshnaltë, pjalm, pjalmim, synoj, shmang, shpinë, zanë etj. janë me burim nga gegërishtja?
Vetëm ata që merren me studime gjuhësore!
Së dyti, duhet ditur se gjuhët letrare krijohen përmes një veprimi kolektiv, nuk janë projekte
që skicohen mbi një tryezë pune dhe pastaj jepen për zbatim. Të gjitha orvatjet për të sajuar
gjuhë letrare duke marrë ca elemente këtej e ca andej, siç e ka përmendur edhe akad. I. Ajeti në
Konsultën e Prishtinës, kanë dështuar. Gjuha letrare është një zhvillim organik; nuk sajohet si një
lloj allishverishi: ti të më pranosh mua këtë, që unë të të pranoj ty atë! Elementet e gegërishtes që
ka shqipja standarde, nuk i kanë futur gjuhëtarët, por vetë zhvillimi i gjuhës, p.sh. fjalë si mësues,
sulmues, vrapues, përkthyes etj. (në vend të formave toske mësonjës, sulmonjës, vraponjës,
përkthenjës) nuk ia kanë imponuar gjuhëtarët gjuhës, po gjuha gjuhëtarëve. Paskajorja e
gegërishtes nuk gjeti vend në strukturën e gjuhës standarde, nuk hyri në përdorim letrar. As që
duhet menduar se e paskan ndaluar gjuhëtarët! Nuk e kanë atë fuqi.
Natyrisht paskajorja përdoret, sepse është element i gjuhës shqipe, i njërit prej kryedialekteve
të saj. E përdorin edhe ata që nuk e kanë në dialektin e vet, p.sh. dëgjohet dendur: me thënë të
drejtën … por këto janë dukuri të gjuhës së folur. Gjatë viteve të luftës edhe Enver Hoxha, duke
qëndruar pranë popullit të thjeshtë të Tiranës, shkruante afërsisht: … duhet me e bindë popullin
për të luftuar okupatorin fashist … ose duhet ta bindim popullin për me luftue okupatorin fashist.
Ka qenë një përpjekje e hershme, që nga Rilindja, për të futur paskajoren e gegërishtes në
letrarishten toske, por nuk pati sukses, nuk ngjiti (nuk ndërhynë gjuhëtarët për këtë). Përveç
problemeve morfologjike (duke qenë pjesorja e gegërishtes e ndryshme nga ajo e toskërishtes, do
të dilnin edhe fjali të tilla si për me punue tokat e papunuara) edhe në vështrim sintaksor
letrarishtja toske i kishte mjetet e nevojshme për të zëvendësuar paskajoren e gegërishtes dhe
kështu e ruajti sistemin e saj.
7. Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballet gjuha shqipe sot?
Dua të them në fillim se problemet me të cilat përballet gjuha shqipe sot nuk janë as
drejtshkrimi, as gramatika, siç mund të mëtojë ndokush. Ka probleme më të mprehta, të
trashëguara dhe probleme të reja, që kanë dalë në epokën tonë moderne të globalizmit. Kemi
probleme të përgjithshme, për mbarë shqipen, dhe probleme të veçanta për Shqipërinë dhe për
Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi.
Problemi më shqetësues, që nga Budi, Bardhi e Bogdani, dhe që u vu në qendër të vëmendjes
gjatë Rilindjes, ka qenë dhe mbetet mënjanimi i fjalëve të huaja të panevojshme, pastërtia e
gjuhës. Atëherë lufta drejtohej kundër turqizmave dhe greqizmave, ndërsa sot janë huazimet e
epokës moderne ato që mund të çojnë në shfytyrimin e gjuhës sonë. Gjuha shqipe nuk ka nevojë
për fjalë të tilla si azhurnoj, azhurnim, abdejtoj, abdejtim, bilateral, multilateral, centralizoj,
centralizim, defiloj, defilim, definicion, definoj, demantoj, demantim, demarsh, deziluzion,
dominoj, dominant, eksploatoj, elaboroj, esencë, esencial, ezauroj, frutikulturë, gravitacion,
gravitet, hezitim, karrexhatë, konform, respektiv, respektivisht, rotondë, spostoj, spostim etj.
Fjalorët këshillojnë të përdoren fjalë shqipe shumë të përshtatshme në vend të tyre. Dëgjojmë të
thuhet se dikush ndërroi jetë si rezultat i një ataku kardiak – ky mund të jetë një formulim sipas
zhargonit profesional të mjekëve, por në një shqipe të rregullt thuhet ndërroi jetë nga një goditje
në zemër (duhet parapëlqyer goditje, sepse fjala sulm ka ngjyrimin e një veprimi ushtarak). Tani
disa njerëz të qeverisë në Tiranë po thonë: kërkesat tuaja do të adresohen një për një … (sepse
ashtu thuhet anglisht) në vend që të thonë shqip: do të shqyrtohen ose do të trajtohen; nëpër
televizione reklamohen mallra me njoftimin se oferta është e limituar (sepse ashtu thuhet në
gjuhë të tjera), në vend që të thuhet më shqip: oferta është e kufizuar dhe pastaj na del si rrjedhim
burime, masa, vende, mundësi … të limituara! Në gjuhën shqipe nuk kemi folje limitoj, që të dalë
ky mbiemër i panevojshëm. I limituar do të thotë i kufizuar dhe pikë. Nuk duhet lejuar që gjuha
shqipe të bëhet shesh ushtrimesh për snobët gjuhësorë!
Në çështjen e pastërtisë së gjuhës Shqipëria nga njëra anë dhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi
kanë edhe disa probleme të veçanta. Shqipëria ka qenë shumë e hapur ndaj ndikimit të italishtes,
kurse në ish Jugosllavi gjuha shqipe ka pasur një trysni të përditshme nga gjuhët sllave të
Federatës. Kjo trysni përveçse në fjalorin e përgjithshëm ndihet edhe në terminologji e në
sintaksë, p.sh. mendoj se termi gjykatë themelore (i ndërtuar sipas serbishtes) nuk është i
përshtatshëm, po të kemi parasysh kuptimin që ka fjala themelor në gjuhën shqipe. Kjo lloj
gjykate është e para ku nis një proces gjyqësor, prandaj është më i drejtë termi gjykatë e shkallës
së parë (pastaj vijnë edhe shkallë të tjera të sistemit gjyqësor) që përdoret në Shqipëri. Në
Kuvendin e Shqipërisë votohet pro ose kundër, kurse në Kuvendin e Kosovës votohet për ose
kundër. Nuk ka asnjë të keqe që edhe ligjvënësit e Tiranës të marrin fjalën shqipe për e jo pro
sipas italishtes! Në Kosovë thuhet rëndom Ju falënderoj për mirëkuptim, për vëmendje … duke
përkthyer fjalët përkatëse të serbishtes, që nuk ka trajtë të shquar e të pashquar. Në gjuhën shqipe
fjalët mirëkuptim, vëmendje etj. në këtë formulë vihen në trajtën e shquar, sepse shënojnë diçka
të njohur si për folësin ashtu edhe për dëgjuesin, pra: Ju falënderoj për mirëkuptimin, për
vëmendjen, për ndihmën, për përkrahjen, për ftesën, për mikpritjen, për dashamirësinë etj.etj. Po
kështu nuk është shqip të thuhet duhet lexuar këta libra ose duhet pastruar tryezën (në vend të
duhen lexuar këta libra, duhet pastruar tryeza) ose Nuk dihet do të vijnë deri te marrëveshja në
vend të …a do të arrijnë një marrëveshje.
Një problem i madh për gjuhën shqipe sot është njësimi i terminologjisë ndërmjet Shqipërisë
dhe Kosovës në të gjitha fushat. Është një kërkesë e ngutshme duke pasur parasysh perspektivën
e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kodet juridike në Kosovë dhe në Shqipëri kanë dallime të
theksuara terminologjike, siç kishte vënë re me shqetësim akademiku Esat Stavileci në një
konferencë për terminologjinë që u organizua në Tiranë. Për fat të keq nuk është bërë asgjë në
këtë drejtim. Është shpërdoruar shumë kohë duke diskutuar kot së koti, p.sh. a duhet shkruar
burrë, djalë, ujë … apo burr, djal, uj …,. Anëtarët e Komisisë Letrare në Shkodër, ndryshe nga
disa profesorë universitarë sot, e kanë pasur fort të qartë se gjinia gramatikore dhe drejtshkrimi
nuk kanë kurrfarë lidhjeje kushtëzimi ndërmjet tyre.
Në kohën tonë ka një rënie të kulturës gjuhësore në shumë vende të Europës. Një
profesoreshë austriake në Tiranë më thoshte se në Austri e në Gjermani vërehen shumë gabime
drejtshkrimore e gjuhësore, gjë që nuk ndodhte më parë. Sociologët thonë se në shoqëritë e
sotme po përhapet dukuria që quhet analfabetizëm funksional, d.m.th. afërsisht njerëz që nuk
janë analfabetë, dinë të lexojnë e të shkruajnë, por që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të
qenë pjesëtarë të jetës aktive shoqërore. Sa u përket gabimeve gjuhësore, një gjë është e sigurt si
për shqipen, ashtu edhe për gjuhë të tjera: nuk e kanë fajin aspak rregullat drejtshkrimore e
gramatikore të kësaj ose asaj gjuhe. Faji është tjetërkund: te shkollimi i papërshtatshëm, te
interesimi i dobët, te kërkesat e pamjaftueshme për kulturë gjuhësore dhe natyrisht te gjendja
ekonomike e familjes. Kush rropatet për të siguruar jetesën, nuk ka kohë e mjete për kulturë,
edhe në pastë dëshirë e prirje.
8. Cili është raporti i medias shqiptare me gjuhën shqipe? Cili është niveli i përdorimit të
shqipes standarde në mediat shqiptare? A po e luan media rolin që duhet të ketë?
Media sot ka një rol të rëndësishëm për kulturën gjuhësore dhe për vetë “shëndetin” e një
gjuhe. Të gjithë jemi “të bombarduar” nga media, që kur ndezim radion a televizorin në mëngjes,
pastaj duke lexuar ndonjë gazetë, e më tej duke ndjekur ndonjë emision a debat, e kështu me
radhë. Niveli i kulturës gjuhësore në median shqiptare lë për të dëshiruar, siç thuhet frëngjisht
për të mos e thënë krejt troç. Në shtypin e shkruar në Shqipëri janë rralluar shumë redaktorët
letrarë (ose lektorët), prandaj ka mjaft gabime, që janë dy farësh: a) gabime gjuhësore (nga
mosnjohja e rregullave), si p.sh. ka shkruajtur (për ka shkruar), ç’rrënjosje (për çrrënjosje), ç’do
njeri (për çdo njeri). t’i kushtohet vëmendje të moshuarve (për t’u kushtohet …), kush janë
shkaqet … (për cilat janë shkaqet) etj.; b) gabime gishtash: jo të gjithë ata që dërgojnë shkrime
për botim në shtyp, kanë merakun dhe kohën për të kontrolluar atë që kanë shkruar, kurse shtypi
e merr dhe e boton siç i vjen (përgjegjësia është e autorit, jo e gazetës!). Por jo rrallë gishtat në
tastierën e kompjuterit nuk shkojnë atje ku duhet dhe kështu dalin fjalë ku ngatërrohen shkronjat,
p.sh. u në vend të i, m në vend të n etj., ose mungon ndonjë shkronjë a shenjë pikësimi.
Në median e Shqipërisë interesimi për rregullsi gjuhësore më duket më i dobët sesa në
median e Kosovës. Këtu kujtojnë gabimisht se gjuha standarde është ashtu siç e flasim unë e ti,
kurse në Kosovë dinë të mësojnë nga librat e gjuhës dhe nga fjalorët. Ka një emision në tv
Mirëmëngjesi Kosovë! Edhe televizioni i Tiranës e imitoi dhe krijoi emisionin Mirëmëngjes
Shqipëri! Kam shkruar një artikull ku kam shpjeguar se në shkrim duhet përdorur forma e plotë
Mirëmëngjesi (ashtu si mirëdita, mirëmbrëma), dhe jo forma e shkurtuar e ligjërimit bisedor
mirëmëngjes. Por ka një plogështi kur është fjala për të ndrequr gabime të tilla. Gazetarët dhe
folësit në radiot dhe televizionet e Shqipërisë zakonisht i shqiptojnë fjalët ashtu siç i thonë në
ligjërimin e tyre krahinor a familjar dhe jo ashtu siç shkruhen e siç mësohen në shkollë, p.sh.
dendur dëgjojmë të shqiptohet brënda, gjëndje, kuvëndi, mirëqënie, qëndër, vëmëndje, zëmërim
etj. Ky është një shqiptim dialektor, i palejueshëm për gazetarin a folësin e medias. Ata duhet të
ushtrohen të shqiptojnë pastër, qartë, drejt, siç ushtrohen pjesëtarët e një orkestre secili me
veglën e vet. Vegla e gazetarit është stili i ligjërimit letrar. Duhet të jesh ushtruar mirë për këtë,
para se të dalësh para mikrofonit.
Kam vënë re se shumica e atyre që marrin mikrofonin në dorë janë në moshë mjaft të re, pa
përvojë, tërhiqen nga disa fjalë a shprehje që mund t’i quajmë “modë gjuhësore”. Dy fjalë të tilla
janë mundësoj e pamundësoj, që po përdoren vend e pavend, p.sh. Shirat e dendur mundësuan (!)
rrëshqitjen e gurëve dhe bllokimin e rrugës. Policia mundësoi (!) arrestimin e të dyshuarve për
vjedhje. Ndërhyrja e zjarrfikësve pamundësoi (!) përhapjen e flakëve … Kjo nuk është shqip!
Edhe njohja e gjuhëve të huaja është gjysmake. Flitet në lajme për të burgosurit e luftës (!) –
përkthim fjalë nga gjuhët e huaja (shqip robërit e luftës); fjala library (që ka kuptimin
‘bibliotekë’ në anglishte) kujtohet se është libraria e shqipes dhe lexojmë në lajme ose përkthime
emisionesh Libraria e Kongresit (në Uashington). Libraria e Aleksandrisë.
Është pak të thuhet se gjuhëtarët nuk janë të kënaqur nga niveli i kulturës gjuhësore në
media. Ata janë shumë të shqetësuar dhe kritikë ndaj tyre. Na vijnë shumë ankesa nga dashamirë
të gjuhës shqipe për të ndërhyrë që të përmirësohet gjendja.
9. Në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, sa është e rrezikuar gjuha shqipe? Cilat janë
vështirësitë dhe problemet që duhet të përballojë ajo në ditët tona?
Në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit gjuha letrare e njësuar që sanksionoi ai Kongres
vjen më e fuqishme, më e pasuruar, më e qëndrueshme, më e kodifikuar. Në qoftë se do të
përdornim një terminologji juridike, do të thoshim se gjuha letrare, në kuptimin e kodeve që
përcaktojnë normat dhe rregullat gjuhësore, mund të quhej pushteti legjislativ. Por që këto kode
të zbatohen, duhet veprimi i pushtetit ekzekutiv. Hallka e parë e pushtetit ekzekutiv sigurisht
është shkolla. Shkenca e gjuhës dhe kultura gjuhësore mësohen në shkollë. Duhen mbajtur
parasysh të dyja këto, p.sh. një nxënës duhet të dijë jo vetëm që trajtat shkruajta, shkrojta,
shkrova, shkrujta janë të kohës e kryer e thjeshtë, por të dijë gjithashtu se vetëm njëra prej tyre,
shkrova, është trajta normative, trajta e gjuhës letrare, ajo që duhet përdorur në të shkruar e në të
folur. Shkolla duhet t’u rrënjosë nxënësve shprehitë e shqiptimit letrar, të drejtshkrimit, të
përdorimit të fjalëve të përshtatshme shqipe, të mospërdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme,
të lidhjes së fjalëve në fjali, po ashtu edhe disa njohuri për stilistikën gjuhësore. Gjuha letrare në
shkollë nuk mësohet vetëm në lëndën e gjuhës shqipe, por në të gjitha lëndët. Mësuesit e lëndëve
të ndryshme janë të detyruar të zotërojnë gjuhën letrare, të mos përdorin në mësim një ligjërim të
shkujdesur ose gjysmëdialektor. Edhe mësuesit e lëndëve si biologjia, kimia, fizika, matematika
etj. kanë për detyrë t’u tërheqin vëmendjen nxënësve për gabime gjuhësore në shkrim e në të
folur.
Hallka tjetër është administrata e shtetit. Shtetit i duhen njerëz me kulturë të përshtatshme
gjuhësore për të hartuar e redaktuar legjislacionin, kodet, vendimet, gjithçka që del me vulën e
shtetit. Pastaj vjen shoqëria civile dhe media. Edhe ato duhet ta vështrojnë kulturën gjuhësore si
një detyrim moral. Njeriu që merr pjesë aktive në jetën mendore e shoqërore, duhet të përpiqet
gjithnjë për të mësuar diçka të re edhe në fushën e gjuhës, si shkruhet kjo ose ajo fjalë, a thuhet
mbarështoj apo mbarështroj, gjuha e njësuar apo e njehsuar, demonstratë apo demostratë,
kompensim apo kompesim etj.
Kryeministri E. Rama në Kongresin Arsimor të mbajtur në Tiranë (12 shtator) e vuri theksin
fuqishëm edhe te mbrojtja e gjuhës shqipe, kur u shpreh se “mbrojtja e gjuhës shqipe dhe
arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar
vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumëkush mund të pyesë, – vijoi ai, – po nga se do ta
mbrojmë ne gjuhën shqipe? Ndërkohë që përgjigja është shumë e thjeshtë; mjafton të harxhojë
secili një orë për të lundruar në gjithë kanalet e informacionit, që të shikojë se çfarë ndodh me
gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, çfarë me pikat mbi ë, çfarë ndodh me
formulimin e strukturës së fjalive dhe çfarë ndodh me ortografinë në tërësi.
Teksa brezi më i ri përfshihet me një shpejtësi marramendëse në rrugën e komunikimit
përmes telefonave celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuara dhe nga ana tjetër,
kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, kjo u ndodh të gjitha gjuhëve që sot janë në këtë presion të
madh të konsumit marramendës, si asnjëherë më parë, të fjalëve për të komunikuar në një
moment kur distanca është zeruar dhe ku shpejtësia e mundësisë për komunikim bëhet gjithmonë
e më marramendëse. Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të
gjerë mes nesh rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe
komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ku padyshim, ne jemi thellësisht të përfshirë.”
Shpresoj se pas kësaj qeveria do t’i kushtojë vëmendjen e duhur gjendjes së gjuhës dhe, duke
kaluar nga fjalët në vepra, të nxjerrë udhëzimet përkatëse për përmirësimin e gjendjes. Këto
probleme dhe përballimi i globalizmit në gjuhë, nuk mund të zgjidhen me disa artikuj në shtyp
(patetikë ose apatikë) nga ky ose ai studiues i gjuhës, por duke ringritur një organizëm shtetëror
të posaçëm, siç ka qenë Komisioni për Pastrimin dhe Pasurimin e Gjuhës Shqipe pranë Këshillit
të Ministrave, i ngritur me propozimin e Akademisë së Shkencave të atëhershme (1979).
10. Në rrethanat që përmendët, a mendoni se ka nevojë për një ligj për mbrojtjen e gjuhës
shqipe?
Sigurisht që ka nevojë për një ligj. Shteti ka nxjerrë shumë ligje për mbrojtjen e pasurive dhe
të vlerave kulturore e natyrore. Më e rëndësishmja, më e paçmuara, më e larta nga këto vlera
është gjuha shqipe. Kam qenë kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë” më 1998 , kur po punonte
komisioni për hartimin e Kushtetutës. Me qëllim që mbrojtja e gjuhës shqipe të gëzonte një
mbështetje ligjore të përcaktuar qartë që në ligjin themelor të shtetit, u propozova kolegëve që t’i
drejtoheshim Komisionit hartues të Kushtetutës me propozimin që në nenin ku përcaktohet se në
Republikën e Shqipërisë gjuhë zyrtare është shqipja, të shtohej edhe kjo fjali: Gjuha shqipe është
një thesar kulturor kombëtar, që gëzon mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë.
Ky propozim u mirëprit nga komisioni dhe ka gjetur pasqyrim në nenin 59 të Kushtetutës, ku
përcaktohet se: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si edhe në
plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: … mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare,
kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Duke u mbështetur në këtë nen, vijuam
punën për hartimin e një Ligji për gjuhën shqipe. Projekti u diskutua e u ripunua disa herë në
Akademinë e Shkencave dhe iu përcoll Kuvendit me një material shpjegues. U diskutua e u
miratua edhe në komisionet e Kuvendit dhe iu përcoll kryetarit (Servet Pëllumbi) për ta vënë në
rendin e ditës (2004). Por mjerisht nuk i erdhi radha në atë legjislaturë, as në tjetrën, as në tjetrën
…. Kur diskutohej çështja e ligjit, pati edhe komente të padrejta e dashakeqe për të, sikur ligji do
t’i detyronte të gjithë shqiptarët të flisnin gjuhën standarde.
Ligje për mbrojtjen e gjuhës ka edhe në vende të tjera, nuk e shpikëm ne. Këto ligje kanë të
bëjnë me përdorimin publik të gjuhës. Kështu në nenin katër të paraprojektit tonë përcaktohen
fushat e përdorimit të gjuhës ku vepron ligji: “Në gjithë veprimtarinë e administratës shtetërore,
në fushën e arsimit publik e privat, në marrëdhëniet zyrtare, në mjetet e informimit (shtypi dhe
media elektronike) zbatohet norma gjuhësore; çdo tekst publik i fushave të mësipërme, i shkruar
ose i folur, duhet të jetë në pajtim me rregullat e shqipes standarde.” Ndërsa në nenin gjashtë
përcaktohen fushat që nuk janë objekt i ligjit: “Përdorimi i varianteve e i formave dialektore dhe
i zgjedhjeve të ndryshme vetjake jashtë fushave të përcaktuara në nenin 4 nuk është objekt i këtij
ligji.” Sot ka shkrimtarë që shkruajnë gegërisht. Kjo nuk është aspak shqetësuese. Është zgjedhja
dhe përgjegjësia e tyre (e ka trajtuar prof. Rexhep Qosja në kumtesën “Shkrimtarët dhe gjuha
letrare” në Kongresin e Drejtshkrimit). Edhe në vende të tjera botohet letërsi dialektore, që ka
edhe ajo lexuesit e saj, kur është me të vërtetë letërsi.
Në rastin e miratimit të një ligji për gjuhën shqipe nga Kuvendi i Shqipërisë, Institucionet
shtetërore dhe organizatat që u përkasin fushave të përmendura në nenin katër, do të
detyroheshin me akte nënligjore të merrnin masat e nevojshme për zbatimin e normës letrare të
gjuhës shqipe në veprimtarinë e tyre. Aktet nënligjore do të përcaktonin edhe mënyrën e
bashkëpunimit me institucionet gjuhësore për zbatimin sa më të plotë e të drejtë të ligjit.
11. 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit na gjen me një fjalor të vjetër të gjuhës shqipe
(Fjalori i gjuhës së sotme shqipe), të botuar në vitin 1980, me vetëm 41.000 fjalë, që nuk i
përgjigjet realitetit të sotëm gjuhësor. Ndonëse me vonesë, akademitë e shkencave të Shqipërisë
dhe Kosovës së bashku me institucionet e tjera shkencore dhe të arsimit të lartë planifikojnë të
hartojnë Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Si e shikoni këtë projekt?
Së pari, duhet thënë se pas Fjalorit të vitit 1980 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ka botuar
edhe katër fjalorë të tjerë (1984, 2002, 2006, 2020), që kanë sjellë disa mijë fjalë të reja dhe kanë
përmirësuar e saktësuar shpjegimet e një numri të madh fjalësh të tjera. Tashmë është e njohur se
Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku me institucionet e tjera shkencore
dhe të arsimit të lartë kanë ndërmarrë hartimin e një fjalori të ri të madh me rreth 100.000 fjalë
dhe, me sa di unë, puna po ecën mirë përpara. Unë kam qenë në grupin e hartuesve të Fjalorit të
vitit 1980, por më pas u shkëputa nga puna leksikografike, sepse kam pasur detyra të tjera. Tani
edhe për arsye të moshës nuk jam në gjendje të punoj si më parë në një ndërmarrje të tillë të
madhe e me shumë përgjegjësi. Kam plot punë të tjera nëpër duar që nuk mund t’i shtyj. Kryesia
e Akademisë dhe kolegët më mirëkuptuan, ku u shpjegova, me keqardhje, pse nuk mund të
përfshihesha në grupin ne hartuesve të fjalorit të ri.
Projekti i këtij fjalori të ri është mirëpritur kudo, e vlerësoi si vepër me rëndësi edhe
kryeministri E. Rama në fjalën e tij në Kongresin Arsimor të 12 shtatorit. Leksiku i gjuhës shqipe
ka një zhvillim të pakrahasueshëm me të kaluarën. Gjithë ato fjalë e kuptime të reja që kanë dalë,
duhet të pasqyrohen në një vepër leksikografike. Fjalori i një gjuhe është pasqyra e qytetërimit të
shprehur me atë gjuhë. Fjalorët e mëparshëm kanë pasqyruar qytetërimin tonë të kohëve
përkatëse. Ky fjalor, nëpërmjet pasurisë së fjalëve që do të përfshijë, do të pasqyrojë qytetërimin
tonë të kohës së sotme. Fjalorët janë gjithnjë të mirëpritur e të kërkuar nga një masë e madhe
përdoruesish të interesuar. Kam bindjen se fjalori i ri do të jetë gjithashtu një vepër shumë e
dobishme për gjuhën dhe për kulturën tonë. Gëzohem veçanërisht që kjo vepër po realizohet me
një bashkëpunim të gjerë të forcave tona shkencore.
Intervistë për revistën “Lemba”, Ulqin
07.10.2022