Qamil Hafiz Ilazi (12.10.1948 – 15.5.1999)

Qamil Hafiz Ilazi (12.10.1948 – 14.5.1999)

Qamil Ilazi i përket brezit të dinjitarëve të lirisë, të cilët u kalitën nëpër demonstrata dhe nëpër burgje të okupatorit jugosllav. Ai la pas vetes një biografi të pasur në shërbim të kombit e të atdheut, të cilit ia fali të gjitha, aktivitetin atdhetar, mundin e më në fund edhe gjakun e tij.
Qamili lindi më 12 tetor të vitit 1948, në fshatin Kaçanik i Vjetër, të komunës së Kaçanikut. Aty kreu shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e filloi në Ferizaj dhe e vazhdoi në Tetovë, kurse shkollën Normale e mbaroi në Shkup.
Në nëntor të vitit 1968 merr pjesë në demonstratat e shqiptarëve që u zhvilluan në Tetovë. Për shkak të pjesëmarrjes në to arrestohet dhe dënohet gjashtë muaj burg. Më vonë emërohet mësues në fshatin e tij të lindjes, në Kaçanik të Vjetër. Pas një kohe punon edhe në fshatin Begracë të komunës së Kaçanikut.
Si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, Qamili do të mbetet në shënjestër të inspektorëve të regjimit jugosllav. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë, por në anën tjetër ishte mjaft syçelë për të mos lejuar që ta befasonin. Përcillte me vëmendje zhvillimet dhe kishte besim të patundur se arsimimi i shqiptarëve do të ndikonte në rritjen e ndërgjegjes dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. I orientuar drejt në këtë aspekt, ai dha kontribut të çmueshëm në edukimin patriotik të gjeneratave të reja, derisa edhe vetë u bë pjesë e veprimtarisë atdhetare, e cila po zhvillohej pandërprerë në Kosovë, me kërkesat për liri, drejtësi dhe barazi politike e shoqërore.
Prej vitit 1976, Qamili punoi në Sektorin e Mbrojtjes Territoriale të Kaçanikut – referent për rekrutim. Me rastin e abrogimit të Kushtetutës së Kosovës nga Beogradi, më 28 mars të vitit 1989, kudo në Kosovë filloi aplikimi i masave të dhunshme. Për të mbajtur cilindo vend pune, sidomos në administratën publike, duhej të nënshkruhej deklarata e lojalitetit. Këtë deklaratë përbuzëse e refuzuan qindra mijëra shqiptarë. Ndër të parët në Kaçanik, atë e refuzoi edhe Qamil Ilazi dhe për këtë shkak e larguan nga puna.
Ndërkohë, në vitet 90, fillimisht ishte kryetar i Sindikatës së pavarur, pastaj referent i arsimit në komunën e Kaçanikut, anëtar i Këshillit të Financimit dhe kryesues në Degën e Shoqatës Bamirëse ‘’Nëna Tereze’’, po në Kaçanik. Në anën tjetër, kontakton me veprimtarë të lëvizjes ilegale dhe meqë kishte dijeni dhe aftësi ushtarake, ai ndodhet në mesin e një grupi militant që kryente stërvitje ushtarake, në parapërgatitje për organizimin e luftës së armatosur çlirimtare. Duke qenë se regjimi i kishte rënë në gjurmë veprimtarisë së tij, më 14 prill të vitit 1995 arrestohet dhe dënohet me 3 vjet burg.
Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1998, në Llaushë të Drenicës, Qamili tanimë kishte lidhur kontaktet e para me çlirimtarët e ardhshëm të Kosovës, pjesë e të cilëve ishte edhe vetë, me tërë aktivitetin e tij paraprak, atdhetar.
Në prill të vitit 1998 kryesonte Këshillin e Emergjencës për komunën e Kaçanikut. Ndihmon dhe trajton materialisht, me mjete të Këshillit të Emergjencës, krijimin e pikave të UÇK-së në Zonën e Kaçanikut. Ai tanimë ishte në mesin e dhjetëra luftëtarëve të lirisë, të cilët po bënin përpjekje për krijimin e pikave të zjarrit në atë zonë.
Së bashku me Agim Bajramin, Hajrush Kurtajn e të tjerë, merr pjesë në themelimin e pikave të para të zjarrit në Kovaçec, Bob, Glloboçicë, etj.
Me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të UÇK-së, ai kontakton Shukri Bujën në malet e Jezercit, ndërsa më 25 korrik ndodhet në malet e Carralevëc, në kohën kur kishte filluar ofansiva e verës e forcave serbe kundër Grykës së Llapushnikut dhe pozicioneve të UÇK-së në fshatin Zborc. Më 26 korrik, së bashku me ushtarë të të tjerë çlirimtarë ndihmon popullatën e Krojmirit dhe të Pjetërshticës, e cila po tërhiqej nga fshatrat drejt maleve, për shkak të sulmit të pareshtur të forcave serbe, të cilat kishin avansuar në Zborc.
Pas kësaj kohe, Qamil Ilazi me disa ushtarë të tij, të rrethit të Kaçanikut, të cilët asokohe ishin sistemuar në pikat e Zborcit e të Carralevës, sërish kthehet në malet e Jezercit, ku kishte filluar të konsolidohej Zona Operative e Neredimes.
Pas rënies heroike të Agim Bajramit, Besnik Beguncës dhe Xheladin Kurtajn, më 10 gusht të vitit 1998, në fshatin Gabrricë, Qamil Ilazi caktohet ushtrues detyre i komandantit të njësitit të UÇK-së për Kaçanik. Më vonë, me rastin e ristrukturimit të radhëve të UÇK-së, caktohet komandant i Brigadës 162, të Zonës Operative të Neredimes, brigadë kjo që merr emrin e dëshmorit të kombit Agim Bajrami. Zëvendëskomandanti ishte eprori Hajrush Kurtaj.
Në fund të muajit gusht 1998, derisa Qamil Ilazi komandonte me njësitet e UÇK-së në terrenin e Kaçanikut, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në mesin e 15 veprimtarëve të tjerë e dënon në mungesë edhe Qamilin, me 7 vjet burg. Në betejën e Jezercit më 26, 27 dhe 28 shtator 1998, Qamil Ilazi komandon një pikë të zjarrit kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, të cilat po bënin përpjekje të depërtonin në pozicionet e UÇK-së. Në atë betejë ranë dëshmorë: Bashkim Vishi, Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Naim Terziu, Sejdi Sejdiu, Lulzim Guta, Salih Baliu dhe Arsim Zeqiri.
Në gjysmën e dytë të tetorit të vitit 1998, qëndron në Tiranë, ku merr instruksione për zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së. Më 27 nëntor të po atij viti, komandanti, Qamil Ilazi dhe zëvendësi i t ij, Hajrush Kurtaj, shkojnë në seli të Shtabit të Zonës së Neredimes, në Mallapolc të Shtimes, ku takojnë dhe konsultohen për çështje të caktuara me komandantin e Zonës, Shukri Buja.
Në dhjetor të vitit 1998, shkon në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në Divjakë. Në Divjakë qëndron edhe në fillim të shkurtit të vitit 1999, ku merr instruksione lidhur me konsolidimin e njësiteve ushtarake në rajonin e Kaçanikut.
Më 28 shkurt të vitit 1999, komandon forcat e UÇK-së në betejën e njohur kundër forcave serbe, në Gajre të Kaçanikut, të cilat po bënin përpjekje për të depërtuar në pozicionet e UÇK-së. Atë ditë në përleshje ballë për ballë forcave serbe bie komandanti i Togës Hetem Hasaj. Forcat serbe atë ditë kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz dhe në teknikë lufte.
Një betejë tjetër të lavdishme, të cilën e kishte udhëhequr me sukses Qamil Ilazi-komandant Bardhi, ishte edhe ajo në fshatrat Ivajë dhe Kotlinë të rrethit të Kaçanikut. Edhe pse në logun e luftimeve, në altarin e atdheut ranë dëshmorë: Osman Luma, Qani Luma, Murat Lika, Raif Karaçi dhe morën plagë shumë luftëtarë të tjerë, forcat serbe nuk arritën të depërtojnë në Ivajë. Ditën e nesërme ra dëshmor edhe Milaim Luma.
Më 9 prill 1999, në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, u zhvillua beteja më e përgjakshme gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në rajonin e Kaçanikut. Forcat e shumta serbe kishin depërtuar te popullata civile dhe kishin filluar të pushkatonin e të masakronin. Në luftime ballë për ballë forcave barabare masakruese, atë ditë bien në altarin e atdheut 27 dëshmorë dhe 32 martirë të lirisë.
Lufta për çlirimin e vendit nga barbaria e forcave policore dhe ushtarake serbe, nuk kishte pushuar për asnjë çast. Luftëtarët e UÇK-së po rilindnin si zog feniksi. Ata po sulmonin armikun aty ku ai nuk e priste. Komandant Bardhi, zëvendësi i tij, Hajrush Kurtaj e shumë të tjerë, luftuan dhe qëndruan duke kaluar nga një grykë në tjetrën, dhe duke mos pranuar me asnjë çmim tërheqjen. Pjesëtarët e UÇK-së në Zonën e Kaçanikut asokohe vëzhgonin dhe bnanin nën kontroll edhe korridorin e lëvizjes së forcave të UÇK-së, të cilat vinin nga Shqipëria. Më 15 maj të vitit 1999, Komandant Bardhi ndodhej në vendin e quajtur Veset. Papritmas fillojnë luftimet. Duke qenë se forca armike kishte sulmuar me ashpërsi dhe në befasi, në logun e luftimeve bie komandanti i Brigadës 162, Qamil Ilazi. Atë ditë kishte thithur për herë të fundit ajrin e bërë tym e barot të Kosovës, ajrin që paralajmëronte fitoren e sigurt dhe çlirimin e vendit. Në mbrojtje të komandantit kishte rënë edhe luftëtari i lirisë, Selim Shehu, ndërsa qe plagosur, Shefket Kuka.
Më 15 maj 1999, komanda e Brigadës në bashkëpunim me komandën e batalionit të dytë, me nderime ushtarake organizoi varrimin e Qamil Ilazit-komandant Bardhit dhe të luftëtarit Selim Shehu. Ai u varros në vendin e quajtur Stanet e Brratve. Në varrim morën pjesë familjarët e dëshmorit, bijtë e komandantit dëshmor, të cilët ishin, po ashtu, ushtarë të UÇK-së dhe popullata liridashëse.
Duke folur për komandant Bardhin, në përvjetorin e gjashtë të rënies, zëvendësi dhe bashkëluftëtari i tij i pandashëm, Hajrush Kurtaj, ndër të tjera ka nënvizuar: Bardhi kishte lidhje të forta midis vlerave ushtarake dhe normave shoqërore. Kishte një bazë të fortë morale dhe etike. Njihte mirë perspektivat, për të cilat përcaktohej, synimet që duhej të arrinte në fushën ushtarake shumë komplekse. Ishte një profesionist i dalluar. Këtë e dëshmoi në veprimet e suksesshme që i ndërmori në kushte të vështira të veprimit. Shkallën e lartë të profesionalizmit e kishte arritur duke kaluar me sukses në sprova të shumta. Ai ka prezantuar aftësi të jashtëzakonshme në të gjitha fazat e veprimit.
Pas luftës së suksesshme të UÇK-së dhe fitores kundër forcave okupatore, bashkëluftëtarët dhe familja e komandant Bardhit i kanë ngritur bustin në vendin e rënies.
Më 9 gusht të vitit 1999, trupin e komandant Bardhit, bashkëluftëtarët e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, në vendin ku komandanti prehet në përjetësi në mesin e bashkëluftëtarëve dëshmorë.
Shkolla e fshatit Kaçanik i Vjetër, në të cilën Qamil Ilazi kishte mësuar për herë të parë shkronjat e gjuhës së ‘’zjarrtë’’, e ku më vonë kishte punuar mësues arsimdashës, e liridashës, me respekt e krenari e mban emrin e komandantit dëshmor, Qamil Ilazi.
Babai i Qamilit quhet Hahiz ndërsa nëna Selime.
Në jetën e tij të harmonishme me bashkëshorten, Kumrijen, pati tre bij dhe tri bija. Bijtë: Burimi, Besimi dhe Blerimi. Besimi dhe Besniku kanë qenë luftëtarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Bijat: Kidajetja, Hydajetja dhe Mejremja.
Familja e Qamil Ilazit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkoshme të Kosovës, nga Zona Operative e Neredimes, nga shoqatat dhe instancat e tjera joqeveritare.
Të dhëna jetëshkruese për dëshmorin janë prezantuar në librin Shungullon Gryka e Kaçanikut e autorit, Hajrush Kurtaj. Shkrime për jetën e dëshmorit janë publikuar edhe në shtypin ditor dhe atë periodik.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …