Në luftën çlirimtare të Kosovës nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një kontribut të veçantë dha edhe shtresa e intelektualëve atdhetarë. Në këtë shtresë bëjnë pjesë edhe mësimdhënësit, arsimuesit e brezave të rinj. Njëri prej atyre mësimdhënësve të përkushtuar që ua mësoi nxënësve të vet, jo vetëm formulat dhe aksiomat matematike të jetës, por edhe virtytin më të çmuar të saj të sakrifikimit për idealin e lirisë, ishte edhe dëshmori Qazim Hakaj.
Qazim Hakaj ka lindur më 1 korrik të vitit 1957, në fshatin Orroberdë të komunës së Burimit (ish-Istog). Prindërit e tij, Aliu e Zyla, rritën dhe edukuan në frymë të shëndoshë kombëtar, atë dhe tre vëllezërit e katër motrat e tij: Cenën, Mustafën, Agimin, Shehrinë, Shkurten, Kimetin e Sabrinë.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Në Pejë e mbaroi shkollën e mesme, pas së cilës u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit, ku mbaroi degën e matematikës.
Si mësimdhënës i ri i matematikës, kontributi i Qazimit ishte i mirëpritur kudo në vendlindjen e tij, prandaj punën e filluar me nxënës e vazhdoi në shumë vatra mësimore, si në Banjë, Gurrakoc, Tedel e Burim. Kudo ishte shembull, jo vetëm i figurës së mësimdhënësit të suksesshëm, por edhe i edukatorit të mirë. Mirëpo, në këtë periudhë entuziazmi dhe energjie rinore, në këtë rrugë atij fillojnë t’i dalin pengesat e para, të cilat do ta përcjellin deri në fund të jetës, por para të cilave nuk do të përkulet asnjëherë. Në vitin 1981, në pranverën e të cilit, pothuajse në tërë Kosovën, duke përfshirë edhe Burimin, u zhvilluan demonstrata të fuqishme politike me kërkesën për republikë, në të cilat rinia shkollore kishte një rol të veçantë, Qazimi ishte duke dhënë mësim në shkollat e Burimit. Pas këtyre demonstratave, edhe atë do ta godasë tehu i shpatës së sigurimit jugosllav, sikurse i kishte goditur shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, mësimdhënës të shkollës së mesme të qytezës, Idriz Blakaj e Muhamet Rugovaj, të cilët morën dënim politik për shkak të veprimtarisë atdhetare. Ai u përjashtua nga procesi mësimor dhe u ndëshkua me ndalimin e ushtrimit të profesionit të mësimdhënies.
Në vitin 1987 Qazimit iu kurdis një vegëz tjetër etiketimi e demonizimi. Me motivacionin se kishte refuzuar t’i përgjigjej ftesës për të shkuar në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, ai u arrestua dhe u dënua për kundërvajtje, të cilin dënim e vuajti në burgun e Smrekovnicës në afërsi të Mitrovicës.
Pas zbatimit të politikës raciste të segregacionit serb në fillim të viteve ’90, Qazimi zhvilloi një aktivitet të dendur në shërbim të shkollës shqipe e të mbijetesës së saj. Gjatë atyre viteve ai ushtroi detyrën e zëvendësdrejtorit të shkollës fillore “Hysni Zajmi” në Tedel, por nuk i pushoi as aktivitetet e tjera në kuadër të rezistencës ndaj këtij segregacioni.
I bindur se vetëm me rezistencë pacifiste pasive, Kosova nuk do të mund të çlirohej nga Serbia, dëshmori Qazim Hakaj e përjetoi me gëzim lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, gjatë pranverës së vitit 1998 vuri kontakte me zonën ushtarake të Drenicës dhe shprehu gatishmërinë për të marrë mbi vete përgjegjësi ushtarake me qëllim të organizimit të luftës çlirimtare edhe në trevën e Burimit. Këtë gatishmëri me kohë e bëri vepër, duke rekrutuar shumë të rinj simpatizues të UÇK-së me të cilët filloi të organizojë pikat ushtarake në Orroberdë e në fshatrat e afërta, të cilat vepruan në kuadrin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.
Një angazhim të veçantë për të ndihmuar luftën çlirimtare, gjatë vitit 1998, Qazimi ia kushtoi çështjes së furnizimit me armë. Për këtë qëllim, në muajin korrik të atij viti, bashkë me një grup shokësh, si Idriz Blakaj, Sylë Maksutaj, Demë Lipaj e të tjerë, udhëtoi për në Shqipërinë e përtejkufirit për të sjellur armatim prej atje. Armë e municion, disa herë kishte bartur edhe nga Mali i Zi, përmes të ashtuquajturit korridor i Rozhajës.
Formimi i Brigadës 133 ishte një ngjarje e rëndësishme për Qazimin, sepse tashmë veprimtaria ushtarake do të intensifikohej e harmonizohej në nivel më të lartë. Në këtë kohë, rreth vetes kishte tubuar një numër të madh përkrahësish, e sidomos ata të rrethit të gjerë familjar, si Nexhmedin Hakaj, Nimon Hakaj, Skënder Hakaj, Shpend Hakaj, Milazim Hakaj e shumë të tjerë. Një shtytje të fuqishme këtij organizimi i kishin dhënë edhe rënia heroike e Nazmi Muzliajt, në verë të vitit 1998 dhe e Myrvete Maksutaj, në dimrin e atij viti.
Tashmë, pozicione dhe fortifikime lufte, Brigada 133 kishte vënë në të gjitha pikat strategjike të zonës së saj të përgjegjësisë, si në Tedel, Lubozhdë, Studenicë, Orroberdë, Albanë (Jabllanicë), Llugë, Tomoc e në vende të tjera dhe sulmet mbi forcat e armikut zhvilloheshin në përputhje me planin taktik të brigadës. Ishte koha kur edhe armiku kishte përqendruar trupat e tij në pozicione të caktuara si në Kodrën e Tomocit, Banjë e Dobrushë, prej të cilave granatonte në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Ballafaqimet e mëdha ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe pritej të zhvilloheshin në vazhdim.
Me fillimin e bombardimit nga NATO-ja kundër makinerisë ushtarake serbe, më 24 mars të vitit 1999, me një tërbim të shfrenuar u sulmuan fshatrat dhe vendbanimet e komunës së Burimit. Më 12 prill të vitit 1999, forcat serbe sulmuan me të gjitha llojet e armatimit trevën rrëzë vargmaleve të bjeshkëve që nga Burimi e deri te Peja. Atë ditë, një betejë e ashpër lufte u zhvillua në fshatin Tedel. Në këtë betejë, ranë 12 luftëtarë lirie, në fortifikatat e UÇK-së. Të nesërmen, më 13 prill, një ditë pas betejës në Tedel, Qazimi, bashkë me Nexhmedin Hakajn dhe Sylë Çetajn, ndodhej në lëvizje vëzhgimi të terrenit në fshatin Kaliçan, në të cilin fshat tashmë kishin depërtuar forcat e pushtuesit. Rreth orës 17, këta tre luftëtarë sulmohen papritmas nga militarët serbë prej një pozicioni prite. Të tre luftëtarët hyjnë në përjetësi.
Trupat e dëshmorëve Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj dhe Sylë Çetaj, ishin varrosur dy ditë më pas në varrezat e qytetit të Pejës. Varret e tyre u identifikuan në korrik të vitit 1999, tre muaj pas rënies. Sikurse ora në dorën e dëshmorit Nexhmedin Hakajt, edhe në dorën e dëshmorit Qazim Hakaj, ora kishte vazhduar të maste çastet e afrimit të lirisë së Kosovës dhe të kapitullimit të Serbisë okupatore. Kjo orë ka mbetur shenjë e çmueshme kujtimi edhe për bashkëshorten e tij, Bukurinë dhe për fëmijët Qëndrimin, Durimin dhe Etnikun.
Më 19 korrik të vitit 1999, trupi i dëshmorit Qazim Hakaj rivarroset në varrezat e fshatit të lindjes, në Orroberdë.
Pas çlirimit të Kosovës, në shenjë respekti e përuljeje për sakrificën sublime të dëshmorëve Qazim Hakaj, Sylë Çettaj e Nexhmedin Hakaj, bashkëfshatarët u ngritën përmendore në fshatin Orroberdë. (N. M.)