Qazim Hamëz Shala (10. 3. 1955 – 5. 4. 1999)

Qazim Hamëz Shala (10. 3. 1955 – 5. 4. 1999)

Dëshmori Qazim Shala u lind më 10 mars të vitit 1955, në fshatin Prapaçan të komunës së Deçanit. Në luftën e zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovë, ka rënë dëshmor edhe i biri i dëshmorit Qazim Shala, Përparimi.
Qazimi ishte fëmija i parë i prindërve Hamëz e Ajshe Shala, të cilët i lindën dhe rritën nëntë fëmijë, pesë djem e katër vajza. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkaq të mesmen në Isniq. Për shkak të kushteve ekonomike nuk mundi të vijojë shkollimin e mëtutjeshëm. Me profesion ishte mjeshtër i ndërtimtarisë. Ka marrë pjesë në protestat dhe në demonstratat e zhvilluara gjatë viteve ’90-të, por edhe në demonstratat e vitit 1997 dhe në ato të fillimvitit 1998. Qazimi ka qenë i përndjekur nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, me ç’rast, në vitin 1995 u detyrua t’i blejë e t’i dorëzojë në policinë serbe dy armë.
Pas shpërthimit të luftës frontale në Kosovë, në pranverën e vitit 1998, përkatësisht në muajin prill, Qazimi u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sistemuar në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Prapaçan. Në fillim të muajit maj, bashkë me bashkëluftëtarë të tjerë shkoi në Shqipëri për furnizim me armatim, të cilin e solli në Kosovë, ku vazhdoi t’i kryejë me përpikëri të gjitha detyrat e ngarkuara, si në roje, vëzhgim etj., ndërsa mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Kryshec të Pejës (në muajin maj 1998), pastaj në Loxhë (në muajt korrik e gusht 1998), etj.
Edhe pas ofensivës serbe të shtatorit të vitit 1998, Qazimi nuk i dorëzoi armët, por vazhdoi rezistencën betejë pas beteje, në kuadrin e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, pozicionet luftarake të së cilës ishin më të rrahurat nga zjari i luftimeve. Meqenëse Qazimi e njihte mirë edhe profesionin e kuzhinierit, për shkak të nevojës, prej tij u kërkua të angazhohet në kuzhinën e Brigadës 131 në bazën e Ratishit.
Në këtë periudhë Zona Operative e Dukagjinit ishte e përfshirë në luftime të rrepta e të pandërprera përballë forcave të pushtuesit serb. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bënin qëndresë heroike në të gjitha vijat e frontit. Si rezultat i luftimeve të pareshtura, çdo ditë po binin dëshmorë luftëtarët më të mirë të UÇK-së, por edhe numri i të plagosurve gjithnjë po rritej.
Më 5 prill të vitit 1999, kur pas ofensivës së gjerë, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla” kishte marrë përsipër transferimin e mbi 40 luftëtarëve të plagosur rëndë, nga spitali ushtarak i Zonës Operative të Dukagjinit, i cili ndodhej në fshatin në Zhebel, në drejtim të Burimit (ish-Istogut), një pjesë e kolonës ra në pritën e forcave serbe, në mes të fshatrave Kotradiq dhe Vranoc, ku pati edhe të vrarë e të plagosur në radhët e njësive të armikut. Në atë rast Qazim Shala ishte zhdukur dhe për disa vjet me radhë nuk dihej asgjë për fatin e tij. Njëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, më 2010, eshtrat e tij u gjetën në Lybeniq të Pejës dhe më 14 tetor 2010, u varros në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, pranë trupit të të birit dëshmor, Përparim Shala, luftëtar i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” e më pas i Batalionit të Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj” të Zonës Operative të Dukagjinit.
Qazimi ishte i martuar me Dushe Shalën, me të cilën pati shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë. Përparimi ishte i pari prej djemve.
Kujtimi për dëshmorin Qazim Shala është përjetësuar me shkrime në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, në revista e gazeta të ndryshme, etj. Familja Shala është nderuar me mirënjohje të shumta për dy dëshmorët e kombit, babë e bir Qazim e Përparim Shala. Këtyre dy dëshmorëve, në shenjë përkujtimi e nderimi të përjetshëm u është ngritur pllakë përkujtimore edhe në vendlindjen e tyre në Prapaçan. (F. R)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …