Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela, i cili është pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, ka vlerësuar se gjendja e tanishme në vend është mjaft e rëndë, dhe sipas tij nuk ka shpresë se në të ardhmen do të përmirësohet. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë. “Përderisa kjo qeveri nuk po mund t’i plotësojë detyrat themelore të veta, ka ardhur koha që kjo qeveri të bjerë dhe që kjo përbërje e Kuvendit të përfundojë. Aq më parë kur edhe ligjet me shumë vështirësi po shqyrtohen e po miratohen. Kurse disa prej tyre nuk po kalojnë për shkak të kundërshtive brenda partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar ai. Qela nuk ka treguar nëse do të nënshkruaj apo jo këtë mocion. “Unë dhe Lëvizja për Bashkim, së cilës i përkas, nuk e kemi parë tekstin e mocionit, prandaj nuk kemi përgjigje paraprakisht. Se a do ta nënshkruaj apo jo mocionin e mosbesimit, varet prej arsyeve që janë theksuar në tekstin e mocionit”, është shprehur Qela. Duke folur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ai ka paralajmëruar se do të votojë kundër këtij drafti të demarkacionit. “Lidhur me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, unë nuk kam ndryshuar qëndrim. Do të votoj kundër. Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet me arbitrazh ndërkombëtar”, ka theksuar Qela.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që shënon herën e parë …