Hazis Gjergji: Vrasja e heroit Qemal Stafa sipas thashethemeve

Qemal Stafa (1920 – 1942) personalitet me rëndësi i Lëvizjes Kombëtare Revolucionare

Qemal Hasan Stafa u lind në Elbasan, më 20 mars të vitit 1920. Ka qenë bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu hartues  poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin “Brutus”, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij, më 5 maj 1942 është përcaktuar si datë simbolike për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve nga regjimi komunist e deri më sot.

Qemali,  u lind në qytetin e Elbasanit, ishte  i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës, kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës.

Qemali ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi,i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Ishte pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xhemal Brojën, Arshi Pipën, Haki Tahën etj.

Mbas vdekjes së të atit, familja e tij u shpërngul në Tiranë korrikun e 1936. Në fillim të vitit shkollor 1936-1937 u regjistrua në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Tuk  Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisën arrestimet prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga avokati, Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite burg. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte prangosur në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë protestave të 7 prillit, kur Italia Fashite  e Musolinit kishte filluar pushtimin e Shqipërisë.

Kandidati për sekretar të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit, nënës së Asim Vokshit  në Tiranë. Më 4 maj të vitit 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Qemal  Stafa, e fejuara e tij Drita Kosturi, pastaj  Kristo Themelko, Gjustina Sata  dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin për arrestimet  karabinieria nuk e përmend, Kristo Themelkon. Qemal Stafa u vra nga karabibniesia italian më 5 maj të vitit 1942.

I rrethuar nga 200 milicë dhe me një pistoletë dhe dy bomba në dorë, Qemal Stafa, në ato momente kishte dy rrugë: ose të arratisej, ose të vritej. Kishte shumë pak mundësi me të parën, rrjedhimisht ndodhi e dyta. Ishte ora 09.35. kur baza në Tiranë ku strehoheshin ai dhe 6 persona të tjerë u zbulua dhe të gjithë dolën nga prapa banesës me synimin për t’u larguar. I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye gjithë e lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar. I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i kishin gjetur kontratën e shtëpisë që kishte marrë me qira dhe emrat e atyre që strehoheshin. Bashkë me të arrestuarin policia arriti të gjejë shtëpinë dhe e rrethoi atë. Sapo nisi beteja mes tij dhe milicëve ai u plagos dy herë në këmbë. Ashtu çalë-çalë rendi të largohej nga pas shtëpisë ku terreni ishte i hapur me disa ara. Arriti të kalonte tre prej tyre, por në këtë moment u gjet nën breshërinë e plumbave të milicisë të cilat i shkaktuar vdekjen.

7 ditë pas vrasjes Partia Komuniste e Shqipërisë nxori traktin e saj në të cilin thuhej. “Në Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokë të tjerë lufte Qemal Stafa  u gjend i rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë dhe vetë qëndroi që t’u lejonte shokëve të largoheshin sa më parë. Kur agjentët u afruan mjaft me bombat në njërën dorë dhe me revolen në dorën tjetër hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë. Me këtë mënyrë e çau rrethimin, doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Por në një luftë të tillë një plumb tradhtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë.

 

Në të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, një pjesë e të cilave janë çmuar me autorësi të diskutueshme.

Në vitin 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këngën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën, “Krenari për mëmëdhenë”.

 

Burimet:

Vikipedia,

Rolad Qafoku: Si u vra Qemal Stafa i rrethuar nga 200 forca të armatosura në Tiranë.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …