Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, të premten ka shënuar ditën e shkollës, ku krahas familjes së dëshmorit Kujtim Krasniqi, nxënësve, mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollës, mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i arsimit, Avdi Morina, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe mysafir nga shkollat profesionale të vendit.
Fillimisht, për të arriturat e shkollës foli zëvendës drejtori i Qendrës së Kompetencës, Januz Kastrati. Sipas Kastratit, në këtë shkollë aktualisht mësojnë 846 nxënës, kurse sukseset nuk kanë munguar në fusha të ndryshme. Ndërsa edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalën e rastit, i ka uruar të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës profesionale.
Në shënimin e kësaj dite të shkollës, janë shpallur edhe nxënësit më të mirë dhe mësimdhënësit, përkatësisht kujdestarët më të mirë.