Qendra Floriani në Skenderaj shembull i edukimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Qendra për këshillim dhe edukim parashkollor të fëmijëve me aftësi të kufizuara “Floriani” në Skenderaj ka festuar 10 vjetorin e punës së saj. Në ceremoninë festive të organizuar më këtë rast drejtoresha e kësaj qendre, Lirie Konjuhi ka pritur mysafirë të veçantë, të cilët bashkë me fëmijët e qendrës kanë festuar ditëlindjen e 10 të këtij institucioni. Të pranishëm në qendër ishin përfaqësues të Diakonie Württemberg-Stuttgart, deputetja Ganimete Musliu, përfaqësues të komunës së Skenderajt, përfaqësues të Qendrës Rinore dhe të bizneseve private që e ndihmojnë Qendrën Floriani. Për mysafirët e pranishëm fëmijët e Qendrës Floriani dhe ata të Ansamblit Drenica kanë shfaqur një program artistik dhe festiv. Më këtë rast, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Enver Gashi, në emër të komunës së Skenderaj e ka falënderuar përfaqësuesin e organizatës Diakonie Johanesn Flotow, për kontributin e dhënë në financimin e Qendrës Floriani. Qendra “Floriani” në Skenderaj ka trajtuar deri më tani 51 fëmijë, një pjesë e këtyre fëmijëve falë edukimit në këtë qendër janë aftësuar për shkollim të rregullt. Kjo qendër financohet 70 % nga organizata gjermane Diakonie, ndërsa 30 % nga komuna e Skenderajt. Drejtoria e Shëndetësisë e ka ndihmuar këtë qendër edhe me pajisje dhe gjera të tjera të nevojshme. Herë pas here kjo Qendra “Floriani” ndihmohet edhe nga bizneset lokale të Skenderajt dhe persona të vullnetit të mirë. Qendra Floriani për 10 vjet ka arritur të trajtojë me humanitet, më përkushtim dhe në mënyrë profesionale fëmijë me nevoja të veçanta të Skenderajt, të cilët janë edukuar dhe aftësuar për jetë më të mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …